Në veprën e vet madhore Le vocabulaire des institutions indo-européennes (Tome 1, 1969, Les Éditions de Minuit), Émile Benveniste i kushton një kapitull leksikut të gjësë së gjallë dhe parasë (le bétail et l’argent), duke u ndalur në fjalët pecu dhe pecunia. Për komparatistët, thotë ai, *peku shënjon “gjënë e gjallë” ose, në një kuptim më të ngushtë, “delen”, ndërsa kuptimi “pasuri”, siç del p.sh. në latinishten pecunia, mbahet për këtë arsye si dytësor dhe shpjegohet si me prejardhje nga një zgjatim semantik i termit që shënjonte, në pikënisje, pasurinë par excellence, gjënë e gjallë. Por ky autor, përmes analizës së shembujve të shumtë nga indo-iranishtja, gjuhët italike dhe ato gjermanike, mbërrin në përfundimin se *peku ka shënjuar origjinalisht “pasurinë e tundshme personale”, dhe vetëm më pas ka zhvilluar, në gjuhë të caktuara, kuptimin “gjë e gjallë, bagëti”, dhe më tej “bagëti e imët, dele” (f. 47 dhe vijim). Ky kalim nga një kuptim origjinal abstrakt, te një kuptim i rrjedhur konkret është i pazakonshëm, meqë zakonisht do të pritej e kundërta – një fjalë e përdorur zakonisht për bagëtinë, është përgjithësuar më pas për pasurinë; dhe aq më tepër në shoqëri të hershme, si ajo indo-europiane.
Shtjellimet e Benveniste-it si gjithnjë meritojnë të lexohen me kujdes – por mua, kur e ndesha këtë trajtim të cituar në një libër që po lexoja, m’u kujtuan diskutimet rreth etimologjisë së shqipes bagëti, veçanërisht nga Çabej.
Zërin kushtuar kësaj fjale, bagëti, te SE II, po e citoj të plotë në vijim:
bagëtí, baktí f. Për këtë fjalë G. Meyeri (f. 22; IF 6, 116) niset nga kuptimi “kafshë barre” dhe e krahason kështu me frgj. e vj. bague “vandak”, lomb. berg. ven. baga “calik vere”, span. baga “litar i samarit”, friul. baghe “rrëshek, shakull”. Jokli përkundrazi (Studien 5v., Slavia XIII 310, Die Sprache IX 151) e merr për fjalë vendi, duke e afruar me sll. bogъ e ind. e vj. bhágas “pasuri”. Walde-Pokorny II 108 e Pokorny I 107 nuk e zënë në gojë fjalën e shqipes, po Walde-Hofmann I 90 e pëlqen këtë shpjegim, gjithashtu Weigand 5, sh. dhe Tagliavini 77 e Strat. 147. Vasmeri (REW I 99) e pranon me një “mbase”, Seliščevi 165 anon të shohë këtu një huazim nga sll. bogatъ “i pasur”, pra bagëtí “pasuri”. Ashtu edhe Skoku ER 1 179.
E mbarë gjuhës. Del që te Buzuku, si kolektiv e si njëjës i mirëfilltë: tӯ të të apënë regjëjntë dhunëtije ṇ bagëtiet e ṇ deshshit e ṇ buollicashit ṇdërmjet lopëvet së nierëzet; qi nē na dha pusnë, e aj piu̯ ṇ si e bijtë e tī e bagëtija e tī “qui dedit nobis puteum, et ipse ex eo bibit, et filii eius, et pecora eius”; E nierëzitë të ṇvishenë ṇdë thes e bagëtia “Et operiantur saccis homines, et iumenta” (XXVI/2a; LIII, Gjoni 4,12; LX, Jona 3, 8), si njëjës, dalë prej kolektivit, E parë lij shpirtinë me i votë keq se me dhanë një bagëtī për shpirtit t atī.
Burimi i këtij emri, a fjalë vendi a huazim, mbetet i dyshimtë. Morfologjia e tij, sikundër vëren edhe Jokli: bagëtí nga një emër mashkullor *bag-, ka paralele në shqipen, si treg tregëtí, po më anë tjetër mungon një i tillë primitiv *bag. Lidhja me gjuhët romane që përsjat G. Meyeri, nuk është bindëse. Nga huazimi sllav i begatë “i pasur”, që ka dhënë dhe abstraktin begatí “pasuri”, mund të mendohet një ndërrim fonetik i këtij abstrakti në bagëtí, e cila u bë pastaj një kolektiv. Për kuptimin khs. p.sh. lukër “dele; tufë dhensh” prej lat. lucrum “fitim”, sll. skotъ “bagëti” prej got. skats “pasuri; bagëti” etj. Edhe ruajtja e g-së intervokalike nuk flet në të mirë të një lashtësie të madhe të kësaj fjale në shqipen. Në qoftë se është fjalë vendi, zgjerimi me -ëtí duhet të jetë kryer relativisht vonë, po atëhere të çudit si të ketë humbur primitivi *bag. Gjithsesi identiteti me begatí, si një zgjerim i brendshëm më -i, i begatë prej sll. bogatъ, është më afërmendsh se shpjegimet e tjera. Në këtë vështrim dëshmon edhe çam. bagate “dele bravare” e Haxhihasanit, DS II 29.
Të vërehen këtu nja dy gjëra: që Çabej sjell për krahasim shqipen lukër, “dele, tufë dhensh”, nga latinishtja lucrum, “fitim”; dhe se bagëti në shqipe nuk duhet të jetë fjalë e vjetër, për shkak të -g-së ndërzanore që është ruajtur.
Shpjegimi nga mbiemri i begatë, dhe identiteti me begati, tingëllojnë më të besueshmet; po sjell më poshtë zërin që i kushtohet këtij mbiemri, nga e njëjta vepër:
begatë (i) mb. “i pasur, pasunar”, begatí f. “pasuri”. Sikundër dihet, prej sll. bogatъ bogat, Miklosich AF I 352, G. Meyer 50v., Weigand 6, Seliščev 193, 326; khs. edhe Rosettin Bull. Ling. X 85.
Del që te Buzuku (XXI/2a): mos të vobeg, mos të begatë. Bardhi Dives, Locuples, Opulentus I begatë, Divitiae Begatī́, Divitare Me u begatunë. Dhe te Bogdani I 2,5; 77,17. Të tjera dëshmi te Miklosichi. Në arbërishten e Italisë i bëgatë, të bëgétët (dhe te De Rada), sh. vërejtjet tona LP VII 125, ShS 151. Nuk ka vend të mendohet (me Popovićin, Përparimi II 624) një përzjerje e sll. bogat me turq. beg për të kuptuar formën i begatë, të cilën e ka dhe arbërishtja e Italisë, ku beg-ut nuk i shihet gjurma. Për zbërgatem Xhuvani-Çabej BSS 1956 Nr.4 f.102. – Sh. dhe bagëtí.
Çabej nuk duket ta përmendë gjëkundi këtë paralelizëm mes bagëti dhe pecunia – edhe pse kjo do t’i kish shërbyer si një argument më i fortë për shpjegimin që ia jep fjalës bagëti nga i begatë. Ai përmend, megjithatë, shqipen lukër, me kuptimin “dele, tufë dhensh”, me kuptimin e parë në Veri, të dytin në anët e Labërisë, fjalë të cilën Jokli, bashkë me rumanishten lucru “gjë, send, punë” e sillte nga latinishtja ballkanike lucrum, “fitim, dobi, pasuri”.
Ashtu ndërtojmë tabelën e mëposhtme:
KUPTIM ABSTRAKT | KUPTIM KONKRET |
lat. pecunia “pasuri” | lat. pecus “dele” (khs. Ital. pecora) |
lat. lucrum “fitim, dobi, pasuri” | shq. lukër “dele, tufë dhensh” |
shq. begati “pasuri, mbrothësi” | shq. bagëti “gjë e gjallë” |
Shpjegimin e Benveniste-it nuk shoh ta kenë pranuar në fjalorët etimologjikë të latinishtes, ku kuptimi konkret i pecus merret gjithnjë si pikënisje për abstrakten pecunia. Megjithatë, shqipja lukër, që dëshmon kalimin nga një latinishte abstrakte “fitim” te një koncept konkret i “deles”, krahas me shqipen bagëti, “gjë e gjallë”, por te Buzuku edhe me kuptimin kafshë individuale, përtej kuptimit përmbledhës (kolektiv) që ka zhvilluar më pas, të gjitha këto duket sikur i japin një mbështetje mendimit të atij autori.
Për t’u shënuar, meqë jemi në temë, edhe shqipja pekúl, të cilën Çabej e jep si “mall, gjë, ndarë si pronë personale”; por edhe “dhuratë, bakshish”, [angl. treat A.V.], të cilën e shohin si huazim të shqipes nga arumanishtja, por që ai autor nuk e përjashton të jetë refleks i një latinishteje *pecullum (të rindërtuar), duke pasur parasysh se Ernout-Meillet, në fjalorin e tyre, e patën përkufizuar peculium si “pjesë e vogël e një kopeje që i jepet në pronësi skllavit që e ruante”. Përmes frëngjishtes peculiaire, por edhe drejtpërdrejt nga latinishtja peculiaris, është përftuar edhe mbiemri peculiar, i anglishtes së sotme.
Për ilustrim, po përmend edhe anglishten fee, që e solli si shembull kolegu Gjon Rrota, në komentet përbri këtij shkrimi në Facebook: në anglishten e vjetër, fjala ka kuptimin “bagëti”, por edhe “pasuri e tundshme, zotërime bagëtish, të mirash materiale ose parash; pasuri, thesar, trashëgimi; pará si mjet këmbimi ose pagese” dhe vjen nga një protogjermanike *fehu që ka dhënë, mes të tjerash edhe gjermanishten Vieh, “bagëti”, ka për rrënjë PIE *peku-, e cila është reflektuar mes të tjerash edhe në latinishten pecu.
Një lëvizje semantike të kundërt gjejmë te latinishtja mesjetare capital, që u përdor fillimisht si mbiemri capitalis (nga caput, “kokë”) në togfjalëshin pars capitalis, për të shënjuar shumën kryesore të një huaje në pará (në kontrast me kamatën, ose interesin). Ky përdorim mendohet të ketë filluar dikur andej nga viti 1100 e.s. Kjo capitalis, capitale dhe, në frëngjishten e vjetër, fjalën catel, në frëngjishten e vjetër të veriut chatel; kjo e fundit duke u huazuar pastaj në anglishte dhe duke u u reflektuar atje si cattle, në krye me kuptimin “pasuri e tundshme, gjë e gjallë” (shek. XIV) dhe më pas e specializuar në kuptimin “gjedh, bagëti e trashë”, nëpërmjet një zhvillimi semantik në thelb të njëjtë me atë të huazimit sllav në shqipe (të dhënat për anglishten i kam marrë nga etymonline.com, në linkun e lartshënuar).
© 2023 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Photo by Markus Spiske on Unsplash