Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

GJYSHËRORËT

nga Toni Çaushi

Diçka e pengonte radhën te hyrja e një prej pub-eve të Tiranës për të lëvizur përtej rojeve të cilët qëndronin gardh, të veshur me të zeza siç e kërkon estetika e atij profesioni. Të katërta rojet dukej se diskutonin me një djalë të të njëjtit shtat, të të njëjtit ndërtimi fizik dhe të së njëjtës rrymë mode.

Me një çantë të vogël, që e mbante në duar si nëna e foshnjës Quasimodo përballë neveritjes së Monseigneur Claude Frollo-s te përshtatja e Disney të Notre-Dame de Paris, i riu atë natë në prag të pub-it, u drejtohej rojeve me një kërkesë që sikletoste të dyja palët dukshëm.

Fjalët “nuk”, “s’mund”, “jo”, e të tjera përgjigje të prera të rojeve orvateshin të shuanin argumentet e djalit. Nga ku isha, tre-katër persona pas tij në radhë, fjalët ia dëgjoja vetëm mbytshëm prej zhurmës së radhës dhe muzikës që vinte nga brendësia e pub-it.

I riu, sipas miqve të mi të cilët ishin direkt pas tij, ishte gardist dhe kërkonte ta lejonin të hynte me armë – një pistoletë – brenda në pub. Sipas tij, shërbimi në gardë dhe armëmbajtja me leje duhej të mjaftonin për të hyrë, por për çudinë e tij, dhe gjithashtu tonën – ne dëgjonim me cinizëm ndaj korrektësisë në Shqipëri – jo.

I dorëzuar, gardisti u kthye nga dalja, kaloi këtej nga ku priste radha tashmë e tejzgjatur për shkak të pengesës te dera dhe me një pamje qartësisht të zhgënjyer, u largua ndërsa mbante çantën e ngrydhët pas gjoksit.

Arma, përtej qëllimit vrastar, shpeshherë merr dhe efektin festiv, si një instrument perkusiv në mjediset festive të atyre që nuk dallojnë situatën banale (dhe mundësisht vdekjeprurëse) që krijohet, por sigurisht që gardisti atë të premte në Tirane nuk e donte armën për efektin muzikor; duke lënë mënjanë teoritë konspirative për të shpjeguar se arma ishte për një sulm, mund të biem dakord se armën djali e donte për vetëmbrojtje.

Si duket, shtati prej të paktën 1.90 m dhe stërvitja ushtarake nuk do t’i mjaftonin në një rast rreziku.

Në kontradiktë me eksperiencën që unë dhe miqtë e mi patëm atë natë, alkooli që derdhej (jo vetëm figurativisht si rakia e folklorit tonë, por dhe fizikisht) duhani që pihej edhe në ambiente të brendshme në mënyrë të jashtëligjshme (nuk po denoncoj, mora pjesë në faj) dhe muzika që shkundte muret pa mëshirë dhe që dëgjohej nga radha ku prisnim këtë kleçkë të zgjidhej, nuk mjaftonin për gardistin që ai ta bënte qejfin siç duhet në një të premte “në bllok”.

Por, pse-ja e dëshirës së tij për të patur pistoletën në një vend festiv dhe të papërshtatshëm për një armë, që m’u duk se ai ia kishte nevojën si një kapëze qumështi, mendoj se përgjigjen e ka pikërisht në historinë e atyre rrugëve, të cilën ai gardist sigurisht nuk e njeh direkt prej moshës së re, por efektet e së cilës ai dhe çdo moshatar i tiji në Shqipëri, i shpreh në një mënyrë a tjetrën.

Në “Dancing Bears: True Stories of People Nostalgic of Life Under Tyranny” (botimi origjinal daton prej 2014, por përkthimi në anglisht nga polonishtja e autorit është i 2018) Witold Szabłowski ndjek ne Bullgari arinj “të çliruar” pas kriminalizimit në 2006 të rritjes së kafshëve për qëllime monetare; reforma e qeverisë bullgare ishte ndër të fundit para pranimit ne BE një vit më vonë.

Në pjesën e parë të librit, Szabłowski shëtit nëpër Bullgari për të intervistuar familje cigane ku arinjtë herë ishin të dashur për shtëpinë si pjesë e familjes e herë thjesht si kafshë pune. Autori gjithashtu ndjek arinjtë në një kamp ritrajnimi, ku, për shkak të traumës prej trajtimit të pamëshirshëm që në vegjëli, ai përshkruan vështirësitë e kafshëve për t’u përshtatur në një ambient natyror dhe “të lirë.”

Duke futur dhe përvojën e vendit të tij fill pas regjimit komunist, shkrimtari polak, prezanton thelbin e librit të tij që në hyrje (citatet i kam përkthyer nga anglishtja):

“Për vite me radhë… këta arinj ishin trajnuar të vallëzonin dhe ishin trajtuar shumë mizorisht… i mësonin të vallëzonin duke i rrahur që në vegjëli. U thyenin dhëmbët që të siguroheshin se arinjtë nuk do të rikujtonin së ishin më të fuqishëm së kujdestarët e tyre.

“U thyenin shpirtin.

“Si arinjtë… ndonjëherë ia dalim mbanë me lirinë e rigjetur, ndonjëherë jo. Në disa raste na jep kënaqësi, por ndonjëherë provokon rezistencë.

“Ndonjëherë na bën agresivë.”

Nëse arinjtë kishin vuajtur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga keqtrajtimi, këlyshët e tyre vuanin pasojat e keqtrajtimit si tipare të trashëguara. Për pasojë, arinjtë e “çliruar” i tridhnin, për faktin e vetëm se brezi pas tyre nuk ishte i aftë të mbijetonte në natyrë, pasi nënat vetë nuk kishin aftësitë e duhura për kërkesat e ciklit jetësor të një ariu.

“Çfarë pret t’u mësojnë nënat arusha të bijve?” thotë një zbutës, “që nëse nuk ndërton dot një strofull për gjumin e dimrit, një njeri fytyrëlesh do vijë të të ndërtojë një shtrat me dërrasa?”

“Fatkeqësisht, arinjtë tanë nuk kanë vetëm erën, por dhe mentalitetin e robërve.”

Në vijimësi me thelbin e Szabłowski-t, gardisti atë natë të premte më erdhi ndër mend si një nga këlyshët e arinjve, i cili edhe pse i aftë t’i bënte ballë fizikisht një situate të rrezikshme, kërkonte, duhet thënë në mënyrë groteske, armën me vete për të suvatuar pjesën ku atij i mungon “armatimi” në personalitet.

Por si për pasojë të rritjes në Shqipërinë e pas ’91, ai dhe të tjerë si ai (ne?), jetojnë me mangësi në personalitet që i shprehin jo direkt prej autoritarizmit të para ’91, por si prej një efekti gjyshëror të transmetuar nga ata që e përjetuan atë sistem para tij.

Përgjithësimin, sigurisht, e bëj më kujdes. Jo të gjithë e ndjenë njësoj ndikimin e komunizmit, dhe jo të gjithë në këtë brez jetojnë me personalitete të shtrembëruara; por mund të biem dakord se ata që e ndjenë më shumë janë, kuptueshëm, pjesa dërmuese, të cilët që shpeshherë i dorëzohen autoritetit lart tyre si mënyrë për të krijuar një busull morale, individualitet, besim në vetvete, një shtyllë kurrizore — një personalitet.

Marr hua nga titulli i librit të Stefan Çapalikut — “secili i ndikuar sipas mënyrës së vet.”

Në pjesën e dytë të librit, në një “tur” nëpër vendet ish-komuniste të Europës Lindore fill pas udhëtimit në Bullgari, Szabłowski hap kartat e alegorisë së tij duke zgjedhur dimensione të jetës në vendet ish-komuniste ku subjekte të ndryshme vuanin pasojat e regjimeve përkatëse më shumë se 15 vjet pas rënies së murit të Berlinit — secili sipas mënyrës së vet.

Jo më kot, Szabłowski vendos ta nisë me Kubën, ku një përçapje për t’iu përgjigjur pikëpyetjes më të madhe në ndërgjegjen e popujve ish-komunistë, ajo e “Po sikur mos të kishte ndodhur në atë mënyrë?” vjen nëpërmjet fjalëve profetike të një taksisti në Havanë.

Taksisti Alfonso ia thotë këto fjalë autorit polak ndërsa Castro dergjet në shtratin e vdekjes (nuk vdiq atëherë, në 2006, sigurisht, por më vonë u zbulua se pat qenë fare afër vdekjes: kliko këtu.)

“Fakti që komunizmi ka falimentuar është i dukshëm,” thotë Alfonso. “Por as nuk mund ta fusin kapitalizmin këtu brenda natës — do ishte sikur dikujt i cili nuk ka ngrënë për shumë kohë t’i jepeshin papritur pesë hamburgera njëherësh. Nuk e mban dot stomaku.”

“Shkurt, politikanët tanë duhet të bëjnë përgatitje për ndryshime të tilla.”

(Kjo për atë zërin e vogël meskin: Afërmendsh, me kapitalizëm, Alfonso nuk i referohet vetëm një strukture të mundshme ekonomike të Kubës, por dhe konstruktit perëndimor të demokracisë që me vdekjen e Castro-s mund të shqyente dyert e komunizmit kuban.)

Kur shfletova librin e Szabłowski-t për herë të parë, sytë menjëherë më kërkonin Shqipërinë. Interesi i autorit fokusohej mbi bunkerët, që shpeshherë magjepsin të huajt, a thua se fshehin vlerën skulpturale të një monolithi a la Arthur C. Clarke.

Në këtë valle të vendeve ish-komuniste, ku Szabłowski mundohet të provojë njëtrajtshmërinë e pasojave që secili vend vuante, Shqipëria me të sajët dalin në skenë vetëm sipërfaqshëm; autori rreshton emrat e udhëheqjes politike komuniste dhe pas-komuniste duke u ndalur te mandatet e qeverisë së Berishës, të cilin e identifikon si përfaqësues të PPSH-së ne fakultetin e mjekësisë gjatë komunizmit.

Në botën e tanishme shqiptare, e panjohur në 2014 për Szabłowski-n, tradita e patriarkut gjithëprekës, e trashëguar nga Shqipëria e para ’91, vazhdon; figura atërore, ndonëse me emra të tjerë, tashmë ka arritur stadin gjyshëror për brezin e pas ’91.

***

Një zbutës kuajsh dhe predikues jezuit me inicialet T.P., të cilin e kam takuar rastësisht në barin e një aeroporti në North Carolina para dy vjetësh, mëtonte se zbutja që ai bënte për 20 minuta dhe në mënyrë performative përpara një audience, si ndihmë shpirtërore për individë të ndërvarur ndaj drogave ose me probleme personaliteti, ishte falë imponimit të një imazhi atëror mbi kafshën.

Më tregoi se teknika ishte evokimi i ndjenjave të sigurisë dhe besimit, që tek njerëzit, duke u nisur nga një perspektivë konservatore, supozohet që një prind t’ia japë një fëmije.

T.P. thoshte se në fund të zbutjes, atëherë kur ai ia del ta shalojë kalin në një ring përpara audiencës, kafsha kthehet në një qenie totalisht të dorëzuar.

Por vetëm e bërë në mënyrë të sinqertë, kur zbutësi ia ruan fisnikërinë kalit në procesin atëror, zbutja bëhet në mënyrë të saktë.

Përndryshe, zbutja është e rreme.

Me paralelizmin e Szabłowski-t në mendje, e zhvendosa bisedën drejt lindjes — drejt vendeve ish-komuniste.

“E urren komunizmin ti?” më pyeti T.P. (biseda është përkthyer nga anglishtja.)

“Nuk e kam njohur komunizmin,” i thashë, “por njoh dëshmitë e atyre që e kanë njohur.”

“Fenë si institucion unë e urrej,” më tha. “Unë ndjek vetëm fjalët e Jezu Krishtit dhe mundohem t’u tregoj të tjerëve si të besojnë tek ai për të gjetur shpëtim. Pa kisha. Pa priftërinj.”

“Me ç’e njoh Biblën, bie dakord me fjalët e saj,” i përgjigjem me sinqeritet.

“Atëherë, në njëfarë mënyre, dhe ti je jezuit,” më thotë.

“Si duket, qenkam, por atë pjesën mbinatyrore nuk e kapërdij dot.”

“Por nëse nuk beson në Zot, atëherë në çfarë beson?”

“In good Christians.”

Në këtë moment ai hoqi kapelën e stilit cowboy, kroi kokën, dhe e rivuri.

Me siguri ka menduar, “Secili sipas mënyrës së vet.”

(c) 2023 Toni Çaushi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

6 Komente

  1. “Në vijimësi me thelbin e Szabłowski-t, gardisti atë natë të premte më erdhi ndër mend si një nga këlyshët e arinjve, i cili edhe pse i aftë t’i bënte ballë fizikisht një situate të rrezikshme, kërkonte, duhet thënë në mënyrë groteske, armën me vete për të suvatuar pjesën ku atij i mungon “armatimi” në personalitet.
    Por si për pasojë të rritjes në Shqipërinë e pas ’91, ai dhe të tjerë si ai (ne?), jetojnë me mangësi në personalitet që i shprehin jo direkt prej autoritarizmit të para ’91, por si prej një efekti gjyshëror të transmetuar nga ata që e përjetuan atë sistem para tij.”

    Mua me duket gjithmone interesante qe gjerat qe themi per dicka, jane me shume projeksione tonat mbi realitetin (fenomenin) sesa pershkrim i sakte dhe i vertete i fenomenit. Pra armatosja e gardistit ne lirine e gjetur paskomuniste qenka per te suvatuar mungesen ne personalitet. Keshtu e shikon autori. Pra autori mendon qe dikush qe armatoset duhet te kete mungese ne personalitet sepse ashtu do bente ai. E ku ka personalitete qe s’kane nevoje per suvatim? I gjithe personaliteti i njeriut eshte suva e ngritur nga shoqeria dhe e projektuar mbi individin. “Ne jemi komuniste dhe ju fashiste dhe o rashe e vdiqa o nuk dalim dot nga binaret.” Madje une them qe nje mungese totale e personalitetit ne rastin ne fjale do inkurajonte jo vetem armatosjen me pistolete sherbimi, por edhe me cifte, mitraloz, e shpate sepse do e pranonte gjendjen e pameshirshme te natyres pa friken e kushtezuar nga “personaliteti”, ose “egoja”, qe ka gjithmone frike te vdese. Prandaj e vrane dhe Krishtin. Se u zgjua nje dite nga gjumi dhe tha “Une jam”. Dmth jo Jezus marangozi i biri i Jozefit (personaliteti), por nje njeri i lire dhe i eger qe sillet dhunshem dhe permbys tavolina ne tempull kur i hypin nervat.

    Une e shikoj armatimin e gardistit si kthim ne identitetin shqiptar. Me autentik dhe pa asnje nevoje suvatimi te personalitetit se te gjithe arinjte e tjere te tredhur ne radhe. Ne fund te fundit, ai vetem sa u rikthye ne gjendjen natyrore te shqiptarit te armatosur gjer ne dhembe qe nga koha e perandorise Romake (me iliret qe vrasin ambasadoret romake) e deri te koha e perandorise Otomane (me arnautet bashibozuke). Kjo do me dukej pershkrim me afer realitetit duke qene se ka baze historike sesa nje pershkrim psikologjik i gjendjes se gardistit, qe me duket me shume projeksion mbi te.

    1. Lutem mos komentoni me nick-un “I paemër”. Komente të tilla shkojnë vetvetiu në Trash dhe vetëm rastësisht mund të shpëtojnë pa u fshirë. Tregoni respekt për revistën dhe për ata që ju lexojnë, duke adoptuar falas një nick që i përshtatet personalitetit tuaj virtual (p.sh. Vlad the Impaler ose Ophelia).

      1. Ndjese, klikova “Pergjigjuni” pa u bere login dhe kam pershtypjen del “I paemer” automatikisht.

  2. “Në vijimësi me thelbin e Szabłowski-t, gardisti atë natë të premte më erdhi ndër mend si një nga këlyshët e arinjve, i cili edhe pse i aftë t’i bënte ballë fizikisht një situate të rrezikshme, kërkonte, duhet thënë në mënyrë groteske, armën me vete për të suvatuar pjesën ku atij i mungon “armatimi” në personalitet.
    Por si për pasojë të rritjes në Shqipërinë e pas ’91, ai dhe të tjerë si ai (ne?), jetojnë me mangësi në personalitet që i shprehin jo direkt prej autoritarizmit të para ’91, por si prej një efekti gjyshëror të transmetuar nga ata që e përjetuan atë sistem para tij.”

    Ndoshta ka nje shpjegim me te thjeshte .Ato vende jane zakonisht hang out places e njerezve te dehur me histori kriminale e forca fizike nuk mjafton per vetmbrojtje.Jo gjithshka duhet ti faturohet komunizmit .Rednecks e SHBA p.sh nuk jetuar asnje dite nen komunizem e mbajne koburet me vete hapur ne publik edhe kur shkojne tek McDonalds .

    1. Lutem mos komentoni me nick-un “I paemër”. Zgjidhni një nick që t’ju përfaqësojë në diskutim. “I paemër” është pseudonimi zero; nëse nuk futen të dhëna, të gjithë diskutantët do të dalin me maskën “I paemër”. Nuk po ju kërkohet pasaporta, as numri i llogarisë bankare, por vetëm pak respekt për revistën dhe administratorët e komenteve. Nuk duam që kontributet tuaja të përfundojnë në Trash automatikisht.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin