Një lexues i interesuar, që kërkon informacion shqip për arvanitët online, do të ndeshet menjëherë me këtë faqe, Arbëreshët në Greqi, e cila përmban të dhëna të mbledhura dhe të sistemuara në mënyrë kompetente, por të shprehura me një shqipe të çalë.
Ja një shembull:
Arbëreshët ishin fillimisht fise shtegtues me një karakter të dendur luftarak, të cilët zhvendoseshin vazhdimisht duke u mbështetur për mbijetesën e tyre me bujqësinë rudimentare. Varësia e tyre për produktet bujqësore shkaktuan grabitjen e tokës së kultivuar rreth qyteteve, të cilat privuan aseteve të tyre prodhuese.
Me gjasë, kjo shqipe është rezultat i një përkthimi automatik (edhe pse më duhet të pranoj se Google Translate e përkthen shqipen më mirë, të paktën nga anglishtja).
Nxënësit, studentët dhe të tjerë përdorues materialesh të tilla i ekspozohen një lënde gjuhësore toksike për gjuhën e vet amtare. Nëse leximi i rregullt i teksteve shqip ndihmon për mirëmbajtjen e normës gramatikore dhe leksikore dhe, në përgjithësi, për zotërimin e shqipes së shkruar, kur këto tekste e destabilizojnë shqipen, siç ndodh me shembullin më sipër, vetë kompetenca gjuhësore e përdoruesit do të fillojë të shpërbëhet.
Në fakt shqipja e shkruar, ndryshe nga shqipja e folur bisedore, ka gjithnjë nevojë të mirëmbahet në mënyrë sistematike, dhe mbase edhe të mbikëqyret nga institucione të specializuara.
Aq më tepër që kjo lëndë gjuhësore, kështu siç është, përdoret tani lirisht për trajnimin e ChatGPT dhe, dashur pa dashur, do të përfundojë e adoptuar nga inteligjenca artificiale në shqip; dhe ashtu do ta gjejë rrugën edhe në detyrat e shtëpisë, temat e kursit dhe tekste të tjera në shkollën shqipe.
Shqipja e shkruar është e rrezikuar vetvetiu, ngaqë nuk po mësohet mirë në shkollë dhe për shkak të një mendësie të përhapur që i sheh rregullat e përdorimit – në përgjithësi – si kufizime të lirisë së subjektit, jo si vegla që ndihmojnë komunikimin dhe mirëmbajnë komunitetet. Një rrezik tjetër, i mirënjohur, vjen nga shqipja që shkruajnë të gjithë ata që komunikojnë në rrjetet sociale dhe në chat-et dhe që po vetorganizohet në mënyrën e vet.
Ky i përkthimit automatik e gjen shqipen me mbrojtje të dobësuar; dhe me përdoruesit që përgjithësisht nuk e vrasin shumë mendjen, për rrëgjimin e gjuhës së shkruar.
Akademia e Shkencave, ASA dhe katedrat e shqipes në universitete, por edhe Ministria e Arsimit, vazhdojnë të shpenzojnë fonde të mëdha publike për aktivitete që janë, në masë të madhe, qoka dhe performativë, të tilla si konferencat “shkencore” dhe përvjetorët – në një kohë që ato institucione kanë përgjegjësi edhe morale për MBROJTJEN e shqipes, nga rreziqet që i kërcënohen.
Për fat të keq, edhe kur flitet për rreziqe ndaj gjuhës, shpesh vijnë e përmenden “fjalët e huaja” dhe kërkohet fuqizimi i përpjekjeve për “zëvendësimin” e tyre – nga Don Kishotët e radhës, që ashtu duan edhe të shpëtojnë shpirtin.
Përkthimi automatik ka molepsur ndërkohë edhe mediat online – ku pjesa më e madhe e teksteve ka origjinë të dyshimtë dhe, në analizë të fundit, e përçudnojnë shqipen deri në absurditet.
Shqipen e shkruar e duam, sepse nëpërmjet saj shprehet vetëdija kulturore kombëtare – dhe, në kushte ideale, do të ishte ajo trajtë e gjuhës amtare, që u siguron qytetarëve integrimin në jetën kolektive të një shoqërie moderne. Njohja e saj na lejon të ndërmarrim kalimin nga infantilizmi mendor në urtësi dhe ndjeshmëri adulte.
Duke e lënë të degradohet dhe të shpërbëhet, jemi bashkëfajtorë në shpërbërjen e gjithçkaje kulturore të vyer, që na ka bërë çfarë jemi. Indiferenca jonë është indiferenca e idiotit.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me AI.
Nqs fati i gjuhes se shkruar do te varej nga volumi i perdorimit, atehere shqipja zyrtare e ka marre tatepjeten, si te gjitha gjuhet zyrtare xhanem, se rrjetet sociale e mesazhet private perbejne volumin kryesor kudo.
Me shume se marrje masash per shpetim, do te thoja se me i vlefshem do te ishte te rimenduarit e shqipes zyrtare. Jo vetem qe volumi me i madh behet ne forma te gegerishtes (apo me ndikim te saj), per arsye numri shkruesish, por edhe ne toskerisht ka devijime me shumice.
Nuk besoj se ne kohet e sotme nje kaste skribanesh do te ishte zgjidhje per cfaredo synimi gjuhesor.
Zbatueshmeria e nje modeli me toskerisht, gegerisht e shqipe te njesuar do te ishte problematike ne afatshkurter, por ndoshta ne afatgjate do jepte fryte ne sistemimin e gjithe atij volumi te shkruar privat e publik, qe perben ndonja 90-95% te shqipes qe shkruhet perdite.
Ne fund te fundit per njeriun e zakonshem, gjuha zyrtare mjafton te jete e kuptueshme, nuk eshte se i ngre apo ul piket aftesia e shkrimit te saj, aq me pak do i varet rroga apo fitimet.
Si mund të ndihmojë “të rimenduarit” e shqipes zyrtare, për mbrojtjen e shqipes së shkruar nga përkthimi me makinë? Ti rimendoje sa e si të duash – ai tjetri e mbush Wikipedia-n me tekste si ai që solla më lart, dhe nxënësit e studentët ato tekste lexojnë, jo rimendimet e tua…