Fjalën PUHI Fjalori i 1980-ës e shpjegon kështu: “Erë e lehtë freskuese, që fryn zakonisht në pranverë e në verë.” Nga ky përkufizim marrim vesh se PUHIA është një lloj ERE, me karakteristika specifike: ndryshon nga ERA ngaqë është E LEHTË, FRESKUESE dhe FRYN ZAKONISHT NË PRANVERË E NË VERË. Po aty jepet edhe një sinonim: FLLAD, i ndjekur nga disa shembuj ilustrues: Puhi e lehtë. Puhi pranverore. Puhia e detit. Nga shembujt, PUHI E LEHTË tërheq vëmendjen, sepse mbiemri E LEHTË rimerr një element kuptimor që ishte tashmë i përfshirë në kuptimin e fjalës PUHI. Në qoftë se kjo e fundit është “erë e lehtë”, atëherë PUHI E LEHTË do të ishte “erë e lehtë e lehtë” – çfarë nuk shkon. Kjo rimarrje e një elementi kuptimor në fjali njihet edhe si pleonazëm, një figurë stilistike që shënjon përdorimin, në ligjërim, të fjalëve të tepërta dhe të panevojshme, që shpesh përsëritin elemente kuptimore të fjalëve të tjera.
Pleonazmi nuk është detyrimisht për t’u shmangur – sidomos kur përsëritja që sjell me vete është e kërkuar nga folësi, gjë që ndodh rëndom në poezi. Ndryshe është puna, kur pleonazmi shfaqet vetvetiu, pa e kuptuar folësi – pra, i shndërruar në klishe. Klisheja është zakonisht një togfjalësh i gatshëm, që përftohet në ligjërim si i tillë, si kombinim, sepse folësi ashtu e ka dëgjuar dhe kërkon të përsëritë me të efektin që kanë pasur tekstet ku e ka dëgjuar.
Ja tani disa shembuj, të nxjerrë rastësishëm nga uebi, ku PUHI E LEHTË priret të vijë si klishe:
puhi e lehtë që valëvit lehtas dhe këndëshëm gjethet, lulet, që ledhaton me dashuri fytyrat e njerëzve!
Frynte një puhi e lehtë që pas zhegut të mesditës ngjante edhe më ledhatare.
Dal jashtë dhe një puhi e lehtë ere nis t’më përkëdhelë flokët,
Një puhi e lehtë ere i lëkund edhe ato pak gjethe që kanë mbetur në degë.
Kur nga një puhi e lehtë valvitet gjethja e këputur, nga ajo dalldisje gjigante seç trazohet një flutur!
Fryn puhi e lehtë në Mal të Thatë Bregu u mbush me diej të artë.
Një puhi e lehtë lëkund palmat e kokosit që janë plot me kokrra.
Puhi e lehtë pa djallzi e kufi du të jem
Një puhi e lehtë e ëmbël fletëzave të një mëngjesi
Puhi e lehtë e mbrëmjes verore mbi syprinë krahët shtrin.
Një puhi e lehtë dhe lulja mund të zhduket
Një puhi e lehtë bëri që lulet e ftoit të përkëdhelnin njëra-tjetrën
Puhi e lehtë e ëmbël fletëzave të një mëngjesi
Dikur në mesnatë një puhi e lehtë fytyren time përqoi,
Një puhi e lehtë ere i lëkund edhe ato pak gjethe që kanë mbetur në degë
Një puhi e lehtë paqeje ja ka lehtësuar shpirtin.
Një puhi e lehtë më përshkon kurmin; më flladit e më këndell.
Më bëhej puhi e lehtë që shpirtin të flladit!!
Në këta shembuj, por mund të sjell edhe të tjerë, togfjalëshi PUHI E LEHTË shfaqet në tekste që flasin për gjethe, lule, flatra, fletëza, flutura, mbrëmje verore; me folje si valëvit, lëkund, ledhaton, fryn, përkëdhel, lehtësoj, flladit, këndell të cilat përshkruajnë çfarë bën PUHIA, duke krijuar të gjitha këto një tablo të një peizazhi, të themi, poetik; aq sa folësi, subjekti që e prodhon tekstin (“heroi lirik”) kërkon t’i përçojë lexuesit ndjesinë e një gjendjeje të ekzaltuar frymëzimi të ëmbël. Për disa lexues, kjo teknikë do të shtronte rrugën drejt kitsch-it, ose thjesht poezisë së keqe. Gjithsesi, në kontekste të tilla, mbiemri E LEHTË rimerr një element kuptimor të PUHISË dhe ashtu krijon një pleonazëm, i cili synon ta mbajë të gjallë ekzaltimin poetik, nëpërmjet këmbënguljes me ndjesinë e LEHTËSISË. I ndërtuar kësisoj, vargu – ose teksti – i thotë lexuesit: “pa shih, je duke lexuar poezi”. Nga ana tjetër, që ky efekt krijohet me të njëjtat fjalë, nga autorë të ndryshëm në tekste të ndryshme, na lejon ta identifikojmë këtë PUHI E LEHTË si klishe poetike. Brenda togfjalëshit, mbiemri pleonastik E LEHTË e “narkotizon” elementin kuptimor [E LEHTË] te fjala PUHI, duke e shndërruar këtë të fundit në një sinonim – poetik – të fjalës ERË.
Veç PUHI, shqipja ka edhe PUHIZË, fjalë e ndërtuar me prapashtesën zvogëluese -zë dhe që, gjithnjë në Fjalorin e 1980-ës, e gjejmë të përkufizuar si “puhi e lehtë”. Por meqë kjo “puhi e lehtë” nuk është asgjë më tepër se një formë disi manieriste e “puhi” (puhi e lehtë e lehtë), i bie që PUHIZË të jetë sinonim i plotë me PUHI, gjë që nuk do të ishte shumë e dëshirueshme. Më shumë ka gjasë që PUHIZË të ketë fituar qytetarinë në leksik ngaqë e shpreh më qartë elementin kuptimor “e lehtë”, i cili e dallon puhinë/puhizën nga era.
E megjithatë, kjo PUHIZË ndeshet më shpesh edhe ajo në kombinim me mbiemrin E LEHTË, si në shembujt më poshtë, sërish të nxjerra rastësishëm nga uebi:
Një puhizë e lehtë flokët përkëdheli
Si puhizë e lehtë mali që si tutesh, as ruhesh
Si një puhizë e lehtë ajri më përkëdhel ëmbël kjo dashuri
Ti puhizë e lehtë /Loz me valë në det
Puhizë e lehtë pranvere që përkëdhel qetë valët e detit.
Një puhizë e lehtë ere shfryu në sytë e mi
Gjethet ishin aty, dhe dukej sikur vallëzonin nga një puhizë e lehtë ere.
Fryn një puhizë e lehtë, lehtë sa puthjet e tua
Tregomë, ti puhizë e lehtë vere, a e merr malli per mua
Kjo puhizë e lehtë që më fryu nga Jugu
U praps mbi ballë puhizë e lehtë.
Era që frynte si një puhizë e lehtë e freskoi paksa
Puhizë e lehtë parfumi shenjtërie
Një puhizë e lehtë ere, kishte trazuar detin
Një puhizë e lehtë nga liqeri që të përkëdhel
Kur të ndiej pranë/Më mbështillet një puhizë e lehtë vjeshte
Vajza bindet, por një puhizë e lehtë ja fryn tej rërën që kishte mbetur
puhizë e lehtë, ardhur nga pyje të lashta
Një shami valëvitej nga puhizë e lehtë.
Rërë e ngrohtë, një puhizë e lehtë që të ledhaton trupin
Një puhizë e lehtë frynte anekënd.
kjo nuk qe rastësi e as puhizë e lehtë kaluese
tej për tej nëpër shpirt na shpoi puhizë e lehtë e verës.
Dhe një puhizë e lehtë ere e ledhaton atë.
puhizë e lehtë u end në atë mjedis të ngrirë.
Puhiza të lehta të varura mbi muret e një qielli pa kufinj
Fryjti një puhizë e lehtë e më fryu si balonë
si puhizë e lehtë lulesh në mushkëri
Puhizë e lehtë deti, si e jotja dorë
M’u mbush shpirti përplotë… nga ajo puhizë e lehtë.
Të vërejmë këtu pleonazmin e trefishtë, sa kohë që elementi kuptimor [E LEHTË] shfaqet edhe tek PUHIZË (dy herë, tek tema PUHI dhe tek prapashtesa -ZË), edhe te mbiemri E LEHTË.
E vetmja mënyrë si ligjërimi mund të përballojë përsëritje të tilla, pa rënë kjo në sy të ligjëruesit, është që togfjalëshi PUHIZË E LEHTË të jetë shndërruar tashmë në klishe poetike, duke shënjuar natyrën e tekstit ku shfaqet.
Edhe më shpesh se PUHI E LEHTË, kjo PUHIZË E LEHTË përfton edhe një klishe të dytë pleonastike, me togfjalëshin
PUHIZË E LEHTË ERE
Sa kohë që ky përcaktor me rrjedhore, ERE, nuk bën veçse rimerr a leksikalizon elementin kuptimor [ERË] që përmban emri PUHIZË – meqë PUHIZA nuk mund të jetë veçse një lloj ERE. Në krahasim me PUHIZË E LEHTË, togfjalëshi PUHIZË E LEHTË ERE nuk është se saktëson ndonjë gjë në shprehje – por vetëm sa pikturon tekstin, duke shtuar diçka edhe në ritëm (prozodi), sipas nevojës.[1]
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Në publicistikë, klisheja pleonastike tingëllon zakonisht shtrembër dhe tradhton pakujdesi në të shkruar, edhe kur nuk dëshmon inkompetencë. Patëm sinjalizuar dikur shprehjen Gjatë lançimit të çeljes së konkursit, ku lançimi dhe çelja janë në konkurrencë kuptimore mes tyre, dhe e vetmja arsye që mund të marrim me mend për përdorimin e këtyre dy fjalëve krah për krah është se njëra është “përkthim” i tjetrës (çelje përkthen lançim – meqë kjo e dyta i duhet ligjëruesit për t’i dhënë tekstit tonalitetin e duhur bashkëkohor, ndërsa çelja i duhet për të treguar se për çfarë e ka fjalën). Kësisoj, lançim do të ishte një nga ato fjalë, në ligjërimin shqip, që nuk denotojnë asgjë, por vetëm konotojnë. Ngjashëm funksionon edhe një pleonazëm që kemi dëgjuar në mediat: pakicat minoritare, ku mbiemri minoritare nuk i shton gjë emrit pakicat, përveçse e vendos në një kontekst të ligjërimit politik, me tone europiane dhe të së drejtave të njeriut. Por edhe këtu, në thelb, pakica “përkthen” fjalën minoritet. Le të mos marrim pastaj parasysh shembuj banalë, si mësuesit e shkollave, parashikime për të ardhmen, kthehem mbrapa, ngjitem lart, nota muzikore, kombinoj së bashku, vazhdon të mbetet, diametralisht i kundërt, shtyj për më vonë të cilat janë më shumë vese beninje të së folurit lirshëm, që me kohë fitojnë autonomi.
Në fakt, në fjalorët që kemi, fjala puhi nuk është sqaruar si duhet kuptimisht. Puhia është një erë e lehtë që krijohet nga mikroklima e një hapësire ku ka diferenca potenciale gati të papërfillshme temperaturash, si kur hapim derën e frigoriferit dhe krijohet një shkëmbim ajri që e ndjejmë si puhi, porse nuk ka fuqi të shkaktoj një ndryshim të madh rryme brenda banesës sonë. Në hapësirat jashtë shtëpisë puhia mund të shkaktohet nga lëvizja e xhepave të ajrit të krijuara ndoshta nga një rrëke uji e ftohtë që rrjedh në një ambient të ngrohtë natyror dhe kështu shkaktohet puhiza e cila humb posa njehësohen temperaturat e ambientit, Kuptimisht puhiza është një erë që HUP (humb) dhe anagrama e foljes HUP të gegërishtes na jep rrënjën PUH, e cila në gjuhën e folurmerr trajtat: puhi, puhizë etj.
Ajo, që duket si paqartësi në kuptimin e fjalëve në fjalorët sqarues të fjalëve, rrjedh sepse nuk njihet etimologjia e atyre fjalëve. Kështu, si te fjala PUHi, kemi dhe fjalën LLOHë (llohë bore), që është krijuar nga anagrama HOLLë bore = borë e hollë.
Etimologjia e bërë me metodën e krahasimit të fjalëve nuk futet brenda fjalës dhe ndaj kemi një rrëmujë të shkaktuar mungesa e qartësisë etimologjike të fjalës në fjalorët shpjegues
Agron, kjo “etimologji” që ke sjellë as është etimologji, as ka të bëjë me temën e shkrimit.
Ashtu siç praktikohet sot, etimologjia synon të hedhë dritë mbi historinë e fjalës siç ka ndodhur, jo mbi hipoteza të mundshme, të krijuara ad hoc.
Po ashtu, etimologjia mbështetet në rregullsi – fonetike, gramatikore dhe ndonjëherë edhe kuptimore.
Në rastin konkret, për të pasur ndonjë shans shpjegimi yt që të merret seriozisht, duhej të kishe sjellë të paktën 4-5 shembuj fjalësh që vijnë nga metateza foljesh plus prapashtesën e theksuar -i.
Vetëm kjo me HUP nuk mjafton, madje është fyerje për inteligjencën e lexuesit. Duhet të citosh një pattern (rregullsi), ose të sjellësh një që ke zbuluar ti vetë. Jo etimologji individuale, por rregullsi.
Kjo që bën ti, nuk ka lidhje as me historinë, as me dijen. Është një gjë e ngjashme me fallin – ose me shikimin e filxhanit, një mënyrë kërkimi para-shkencore, e ngjashme me kabalistikën, alkiminë dhe astrologjinë.
Tani, përveçse ndërhyrja jote sjell një pseudo-etimologji, nuk ka as lidhje me temën e shkrimit. Kuptimi që ka sot fjala PUHI nuk përcaktohet nga prejardhja e saj ose etimologjia (madje edhe nga “etimologjia” jote), por nga përdorimi që i bëhet dhe nga raporti kuptimor që vendos PUHI me fjalë të tjera të ngjashme – për shembull me FLLAD, ERË, SUFERINË, e të tjera, ose FRYN, E FRESKËT, e kështë me radhë.
Këtë kuptim zakonisht e zbërthejnë në elemente që, në tekstet e semantikës, i gjen edhe të quajtura “sema”. Terminologjia nuk ka rëndësi në këtë mes, mjafton të mbahet parasysh që PUHI përmban në vetvete njësi kuptimore që mund të paraqiten si [erë], [e lehtë] e kështu me radhë. Në qoftë se këto njësi kuptimore leksikalizohen në thënie, d.m.th. shfaqen si leksema krahas fjalës PUHI, përftohet ajo që e quajnë PLEONAZËM.
Nëse nuk e ke kuptuar dot, shkrimi im diskuton vendin e pleonazmit në leksikun dhe në ligjërimin poetik – për shqipen, çfarë nuk ka lidhje me ato që shpjegon ti, për HUP, dhe PUH, dhe metatezat dhe anagramat.
Agron, nje njeri qe pretendon te shpiegoje etimologjine e fjaleve nuk mund te beje gabimin qe keni bere ju, kur perdorni “njehësohen” ne kuptimin “njësohen”, qe do te thote “bëhen të njëjta”, ose ne kete rast “barazohen”.