Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

GJUHA SHQIPE DHE LETËRSIA NË SHKOLLË – VITET ’70

Struktura e programeve të gjuhës dhe letërsisë në vitet ’70 (vështrim hyrës)

nga Natasha Shuteriqi Poroçani 

Vitet ’70-të në procesin e organizimit të mësimit në përgjithësi dhe atij të gjuhës shqipe në veçanti (Me vendim të MA gjuha shqipe rifutet në shkollë të mesme) janë vitet kur udhëzimet e Ministrisë së Arsimit synojnë ta venë tërë procesin mësimor nën kontrollin dhe ndikimin politik. Me Udhëzim të posaçëm të vitit 1970[i] Ministria e Arsimit shpall kriteret themelore ideo-politike dhe pedagogjiko-shkencore në bazë të të cilave përgatiten programet e reja mësimore në shkollën 8-vjeçare, të mesme e të lartë. Parimi themelor në fushën e gjuhës dhe letërsisë ishte forcimi i boshtit ideologjik të programeve të reja mësimore; forcimi i bazës teorike në letërsi; analizë shoqërore dhe artistike e veprave letrare; përpjekje të forta për të zbuluar tendencat artistike, individualitetet krijuese dhe mjetet e shprehjes. Në letërsinë e vjetër shqiptare autorët shihen në kontradiktat e tyre, si shprehës të patriotizmit, por edhe të ideologjisë fetare; Rilindja ka thellim të vështrimit klasor; periudha e Pavarësisë analizohet ne dy kahje përparimtare/reaksionare.

Letërsia e RS inkuadrohet në dy periudha: para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Programet e letërsisë së huaj që nga periudha antike janë nisur nga kritere më të shëndosha ideologjike e shkencore si dhe nga kërkesat e shkollës sonë. Në krahasim me programin e mëparshëm studiohen më pak autorë ata më kryesorët të cilët shihen në mënyrë më të thelluar, më kritike[ii].

Duke vlerësuar parimin e rritjes së nivelit tekniko shkencor të programeve, bëhet shkarkimi i programeve nga njohuritë e tepërta e të panevojshme që rrisin artificialisht ngarkesën e nxënësve. Në këtë mënyrë kthjellohet më mirë lënda dhe nxirren më mirë në pah ato ide e nocione që janë të rëndësishme për nxënësin. Kështu p.sh. në lëndën e gjuhës duke u nisur nga parime më unike klasifikimi, është thjeshtësuar sidomos sintaksa e fjalisë së thjeshtë nëpërmjet pakësimit të numrit të plotësve. Në letërsi janë mënjanuar formalizmi dhe skematizmi dhe kanë dalë në pah elementë që lejojnë përvetësimin e normës letrare.

Nuk studiohen më autorë si Veqilharxhi, S.Frashëri, Kristoforidhi, të cilët s’kanë vlera të mirëfillta artistike[iii].

Duke udhëzuar heqjen e paralelizmave, në hartimin e programeve të reja është marrë parasysh që krahas rimarrjes së pjesës dërrmuese të çështjeve në një nivel më të lartë të mos trajtohen në shkollë të mesme ato probleme për të cilat studimi mund të mbarojë që në shkollë 8-vjeçare. Mbështetja dhe organizimi më i mirë në mes cikleve të lëndëve dhe lëndëve brenda ciklit përbën parimin metodologjik të programeve të reja, ku njohuritë mbështesin njëra-tjetrën dhe nxënësi bëhet subjekt i procesit mësimor. Orientimi pedagogjik i programeve mundëson krijimtari të pavarur të gjithanshme, aktive e krijuese të nxënësve për forcimin, shkathtësimin e shprehive dhe zbatimin e dijeve në praktikë. P.sh. në programin e letërsisë në studimin e periudhave të ndryshme në zbërthimin dhe komentimin e veprave të autorëve të ndryshëm, një vend të rëndësishëm zë studimi i pavarur i gjuhës së veprave letrare dhe diskutimi krijues si tyre nga vetë nxënësit brenda dhe jashtë orës së mësimit. Kjo gjë hap rrugë për përdorimin e elementeve të reja didaktike si diskutimet, debatet, polemikat, leximet, studimet e kërkimet nga vetë nxënësit. Mësimi merr karakter aktiv dhe krijues.

Ndikimet e politikës në këtë dekadë janë përcaktuese deri në pikën që programet mësimore miratohen nga Plenume të caktuara të PPSH. Si shembull do të sillnim Udhëzimin e vitit shkollor 1072-1973, sipas të cilit në të gjithë shkollat e mesme do punohet me programet e reja sipas strukturës së aprovuar nga Plenumi i 8-të i PPSH[iv].

Refleksione të vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit në programet e gjuhës shqipe

Ngjarja më e rëndësishme që u pasqyrua menjëherë në programet e gjuhës shqipe dhe letërsisë në vitet ’70-të ishte padyshim Kongresi i Drejtshkrimit.

Pas daljes së vendimeve të Kongresit Ministria e Arsimit nxori Urdhër që të përfshihej krejt shkolla shqiptare në zbatimin e këtyre vendimeve. Në Urdhrin nr. 4 datë 26/12/1972, për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, jepeshin udhëzime të prera për rrugën që do të ndiqej për këtë objektiv:

Përfundimet e Kongresit të Drejtshkrimit të njihen nga të gjithë punonjësit e arsimit brenda muajit janar 1973.

Të bëhet e qartë se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare. Njohja e rezolutës lidhet me marrjen e masave të mëtejshme për përmirësimin e gjendjes në gjuhën e folur e të shkruar.

Instituti i Studimeve Pedagogjike, Drejtoritë Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës brenda muajit maj 1973 të marrin masa që të gjithë mësuesit brenda vitit shkollor 73-74 të njohin e të zbatojnë rregullat themelore të Drejtshkrimit të shqipes.

Të gjendet mundësia që brenda vitit ‘73-‘74 rregullat të përvetësohen edhe nga nxënësit.

Drejtoria e arsimit të mesëm në MAK të hyjë në bashkëpunim me Institutin e gjuhësisë dhe Letërsisë të katedrave të gjuhës shqipe në shkollat e larta dhe me mësues të shkollave.

Në Universitete dhe DA të punohet me mësuesit që të përgatiten që të jenë të aftë për njohjen e rregullave të Drejtshkrimit.

Në të gjitha katedrat e shkollave të bëhet ndreqja e të gjitha mjeteve mësimore me gabime drejtshkrimore. Kjo punë do të fillojë në shtator 1973 dhe do të kryhet gradualisht pa e cenuar procesin mësimor dhe do të përfundojë brenda viti shkollor 1973-74.

ISP dhe DA të marrin masa për përhapjen e përvojës më të mirë nëpër shkolla.

ISP dhe Shtëpia Botuese e Librit shkollor të përgatisin mjete e nevojshme për përvetësimin dhe zotërimin praktik të normave të gjuhës letrare dhe drejtshkrimit të saj.

Të gjithë botimet të zbatojnë me përpikëri rregulloren e Drejtshkrimit të shqipes dhe të ndihmojnë kështu gjallërisht për përhapjen e normave letrare dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të masave.

Ministri Thoma Deliana”.[v]

Duke qenë se, ashtu si edhe më parë, vendin kryesor në planet dhe programet e shkollës së këtyre viteve, në përqindjen më të madhe të vëllimit të përmbajtjes e kanë zënë lëndët e gjuhës shqipe dhe të leximit e letërsisë[vi] u bë e mundur që, në qendër të synimeve të këtyre dy lëndëve, të qëndronin objektiva që lidheshin me zotërimin efektiv e të qëndrueshëm të elementeve bazë të normës letrare. Herë pas here dilnin dekrete e udhëzime që kërkonin me insistim përqendrim të vëmendjes te norma letrare dhe aftësimin e nxënësve për ta përdorur atë. P.sh. Udhëzimi i datës 24/07/1974, mbi zbatimin e planeve, programeve dhe teksteve mësimore në vitin shkollor 1974-75: Në letërsi mësuesit e letërsisë duhet t’i njohin mirë nxënësit me rregullat e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës. Për këtë qëllim të përmirësohet puna dhe të shfrytëzohen me më shumë kujdes orët e hartimit. Zv. Min. Hasan Duma[vii].

Vëzhgime mbi formimin gjuhësor të nxënësit në tekstet e gjuhës shqipe

Kuptohet që në qendër të këtij procesi kaq intensiv, lënda e gjuhës shqipe dhe letërsisë vlerësoheshin si një resurs i gjerë, përmes së cilave, nëpërmjet korpusit të mjeteve shprehëse si dhe ligjërimit të gjallë të popullit, jo vetëm bëhej shumë i dukshëm formimi gjuhësor i nxënësve, por njëkohësisht edukoheshin me dashurinë për bukurinë e gjuhës sonë, me shijet e holla letrare, me aftësinë e një të folure unike dhe të një regjistri të lartë shprehës.

Në programin e shkollës së mesme u vendosën njëkohësisht objektiva të qartë gjuhësorë, sipas të cilëve mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e mesme duhet të ketë si pikësynim që të thellojë e të përforcojë më tej njohuritë gjuhësore të nxënësve dhe t’i aftësojë ata për një përvetësim dhe zbatim sa më të vetëdijshëm të normave leksikore, gramatikore, drejtshqiptimore dhe drejtshkrimore të gjuhës letrare kombëtare shqipe[viii].

Nëse u referohemi teksteve të gjuhës shqipe për gjimnazin do vërejmë se njohuritë jo thjesht kanë ndjekur metodën ciklike, por në tri vite nxënësi merrte koncepte të ndryshme nga një vit më parë, sigurisht duke tërhequr pas edhe nocionet pararendëse.

-Në tekstin Libri i gjuhës shqipe për shkollën e mesme (pjesa I dhe II[ix]), synohet formimi gjuhësor nëpërmjet ngulitjes së rregullave të drejtshkrimit, drejtshqiptimit, fonetikës, dhe fjalëformimit si dhe me elemente të morfologjisë. Orientime të tilla si nxënësit të aftësohen për zbatimin praktik të njohurive gramatikore e drejtshkrimore dhe të mos ngulin këmbë për riprodhimin mekanik të rregullave të mësuara[x], dëshmojnë për një tendencë të re të mësimit të gjuhës shqipe në këtë periudhë. Kjo përçapje lidhej edhe me përfshirjen e mësimdhënies në kritere të reja didaktike e metodike, të cilat rrisnin kërkesën për përdorimin e drejtë të normës letrare si në të shkruar edhe në të folur, duke nxitur interesimin për një qëndrim të vetëdijshëm ndaj saj (normës letrare)[xi].

Kjo tendencë e re mbështetej nga udhëzimet e Metodikës së gjuhës shqipe sipas së cilës mësimi i gjuhës shqipe në shkollat tona, krahas suksesit dhe përparimit që ka arritur, ka edhe mjaft formalizëm: i mëshohet më tepër përvetësimit të rregullave dhe formulave të thata dhe më pak anës praktike të përdorimit të gjuhës[xii].

Në këtë mënyrë u krijua një standard i ri në mësimdhënien e gjuhës shqipe, në të cilën metodat e mësimit konsideroheshin jo si qëllim, por si mjet për arritjen e qëllimit. Në libra dukshëm shfaqet sistemim i njohurive: në vitin e parë e të dytë nxënësi njihet dhe vlerësohet për njohjen e rregullave të mirëfillta të gramatikës, ndërsa në vitin e tretë njohuritë përsëri në formë rregullash i ofrohen nga leksikologjia dhe leksikografia[xiii]. Rezultatet e matshme kishin të bënin me nivelin e njohurive të nxënësve për gramatikën, në aplikimet e rregullave të saj, shqiptimin dhe shkrimin e saktë, ushtrimin e leximit korrekt dhe ekspresiv, pasurimin e fjalorit, përdorimin e normës, lidhjen e fjalëve në fjali e të fjalive në periudha, renditjen e mendimeve, paraqitjen e tyre me gojë e me shkrim, fitimin e shprehive të vetë lëndës e të ndihmës që kjo duhet të japë për përvetësimin e lëndëve të tjera e të gjuhës së huaj[xiv].

Duke pasur parasysh këto direktiva të programit, nisin të trajtohen në rubrika të posaçme ushtrime për aftësimin e nxënësve në drejtim të gjuhës së folur e të shkruar, ndryshe nga tekstet e viteve ’60 ku nuk ndeshim aparate të mirëfillta pedagogjike[xv].

Në strukturën e teksteve të gjuhës shqipe, ushtrimet ndërtohen me synimin për ta aftësuar nxënësin në përdorimin e saktë të gjuhës shqipe:

-Përcaktimi i qëllimit të thënies i lidhur me ndërtimin e fjalisë dhe me llojin e tyre.

-Përcaktimi i qëllimit të thënies lidhur me intonacionin, shprehësinë dhe theksin logjik.

-Marrëdhëniet që krijohen në tekst duke u nisur nga lëvizja e gjymtyrëve.

-Llojet e shkrimeve dhe procesi i redaktimit.

-Shndërrimi i një teksti dramatik në një tekst tregimtar dhe elementet e tekstit përshkrues.

-Shkrimi përshkrues dhe objekti i përshkrimit.

-Shkrimi në respektim të rregullave të pikësimit.

-Redaktimi, si pjesë e procesit të shkrimit.

-Stili i të shkruarit dhe lidhja e tij me kategoritë gjuhësore.

Stili gazetaresk

Stili letraro-artistik

Stili administrativ

Stili bisedor

-Përcaktimi i stilit në varësi të prejardhjes së emrave të përdorur në të.

-Përcaktimi i stilit në varësi të përdorimit të lidhëzave.

-Përcaktimi i stilit në varësi të përdorimit të parafjalëve

-Marrëdhënia e stilit me shprehësinë

-Kuptimi i fjalisë, i frazës dhe i tekstit në marrëdhënie me rregullat e gramatikës.

-Lidhja e kuptimit me rendin e gjymtyrëve në fjali.

-Kuptimi i parë dhe i figurshëmi fjalës dhe marrëdhënia me tekstin.

-Nocioni i kontekstit.

-Akti ligjërimor dhe lidhja e tij me ngjyrimin emocional të frazës.

Duke pasur si objektiv kryesor edukimin e nxënësit me dashurinë për gjuhën amtare, tekstet e kësaj kohe trajtonin në mënyrë shkencore shtresëzimet e leksikut, duke i ofruar nxënësit ndarjen e tij sipas burimit dhe përdorimit (Gjuha III, f. 81-83). Ndonëse variantet nuk përmendeshin si tipologji, nxënësi nëpërmjet shtresave të leksikut arrinte të krijonte një koncept të përgjithshëm për variacionet e gjuhës: shtresa vetjake, shtresa profesionale, shtresa dialektore e krahinore.

(vijon)

© 2024 Natasha Shuteriqi Poroçani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[i] AQSH Fondi 511/ dosja 23/ viti 1970, f. 1-45.

[ii] po aty, f. 3.

[iii] po aty, f. 28.

[iv] Udhëzim për vitin shkollor 1972-1973, RTPSH, Drejtoria e arsimit dhe kulturës, Drejtoria e arsimit të mesëm, Nr. 205.

[v] AQSH/ Fondi 511/Viti 1972/Dosja 248.

[vi] Sipas programit mësimor të vitit 1973.

[vii] AQSH/Fondi 511/Viti 1974/Dosja 64, Drejtoria e arsimit dhe kulturës, Drejtoria e arsimit të mesëm, Nr. 2461.

[viii] Programet për shkollat e e mesme, Gjuha shqipe letërsisia, Shtëpia botuese e librit shkollor, Tiranë 1979, f. 1.

[ix] V. Lafe, L.Buxheli, N.Basha, Libri i gjuhës shqipe për shkollat e mesme (I dhe II), ShBLSH, Tiranë, 1977 (ribotim).

[x] Po aty, f. 1

[xi] Po aty, f. 1

[xii] Metodika e gjuhës shqipe, Maket përgatitur nga F. Agalliu&F. Luli, USH i Tiranës, Tiranë, 1970.

[xiii] Shiko: Libri i gjuhës shqipe për shkollën e mesme 1,2,3, SHBLSH, Tiranë, 1977.

[xiv] Programet e gjuhës shqipe dhe letërsisë për shkollat e mesme 73, 74, 75, 78, 79.

[xv] Kemi në referencë këtu Letërsia e huaj për shkollat e mesme, të hartuar nga M. Domi dhe S. Spasse, Botimi i Drejtorisë së Botimeve shkollore, viti 1963-64, të cilat japin informacion për jetën dhe veprën e autorit dhe pajisen me disa fragmente më përfaqësuese të veprës, por të paplotësuara me aparat studimor.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin