Labirinti i kaosit dhe subkoshienca e Thanatosit
nga Skënder Sherifi[1]
Nuk e di pse, por ky viti 2024 do të ketë një rëndësi të veçantë për ekuilibrin global të botës. Është ndjenja suplementare e artistëve, një perceptim, një sensacion, një mesazh i panjohur, i ardhur ku me e ditë nga ku, një valë, një energji, një luhatje, një atmosferë, një fluturim fluture apo dallëndysheje? Por siç do të na kishin thënë me siguri orakujt apo vestalet e dikurshëm: «zonja dhe zotërinj, qytetarë të nderuar, shenjat nuk janë aspak të mira ngaqë po na fishkëllejnë erëna, stuhi negative nga të gjitha anët, me plot shembuj për zi! » Por ajo më e çuditshmja, në këtë kontekst kaq patologjik, është apatia jonë, indiferenca, letargjia, narkoza, si të ishim të gjithë të droguar dhe të vërbuar, të pastruar nga truri, të lobotomizuar, si me na pas marrë mësysh, si me na pas lëshuar dikush një nemë, një fall të keq. Pa mendim kritik, pa reagim qytetar apo intelektual, pa kundërpropozim, pa protestë, pa mobilizim të opinioneve publike, pa thirrje për diçka tjetër pak më të shëndoshë dhe më logjike. Mjaft ishim të krisur në Majin e 1968-s në Paris, porse, pos hedonizmit maksimal dhe festivalit të qejfeve, e kemi pasur të gjithë në atë kohë një koshiencë politike, sociale dhe qytetare dhe nuk kemi hezituar për t’u prononcuar kur ndodhte një padrejtësi flagrante apo një çorodi e papranueshme. Kurse sot nuk pyet askush për asgjë, nuk do me ditur askush për asgjë. Mbretëron një egocentrizëm primitiv fëminor, një indiferencë e paparë, me një tufë qytetarësh të hipnotizuar pas ekraneve dhe imazheve. E pra, më duket që i kemi disa detyrime humane dhe morale ndaj vetes, ndaj shoqërisë tonë dhe ndaj kombit apo shtetit, si të doni se, tek e fundit, gjithëçka që mund të ndodhë në Shqipëri apo Europë, na takon edhe neve, deshëm apo nuk deshëm. Po çka dreqin na ka gjetur, o të dashur lexues?! Pse duhet t’i pësojmë pa asnjë reagim të gjitha këto absurditete dhe idiotësi njerëzore të grumbulluara? Sepse nuk po na vijnë prej qiellit as prej Zotit, por prej Njeriut!
Ne, a po e shohim që asgjë nuk po funksionon siç duhet në bazë të një rregulli të drejtë, ligjor, human dhe njëqindpërqind demokratik dhe, pra, po pajtohemi me të papajtueshmen dhe po i pranojmë, si të ishin diçka normale, të gjitha çregullimet, çoroditjet, padrejtësitë, korrupsionet, amoralitetet e të tjera. Po i adoptojmë antivlerat si të ishin vlera madhore. Po pse? Kështu na kanë pas edukuar të parët tonë, baballarët, gjyshërit dhe gjyshet tona burrërrore, fisnike dhe dinjitoze? Për t’u zhveshur komplet nga gjithçka, duke mos e patur asnjë shtyllë kurrizore, asnjë parim, asnjë drejtim preciz në jetë, duke shlyer gradualisht çdo identitet, çdo referencë, çdo vlerë kombëtare shqiptare për shkak të komplekseve dhe frustrimeve tona të shumta, të paemërta dhe sidomos të patrajtuara, të paanalizuara, duke veshur çfarëdo kostumi të huaj, duke luajtur çfarëdo roli të imponuar nga modat e jashtme, kinse për t’u dukur modern e të kohës, por pa asnjë bazë serioze, asnjë themel identitar që qëndron pesë minuta në këmbë, para çfarëdo profesionisti të botës, i dalë nga Oksfordi, Harvardi, Stendfordi, Sorbona e të tjera qendra universitare me prestigj të konfirmuar. Se nuk është puna me e kënaqur apo me e bindur njëri-tjetrin me përralla apo me mite të lezetshme në dukjen e parë, se sa të mirë, të bukur, të mëdhenj dhe gjenialë jemi si shqiptarë, por me i bindur të gjithë specialistët eminentë të botës me argumente shkencore të padiskutueshme, se kush jemi, çka jemi dhe sa peshojmë para të tjerëve në Kontinentin Europian dhe në planetin tokë. Gjithë problemi ynë, tamam si në filmat e Angelopoulosit, me të cilin kam pas qëndruar dhe biseduar disa herë, është për të prodhuar pak qartësi racionale e jo vetëm mjegulla, supozime hipotetike dhe konfuzione.
Çka është kinematografia ose arti i shtatë, o lexues? Serialet turke dhe latino-amerikane? A i kujtohet sot dikujt Jean Vigo, Carl Dreyer, Jean Renoir, Marcel Carné, Mizogushi, Ozu, Luis Bunuel, Ingmar Bergman, Viktor Erike, Carlos Saura, Nagisa Oshima, Wajda, Kieslowski, Andrei Tarkovski, Jean-Luc Godardi, Fassbinderi, Herzogu, e të tjerë? Çka është filozofia, psikologjia dhe sociologjia? Mund të flitet këtu për Jacques Derrida-n, Gilles Deleuze-in, Jean Baudrillard-in, Edgar Morin-in? E pamundur! Çka është gazetaria dhe politologjija profesionale, o miq? Editorialistët dhe gjithologët tanë të ekraneve shqiptare, të parapaguar gati si zëdhënës për promovimin e dikujt. Ose mjerimi intelektual i animatorëve që janë aty vetëm sa për të mbushur programe televizive. Siç duket, për një pjesë të madhe të popullsisë, të gjitha këto i ka zëvendësuar sot interneti me rrjetet shoqërore të komunikimit, i cili nuk prodhon në realitet asnjë komunikim real të thelluar, autentik, por një pseudokomunikim fiktiv, të metamorfizuar në një seancë monologu narcizist. Nuk jemi në shkëmbim apo në dëgjim të tjetrit, por vetëm në le të më dëgjojë mua bota, le të më shohë në foto, ja ku jam, ja çka mendoj unë për momentin, ja çka po bëj aktualisht, pra jemi në një raport thellësisht narcizist me vetveten, por të projektuar tek të tjerët. Do me thënë që sot kultura, arti, intelekti, komenti, analiza e çka të doni kalon kryesisht përmes ekraneve dhe rrjetave shoqërore: sa klikime, sa followers ke, sa buzze ke shkaktuar, sa je prezent në facebook, x, instagram, tik-tok? Cili student e lexon sot një kritikë profesionale nga New-York Times-i, apo Le Monde apo në një revistë të specializuar filozofike apo letrare?
Çka është kultura o miq dhe mikesha të nderuara? Gjithë ky bastardim aktual? Telerealitetet, bingot, lojërat e fatit, X-Factor-i, Big Brother-i, Ishulli i Tentacionit, Dancing with the Stars, hajgaret dhe humoret vulgare të përditshmërisë, Mulliri i Spektaklit permanent i cili, më në fund, prodhon vetëm trullografi dhe amnezi dhe anulon de facto çdo tentativë mendimi, thellimi shpirtëror, analize kritike, sepse je i burgosur në tentakulat e asaj çka unë e quaj « narkografia globale e shoqërisë » ose thënë ndryshe qysh me e mpi komplet një popull, me e vendosur në një hipnozë, në një gjumë të kontrolluar dhe të diktuar për ta përdorur si një kukull, objekt ose marionetë dhe për të bërë me të absolutisht çka të duash ngaqë, përmes një matrakazhi propagandistik modern dhe një autosugjestionimi permanent të kohës, ia kanë hequr prej vitesh çdo personalitet specifik: kjo është baraz në filozofinë e përgjithshme ose në principin bazë, me metodat e vjetra që përdornin dikur marksistët apo fashistët, por këtu me teknika pak më moderne dhe tepër perverse, duke na lënë akoma një iluzion që jemi në demokraci, kurse, në realitet, jemi në prag të totalitarizmit si tek Georges Orwell-i apo Aldous Huxley, Isak Asimov-i, si tek Kafka, « Pallati i Ëndrrave » i Kadaresë, Pier Paolo Pasolini, David Lynch, tek bota kompjuterike, kibernetike, kimike dhe biologjike, ajo e manipulimeve gjenetike, e algoritmeve dhe e inteligjencës artificiale. Kështu që çdo kapacitet për të menduar diçka në thellësi dhe për ta tëholluar, rafinuar, precizuar mendimin tonë deri në fund është i anuluar, i fshirë, i pamundur. Sa për të qeshur dhe për ta kuptuar se ku jemi: a mund ta imagjinoni në një program të televizioneve shqiptare sot, në një mbrëmbje pseudoinformative dhe kulturore debatesh fiktive, sa për të bërë zhurmë, show dhe ndonjë buz eventual për rrjetet shoqërore të analfabetizmit planetar, sikur, për shembull, tek Blendi Fevziu, Sokol Balla, Eni Vasili, Sonila Meço, Alban Dudushi, ku janë katër, pesë ose gjashtë të ftuar për një diskutim rreth një teme, të kishin ftuar Fan Nolin, Faik Konicën apo Gjergj Fishtën? Me u pakur duke qeshur! Nuk do merret vesh se kush janë, as çka kanë thënë në gjithë atë cirkus delirant dhe do na u kishin dukur si tre injorantë të humbur, bufonë të ardhur kot me pahir në atë emision. Pse? Sepse, do jenë direkt të pushtuar dhe të kondicionuar nga forma apo atmosfera e spektaklit global, i cili do ua fshijë çdo mendim, do ua zhdukë çdo thellësi intime ; kështu që ata tre gjeni të kombit tonë do na duken detyrimisht si me pas qenë tre shkretanë, ngaqë i përthith dhe i asgjëson komplet edhe ata logjika e spektaklit. Po ashtu, a e imagjinoni Umberto Ekon, Volterin, Viktor Hygoin, Shekspirin apo Prustin në një emision informativ dhe kinse kulturor të televizioneve berluskioniane, ose tek Fox News-i, i Donald Trampit? Do ishte një skeç komik i Marx Brothers-it apo Monthy Python-it për të qeshur gjer në lot. Me një fjalë tjetër, perversiteti dhe paradoksi qëndron këtu: sot në Europë je i supozuar në demokraci dhe je i lirë, po, natyrisht, në teori dhe pjesërisht në praktikë, por jo me lirinë e Rembosë! Sepse do jesh i lirë, por brenda kontekstit iks, sipas normave ypsilon, sipas kornizës dhe funksionimit të sistemit alfa, sipas kësaj dhe asaj brenda këtij kufiri të imponuar njëqind lloj rregullash, të cilat nuk do kesh shanse për t’i kundërshtuar bile as diskutuar. Kështu që do e kesh iluzionin e lirisë, por në realitet do jesh i kondicionuar dhe i diktuar! E pra dihet që demokracia është më i miri sistem politik mes të tjerave që janë edhe më zi. Për fat të madh, kam jetuar epokën më të mirë dhe të bukur të mundshme, ajo më e pasura shpirtërisht dhe më frymëzuesja në të gjitha aspektet, mes viteve 1960 deri në vitet 1990, hajde po e shtyj deri në vitin 2000 në maksimum. E pastaj ka filluar regresioni dhe dekadenca globale, cikli i obskurantizmit dhe i mesjetës moderne, ritkthimi në zonat e errëta Po, po, o lexues, ka fituar për momentin dhe ndoshta përgjithmonë dhe pse shpresoj që jo – cirku i Jul Cezarit, lojërat, bixhozet, Las Vegasi, parqet e atraksionit, zbavitjet dhe argëtimet bazike ajo çka miku im Guy Debord në vitin 1967 e quante Shoqëria e Spektaklit ku nuk ka më përmbajtje, ku nuk ka më mendim, por formë, teknikë komunikimi, gjuhë publicitare, tregtare dhe propagandistike dhe show narkotik, sa për t’i vendosur neuronat tona në gjumë dhe për të na përgatitur për hajgare, skllavërime radikale, sa për të na diktuar një seri vlerash të tjera postmoderne që lidhen me konsumimin dhe me formatimin e një Njeriu të Ri, post- niçean, post- nazist, një farë AVATARI i shekullit XXI dhe XXII me një kornizim strikt dhe i programuar për t’i zbatuar pa i diskutuar të gjitha direktivat e ardhshme. Kjo është për gjithë ata që janë syçelët dhe akoma koshient, o miq, SHOQËRIA që do na propozohet nesër, por që ka filluar qysh tani. Ju a jeni dakord, a pajtoheni, a ju pëlqen kjo lloj bote? Mua, jo! Gjithë pyetja është, a do ketë dikur një reagim nga shoqëritë civile (nga pushtetet nuk e besoj) kundër këtij modeli shoqëror futurist, pra, botës post-humaniste, algoritmike dhe robotike? Kush mund të shprehë aty romantizëm dhe poezi? Do e «pushkatojnë» direkt apo do e internojnë urgjentisht në një kamp riedukimi, si në filmin « Alphaville » të Godard-it të vitit 1965-‘66. Pastaj, në gjithë këtë kaos të paparë, ku është sot bota jonë shqiptare? Cilat janë objektivisht vlerat, normat, kriteret e saj? Si e sheh veten sot dhe si e projekton veten pas pesëdhjetë apo njëqind vitesh?
Po na fryjnë nga të katër anët siç ju thashë në titull Sirenat e luftës apo të luftërave të ardhshme ngaqë çdo busull është çregulluar dhe nuk po dihet se ku janë sot rregullat, normat, principet bazë të ekuilibrit të përgjithshëm ndërkombëtar. Jemi dallashuar komplet, kemi marrë rrugën e mbrapshtë, na ka hy shejtani në shpirt, jemi ndoshta veglat e një subkoshience frojdiane të errët, të mistershme, ku pulset e saj negative dhe vetëshkatërruese, për disa arsye psikoanalitike, akoma të paqarta, na çojnë në kaos (por kjo e kërkon një terapi të thelluar për ta kuptuar në imtësi çka ne, natyrisht, nuk e kemi bërë). Janë po ato pulset, reflekset e Thanatosit të cilat po na shfaqen aktualisht si diçka enigmatike, e cila po na çon ku nuk duhet, si me na pas tërhequr vdekja, shkatërrimi global, vetëvrasja. Dhe e perceptojmë ndoshta dikund intuitivisht, e dimë që e kemi gabim, por po shkojmë, megjithatë, gati mekanikisht dhe vërbërisht, për t’i ra kokës në mur si me qenë të thirrur, të diktuar, nga një FATUM antik. Mister i madh!!! A është diçka e shkruar? Por liria dhe vetëvendosja apo përgjegjësia sartriane ku janë? Si me i pas thënë vetes kemi qenë rehat në Europë, tash 70 vite në paqe dhe në qetësi dhe ku me e ditur pse, tani na duhet për t’u përballur dikund me tragjedinë, me të keqen, me të zezën, me vdekjen, për t’ia ditur më mirë vlerat jetës dhe avantazheve që i kemi pasur gjatë këtyre dekadave. Kemi qenë tëpër të përkëledhur, të lazdruar, të privilegjuar, por nuk ia kemi ditur për nder askujt dhe, së pari, as Zotit. Atëherë, a mos po na vjen kjo punë si një lloj dënimi nga lart, nga vetë jeta, nga natyra e gjërave? Pikëpyetje! Por dihet që në rregull nuk jemi, na ka humbur logjika humaniste, dëshira e mirëkuptimit, psikologjia e dialogut, e kompromisit paqësor dhe sot po duam për t’i zgjidhur gjërat me diktat apo me dhunë, duke ia imponuar pikëpamjet tona me forcë tjetrit, pa e pyetur fare se kush është, apo se çka don apo a ka të drejtë ose jo? Kjo na tregon qartësisht që dikund ka zënë vend edhe tek ne ajo ideja e totalitarizmit, e imponimit, e diktatit me dhunë e cila, natyrisht, po i përgatit edhe popujt europianë, e mos të flasim për të tjerët, për regjime diktatoriale dhe populiste të çfarëdo ekstremi ideologjik, por, në thelb, nuk ka shumë rëndësi ngjyra e tyre, ngaqë metodat dhe sistemet janë gati të njejta në praktikë. A je i zi apo i kuq nuk prish shumë punë, ngaqë je në koncept totalitar ; të tjerat janë si në sport, çështje tifozllëku, dikush me Realin, dikush me Barcelonën, dikush me Mançesterin, dikush me Liverpool-in! Grahjani dhe merreni nga një birrë prej meje, o lexues, me një sahan çipsa! Çlirohuni në maksimum, kënaquni deri sa t’ju vijë papritmas një farë pseudo-Adolfi, i dalë nga një serial B – amerikan! Ha, ha, ha!
Bota është duke u riarmatosur gjer në dhëmbë dhe kjo gjë është mjaft shqetësuese, apo jo? A kemi qenë për disa dekada në logjikën e çarmatimit ruso-amerikan dhe europian, në atë logjikën e dialogut mes blloqeve për t’i zgjidhur problemet e botës. Po atëherë çka ndodhi? Disa shkundje sizmike që i morëm me shumë lehtësi, si diçka evidente, por që patën pasoja të rënda për më vonë. Muri i Berlinit, bashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Bashkimit Sovietik, eksplodimi i ish-Jugollavisë dhe lufta delirante e Millosheviçit, intervenimi unilateral i Amerikës me bombardimet në Serbi, zgjerimi i NATO-s tek ish-aleatët e Bashkimit Sovjetik, ata të Paktit të Varshavës me shtetet baltike deri tek propozimet apo premtimet e bëra ndaj Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Pastaj çështja e Izraelit dhe e Palestinës, ajo e botës arabe në tërësi, me atentatin e bujshëm të New-Yorkut, më 11 shtator 2011, me atë invadimin e Irakut, luftën e Sirisë, Libisë, Jemenit, destabilizimin e Libanit, pranverat arabe, rrymat islamiste dhe fundamentaliste me Bin Ladenin, Daeshin, Boko Haramin dhe grupet e tjera. Pra, deshën apo nuk deshën, me vendimet unilaterale të disa fuqive planetare, pa asnjë dialog paraprak, i thyen gradualisht disa nga rregullat ndërkombëtare esenciale, ato që i kishin vendosur ata vetë përmes Kombeve të Bashkuara. Po atëherë ju e kuptoni që kur e bën x-i pa pyetur askënd, jo unë jam më i forti dhe do e bëj atë çka dua unë dhe pikë, pse mos ta bëjë, dikur më vonë, edhe ypsiloni nëse të sheh ty të dobët dhe pak të tërhequr, si një kundërpërgjigje e uniliteralizmit, pa u lodhur për askënd dhe për çfarëdo preteksti fiktiv e vetëm për interesat e veta? Ajo çka po ndodh sot me Rusinë e Putinit, a është për t’u çuditur? Në realitet, jo. Sepse ia kemi përgatitur ne vetë terrenin.
Natyrisht, unë sikurse çdo shqiptar normal dhe i logjikshëm, në rrethanat që i kemi, do jemi detyrimisht pro-amerikan, çka nuk mund të diskutohet (po pse a më mirë do ishte për të qenë pro-rus apo pro-kinez), ngaqë kush tjetër, pos Gjyshit SAM, mund të na garantojë sot apo nesër sovranitetin në Ballkan? Europës, si forcë vendimtare strategjike dhe ushtarake, sot për sot, nuk po i beson askush dhe me plot të drejtë. Mirëpo, edhe pse jemi pro-amerikanë, duhet ta pranojmë që, në disa raste, Amerika e ka ekzagjeruar dhe e ka tepruar, pra ka dalë prej zonës ligjore ndërkombëtare e, në disa raste të tjera, edhe ia ka lejuar vetes disa të drejta ekstra. Dhe pastaj, dikur, çdokush, edhe çobani e kupton se nuk ka nevojë për me qenë Doktor i Shkencave Politike në Harvard si Henri Kissingeri, që kur rregulli si rregull ndryshon dhe nuk aplikohet për të gjithë njësoj me të njejtin kandar objektiv, kur i forti thotë se unë e kam të drejtën për ta shkelur atë rregull ndërkombëtar sa herë që të dua, se jam filani dhe nuk merzitëm për askënd, e krijon një precedent negativ edhe për fuqitë e tjera. Pastaj, kur nuk funksionon e njejta logjikë e rregullit apo e drejtësisë –çka e konstaton sot çdokush, sepse janë dy kandarë e jo një, si mes Serbisë apo Kosovës, si mes Palestinës dhe Izraelit, Armenisë, Greqisë apo Turqisë, e shembuj të tjerë, nuk do mend që dikur ky fenomen iu bie në sy të gjithëve dhe kjo ka pastaj pasoja evidente në botë. Sepse do të humbë besimi ynë në drejtësinë dhe në vetë ligjin, do humbasë kredibiliteti ndaj shteteve dhe organizatave që i përfaqësojnë ato shtete dhe, çka është më e keqja, do lëshohet një helm negativ në shpirtin e njeriut, i cili dikur do përfundojë në GËRDI dhe në URREJTJE. Futeni vetën pesë minuta në lëkurën e një palestinezi, kongolezi, libanezi, somalezi, irakeni, siriani apo edhe kosovari dhe mendoni me kokën dhe me logjikën e tyre: si mund ta perceptojnë ata popuj sot Amerikën, Europën, NATO-n, Kombet e Bashkuara, BE-në, FMI-në e të tjera organizata? Kush mund të na thotë objektivisht që ne kemi të drejtë dhe ata janë gabim apo edhe e kundërta? Dikur, të gjitha këto fenomene, kur i grumbullon, nuk mund të ngelën pa pasoja negative. Shikojeni ju vetë, pavarësisht simpative tona private, se si e pasqyrojnë dhe e komentojnë mediat europiane dhe amerikane intervenimin izraelit në Rripin e Gazës? Nuk do mend që informacioni manipulohet sipas interesave të pushteteve dhe lobeve të caktuara. Porse, disa herë është aq e tepruar sa qe bëhet gati skandaloze, aq më tepër kur jemi në shtete të supozuara demokratike të cilat iu japin leksione të tjerëve. Sepse, nga shtetet totalitare ajo dihet paraprakisht, që nuk jemi në Woodstock apo në kampuset kaliforniane në Berkeley dhe nuk pret askush asgjë, përpos Gulageve! Por jo në Paris, Bruksel, Londër apo New-York!
Planetit Tokë i duhet një Lidership dhe një rregull ndërkombëtar çka e kishin ndërtuar Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Dytë Botërore me ekuilibrin mes blloqeve dhe krijimin e disa organizatave si Kombet e Bashkuara, fjala vjen. Dihet që Amerika ka qenë për disa dekada « Xhandari » kryesor i Botës pastaj në rangun e dytë Bashkimi Sovjetik dhe ashtu ata arbitronin mes tyre konfliktet kyesore planetare. Kina ishte partneri i tretë! Mirëpo Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe u formuan disa shtete të reja. Jugosllavia njësoj. Pastaj na erdhi Bushi i Riu, gjysmë i trulluar dhe i alkoolizuar, Obama intelektual, por pa vizion ndërkombëtar dhe na thanë së tani Amerika do tërhiqet gradualisht nga roli i saj i « Xhandarit » në disa skena të Botës dhe do merret vetëm me problemet e veta të brendshme, kurse në fushën internacionale, priorioteti i saj do jetë Azia, Deti i Indokinës dhe Kina si konkurrent apo armiku i saj më i rrezikshëm. Prandaj do dezangazhohet progresivisht prej kontinentit europian. Gabimi i parë fatal, porse i ka 15 vite kjo punë dhe problemi është që mesazhi nuk ka kaluar siç duhet në trurin e evropianëve ende nën narkozën e pacifizmit. E pra, kemi pasur mjaft kohë për ta kuptuar dhe për t’u përgatitur për një skenar tjetër në lidhje me autonominë dhe me mbrotjen e Kontinentit Europian me forcat e veta, pa i thënë faleminderit askujt në botë. Mirëpo ne ishim të mësuar keq, si fëmijë të papjekur, madje çka nuk e kap sot logjika, duke menduar që do na mbrojë Amerika përgjithmonë, ndërsa notonim ndërkohë në ëndrra pacifiste dhe hipike (edhe unë vetë pa dyshim, po e pranoj, porse ka kohë që më ka dalë gjumi disa vite para të tjerëve ). Peace and Love, Power to Flower – dhe kush po vjen për të na sulmuar pasi që e mujtëm Gjermaninë naziste? Për mua gabimi ishte që në gjenezë me De Golin dhe kancelarin Adenauer të cilët, kur vendosën për të krijuar Bashkimin Evropian, e propozuan si treg ekonomik dhe financiar dhe e harruan komplet idenë e mbrojtjes së përbashkët ushtarake të Kontinentit. A ju kujtohet që në fillim fare Europa, aktualisht BE-ja, pas fjalimit të Robert Schuman-it, në maj 1950 e në vazhdim të vitit 1951 quhej CECA ose Bashkimi Ekonomik i Qymyrit dhe i Çelikut. Imagjinojeni filozofinë bazë europiane! Në vitin 1954 do ta diskutojnë idenë e një Europe të bashkuar ushtarake, mirëpo dështon komplet ngaqë shtetet e refuzuan me pretekstin që kufizonte sovranitetin e tyre. E pra, sot, në vitin 2024, ja ku jemi! E kjo ide është më aktuale dhe urgjente se kurrë, por me shtatëdhjetë vite vonesë dhe disa trena historikisht të humbur. Po ta kishim realizuar që në fillim, nuk do të ishim në këtë situatë kaq delikate. Pastaj, për të na ngulitur mirë atë ide në tru, na erdhi Donald Trampi, një delirant i paparë dhe na i dha disa shpulla të forta, ngaqë i theksoi këto tendenca të proteksionizmit dhe të tërheqjes amerikane gjer në fund në një mënyrë ultra brutale dhe provokuese, me mesazhin super të qartë, pos me qenë një idiot totalisht i droguar, se nuk do merrem fare me Europën dhe le t’i rregullojnë ata vetë problemet e tyre në të ardhmen, se do të dalim nga Kombet e Bashkuara dhe nga NATO, sepse këto organizata janë vetë Amerika e cila po shpenzon me miliarda dollarë për t’i mbajtur gjallë, kurse Gjermania, për shembull, nuk e ka paguar, sipas Trampit, asnjë cent dhe ka borxh ndaj saj rreth 400 miliardë dollarë, çka e përsëriti edhe para disa kohësh, pavarësisht që ia ka pas thënë ai vetë direkt dhe pa asnjë filtër, gjatë një tubimi, edhe kryetares së BE-së, zonjës Ursula Von Der Leyen. Mirë. por tani, ky person i paparashikueshëm, i papjekur, i pa kulturë fare mund të na vijë përsëri në pushtet në Amerikë, tek fuqia e parë emblematike botërore. Ndërsa ky tjetri Joe Biden tani është 81 vjeç. Mirëpo problemi është evident. Ja ku ka ra sot Amerika e famshme, për të zgjedhur mes një plaku mbi 80 vjeç të lodhur dhe një të luajturi mendsh, limit gati i pakontrollueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm. A është një situatë e turpshme dhe mjaft katastrofike, së pari për Amerikën dhe pastaj për mbarë botën?
Problemi është që, tani për tani, bota ka ngelur pa lidership të sigurtë, ngaqë Amerika është vetëtërhequr dhe ua ka lënë terrenin apo fushëveprimin të tjerëve, pra ka dëshmuar shenja ligësie, proteksionizmi, vetëmbylljeje brenda kontinentit të saj. Dhe këto defekte evidente natyrisht që Rusia dhe Kina i kanë kuptuar menjëherë dhe i kanë interpretuar perfekt. Sot çka është duke ndodhur konkretisht? Putini, presidenti rus, i cili e ka pas përjetuar shkatërrimin e ish-Bashkimit Sovietik dhe ligështimin e Rusisë si një plagë shpirtërore, si një depresion dhe frustracion madhor, sot po hakmerret pamëshirshëm sepse i është dhënë rasti! Pos asaj, nuk ka këtu asnjë surprizë, ngaqë siç e ka pas paralajmëruar Hitleri programin e tij në librin « Mein Kampf », edhe Putini, dhjetë vjet më parë, na ka paralajmëruar mbi qëllimet e tij që në shkurt të vitit 2007 (lexojeni me vëmendje fjalimin e Mynihut në Gjermani). Mirëpo kur nuk duam ta shohim realitetin në sy dhe nuk e pranojmë të vërtetën objektive dhe preferojmë të qëndrojmë nën drogë, nuk na ka askush faj. Putini ëndrronte që në fillim për Rusinë e madhe cariste apo ish-Bashkimin Sovjetik, pra, kjo e nënkupton ekspansionizmin rus përmes një politike dhe strategjie post-staliniste, me një ekonomi të koncentruar prioritarisht në industrinë e armatimeve dhe në shitjen e naftës dhe të gazit. Sot a po e okupon praktikisht njëzetë përqind të territorit të Ukrainës ( pa folur për shkatërrimin total të atij shteti, të cilin lufta aktuale e ka rikthyer pesëdhjetë vite pas) dhe nuk do mend që nuk e ka planin as sot as nesër për t’i rikthyer ato territore. Pastaj, si do përfundojë ajo luftë është problem tjetër, porse ka shumë shanse që me fitoren e Putinit Rusia do t’i ketë zgjeruar territoret (ngaqë ai nuk pyet fare për ushtarët e vrarë në beteja, siç nuk pyeste as Stalini). Mirëpo ajo fitore krijon pastaj një precedent të tmerrshëm në skenën ndërkombëtare. Mesazhi është ky: do me thënë që tani nuk ekziston asnjë ligj internacional i cili vepron për t’i shuar konfliket e mëdha, pra nuk ka asnjë ligj që mund të aplikohet në praktikë se të gjithë liderët e botës e kanë braktisur atë, duke i mohuar të gjitha përgjegjësitë e tyre ndërkombëtare. Prandaj, sot, çdokush mund t’i zgjidhë problemet e tij duke invaduar tjetrin dhe duke e shkelur me luftë për t’ia imponuar dëshirat e veta. Sinqerisht është katastrofike si logjikë veprimi. Atëherë, në këtë rast, për çka shërbejnë Kombet e Bashkuara dhe NATO? Tani imagjinojeni: Erdogani do Turqinë e dikurshme Otomane, Kina e do dominimin e saj absolut në detin indokinez, Serbia e do Perandorinë e dikurshme të Dushanit, Afrika nuk e ka asnjë kufi gjeografik normal e po ndalemi me kaq. Kush mund t’i parandalojë gjithë këto konflikte potenciale pa një lidership ndërkombëtar të bindshëm dhe të sigurt? Mirë do ishte për ta frenuar Putinin, por kush mund ta frenojë pos Amerika me NATO-n? Bile strategjia e tyre ndaj Ukrainës është tepër e çuditshme dhe me plot pikëpyetje? Çka do me thënë gjithë ajo ndihmë e vonuar dhe aq e milimetruar? Pra, nëse do të fitojë Rusia imagjinojeni ju vetë. Ajo sot e ka njëzetë përqind të Ukrainës, e ka Biellorusinë të vetën, nëser do ta përpijë pa problem Moldavinë dhe Gjeorgjinë ngaqë askush nuk do ndërhyjë për ato dy shtete që janë në kopshtin e saj ish-sovjetik. Pastaj çka do e ndalë pa e ngacmuar apo destabilizuar Lituaninë, ku i ka 20 apo 30 % minoritete rusofone me Estoninë dhe Letoninë? Po, por ato shtete janë në NATO! Dakort, por kush mund ta garantojë një ndërhyrje ushtarake serioze të NATO-s? Aq më tepër nëse do të na rivijë në nëntor 2024 Donald Trampi në pushtet? Këtë gjë e kanë kuptuar edhe ato shtete baltike vetë, siç e ka kuptuar Polonia, për shembull. Ndërsa ne në Europë, a e kemi fuqinë e duhur për ta stopuar ekspansionizmin rus të Putinit i cili i ka 6000 koka nukleare, kur dihet që kemi vetëm Francën deridiku të armatosur në Bashkimin Europian pasi që Anglia doli jashtë me Brexit-in. Do me thënë që, sot për sot, Europa është gjysmë, për mos me thënë krejt e zhveshur ushtarakisht para Rusisë dhe ky nuk është problem i vogël. Ndërsa çadra amerikane është me disa pikëpyetje! Pastaj, ligështia dhe pavendosmëria e Barak Obamës, a nuk ishin këto arsye që e rifutën Putinin si faktor kryesor në Siri dhe sot ai është prezent edhe në Algjeri e Libi, pos në disa shtete afrikane, ngaqë i larguan edhe francezët. Me një Amerikë të fortë, serioze dhe të sigurt në vete, si në kohën e John Kennedy-t, apo Ronald Reagan-it, a do kishte mundur Rusia me deportuar aq lehtë dhe aq thellë në skenën ndërkombëtare? Në asnjë mënyrë!
Logjika aktuale, sipas shenjave që po na i jep Amerika e sodit dhe Rusia e Putinit, është që, tani e pas, çdokush e ka mbrojtjen e tij mbi supet e veta. Pra që nuk mund të mbështetet askush në çadrën e huaj amerikane. Prandaj të gjitha shtetet europiane, por edhe ato të botës, janë duke u riarmatosur në maksimumin e mundshëm. Shikoni buxhetet ushtarake të dyfishuara në Francë, në Gjermani, në Poloni e të tjera. Ashtu po armatoset edhe Kina, Rusia, India, Egjipti, Brazili, Pakistani, India, Arabia Saudite, Greqia, Turqia, Irani. Gjithë kjo psikologji e riarmatiamit planetar të çon natyrisht drejt një psikologjie agresive lufte. Nuk jemi më si dikur në vitet 1960 – ‘70 – ‘80 në « Peace and Love », ka ndryshuar komplet atmosfera! Dhe shenjat paraqesin një rrezikshmëri evidente, pos me qenë komplet i verbuar. Rusia është tash dy vite në luftë, apo jo? Kina po përgatitet për ta invaduar Taivanin, pra edhe ajo është në një logjikë lufte. Shtetet baltike dhe Polonia po përgatiten për luftë, po ashtu edhe Finlanda dhe Suedia në kufirin e Rusisë. Izraeli është në luftë me palestinezët dhe, me pretekstin e Hamasit, e ka një skenar të ri për ta zgjidhur sipas tij çështjen izraelo-palestineze. Libani është i destabilizuar, po ashtu edhe gjysma e Afrikës. Jemeni, Sudani, Eritreja janë në luftë. Irani po fuqizon Hezbollahun, Hamasin dhe Hutitë e Jemenit. Dakort deri këtu? India dhe Pakistani janë në konflikt shekullor. Kina ka pretendime në detin aziatik me Vietnamin, Japoninë dhe shtetet tjera. Tash vonë, a e patë atë incidentin e armatosur mes Iranit dhe Pakistanit? Pa folur për bombardimet në Detin e Kuq. Kurse Venezuela pretendon për ta invaduar Guajanën. Ekuadori është në prag të luftës civile me narkotrafikantët dhe shtetin e korruptuar. Në Kongo janë dhjetë në mos pesëmbëdhjetë vite luftë mes bandave kongoleze, ruandeze, angoleze, ugandeze e ku ta di unë, porse janë vrarë mes 5 deri në 8 milionë njerëz deri tani, pa i përmendur absolutisht askush, si mos të ekzistonin fare dhe po vazhdon e njëjta histori me masakra dhe pastrime ektnike. Bile po ndalem me kaq, se mund t’i shtoj edhe 20 dosje suplementare. Ja, pra, e filluam vitin 2024 me të gjitha këto probleme, konflikte, luftëra dhe destabilizime mbi shpinë dhe në kokat tona. Si do ia bëjmë? Me një Amerikë të papërgjegjshme së cilës sot nuk po i frigohet askush realisht, atëherë kush do t’i ndalë këto logjika lufte? Duhet t’i hapim sytë! Unë personalisht kam frikë që dikur, dikund, do shpërthejë diçka e rëndë dhe do na dalë komplet jashtë kontrollit! Dhe është krejt e mundshme. Pse? Sepse jemi të gjithë të acaruar, të tensionuar, të irrituar, shumë larg idesë së dialogut. Jemi në logjikën e konfrontimit direkt dhe të mbiarmatosur. Ka humbur ajo ideja e urtësisë, e pleqërisë, e humanizmit, e dashurisë, ajo e bashkëbisedimit paqësor. Është diçka që unë po e perceptoj shumë qartë, por nuk e di se sa po e kuptojnë të tjerët dhe deri ku janë të vetëdijshëm? Kështu që, në ndërkohë, duhet absolutisht dhe urgjentisht që EUROPA të bashkohet seriozisht, të armatoset sa më profesionalisht dhe ta përcaktojë një strategji të përbashkët dhe të harmonizuar, duke u angazhuar në favorin e njëri-tjetrit dhe për t’i mbrojtur interesat e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet të hapet një rrugë e re, me një logjikë tjetër ; si do të mbrohemi ne vetë pa ndihmën apo intervenimin amerikan nesër apo pasnesër nëse do na sulmojë dikush. Pra, pos një strategjie ekonomike dhe financiare, duhet edhe një strategji politike dhe e mbrojtjes ushtarake të kontinentit, aq më tepër kur po shihet shumë qartë se atmosfera globale është për momentin aspak e favorshme dhe deridiku madje mjaft shqetësuese, për mos me thënë potencialisht e rrezikshme. Jemi të gjithë të ulur mbi një fushë baroti! Dhe nuk do na vijë as Gandi, as Nelson Mandela, as Ibrahim Rugova për të na qetësuar me një këshillë humane pozitive, as gjyshet apo nënat tona. Janë zhdukur edhe ato personalitete me famë dhe prestigj të cilët i kemi pas dëgjuar deridiku me respekt. Sot nuk po na mbush mendjen askush dhe, në thelb, nuk po respektojmë askënd ngaqë nuk po na bind askush me ndonjë vlerë madhore. Jemi në dorën e mjerë të teknokratëve, të klounëve të dalë nga e njëjta fabrikë e komunikimit steril, por pa asnjë vizion serioz politik ose të populistëve uzurpatorë ose më zi të diktatorëve patologjikë dhe të paskrupull. Atëherë, në këtë kontekst, çka do bëjmë nuk e di? Nga do shkojmë, nuk e di? Porse, po e shoh që po fryn populizmi dhe fashizmi edhe tek ne në Europë, pra një civilizim gjenial me 2000 vite kulturë dhe trashëgimi madhore, mbi të cilin po pshurrin përditë vetë idiotat europianë, ngaqë janë të zhytur në një depresion dhe nihilizëm të thellë, në vend se me qenë super krenarë për t’i mbrojtur kudo vlerat e kontinentit më gjenial të planetit tokësor me plot bindje, dinjitet dhe pa asnjë kompleks. Por, jo, sepse edhe ata i ka kapur sëmundja, dekadenca e përgjithshme, siç e ka kapur Amerikën gjatë viteve të fundit. Franca është gati për të zgjedhur Marine Le Pen-in në pushtet, ekstremin e djathtë në vitin 2027 – turpi i botës. Pastaj në Gjermani e kemi një kancelar qyqan dhe të pavendosur, pa asnjë autoritet, zotin Schöltz. E kush janë, pra, liderët e mëdhenj dhe prestigjiozë të Europës, sot e nesër? Në Amerikë i kemi dy pleq defektozë. Në Argjentinë një të sëmurë psikik. Atëherë po shihet shumë qartë kriza e thellë e shteteve të quajtura demokratike, ligësia e tyre dhe, në këtë kontekst, po përfitojnë shtetet totalitare dhe diktatoriale. Pra, këtë unë e quaj triumfi i idiotësisë, i Mesjetës, i regresionit global, i absurditetit të papaparë dhe i irracionalitetit patetik të paimagjinueshëm! A nuk është për t’u alarmuar, o të dashurit miq?! Duke qënë të verbuar dhe të dorëzuar, nuk po mundemi të shohim zgjidhje apo rrugëdalje as ndonjë perspektivë serioze. Jemi të zhytur në nihilizëm dhe në depresion duke pshurrur mbi gjithçka dhe pa besuar në asgjë. Sot po dukemi si të droguar, me atë ëndrrën ciklike që të na sundojë më mirë verbërisht ndonjë Shef i Madh Absolut ose thënë më mirë, le t’ia dorëzojmë pushtetin tonë një debili totalitar, i cili supozohet që e din se çka duhet për të na drejtuar. Po si kemi arritur deri në këtë shkallë? Nga kondicionimi për zi, nga kretinizmi global, nga show dhe anti-kultura e përgjithshme, e propaganduar gjithëkund 24 orë në 24, nga triumfi i antivlerave, i cirkuseve dhe i spektaklit permanent, i analfabetizmit global. A po i shihni, pra, ju vetë pasojat e sistemeve tona brenda Europës? Sot jemi fajtorë vetë ne, europianët, ngaqë na kanë pastruar perfekt trurin gjatë këtyre dekadave të fundit me gjithfarë cirkusi dhe bordelhaneje, vulgaritet dhe antivlera evidente dhe, pos asaj, i kemi integruar ne vetë të gjitha banalitetet më groteskte ose klishetë primitive të botës amerikane kinse si vlera kulturore brenda gjithë asaj historie dhe trashëgimie evropiane, mrekullisht të pasur dhe super frymëzuese për mbarë rruzullin tokësor. Si me e përzier tani John Wayne me Platonin apo me Danten ose Hamburgerin me Gastronominë franceze, ose një pallat banal gjëmbi me Kështjellen e Versajës apo me arkitekturën e Venedikut. Kështu që duke i vendosur të gjitha këto elemente në të njejtin rang si të ishin vlera të barabarta, kemi mashtruar vetveten dhe opinionet publike europiane, sidomos gjeneratat e reja të këtij kontinenti unik, kemi mohuar vlerat tona shekullore duke e deniguar vetveten, gjithë atë civilizim kolosal që ia patëm dhuruar dikur botës dhe kjo quhet dekadenca e përgjithshme që mund të sjellë fundosjen tonë ashtu siç u ka ndodhur të gjitha qytetërimeve të mëdha planetare, Romës, Greqisë antike, Egjiptit e të tjerë me rradhë. Pra, kur pshurr ti vetë në vetveten, në çka ke qenë gjatë dy mijë vitesh si model referencial planetar, kur e fillon rrëshqitjen teposhtë, nuk ka asgjë që mund ta ndalë atë proces delirant, irracional dhe të mallkuar! A ishe si europian një burim frymëzimi për gjithë të tjerët gjatë disa shekujve? Mirëpo lakmove në dollarin dhe në karnavalin transatlantik, në kultin e Viçit të artë, në klishetë e Hollywood-it dhe ia shite shpirtin FAUSTIT. Ia ktheve shpinën prestigjit dhe madhështisë europiane dhe na propozove Las-Vegasin. Ja, pra, rezultati përfundimtar. Kur i ngatërron qëllimisht apo nga injoranca vlerat esenciale madhore që ta kanë ndërtuar dhe konsoliduar një identitet të sigurt me antivlerat evidente të showt, publicitetit dhe spektaklit, kur e privilegjon trullografinë, amnezinë individuale dhe kolektive përpara koshiencës, vetëdijes, ndërgjegjësimit, etikës, sensit të përgjegjësisë dhe gëlltit globalitetin abstrakt, pa konture, të indiferencuar, ku leku dhe tregu e përpijnë identitetin dhe specificitetin me autenticitetin historik, atëherë këtu është fillimi i dekadencës, i vetëshkatërrimit dhe i vetëvrasjes. Prandaj, a po e konstatoni që po dukemi në vendin tonë si të ishim emigrantë apatridë, pra të pakomb, si të ishim turistë kinezë konsumatorë? Kurse, fatkeqësisht, jemi njerëz të pahistori precize, pa një të kaluar, pa ndonjë bagazh kulturor të konsoliduar, pa ndonjë trashëgimi intime dhe tradicionale tonën, çka e kanë pasur, së paku, malësorët tanë, pavarësisht nivelit kulturor apo shkollor që kishin, por ishin bile vetvetja, me respekt dhe me dinjitet. Kurse ne më tepër jemi njerëz të dalë nga Laboratori i Globalizmit Universal! A është për t’u çuditur, o Lexues? Mirëpo ky fenomen nuk na ka ardhur krejt kot nga qielli, por e kemi provokuar neve vetë e kjo gjë është e pafalshme, ngaqë tani do e paguajmë faturën bukur shtrenjtë dhe për një kohë mjaft të gjatë.
Nuk do shumë mend që aktualisht jemi shndërruar në filma vizatimorë apo në lugetër me këto telerealitete, lojëra dhe bixhoze, konsumime të kota, lavazhe truri dhe notojmë brenda këtij kontinenti, gati si amnezikë të shkretë, të paidentitet, histori, as kulturë, pa e ditur nga vijmë as ku do shkojmë.
Faleminderit o miq dhe mikesha, por mua më leni në lirinë dhe anarshinë time, në poezinë, filmografinë dhe muzikë, në imagjinatën time të pafund e pa kufij se më duhet sa më tepër oksigjen dhe humanitet nëse është e mundur për disa kohë! Po lutem edhe për ju, por nuk e di se sa do ia vlejë? Ndoshta na zbret ndonjë dritë qiellore, na vjen një mrekulli. Por më mirë merreni vetën tuaj në dorë dhe filloni me një tavë prej Elbasani dhe një verë të kuqe Kallmeti, shoqëruar me një copë flijë nga Tropoja!
Arriverderci Tirana dhe Roma … Fellini – Sherifi: motore … scena due, azione! Silenzio!
Bruksel, 20 janar 2024
(c) 2024 Skënder Sherifi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: falënderojmë kolegun Ilir Yzeiri që ndërmjetësoi për botimin e këtij shkrimi.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me DALL.E 3.
[1] Skënder Sherifi, shkrimtar shqiptar, u lind në Viti të Kosovës në vitin 1954.
Autor i disa veprave me poezi, në frëngjisht dhe shqip, të botuara në Paris, Tiranë, Prishtinë dhe Bruksel. Ai shprehet me një lirizëm vezullues, eksepcional dhe na i hedh fjalët e tij, sikur Diejt mbi Detin e trazuar, duke i përzier me një lumturi të rrallë, stilet gjuhësore tepër të rafinuara, me ato më popullore, argotike dhe zhargonore. Autori na tërheq me muzikën e kohës, në bordin e “Anijes së tij kozmike”. Në veprat e tij poetike, (Dikund Dikush – 1980; Lojë dhe Kundërlojë – 1980; Oksigjeni – 1989; Ora e Meteorëve – 1996), zhargonet argotike dhe ironia e tij shpërthyese, na imponojnë një modernitet. Ai është një përkthyes, gazetar, një i pasionuar pas letërsisë, filmit, teatrit dhe pikturës, një shqiptar i vërtetë frankofon, kozmopolit, një njeri i të vërtetave, i miqësive dhe i dhembshurive që shpërthejnë dhe shkumbojnë (LAROUSSE, Dictionnaire mondial des LITTÉRATURES – 2003, Paris (f. 815)
Zoti Sherifi, me gjithe respektin per shqetsimet dhe kulturen tuaj te thelle nuk mund te rri pa vene ne dukje qe sipas mendimit tim, kjo puna e luftrave ka lindur e do te vdese bashke me njeriun. Perpjekjet tuaja personale dhe te shume te tjereve per te shpieguar, e pastaj parandaluar te paevitueshmen megjithese jane qellimmira dhe per t’u lavderuar, fatkeqesisht ngjajne pak me betejat me mullinjte e eres te atij heroit te Cervantesit. Meqenese njerezimi perbehet ne nje mase te madhe, nuk do te guxoja te vija shifer, por mund te them se sipas mendimit tim eshte aty tek 80 – 90%, nga idioter, narcisiste, ambicioze egoiste, gjithnje tek ai 10% i mbetur do te dalin “te mençur” te afte qe t’i manipulojne e ti çojne atje ku duan. Gjithsesi, falemnderit per perpjekjet tuaj, qe i vleresoj si pozitive.
Nuk e njoh autorin. E kuptoj shqetesimin e tij. Jemi shume qe nuk fleme me dot rehat naten. Gjithnje i them vetes “Po ekzagjeron! Gjithnje bota ka qene mu para humneres. Bota ne fakt aty jeton perjetesisht: mu para humneres”. Sido qofte, lexoj se autori eshte nje poet shume i njohur ne bote, dhe me vjen keq qe jam kaq mbrapa me leximet. Duke qene se pershkrimi i tij eshte aq specifik dhe me shkelqim, do doja te di cili eshte personi qe e ka analizuar autorin ne kete menyre. Nuk eshte pershkrimi tipik qe merr nje distance per hir te objektivitetit me autorin qe pershkruan. Nese vete autori na thote ketu cili ka shkruar profilin e tij, dhe ku e ka botuar para se te dale ne enciklopedi, do isha mirenjohese.