nga Arben Dedja
Ç’po shkruaj janë përsiatjet e dikujt jo i fushës. Ka vetëm (ndoshta) syrin konkret të një kirurgu. E kam ushtruar kirurgjinë pak vite, por vazhdoj të ushtroj një kirurgji po aq të vështirë – nëse doni, quajeni surrogato – për eksperimentet e mia. I përmend kirurgët për pragmatizmin e tyre. Kur mendimi mjekësor humbte stërhollimeve të abstraktes ata, të paktën, ndërmerrnin diçka konkrete – ndoshta halldupçe, ndoshta çaprazçe – kundër sëmundjeve, jo veç atë sanguĭnem laxare (salasso), “heqje gjaku” e pakuptim dhe e pabazë, që doktorët e kishin lëçitur në tekste të vjetër sa Nuhu (me nder të themi). Degdisja e kirurgëve dyqaneve tërë igrasi të berberëve vazhdoi deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Aq është e vërtetë sa edhe sot, në Angli, kirurgun nuk e thërresin doctor (Dr.), por thjesht mister (Mr.). Në ç’them nuk jam, pra, aspak, kushedi ç’doktor (shkencash!), por thjesht mister (“zotëri”), me shpresën që edukata juaj ta pranojë.
Ju lutem, kini durimin të krahasoni këto dy tekste të bukura shqip. Të dyja janë shkruar gati njëkohësisht, aty rreth vitit 1898, maksimumi 1899. Edhe viti i lindjes së autorëve është i njëjti: 1875, dhe të dy kanë lindur në dy fshatra shqiptare në veri të Greqisë jo larg njëri-tjetrit. Kuptohet, tekstet janë në toskërisht. Ndoshta distanca kohore do të na bëjë të jemi objektivë dhe të ftohtë në gjykim: “Kush sheh nga afër sheh mirë, por kush sheh nga larg sheh drejt” thosh Vicor Hugo.
Teksti i parë:
Nata po afërohet. Drita e ditës tretet dalë nga dale; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupet e epëta të çupave qi shkojnë, një ngjyrë manushaqje – një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona, – shtrihet, e i mpshtjell. Mbasandaj, pakë nga pakë manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjatërit, yjtë çpojnë qiellin, e pikëlojnë dritë. Nata u afërua. Nata erdhi.
E kur afërohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S’është si liqeni i Ohrit, me ujëra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës, qi shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej me lundra të moçme sa Shkodra e n’anë të të cilit gjallojnë malësorë të rreptë. Është një liqen nuk m’i math se një kopësht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë e i bukur, – i ndyrë se uji i qelbet, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjër mbi faqe të tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë herë, një peshk, e një tjatër, e një tjatër, shumë pishq, tingillojnë ujin. Uji përsëri pushon, e fle. Po një erë e ngadaltë (shum e ngadaltë!) unjet mbi liqen e i zhubravit faqen.
Teksti i dytë
Befas pa një qengj të vogëlë, i cili kishte rënë të flinte ndënë një të vrastalluarë trandure. “E, i egërë qenq!” – klithi me gëzim edhe shpejtoi atje edhe e zuri. Qengji u ngrit, qendroi edhe blegëriti, po çuni me të drithurë u këthye prapazi… “Ç’është ky!” klithi me zë të math. “Ky edhe ron! Mund të écenjë, ka zë! Tonatë janë të gjitha të pazëshme edhe të ngordhura. Ç’farë çudije! Cili pra i ka dhënë rojtje këtij?” Edhe donte të fillonte bashkëligjëri me qëngjinë: i paratendoi pra shumë llojsh pyetëje së vogëlësë kafshë: ndë fund u zemërua, sepse kafsha përgjigjej gjithëherë me atë zë.
Tani erdhi një bari i bukur e vrastalar djalosh me faqe të kuqe edhe peruke të çlulëtë i cili, kishte humburë qëngjinë dhe e kërkonte. Çuni u tmerrua më parë ndë parëje të djaloshit: por kur djaloshi me shumë mënyrë miqësije e përshëndoshi atë, mori llashë edhe tha: “O sa i mirë je! Më thuaj”, pasoi dyke treguarë me duart hapurë qiellin edhe dhenë, “këjo e madhe edhe fort e gjerë gravë është jotëja? Nukë mund të mbetem afër teje edhe afër qengjit t’ënt?” Djaloshi kullotës s’e kupëtoi çuninë, erdh’ e kulimëzoi më parë, se ishte çkalluarë nga mënttë. Por kur e pyeti si erdhi atje, edhe çuni u përgjegj se u shpërburgjëzua jashtë dheut, ani i tregoi edhe për plakënë mëmo edhe për buratë me mjekër, atëhere bariu hyri ndë shofpësi edhe e madhe frikë e zuri atë.
Teksti i parë është i Konicës, një prozë e shkurtër e titulluar “Anës liqenit”, botuar në Revistën “Albania”; kurse i dyti është një fragment nga “I vogëli Donat Argendi” i Papa Kristo Negovanit. Ndryshimi kryesor mes tyre është lexueshmëria. Konica lexohet fare rrjedhshëm dhe kuptimi i fjalëve që ka përdorur njëqind e njëzet e pesë vjet më parë është i njëjtë me sot. Ndoshta vetëm “çfletimi” i manushaqes nuk shkon, se ne sot shfletojmë librin, jo lulen. Përkundrazi, teksti i Negovanit seç ka një ngërç; na duhet të ndalemi shpesh. Ndeshim shumë fjalë të panjohura, si ato që kam nënvizuar. Ç’duan të thonë, vallë? Nga Sterjo Spasse (një tjetër bir i atyre trojeve), që e ka lëvruar temën, mësoj që: të vrastalluarë trandure janë “trëndafilë të lulëzuar”; bashkëligjëria është “bashkëbisedim”; i paratendoi = “i propozoi”; vrastalar djalosh me […] peruke të çlulëtë është “djalosh i bëshëm me […] flokë të verdha”; ndë parëje = “në dukje”; mori llashë = “guxoi”; gravë = “shpellë”; kulimëzoj është “kujtoj”; shpërburgjëzua = “doli nga burgu”; ndë shofpësi = “në dyshim”… Kështu, nga dëshira për t’ia hequr shqipes fjalët me prejardhje të huaj, Negovani e mbush tekstin me neologjizma. Atëherë neologjizma; sot fjalë pa kuptim që studiuesit i zbërthejnë në fund të faqes (kur i kuptojnë, se nganjëherë as vetë Spasse nuk i jep dot dum).
Pastaj, më 12 shkurt 1905, një grup burrash “të panjohur”, ndërsyer (paguar) nga Patriarkana e Fanarit e Mitropoliti i Kosturit me agjentët e tij, e nxorrën me forcë nga shtëpia Papa Kriston dhe e masakruan në të dalë të katundit. Ai u kthye përjetësisht në martir të shqiptarizmës dhe… mori në varr kuptimin e shumë prej fjalëve që kishte lentuar. Këtu dhashë një fragment që të kish po atë gjatësi sa teksti i Konicës, por krejt “I vogëli Donat Argendi” gëlon fjalë të panjohura. Dhe të mendosh që është tregim (i gjatë) për fëmijë.
Megjithëse ka kaluar një shekull e ca mendësia jonë mbi neologjizmat duket se nuk ka ndryshuar. Të gjithëve sikur na hanë duart për t’i krijuar. Për t’i harruar pastaj, sakaq. Mua vetë më ka ndodhur të nxjerr ndonjë kësi fjale nga bombeja (fatmirësisht vetëm kur përkthej): nevoja, frustracioni, dëshira për përsosje…[1] ndërkohë që janë fjalë që duhet të kalojnë sitën akademike, t’u analizohet frekuenca e përdorimit, për të hyrë (apo mos-hyrë) pastaj nëpër fjalorë. Por, në përgjithësi, qasja e problemit të fjalorëve të shqipes nga Akademia e Shkencave më duket e çuditshme (nuk po them e përçudë); ah po, si i thonë shqip: queer!
Shkenca – ose arti – i kirurgjisë ecën përpara me anë të imitimit (hm! shkërbimit) dhe duke evoluar nga më e thjeshta drejt më e vështirës. Them, edhe letërsia ecën përpara me imitim dhe duke evoluar nga më e thjeshta drejt më e vështirës. E imja, të paktën. Them, e njëjta gjë ndodh me çdo veprimtari njerëzore (përfshi fjalorët). Ndërkohë vlon puna për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Pyes (pyetja nuk përmban polemikë, veç kërshëri gjenuine): përpara se të arrijmë te fjalori i madh, a ka shqipja një fjalor themelor? Në rrjet çoç e gjej ndonjë titull, por pyes për fjalor themelor me kritere akademike, si fjalori i Tullio De Mauro-s (1980) që, ndërkohë, në krye të tridhjetë e ca vjetëve (2016), ka ridalë në një version të ri, duke ruajtur, ama, të njëjtat kritere shkencore. Ka gjithsej 7.050 fjalë (termi i saktë është “leksema”). U informova pak për kriteret. Janë kryesisht statistikore/matematikore: dy mijë fjalë janë fjalët më të përdorura në gjuhën italiane sot (quhen “fjalë themelore”[2]): vetëm ato zënë rreth 90% të tekstit, të çdo teksti (u analizuan gjithsej gjashtë tipologji tekstesh, letërsia është vetëm njëra nga të gjashta, por nuk po dua të hyj në detaje); pastaj kemi rreth tre mijë fjalë të ashtuquajturat “të përdorimit të lartë”: këto zënë vetëm 4% të një teksti (prapë zënë shumë më tepër vend sesa dyzet mijë fjalët e tjera të një fjalori 45.000-50.000 fjalësh, që quhet “fjalor i gjuhës së sotme” – i mesëm për nga madhësia). Por këto fjalë “të përdorimit të lartë” nuk u pranuan në fjalorin themelor ashtu toptan: përpara u zhvillua një test kuptueshmërie me nxënës në nivel të diplomës më të ulët shkollore (që për Italinë e kohës ishte “terza media” – klasa e tetë për ne). Vetëm ato fjalë ndër këto tre mijë që kuptoheshin nga të paktën gjysma e nxënësve me “terza media” në një provë të zhvilluar në shkolla të ndryshme të Italisë nga veriu në jug u përfshinë në fjalor: gjithsej 2.750 fjalë dhe jo tre mijë. Ja një mënyrë që Akademia, për një pasuri të përbashkët si gjuha, të dalë nga kulla e fildishtë e të shkojë te njerëzit. Dy mijë e treqind fjalët e mbetura, të ashtuquajturat fjalë “të disponibilitetit të lartë”, janë fjalë që ndonëse shumë më pak të përdorura si në të shkruar ashtu edhe në të folur, perceptohen nga njerëzit e intervistuar (të grupmoshave dhe të një niveli shkollor nga më i ulëti deri tek ai universitar) si fjalë të rëndësishme të gjuhës, bile, në ndjesinë e tyre, njëlloj ose më shumë në përdorim se fjalët “themelore” apo “të përdorimit të lartë”. Ja përsëri Akademia që del nga kulla e fildishtë dhe shkon drejt njeriut, gjithnjë drejt njeriut.
Pra fjalët në këtë fjalor janë përzgjedhur: në (pak a shumë) 1/3 e tyre me analizë statistikore (dy mijë fjalët me frekuencën më të lartë të përdorimit), në 1/3 si perceptim subjektiv i folësve dhe në 1/3 si kombinim i të dyjave (frekuencë përdorimi, plus kuptueshmëri nga ana e folësve me nivelin shkollor-kulturor më të ulët). A nuk e ke udhën të hapur paskëtaj për çdo lloj tjetër fjalori të mundshëm?
Fjalori që vjen në radhë pas atij “themelor” është ai “i gjuhës së sotme”, që e përmendëm: tipi i fjalorit më i lëvruar ndër ne. Do të kisha dashur, ama, që ky të botohej përvit (në Itali kështu bëhet dhe janë jo një, por disa; më të njohurit: “Garzanti”, “Devoto Oli” dhe “Zingarelli”), sikur edhe në njëqind kopje, por gjithnjë i përditësuar. Ndryshimet nga një vit te tjetri janë të vogla. Përveç korrigjimit të ndonjë gabimi që mund të ketë shpëtuar[3], funksionet kryesore të këtyre botimeve të përvitshme kanë të bëjnë me pranimin në fjalor të neologjizmave dhe vënien në pah të fjalëve të rrezikuara për të dalë nga përdorimi. “Zingarelli” botim i vitit 2020 sinjalizonte (me një lulkë në krye) 3.126 fjalë të rrezikuara. Italianëve iu bë thirrje të “birësonin” secili të paktën njërën nga këto fjalë duke u përpjekur t’i përdornin në jetën e përditshme[4] dhe një tur promovues filloi në disa nga sheshet e qyteteve kryesore të Italisë. Edhe neologjizmat që hyjnë përvit në fjalorë diskutohen dhe analizohen nga opinioni. Ndryshojnë pak nga një fjalor te tjetri, për shembull “Devoto Oli” është më konservator në pranimin e tyre Këto punëra kaq konkrete a nuk na bëjnë të gjithëve mirë? Dhe mbase një pjesë e shqiptarëve heqin dorë nga fiksimi me etimologjinë dhe e shohin gjuhën tonë si një lumë ku edhe ata mund të përveshin pantallonat e të futen për të freskuar këmbët me vorbullat e vogla të ujit që u krijohen rrotull, që ia nxisin mendjen e i japin kënaqësi shpirtit.
Me pak analogji dhe llogari situata është kjo: me dy mijë fjalët e para të fjalorit “themelor” e mbuluam 90% të teksteve, me fjalët “e përdorimit të lartë” e mbuluam edhe 4% tjetër; le ta zëmë – në mënyrë arbitrare – që me fjalët e “disponibilitetit të lartë” e mbuluam edhe 1% tjetër të teksteve: u bënë, pra, 95%. Le ta zëmë – prapë në mënyrë arbitrare – që me 40.000 fjalët e tjera të fjalorit “të gjuhës së sotme” kapim edhe një 4% tjetër të teksteve. Në këtë pikë i kemi mbuluar me fjalët e këtyre fjalorëve 99% të teksteve të shqipes dhe kemi brenda rreth 3.000 fjalë të rrezikuara për të mos u përdorur më. I lamë – gjithnjë në mënyrë arbitrare – 1% të teksteve për t’u mbuluar me fjalë nga Fjalori i Madh i Shqipes, që do të ketë brenda tre mijë fjalët e rrezikuara, gjithë fjalët e tjera të zhdukuara tanimë, fjalën “qiellzanë” për “tavan”, fjalën e lentuar ndërkaq për “dysheme”, fjalën e bukur shqipe “vizël” për “biçikletë” (përdoret nga ata që ecin me biçikletë nëpër dëborë – lënë vizë, pra), fjalët e Papa Kristo Negovanit… Më rrëfente im atë që Petro Cani, shefi legjendar i kirurgjisë të klinikës së tretë të Spitalit Civil (ashtu quhej atëbotë), ua ndalonte kirurgëve të bënin ndërhyrje të vështira kur sapo ishin kthyer nga plazhi: “Jeni jashtë forme” thosh, “pa filloni njëherë me gjëra të lehta dhe të vlefshme për popullin; ndonjë hernie për shembull…”
© 2023 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Për shembull, ja, nga libri im i parë në prozë (2011): përkthimin e një titulli të Thomas Bernhard-it, “Der Stimmenimitator” (1978), e kam dhënë: “Zëshkërbyesi”. Ç’rrugë ka bërë kjo fjalë qysh atëbotë dhe atyre faqeve të harruara? E di shumë mirë: asgjëkafshë!
[2] Një mijë e tetëqind nga këto dy mijë fjalë gjenden qysh në “Komedinë Hyjnore”, si fjala “babbo”, për shembull.
[3] Me kalimin e viteve këto gabime sa vjen e bëhen më të pamundura. Në vitet shtatëdhjetë shtëpia botuese “Zanichelli”, që boton “Zingarelli”-n, vuri, bile, një shpërblim me para për atë lexues që do të mund të gjente qoftë edhe një gabim shtypi te “Zingarelli”.
[4] Unë, në bahçen time të vogël, birësova fjalën “leccornìa”, që shqip do ta përkthenim = “gjë (ushqim) për të lëpirë gishtat” dhe, në fakt, etimologjia e fjalës rrjedh nga leccare = lëpij. Por edhe fjala “laconico” = lakonik, më prek dhe më ngjall habi që në Itali nuk u përdorka sa duhet. Imagjinoni sa histori i vjen nga prapa: rrjedh nga lat. Laconĭcus, gr. Λακωνικός, derivat i Λάκων , regjion i Greqisë së Lashtë ku ndodhet Sparta; lakedemon, spartan. E kemi edhe shqip: “që shprehet me pak fjalë e në mënyrë të prerë; që flet a që shkruan shkurt e prerë”. (Me sa duket spartanët ishin fjalëpakë, ndryshe nga athinjotët llafazanë).