nga Teuta Toska
Njësitë frazeologjike, por edhe elemente të tjera të idiomatikës së një gjuhe, janë bashkime njësish gjuhësore, njëherësh edhe bashkim konceptesh, që përshkruajnë anët e ndryshme të një gjësendi, dukurie, në realitetin mendor të një populli, që në përgjithësi e ka një emërtim. Si elemente të leksikut ato kanë lidhje me elemente të botës mendore, shpirtërore dhe kulturore të një bashkësie të caktuar.
Njësitë frazeologjike i shoh si fryt të energjisë që gjuha ka për të përtërirë sistemin e vet leksikor. Te kjo njësi dallojmë jo vetëm “tensionin” psikologjik-gjuhësor për të shenjuar një send të ri që shfaqet në përvojën e një grupi shoqëror, por edhe tensionin për të riformuluar sendin, për ta riemërtuar, për ta rizbuluar dhe, mbi të gjitha, për të shenjuar veten, subjektin (si individ, por edhe si bashkësi), përmes vlerësimeve, qëndrimeve, natyrës së njohjes etj.
E nxitur nga një artikull i Ardian Vehbiut[1], vendosa të shkruaj disa mendime që dalin nga vështrimi i njësive të shqipes me fjalën “bukë”, e cila u bë tashmë kaq vite që është pjesë e interesit tim studimor. Kultura e “bukës” te shqiptaret dhe ajo çfarë na përcillet ne si folës, herë në mënyrë të ndërgjegjshme (“mos e hidh bukën pa e puthur”) e herë jo, mund të të çojë shumë thellë në kohëra, por edhe shumë thellë në botën e secilit prej nesh, si folës të shqipes, por edhe si folës të një gjuhe në përgjithësi.
Si metodë studimi, i kam parë njësitë duke i vënë në raport me njëra-tjetrën, pra duke krijuar një mikrosistem, e në këtë shkrim kam parë tri njësi frazeologjike me fjalën “bukë”, që, sipas Fjalorit Frazeologjik (1999) shënojnë dukuri etnografike (në fakt vetëm për dy prej tyre, atyre që lidhen me martesën, autori përdor shkurtimin “etnogr.), si:
“kthej bukë” – shkoj për drekë a për darkë te krushku, pasi më ka ardhur ai i pari;
“e ndaj bukën” – i pret marrëdhëniet me dikë, e prishi miqësinë me të;
“përzjeu bukën” – hyri e hëngri për herë të parë te krushku.
Sigurisht, sipas meje, në këtë fjalor ka edhe të tjera njësi të veshura me po aq ngjyra etnokulturore, po me këtë fjalë, si:
-“Të zëntë buka sytë!” – (mallkim) u verbofsh!; e pësofsh keq! (për dikë që tregohet mosmirënjohës ndaj atyre që e kanë rritur a që janë përkujdesur shumë për të).
– “me bukë të ëmbël”- (urim), me jetë të lumtur, me dashuri, me miqësi të mirë;
– “me bukë e kripë (e zemër të bardhë) – me ç’të ndodhet, me bujari;
– “bukë e vjetër” – mik i vjetër, shok i njohur prej kohësh, me të cilin kam kaluar halle e gëzime së bashku;
– “kam ngrënë bukë e mjaltë (me dikë) – kam shkuar shumë mirë me të, jam puqur e duhemi;
– “ha bukën e përmbys kupën – nuk ia di të mirën tjetrit, është mosmirënjohës, është bukëshkalë;
– “Ta shkel bukën (me këmbë)” – tregohet mosmirënjohës ndaj dikujt, është bukëshkalë, ia kthen të mirën me të keqe;
– shkon në bukë të vet (për vajzat gjithmonë) – rritet e nis jetën e vet; martohet;
– u thye buka (me dikë) – prishet miqësia midis dy vetëve, nuk duhen më si më parë, për shkak të një grindjeje a pakënaqësie ndaj njëri-tjetrit.
Rendita vetëm disa prej 60 njësive të Fjalorit Frazeologjik me fjalën “bukë” dhe lexuesit mund të shkojnë vetë aty dhe të lexojnë edhe më shumë krijime gjuhësore të shqipes, njëra më e bukur se tjetra, jo vetëm për nga forma, por edhe për nga ajo që ato përmbajnë (kuptimi i elementeve më vete, por edhe i tërësisë) dhe sjellin në bisedë. Dhe jam po aq e sigurt se në bashkësi të ndryshme të shqipes (dialekte, nëndialekte, të folme, regjistra, stile etj.) gjenden njësi të tjera që të çojnë në mendësi të shënuara me qëndrime kulturore të ndryshme. Por dua të qëndroj për pak te të tri njësitë e fillimit: “kthej bukë”, “e ndau bukën”, “përzjeu bukën”.
Shpjegimi kuptimor nga prof. Jani Thomai na çon te vendosja e dy raporteve të reja shoqërore për grupin: njëra prej tyre është krushqia, martesa. Dhe vërtet, buka është një element i rëndësishëm në ceremonialin e dasmës shqiptare. Në tekstin “Zakone të dasmës” nga zona e Nikaj-Mërturit lexojmë “n’shpi t’djalit shtroshin sofrën n’oborr / ni bukn’to e i cop djath…/ mbasandaj shkueke burri n’shiljer me thye kulasin …// atere e granshin teri m’pes kasht me mjalt ose me tamel me sheqer / hangshin me i lug...” (E.Lafe, 1964).
Nga këto njësi, mund të kuptohet se buka është një metonimi për vaktin që hahet dhe, për rrjedhojë, edhe për personat me të cilët hahet ky vakt, familjen. Ndërsa i sheh njësitë në lidhje me njëra-tjetrën, shohim se e para në radhën e një riti të vendosjes së marrëdhënieve të reja (të krushqisë) është njësia “përzjeu bukën”. Kjo njësi nënkupton se buka (që thamë se nënkupton vaktin, e më tej familjen) është një ngjarje që ndodh vetëm me njerëz të shtëpisë, me të cilët ke marrëdhënie gjaku. Kur persona të tjerë janë të pranishëm në këtë vakt, me qëllim vendosjen e marrëdhënieve të qëndrueshme në kohë, ky vakt nuk është më homogjen, por “përzihet”. Kështu, krijohet imazhi i krushqisë si “përzierje” marrëdhëniesh.
Në radhë të dytë vjen njësia “kthej bukë”, që shënon kthimin e vizitës së krushkut, që ishte mikpritës në njësinë e parë, dhe vendosjen e plotë të marrëdhënieve, duke krijuar raportin e ndërsjellë. Njësia, e cila shfaqet me një sintagmatikë arkaike (sot në ligjërimin e përditshëm, pas foljes “kthej” vjen përgjithësisht një emër në kallëzore të shquar dhe jo të pashquar, pra kthej bukën), vetëm e vendosur në raport me njësinë e parë zbërthehet kuptimisht. Sintagmatika arkaike duket se ruan edhe ndonjë element etnografik që e shoqëron vizitën e parë të krushkut të ri, e cila mund të lidhet qoftë me vetë bukën (si objekt fetish), ose edhe me personat që e shoqëronin krushkun në këtë vizitë.
Në njësinë “e ndau bukën”, fjala “bukë” na shfaq një aspekt tjetër metonimik, që i shtohet zinxhirit të parë (buka – vakti – familja): buka këtu nënkupton ritin e bërjes mik. Kjo njësi na zbulon se për shqiptarët ngrënia e bukës është një vakt jo vetëm me familjen, por sanksionon dhe miqësinë, një raport tjetër shoqëror i qëndrueshëm. Ai që hyn në shtëpinë e shqiptarit dhe ha një vakt buke ose bëhet krushk, ose bëhet mik. Në rastin e parë (të krushqisë), raporti paramendohet i qëndrueshëm përgjithnjë: nuk gjejmë njësi që shënojnë prishjen e kësaj marrëdhënieje. Njësia na zbulon, gjithashtu, se prishja e miqësisë duket një ngjarje e zakonshme: fakt për këtë është se është krijuar një njësi që shënon prishjen e saj dhe jo vendosjen (njësia hipotetike *bashkoj bukën, me kuptimin “lidh miqësi”, nuk ekziston në shqip, me sa jam në dijeni). Shqipja, pra, ka një njësi jo për lidhjen e miqësisë, po për prishjen e saj. Janë disa njësi frazeologjike me fjalën “bukë”, ku shënohet miqësia e prishur, mosmirënjohja, tradhtia etj., e po përmend vetëm disa: “Të zëntë buka sytë!”, “ha bukën e përmbys kupën”, “ta shkel bukën”, “u thye buka”, “unë me bukë e ti me gurë”, “e zuri buka” etj.
Vizioni që krijohet prej këtyre njësive (por edhe i shumë të tjerave) është ai i një objekti që ka fuqi përtej të të ushqyerit, përtej procesit kimik të zakonshëm që e shoqëron, që mund të shkaktojë mbytjen (e zuri buka) dhe deri verbimin e tjetrit (i zëntë sytë), që e ruan fuqinë e vet përtej së tashmes ose çastit kur konsumohet vakti. E kryera e thjeshtë e foljes (tek “e zuri buka”) mund të na ktheje vite prapa në kohë. Por fuqia e saj mund të na presë në të ardhmen deri në fund të ditëve tonë (te “të zëntë buka”), qoftë edhe nëse e kemi kryer vetëm një herë bashkëndarjen e ushqimit (shih Vehbiu, artikulli i cituar) me tjetrin/tjetrën, e kjo na ka lidhur me të me një kod moral besnikërie.
Duke qenë një objekt me fuqi të përtejme, buka duhet trajtuar me nderim, nuk duhet të ketë lidhje me këmbën (ta shkel bukën/mos e shkel bukën), e cila sipas shqipes na çon te poshtërimi, shpërnjohja. Buka duhet të ketë lidhje vetëm me duart: me to thyhet, ndahet, jepet, përgatitet, përzihet, shtihet etj., folje të cilat i gjejmë në grupin e këtyre njësive.
Buka është një zot që e ushtron fuqinë e vet përditë mbi të gjithë ata që e marrin atë së bashku me njerëzit e afërt, me të cilët i lidh gjaku, por edhe me ata njerëz të ngushtë që janë zgjedhur për t’i pasur gjatë në jetë. Ajo vigjilon në jetën tënde dhe të ruan ty dhe marrëdhëniet e tua njerëzore dhe mund të bëhet edhe dëshmia më e sigurt e asaj që ti thua, shpall e deklaron me gojë. Kështu ajo natyrshëm bëhet një autoritet, sa kohë që njeriu varet prej saj për jetën e vet dhe marrëdhëniet që ka me të tjerët dhe, kështu, mund të betohesh me të. “Për këtë bukë (që po ha)!” e vulos vërtetësinë e asaj që po thua e shkruan, duke treguar se je gati të vendosësh në rrezik vetë jetën tënde për të provuar të vërtetën. Ja ku “buka” bëhet edhe metonimi për jetën, ekzistencën time.
Mënyrat për të vështruar sistemin e njohjes/njohjeve të një populli janë të ndryshme, e një nga këto është të vështrosh njësinë frazeologjike. Ajo përmban një akt shenjimi, e kështu më thellë një akt njohjeje të realitetit. Më sipër i pamë njësitë të lidhura sipas fjalës së përbashkët (në leksikologjinë e shqipes përdoret termi “fjalë-vatër”, Thomai, 1981). Por njësitë mund të shihen edhe nga këndvështrime e metoda të tjera, e këtë do ta bëjmë në një artikull tjetër.
Duke i parë të lidhura me njëra-tjetrën njësitë sipas kritereve të ndryshme, mund të shikosh mënyra të perceptimit të realitetit, të njohjes së tij, e më tej përvoja e mësime të grupit shoqëror të ruajtura aty brez pas brezi, duke formuar te ne një vetëdije (e pavetëdije) që e kushtëzon perceptimin e realitetit dhe të vetes.
Bibliografi
Lafe, Emil. “E folmja e Nikaj-Mërturit”. Studime filologjike, 3/1964, f.143.
Thomai, Jani. “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe”. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Shkenca, Tiranë, 1999.
Thomai, Jani. Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe. Tiranë, 1981
(© 2023 Teuta Toska. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Në sofrën shqiptare buka zë vendin e nderit, për shqiptarët buka ka rangun e kultit – s’kam dyshim për këtë. Buka për ne është sinonim për vaktin, madje për ushqimin: “Po hamë bukë”, “Nuk kam ngrënë bukë akoma”, “Hëngre bukë?”. Te buka, në statusin që i japim dhe në sasinë që konsumojmë, ne konkurrojmë me sukses me gjermanët, edhe pse jo në larminë e llojeve të bukës. Aty fitojnë gjermanët me rreth 300 lloje bukësh, shumica të zeza. Por në konsum ama matemi me ta që çke me të, edhe në dendësi dyqanesh buke. Ime bijë qesh me huge amounts of bread, që prindërit e saj konsumojnë përditë, por për mua, një ditë pa bukë është si një ditë e humbur. Sidomos bukën e zezë, por edhe baguette-n franceze, e gjen 24/7 në kuzhinën tonë (dy feta bukë të zezë me vaj ulliri, kripë dhe rigon për mbrëmje..:)).
Këtu ku jemi tani, për fat të keq, nuk e konsumojnë shumë bukën, as kanë shumëllojshmëri. Për dëshpërimin tonë, buka për anglezët ka një status të ulët në hierarkinë ushqimore, që mundësishit duhet shmangur nga menuja personale. Dyqane buke këtu nuk ekzistojnë, bukën e zezë e gjen vetëm në një (!) supermarket, përndryshe preferohet një lloj buke e bardhë, prodhim fabrike, e mbështjellë me plastmas, e squllët si sfungjer (ashtu edhe “shijon”), që e thekin pastaj në toster – një mjerim i vërtetë. Po çfarë zuri njeriun e nuk e hoqi!
[Ka dhe kështu:
Gwyneth Paltrow broke down and ate bread during quarantine.
In the latest celebrity attempt to prove they had it just as hard as normal people in the pandemic, Gwyneth Paltrow has admitted she was driven to extremes during quarantine.
Things got dark. She admitted to drinking as many as two cocktails a night during lockdown (quinoa-based whiskey cocktails, of course); and even sometimes eating bread and pasta – shock, horror!
https://www.theguardian.com/lifeandstyle/2021/may/10/gwyneth-paltrow-pandemic-lowest-point ]