Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

RREJSHMËRIA E BOJAXHIUT

Konceptin e “rrejshmërisë së bojaxhiut” e kam ndeshur te një artikull i Piers Gray kushtuar logjikës totalitare[1], kur autori ndalet te një zakon i keq, i historianëve, biografëve dhe të publicistëve, për t’i përshkruar personazhet negative të historisë dhe të politikës – në rastin konkret Hitlerin – si tejet inferiorë edhe në fusha të tjera që nuk kanë të bëjnë me politikën.

Thuhet rëndom, shkruan Gray, se Adolf Hitleri ishte “bojaxhi” (angl. house-painter) – duke iu referuar viteve kur diktatori i ardhshëm nazist e provonte dorën me ndonjë peizazh tek-tuk, duke ushqyer ashtu edhe aspiratën për t’u bërë piktor. Kjo dëshirë për të mos e quajtur Hitlerin “piktor”, shpjegon autori, ushqehet nga nevoja – e supozuar – për ta ruajtur dinjitetin transcendental të vokacionit “piktor”, ose më në përgjithësi “artist”. Mbi premisën, sado të heshtur, se një artist i vërtetë nuk mund të bëhet pastaj diktator, ose të kryejë krime monstruoze kundër njerëzimit. Kjo premisë madje mund të shkojë edhe më thellë: pritet që një artist i madh të jetë edhe njeri i virtytshëm.

Kjo, që Hitleri ka qenë “bojaxhi”, nuk besoj t’u tingëllojë mirë bojaxhinjve, profesion i nevojshëm, i nderuar dhe i paguar mirë (sot një bojaxhi shpesh fiton më shumë se një piktor). Të thuash se një artist nuk mund të degradojë në kriminel gjakatar dhe xhelat popujsh, është sikur të pranosh se, ndryshe nga artisti, bojaxhiu e ka këtë potencial diabolik.

Nga ana tjetër, “bojaxhi” përdoret edhe si epitet përbuzës për piktorin e keq, pa talent, ose më keq akoma, kitsch; dhe për Hitlerin, ky cilësim ka thjesht të bëjë me atë që Hitleri nuk mbahet si piktor i mirë, përkundrazi. Dhe nëse është kështu, arsyetimi pas rrejshmërisë ndryshon disi, duke implikuar që Hitleri u bë diktator i pamëshirshëm, sepse e kuptoi që si piktor kishte dështuar. Pra, diagnoza e patologjisë politike (paranojës) lidhet me artistin e dështuar, ose me dështimin në përgjithësi.

Hitleri ka qenë edhe vegjetarian, edhe i apasionuar pas qenve, por sikur nuk kam dëgjuar njeri ta lidhë vegjetarianizmin e tij, ose pasionin për qen, me atë çfarë i ndodhi Gjermanisë dhe botës, pas vitit 1933. Me sa duket, është imazhi i piktorit (artistit) të dështuar, që e ngacmon imagjinatën shpjeguese të publikut.

I ngjashëm, por jo kaq i pamëshirshëm, është edhe shpjegimi që japin ndonjëherë shkrimtarët, se kritiku letrar nuk është veçse shkrimtar i dështuar.

Këtë rrejshmëri të bojaxhiut e sheh sot aktivisht të përdorur, në artikujt e tabloidëve që kërkojnë të rrëmojnë në të kaluarën e Enver Hoxhës, vitet e tij të rinisë, promiskuitetin seksual, homoseksualitetin e tij e kështu me radhë. Frymëzimi në përpjekje të tilla mbetet i njëjtë – vetëm një njeri i pavirtytshëm (në rastin e Hoxhës imoral, mashtrues, gay) do të mund të bënte pastaj katrahurat që bëri, në krye të shtetit totalitar.

Ashtu lexoj këto ditë, në një gazetë kryesore, titullin se, sipas një dëshmie të një kolegu në vitet e studimeve në Francë, “Enver Hoxha në hotelin La Princesse erdhi me një grua në limuzinë.”

Reagimi im instinktiv para titujsh të tillë është “po kujt i bëhet vonë?” – ky lloj voyeurismi historik, ndaj figurave që pastaj dolën në krye të politikës, nuk është se ndihmon për të kuptuar se çfarë ndodhi dhe pse. Sikurse nuk ndihmon edhe fakti alternativ, që Enver Hoxha u tregua një pater familias shembullor dhe i rriti e i edukoi mirë fëmijët që pati me Nexhmijen.

Sikur të kish pikturuar edhe Enveri me bojëra uji, me siguri do ta kishin shpallur edhe atë “bojaxhi”. Në fakt, jo rrallë dëgjohen vlerësime të ulëta për Enverin shkrimtar dhe stilin e librave të tij me kujtime (si “Hrushovianët”, “Titistët”, “Vite të vegjëlisë” etj.); duke e paraqitur si shkrimtar të dështuar. Me gjasë, për t’i shkruar këta libra Enveri ka përdorur ghost writers nga më zotët që kish aso kohe Shqipëria – prandaj vërejtja se këto vepra “janë shkruar keq” nuk qëndron; lexuesi mund të ndihet i neveritur me qasjen autoriale (intentio auctoris) dhe mungesën e sinqeritetit në ato që thuhen, por këtë neveri nuk ia shkakton stili, as ligjërimi.

Ankthi që tani provojmë ndaj totalitarizmit vështirë se do të mund të kurohet me kuriozitete nga dështimet dhe frustrimet personale të liderëve totalitarë dhe autorëve të krimeve masive – nga Lenini, te Mussolini, Stalini, Hitleri, Maoja dhe Enveri; përkundrazi, biografitë private të këtyre njerëzve na tregojnë se askush, nga personi më i patalentuar te personi më i virtytshëm, nuk është i imunizuar ndaj rrezikut për t’u shndërruar në përbindësh vrastar. Njëlloj siç na tregojnë, nga ana tjetër, se vokacioni artistik, sado i mirëfilltë dhe i rrallë, nuk mund të jetë dhe as është garanci e virtytit.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Munich Royal Hofbräuhaus, akuarel nga Adolf Hitler, gusht 2014.


[1] GRAY, P. (1993). Totalitarian logic: Stalin on linguistics. Critical Quarterly, 35(1), 16–36.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin