Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjeografi / Gjuhësi / Sociologji

NE I KEMI PASË THËNË KËSHTU…

Te një shkrim nga Ndue Dedaj në Panorama [1]Një rrugë që të lidhë Tropojën me… Shqipërinë! lexoj mes të tjerash se “malësia e Pukës… është e braktisur nga banorët”; dhe këtu m’u kujtua një shqetësim që endet prej kohësh në mjediset tona kulturë-dashëse, dhe pikërisht ai për fatin e dialekteve, në kushtet e urbanizimit dhe të përmbysjeve demografike. Publiku zakonisht me “dialekt” ka parasysh të folmen, dhe jo njësitë abstrakte të ndarjes dialektore të shqipes – dhe kur dëgjon të thuhet “dialektet duhen ruajtur si pasuri e paçmuar”, e kupton menjëherë se bëhet fjalë jo për gegnishten dhe toskërishten, por për të folmet lokale, që i kanë rrënjët në oralitetin e pandërmjetësuar. Dhe shumë nga ata që shqetësohen për “zhdukjen e dialekteve të shqipes” nuk e mbajnë sa duhet parasysh demografinë, ose realitetin e zbrazjes së zonave malore, zonave të thella, zonave të izoluara dhe, në përgjithësi zonave rurale – me banorët që priren të lëvizin drejt qendrave urbane; përfshi këtu edhe emigracionin e jashtëm dhe të brendshëm.

Shpesh të thonë se “fshati po braktiset” – një dukuri me implikime sidomos ekonomike, por që i intereson edhe antropologjisë, dialektologjisë dhe sociolinguistikës, sa kohë që fshati është edhe vendndodhja e diferencës gjuhësore lokale. Nëse banorët e fshatit zhvendosen tjetërkund, ata mund ta marrin të folmen me vete, por kjo e folme nuk ka shans që të mbijetojë. Edhe në rrethanat kur banorët e fshatrave të largëta zhvendosen drejt një qendre të provincës, për shembull nga zonat rurale të Dibrës në Peshkopi, ata bien në kontakt me bartës të folmesh të tjera dhe, në ndërveprim me ta, bashkëpunojnë për krijimin e një forme të re gjuhësore.

Tkurrja dhe zhdukja e të folmeveve nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me imponimin e standardit; sepse ndodh kryesisht ngaqë komunitetet përkatëse shpërbëhen ose “hollohen”; së bashku me ndërrimin e vendbanimit dhe urbanizimin, ndërrohet edhe konteksti social i komunikimit dhe e folmja e djeshme nuk ka më arsye pse të ruhet.

Dhe procesi i zbrazjes së fshatit, veçanërisht në zonat malore, shoqërohet me krijimin e komuniteteve të reja, siç ka ndodhur në lagjet e reja të Tiranës. Ndonjëherë zonat gjeografike të origjinës ende mund t’i ndjekësh në topografitë e reja – aq më tepër që të ardhurit ende e kërkojnë njëri-tjetrin dhe duan t’i ruajnë njëfarësoj komunitetet e origjinës. Por në mjediset e reja ku e gjejnë veten bartësit e të folmeve lokale, u duhet që ta modifikojnë ligjërimin dhe, sidomos, të bëhen edhe më fort të vetëdijshëm për “ligjërimin e Tjetrit”.

Kjo ndodh, për më tepër, në rrethanat kur alfabetizimi është dobësuar dhe brezi i ri gjithnjë e më tepër i largohet kontaktit tradicional me shqipen e shkruar (librin), gjithë duke praktikuar një formë gjuhësore – ligjërimin online – që nuk përkon tamam as me ligjërimin e folur, as me atë të shkruar, por ka veçoritë e veta dhe, me kalimin e kohës, zhvillon edhe ai “dialektet” e veta sociale. Një fëmijë që largohet, me familjen e vet, nga fshati ku jetonte dhe vjen në Tiranë, e ka preokupim parësor që të përvetësojë “zhargonin” që i duhet për ta prezantuar veten online, teksa prindërit preokupohen që ta integrojnë në kryeqytet, nëpërmjet akulturimit në standard (shkollës, librit). Në të njëjtën kohë, vetë prindërve u duhet të negociojnë ligjërimin e tyre, në komunitetet e reja ku jetojnë – për shembull në një lagje ku mund të ketë, por mund edhe të mos ketë bashkëfshatarë nga krahina e tyre e origjinës.

Si të ruhen të folmet tradicionale, në këto rrethana të reja sociale? Regjistrimi dhe katalogimi nga specialistët (dialektologët, sociolinguistët, antropologët) mund të ketë vlerë dokumentimi, por nuk është se e shpëton të folmen nga katastrofa, dhe as mund të kontribuojë në “ruajtjen”. Nëse njerëzit ikin prej gjeografive dialektore, ruajtja e të folmeve – në përdorim – gjithnjë rrezikon të shndërrohet në teatër, ose të paktën në performativ; dhe e folmja vetë të mbahet “gjallë” si shënjues i një të shkuare më shumë folklorike. E vetmja mënyrë, për ta kufizuar këtë humbje të diversitetit kulturor do të ishte ndërhyrja në shkakun e parë të kësaj dukurie: braktisja e zonave rurale dhe e fshatit. Por këtë nuk mund t’ia kërkosh dialektologjisë, as sociolinguistikës.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin