Më bëri përshtypje ky dialog mes kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehu, me liderin e PKK-së, Jao Ven Juan[1], në një takim të datës 30 nëntor 1974.
Kur Shehu i thotë kolegut, si për ta ngarë muhabetin, se “ju vazhdoni t’i qëndroni ballë për ballë revizionizmit sovjetik”, tjetri i përgjigjet se polemika e kinezëve me sovjetikët vazhdon pa pushim dhe se shoku Mao Ce Dun ka thënë se ajo “do të vazhdojë 8 mijë vjet dhe asnjë ditë më pak.” I kapur, me gjasë, në befasi nga ky parashikim zemërgjerë, Shehu përgjigjet: “Urojmë që ajo të vazhdojë 12 mijë vjet.”
Çfarë të kenë qenë ato 8 mijë vjet, në gojën e Maos? Hiperbolë, doemos, por e pazakonshme për një gjuhë si shqipja, dhe me siguri edhe gjuhë të tjera i.e. Shqipja do ta kish më të natyrshme të thoshte: “do të vazhdojë edhe njëqind vjet”; më shumë për të treguar një kohëzgjatje të pacaktuar. Për të njëjtën arsye, themi “edhe njëqind!” si urim dikujt për datëlindjen, ose në shprehje të tilla si “ta kam thënë njëqind herë!” Një politikan shqiptar do të ish shprehur: “Edhe njëqind vjet sikur të vazhdojë…”
Por, me sa duket, te thënia e kinezit ka ndikuar ajo që në kinezçe këtë rol e luan shprehja “dhjetë mijë (vjet)”, e cila përdoret rëndom për të shënjuar një numër shumë të madh, por të pacaktuar. Shprehja wansui (萬歲), që ka kuptimin “dhjetë mijë vjet”, përdoret me funksion të ngjashëm me atë “edhe njëqind” të shqipes; ose për t’i uruar dikujt jetëgjatësinë, nëmos përjetësinë.[2]
Lexoj tani që në kinezçe, njëlloj si në shumë gjuhë të tjera të Azisë lindore, “dhjetë-mija” përfaqëson njësinë më të madhe diskrete në numërim – ngjashëm me “një mijë” të shqipes dhe “thousand” të anglishtes.
Nuk kam ndonjë mënyrë për të verifikuar nëse Maoja ka thënë vërtet që polemika me sovjetikët do të vazhdonte 8 mijë vjet – materiali i cituar ka kaluar të paktën në tre duar. Por një shfletim i veprës së Maos më konfirmon se ky e përdor shprehjen “dhjetë mijë vjet” për të shënjuar një numër ose sasi të madhe, por të pacaktuar. Për shembull[3]:
Subjectivism and commandism are always bad and will be so even ten thousand years hence. (f. 137)
They all know there are two aspects to everything, why do we mention only one? There will always be two aspects, even ten thousand years from now. (f. 303)
We must not only learn from other countries during the period of our First Five-Year Plan, but must go on doing so after the completion of scores of five-year plans. We must be ready to learn even ten thousand years from now. (f. 306)
There will be subjectivism in the future, just as there is today. Subjectivism will always be there, ten thousand years and even a hundred million years from now, and it will be so as long as humanity does not perish. (f. 316)
Will it be possible to make no mistakes at all in planning ten thousand years hence? Things happening ten thousand years hence will no longer be our business, but one thing is certain, mistakes will be made even then. (f. 333)
Take the courts for instance, their function is to deal with counterrevolutionaries, but that is not all, for they have to settle numerous disputes among the people. It looks as if courts will still be needed ten thousand years from now. (f. 338)
I just said that there would still be revolutions ten thousand years from now, so possibly great democracy will have to be practised then (f. 344)
Weeds will grow even ten thousand years from now, and so we must be prepared to wage struggles for that long. (f. 359)
I believe there will always be subjectivism. Will there be no trace of subjectivism ten thousand years from now? I don’t think so. (f. 372)
Marxism and the Communist Party have been abused from the very beginning. Even ten thousand years hence, things progressive will still be abused at the outset. (f. 380)
Even ten thousand years from now people should work hard. (f. 437)
Wherever there are masses of people — everywhere except deserts — they are invariably divided into the Left, the middle and the Right, and this will be so ten thousand years hence. (f. 445)
Në gojën e Maos, kjo “ten thousand years” shënjon një të ardhme të largët, por të vijueshme me të sotmen; gati-gati, distancën dhe cakun që ndan të përfytyrueshmen nga e papërfytyrueshmja, të paktën historikisht.
Duket sikur kultura kineze e mat kohën me njësi shumë më të gjata se jona; meqë ne do të thoshim “njëqind vjet”, ose e shumta “një mijë vjet”. Megjithatë, gjasat janë që ky përdorim të ketë rrënjë idiomatike dhe të lidhet me atë që njësia numërore për “dhjetë mijë”, në kinezçe, është njësia më e madhe diskrete në numërim, siç e thamë; dhe ashtu edhe shërben për të treguar një ekstrem kalendarik të largët, por të numërueshëm.
Por të vihet re, këtu, se Jao Ven Juan-i thotë se polemika me sovjetikët do të vazhdojë “8 mijë vjet”, duke iu afruar cakut kalendarik non plus ultra të dhjetë mijë vjetëve, por pa e përmendur; sepse ajo “dhjetë mijë vjet” do të shënjonte përjetësinë; dhe përjetësia e kësaj polemike do të ishte edhe përjetësi e revizionizmit sovjetik, çfarë nuk mund të pranohej parimisht.
Mehmet Shehu, nga ana e vet, nuk e vret shumë mendjen dhe e zgjat parashikimin në 12 mijë vjet, madje duke e uruar kështu; duke e nxjerrë nga kufijtë e universit kalendarik të përfytyrueshëm nga kinezi.
Tani, po të kthehemi për një çast dhe të shohim kontekstet, ku e përdor Maoja shprehjen “dhjetë mijë vjet”, do të vëmë re se ai i referohet jetëgjatësisë së disa dukurive negative, me të cilat luftojnë komunistët: subjektivizmi, komandizmi, gabimet politike, barërat e këqia, abuzimi me idetë progresive, e kështu me radhë. Logjika dialektike pas këtij ideacioni metaforik është se jetëgjatësia e së keqes garanton edhe jetëgjatësinë e së mirës: komunisti vetëm forcohet, nga kjo kontradiktë që veç riprodhohet në kohë.
Edhe polemika me “revizionistët sovjetikë” është e tillë, që e ruan dhe e përsos konfigurimin politik të PKK-së; prandaj po të zgjatë 8 mijë vjet, kjo nënkupton edhe 8 mijë vjet të tjera PKK në pushtet. Për Mehmet Shehun, si kryeministër i një regjimi që përfiton nga aleanca e shumanshme me RPK-në, 8 mijë vjetët bëhen 12 mijë, dhe ato 12 mijë vjet janë edhe jetëgjatësi e PPSH-së, që konfigurohet politikisht në përplasje me revizionizmin sovjetik.
Në diskursin politik shqip, këto metafora numerike tingëllojnë megjithatë groteske: ndryshe nga Kina, Shqipëria e mat me metër më të shkurtër kohëzgjatjen e historisë së saj. Njëqind vjet, ose një shekull, mjaftojnë për të krijuar dhe zhdukur jo vetëm njësi dhe entitete politike, por edhe shtete. Mbase Mehmet Shehut, dhe Enver Hoxhës pas tij, do t’u dukej provokim i madh nënkuptimi, që revizionizmi sovjetik mund të mbijetonte “8 mijë vjet”, sa kohë që Enveri seriozisht kish parashikuar fundin së shpejti të uzurpatorëve të Partisë së Leninit dhe të Stalinit – madje po punonte me ngulm, që ky parashikim të realizohej.
Edhe pse në atë kohë PPSH-ja dhe PKK-ja ende bashkëvepronin ngushtë në luftë kundër sovjetikëve, përfytyrimi i palëve për kohëzgjatjen e këtij konflikti dhe, në përgjithësi, për rrjedhën e kohës në histori, mbetej i ndikuar nga gjuha: shqipja as që e njihte atë lloj milenarianizmi, që përçonte kinezçja; dhe e maste të ardhmen me njësi diskrete shumë më të shkurtra. Një kundërvënie e tillë semantike do të ketë krijuar, më shumë se një herë, situata komike në bashkëbisedimet.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
[1] Është fjala për Yao Wenyan, lider i PKK-së gjatë revolucionit kulturor, më pas i dënuar si anëtar i famëkeqes “bandë e të katërve”.
[2] Kjo wansui përdorej edhe si përshëndetja tradicionale për perandorin dhe ishte kthyer në një sinonim të fjalës “perandor”.
[3] Citatet i kam nxjerrë nga një botim omnibus në PDF, i veprave të zgjedhura të Mao Ce Dunit.
Sa herë përballem me fiksimin me të ardhmen e largët(metaforik apo real) të mendësive totalitare, më kujtohet një këshillë gjakftohtë e John Keynes:
Bëni plane afatshkurtër. Në planin afatgjatë, ne të gjithë kemi vdekur.
Kapja pas të ardhmes të largët (komunizmi që do të vijë pas 1000 vitesh socializëm, Rajhu mijëvjeçar, etj) përveç se derivat ideologjik, mendoj se është edhe njëfarë alibie që justifikon thagmat e të gjitha natyrave që këto rregjime bënin në të tashmen dhe planifikonin në të ardhmen e afërt.
Tamam. Bashkë me një lloj megalomanie – prej kokash të mëdha, që shohin larg, që i bëjnë llogaritë me shekuj.
Mund ta kisha hapur edhe një parantezë për milenarizmin e regjimeve totalitare – por me duhej të bëja kërkime të tjera.
Te kjo bravado për të ardhmen gjen një frikë të fshehur, se mund të të rrëzojnë që nesër; lidhur edhe me bindjen se regjimi yt është artificial, mbahet në këmbë me reanimacion të vazhdueshëm. Nuk mund të rrojë ndryshe.
Kam përshtypjen që edhe Hrushovi e ka pasur këtë preokupim patologjik me të ardhmen.
Ne fakt, mund te kete nje lloj racionaliteti ne 8 mije vjetshin e kryetarit Mao, qe duket se ka te beje me shume me civilizimin kinez se sa me marksizem-leninizmin.
Qyteterimi kinez eshte i vetmi nga qyteterimet e vjetra qe ka vazhduar pa nderprerje, po te kihet parasysh qe qyteterimi eshte nje vazhdimesi e krijimit material dhe shpirteror te nje populli.
Kur ka rregullsi historike ose kulturore, ato herët a vonë do të përfundojnë të fosilizuara në gjuhë. Kështu më duket se ka ndodhur edhe me atë “dhjetë mijë” të kinezçes: vërtet përdoret me kuptim idiomatik, si “edhe njëqind” e shqipes, por edhe tregon se mija si njësi numërimi e viteve ka tjetër domethënie për kulturën kineze – është më reale. Dhe në kontekstin e diskursit politik, është një shifër që njëherazi tregon edhe hiperbolë, edhe vijueshmëri; ndryshe nga ç’ndodh me shqipen, ku do të tregonte hiperbolë vetëm. Kinezët shtetin e tyre e përjetojnë, kolektivisht, si me rrënjë të thella në histori – dhe kjo vlen edhe për ato rutina që u kthyen edhe në vitet gjashtëdhjetë, të revolucionit gardist më radikal. Pa e njohur mirë filozofinë e Maos, po kufizohem të vë re ndonjë notë milenarizmi, në vizionin e tij, siç ia përmenda dje edhe një kolegu këtu. Semantika e shtetit dhe e pushtetit, në diskursin maoist, depërton në thellësi kalendarike të papërfytyrueshme për shqiptarin, që nuk është mësuar t’ia hapë aq shumë këmbët kompasit. Mbase për maoizmin shteti është gjithnjë instancim i shtetit arketipal, i “Mbretërisë së Mesit” – meqë kinezëve Kina u dukej qendra e botës, prandaj edhe e quanin ashtu, Zhongguo, “angl. Middle Kingdom”, it. “Impero di Mezzo”). Gjeometria e shqiptarit ka qenë historikisht e kundërt – sepse ka jetuar rregullisht në shtete që e kanë qendrën jashtë hapësirave shqipfolëse (kjo natyrisht vlen edhe për sot); dhe nga kjo pikëpamje, mosha e shtetit modern të Shqipërisë (londineze) është diçka më shumë se 100 vjet, por kjo nuk ka kurrfarë relevance në mënyrën si e mat shqiptari moshën e “shqiptarisë”. E kemi ruajtur mendësinë e periferisë, edhe në kuptimin që ose nuk planifikojmë fare, ose planifikojmë sot për nesër; sepse gjërat ne shqiptarëve na ndodhin, nuk i bëjmë ne vetë që të ndodhin. Ky dallim – një mes shumëve – e bëri të pamundur çdo dialog mes dy palëve, shqiptarëve të Enverit dhe kinezëve të Maos; edhe pse marrëdhënia u selit falë interesave të përbashkët. Por në Shqipëri diskursi filozofik dhe ideologjik i Maos tingëllonte të paktën i çuditshëm, në mos bizar; dhe këtu do të përfshija edhe përdorimin prej atij diskursi të numërorëve (pesë të mirat, shtatë të këqiat, etj.); dhe, natyrisht, të kalendarit; një lloj aritmetike historiko-morale, që për mendësinë tonë mbetej e huaj.
Mua ky shkrim ma ngacmoi mendimin ne po ate drejtim qe pata bere komentin ne shkrimin per rezultatet e PISA 2022 (sorry, qe nuk po eci ne hulline e regjimeve totalitare). E kam fjalen qe nje togfjalesh qe bart nje kuptim ne nje gjuhe te dhene, po te perkthehet fjale per fjale ne nje gjuhe tjeter, pra po te zhvendoset ne nje rrafsh tjeter, edhe pse jane po ato fjale te marra nje nga nje, kuptimi qe bartin rezulton i ndryshem. Ne kete kuptim shoku Mehmet, qe gjithsesi nuk besoj se duhet akuzuar si “illiterat” bie ne kete gracke. Ata testuesit e PISAs, nqs tekstin origjinal do ta kishinn hartuar me kinezçe (apo duhet te them kinezisht) dhe pastaj perkthyer ne shqip ne kete rast shokut Mehmet ne testin e leximit mund t’i jepnin note pakaluese duke afektuar keshtu perqindjen e pergjitheshme te nxenesve shqiptare.
Kryetari Mao ka te drejte ne sens filozofik.Observimet e tij ndonese te veshura me petk marksist jane observime te natyres njerezore e cila nuk ndryshon kurre sado qe te perparoje teknologjia.
Pa dashur te hidhem dege me dege ka patur nje substrat racist ne marredheniet shqiptaro -kineze.Pavaresisht se Kina na mbante me buke duke ia hequr nga goja kinezeve qe vuanin prej urise dhe Mao Ce Duni ishte udheheqesi 600 milione njerezve ,E Hoxha si europian ndonese i varfer ,ndihej superior ndaj tij dhe i kerkonte te konsultohej me te se ke udheheqes te huaj maoja duhej te ftonte ne Pekin.