Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

FIKSION MBI VDEKJEN

nga Edon Qesari

Sendet e zhdukura, të cilave nuk iu gjendet vendndodhja që kanë pasur, dallojnë qartas nga sendet e paqena dhe që s’kanë zotëruar adresë kurrë, përveçse në imagjinatën tonë. Mbi të parat ruajmë shpresën se mbase mund të shfaqen diku, dikur; ato mbase jetojnë ende, se vdekja mbase nuk i ka gllabëruar ende. Ndërsa të dytat thjesht s’janë. Kurrë nuk kanë qenë, përveçse në imagjinatën tonë.

Porse, megjithëse të dallueshme, sendet e paqena mund t’i zëvendësojnë të zhdukurat. Imagjinata mund të na ndihmojë të gjejmë atë që kemi humbur.

Para ca ditësh përfundova serialin e Netflix-it me titull “Transatlantic”, prodhim shumë-regjisorial i vitit 2023; vepër kinematografike e cila, në mendimin tim, ishte e realizuar mirë, e që ia dilte mbanë të paraqiste në terma të kthjellët, hera-herës me tone të lehta dhe kurrë banale humori, një faqe të dhunshme dhe dramatike të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Me të dhëna historike të prura besnikërisht, por edhe me lirshmëri trillimi në shërbim të narracionit (shpeshherë të përshtatura mirë pas political correctness-it të ditëve tona), seriali është një shoqërues shumë i këndshëm përgjatë shtatë pjesëve të vet.

Në qendër të “Transatlantic” është veprimtaria e përmendur, por jo fort e njohur, e Emergency Rescue Committee, një organizatë ombrellë amerikane e cila, kur Franca u pushtua nga trupat gjermane në verën e vitit 1940, arriti të shpëtonte nga përndjekja dhe shpesh vdekja e sigurt mbi 2000 persona. Pjesa dërrmuese e këtyre të fundit ishin intelektualë dhe artistë që në atë kohë ishin shquar për kundërshtinë e tyre ndaj nazizmit, një pjesë e mirë gjermanë me prejardhje hebraike, por jo vetëm, të cilët ishin larguar nga Gjermania hitleriane ose nga territoret e pushtuara prej Reich-ut. Emergency Rescue Committee, duke shfrytëzuar mburojën diplomatike që i ofronte identiteti i vet amerikan (kur Uashingtoni ende qëndronte asnjanës mes palëve të përfshira në luftë), e akoma më shumë duke anashkaluar obligimet legale që impononte pushtimi nazist i Francës, mundi të ndërhynte për arratisjen në drejtim të Shteteve të Bashkuara të emrave si Max Ernst, Hannah Arendt, André Bréton, Marcel Duchamp, Lion Feuchtwanger, Golo Mann, Arthur Koestler, Siegfried Kracauer, Marc Chagall, e shumë të tjerë.

“Transatlantic” ia kushton një pjesë (episodike por tërheqëse) figurës së Walter Benjamin-it, të cilin komiteti i lartpërmendur u përpoq ta shpëtonte qysh në javët e para të pushtimit gjerman të Francës, në ditët kur ai gjendej i strehuar në Marsejë – atje ku nazistët nuk kishin juridiksion formal, ndonëse administrimi i qytetit ishte në dorë të kolaboracionistësh vendas – në pritje të një mundësie për t’u arratisur me ngut në drejtim të Amerikës.

Shëmbëlltyrë e pazakontë e kulturës evropiane të viteve mes dy luftërave botërore, ajo e Walter Benjamin-it! Që ishte, por edhe s’ishte, një emblemë e përsosur e kohëve në të cilat (mbi)jetoi.

Është shumë e vështirë ta kategorizojmë atë sot në terma (aq më pak përjashtues) etno-kulturorë.

Ishte po, hebre – madje nga një familje e mirëvendosur në shkallaren sociale të Berlinit të fillimshekullit XX. Porse integrimi (ose, siç ishte formulimi i atyre viteve, asimilimi) i rrethit të tij familjar në gjirin e një borgjezie mendjehapur dhe kozmopolite vështirë se mund t’ia shmangte prirjet kulturore centrifugale dhe gjithëpërfshirëse. Mbetej shumë i lidhur me gjuhën e tij të dashur gjermane, siç ushqente edhe një dashuri të veçantë për jetën pariziane – objekt konstant i vëzhgimit të tij socio-antropologjik dhe kulturor – siç lektisej pa kursim me brigjet mesdhetare italiane, apo dashurohej me kinematografinë sovjetike. Një marksist, por edhe i interesuar pas kabalës dhe mistikës hebraike, edhe pas barokut dhe surrealizmit, edhe pas Baudelaire-it dhe hashashit, pas Ibizës dhe Moskës, pas kritikës letrare dhe hulumtimeve në terrenin e përditshmërisë urbane, pas filmit dhe fotografisë, pas skicave të shkurtra dhe traktateve teologjike – Benjamin-i dukej i prerë për të mohuar çfarëdolloj përcaktori monokategorik.

Një intelektual i mirëfilltë evropian pra – nëse vërtet çdokujt, pra edhe Benjamin-it, i lypen disa koordinata tematike dhe gjeografike – që duke nisur nga fundi i viteve 1960, do të lerë një emër të jashtëzakonshëm në studimet shoqërore dhe në vetë hapjen e një game të gjerë disiplinash të cilat kanë të bëjnë me kritikën letrare, teorinë e filmit, estetikën dhe studimet bashkëkohore të filozofisë së historisë.

Megjithëkëtë, Benjamin-i e dinte se pos së qenit një mendje e ndërlikuar, në sytë e autoriteteve naziste të vendit të vet ai mbetej thjesht çka nazistët mendonin se ishte: veç një hebre më shumë, pjesëtar i radhës i asaj Judenfrage që Hitler-i nisi të trajtonte qysh me ardhjen e tij në pushtet, e që do të finalizohej me kampet e shfarosjes në më pak se një dekadë.

Benjamin-i do të arratisej nga Gjermania pasi Hitler-i emërohet kancelar, në fillim të vitit 1933; prej nga do të nisë një kalvar shtegtimesh dhe shtrëngesash nëpër Evropë, deri në ditët dramatike të verës 1940, kur do të gjendet në Marsejë, i detyruar që të pranojë ofertën e Emergency Rescue Committee, për të shkuar në Lisbonë dhe prej aty të merrte drejtimin e Amerikës – atje ku gjendeshin shumë miq dhe bashkëpunëtorë të tij të hershëm (mes tyre emra të mëdhenj si Theodor W. Adorno apo Max Horkheimer) dhe ku të tjerë ishin duke u përpjekur që të shkonin.

Në të vërtetë nuk e donte fort Amerikën; i dukej sikur kapërcimi i Atlantikut do ta largonte përgjithmonë nga skena artistike dhe kulturore në të cilën ai, shëndetlig dhe i mbrujtur me vegime pesimiste mbi progresin, modernitetin dhe teknikën, nuk do të kthehej dot më kurrë. Për hir të qëndrimit në Evropë kishte refuzuar më herët edhe një katedër në universitetin hebraik të Jerusalemit, i cili asokohe sapo ishte përuruar, duke tërhequr një numër të madh intelektualësh hebrenj nga kontinenti i vjetër. Por tashmë, më 1940, i kërkuar me ngulm nga Gestapo-ja, dukej se s’i mbetej asnjë zgjidhje tjetër.

Amerikanët arrijnë t’ia sigurojnë një vizë, duke i bërë gati edhe një lejekalim për në Spanjë, pjesë e rrugës që do ta çonte deri në Lisbonë. Po të përjashtojmë sfilitjet e udhës (bashkë me gati 12 km nëpër shtigje malore) punët duket se venë paq deri në kufirin frëngo-spanjoll, atje ku veprimtarët e Emergency Rescue Committee shoqëronin gjithë personat që synonin të iknin nga Franca drejt Amerikës.

Benjamin-i e vuan veçanërisht atë rrugëtim të ashpër, mes malesh të thepisura në afërsi të Pirenejve. Ishte krejtësisht i i pamësuar me angaritë e përditshmërisë dhe me aspektet praktike të jetës, aq më tepër në statusin e tij prej refugjati të hershëm. Siç shpjegonte Lisa Fittko, mikesha dhe shoqëruesja e tij në emër të komitetit, Benjamin-i “mund ta merrte në dorë një filxhan të nxehtë (çaji) vetëm pasi të kishte zhvilluar një teori të vetën përreth atij sendi”[1].

Pikërisht në kufirin frëngo-spanjoll, pranë katundit me emër Portbou, në këmbë të Pirenejve mu në zgrip të brigjeve mesdhetare, do të shënohej akti i fundit i tragjedisë së tij.

Çështja ishte se, për shkak të andrallave burokratike që parashikonin normat e asaj kohe, Benjamin-i, ashtu si edhe pjesëtarëve të tjerë të atij pelegrinazhi nevojtarësh, duhet të pajiseshin me një sërë dokumente: veç vizës amerikane, lejekalimit spanjoll, si dhe hyrjes në Portugali, secili prej tyre duhet të ishte në zotërimin edhe të një lejedaljeje nga Franca.

Asnjë prej tyre, përfshirë Benjamin-in nuk e kishin diçka të tillë. E pavarësisht se dalja prej territorit frëng ishte kryer ndërkohë, në kushte ilegaliteti, autoritetet spanjolle të kufirit nuk pranonin ta mbyllnin njërin sy para rregullit. Kështu, ata i ftojnë refugjatët që u kishin trokitur në derë që të strehoheshin ku të mundnin për atë natë, në mënyrë që të nesërmen të bëheshin gati për t’u kthyer në Francë. Që donte të thoshte t’i dorëzoheshin, me vullnetin e tyre, Gestapo-s.

Përpara greminës që i dilte përpara, Benjamin-i zgjedh që të heqë dorë lirisht prej jetës, duke u vetëvrarë me një dozë të mbingarkuar morfine natën mes 26 dhe 27 shtatorit 1940.

“Vdiq se ishte i pamësuar me gjërat praktike; e njëjta mungesë që e lejoi të shkruante veprat që shkroi” – nënvizon më vonë, hidhërueshëm, Hannah Arendt, duke vazhduar: “Vdiq ngaqë nuk merrte erë nga jeta, sepse nuk dinte as si të ndizte një zjarr, e as si të hapte një dritare.”[2]

Çka do t’i jepte, të nesërmen, trajtë fundore gjithë ironisë therrëse të krejt një jete të shënuar nga tersi, do të ishte leja që autoritetet spanjolle u dhanë udhëtarëve të tjerë për të vazhduar rrugën lirisht drejt Lisbonës.

Spanjollët kishin ndryshuar mendje. Mbase kishin pranuar ryshfetet që komiteti amerikan kishte përgatitur në mënyrë që të mos tregoheshin aq të ngurtë para fatkeqëve që fati iu kish sjellë fati në atë cep të humbur të Mesdheut perëndimor. Mbase u tronditën kur zbuluan trupin e vdekur të Benjamin-it, në një dhomë mjerane të hanit me emër “Hotel de Francia”. Mbase iu erdhi keq që pamjen e atij mesoburri të dërrmuar, të shtrirë keqas mbi shtrat, me tesha të pluhurosura dhe një çantë dore të zezë në këmbët e zbathura, ta ndiqnin shembuj të ngjashëm, mes atyre që vazhdonin të zgjidhnin Spanjën si rrugëkalim për t’i shpëtuar torturave të Gestapo-s. Mbase.

Thënë këto, ajo çantë dore, që siç thuhet ishte e stërfryrë – una cartera grande, sipas përpilimit zyrtar që policia spanjolle i bën sendeve të ndodhura pranë kufomës në atë dhomë[3] – ka mbetur ende sot, më shumë se 80 vjet nga vetëvrasja tragjike e Walter Benjamin-it, një mister i madh.  Mbi të, e posaçërisht mbi përmbajtjen e saj janë ndërtuar hetime dhe sajesa të pafund, të plotësuara me gjithfarëlloj hipotezash post-mortem.

Shumëkush që pati mundësinë ta njihte apo t’i qëndronte në krah Benjamin-it në ato ditë të turbullta, pohon se ai nuk i ndahej kurrë asaj çante. Lisa Fittko, në memuaret e saj të mëvona[4], tregon se paçka peshës së stërlodhshme, si dhe faktit se sorollatja ndanë maleve me një objekt të tillë hiçfare praktik koklavitej keqas, Benjamin-i as që mendonte ta ndante nga vetja. Gjithmonë sipas Fittko-s, ai çmonte se dorëshkrimi që ajo çantë e zezë mbante ishte më e rëndësishme se ai vetë; e sa para tij, çanta duhej të mbërrinte në Amerikë.

Pra, brenda asaj çante prej së cilës Benjamin-i nuk ndahej kurrë qenkësh ndodhur një dorëshkrim? Nuk e dimë me siguri, kemi vetëm kujtesën e Fittko-s që na e pohon këtë gjë.

Studiuesit dhe biografët e shumtë të Benjamin-it duket se bien në një mendje se, nëse dorëshkrim ka pasur, ky do t’i ketë takuar një vepre të tij; mbase ndonjërës që nuk e njohim, e që siç duket ka humbur përfundimisht me zhdukjen nga skena të çantës; mendohet gjithashtu se mbase kanë qenë shënime plotësuese ose përmbyllëse, gjithashtu të zhdukura, të një prej veprave më të thella, por dhe të mundimshme, të Benjamin-it, që njihet me titullin Passagenwerk[5].

Me kalimin e viteve, hipoteza të tilla mbi dorëshkrimin e pranishëm në atë çantë janë pasuruar me simotra të tjera; paçka se zhdukja e brendisë, siç edhe vetë çantës, ka ngjallur lloj-lloj pyetjesh dhe rindërtime të fakteve.

Benjamin-i ka lënë shumë shkrime: ca të botuar nëpër revista, ca të lënë në dorëshkrim dhe të gjetur më vonë, ca të ruajtur nga miqtë, ca të dërguar tjetërkund me shpresën se do t’i vazhdonte më vonë[6], veç epistolareve të shumta që mbajti. Ishte autor shpesh fragmentar, që shkruante në çdo moment, kudo që ndodhej dhe që e linte diçka për të nisur vrik një tjetër. Interesat e tij të shumanshme intelektuale e shtynin të ndërmerrte studime të shumta, e t’i trupëzonte në sprova të shumta shkrimore – cilësi plotësuese e të qenit një enciklopedi lëvizëse, apo një manual artistik që merrte frymë duke rritur vazhdimisht volumin e tij.

Benjamin-i ishte një émigré jo vetëm në botën e atyre viteve, e cila të kallte datën, por edhe në botën e tij më të dashur, atë të letrave. Émigré mes dy botësh, reales dhe të përfytyruarës. Émigré deri në frymën e fundit, udhëve të jetës dhe udhës drejt vdekjes.

Me aq sa na ka zbardhur dokumentacioni i kohës, dimë se policia spanjolle, e cila mbajti një procesverbal të skenës që gjeti në dhomën e “Hotel de Francia”, bëri një përmbledhje të asaj çka gjeti në çantën e përfolur: disa sende personale (mes tyre një llullë dhe një orë xhepi), ca fotografi dokumenti, disa të holla si dhe pak letra pa vlerë. Mbi fatin e secilit element, ashtu edhe si të vetë çantës, nuk ka asnjë të dhënë tjetër. Nuk dimë se ku kanë përfunduar.

E nga ky çast, i vetmi veprim që mund të bëjmë është që të braktisim, qoftë dhe përkohësisht, lupën e hulumtimit dhe të ngjyejmë pendën e imagjinatës. Së paku, përmes fiksionit mund të rrekemi të kuptojmë, të hedhim ura bisedore me realitete a sende të zhdukura. Ngase atje ku merr fund arsyetimi, nis jetën besimi. Besimi se mund të arrijmë të dimë, duke arsyetuar pa prova në dorë.

Diçka të tillë ka marrë përsipër të bëjë shkrimtari italian Bruno Arpaia, që në librin “Engjëlli i historisë” (L’Angelo della storia, Modena: Guanda, 2001), ndjek me përpikëri të dhënat dokumentare të itinerarit  të Benjamin-it në vitet e fundit të jetës së tij, deri në Portbou. Deri në çastin kur çanta e zezë zhduket nga sytë e historisë.

Atëhere Arpaia zgjedh të besojë se ajo, çanta, vërtet përmbante një dorëshkrim të vyer. Dhe nuk ka rëndësi nëse policia saktëson se në të gjendeshin vetëm disa letra pa vlerë.

Policia nuk e ka gjetur fare dorëshkrimin, pasi ky i është dorëzuar një të riu spanjoll nga ana e vet Benjamin-it, mbase pak para aktit të vetëvrasjes. I riu në fjalë përshkruhet si një ish-pjesëmarrës në luftën civile spanjolle, nga ana republikane – anë të cilën Benjamin-i, ashtu si dhe shumë antifashistë të tjerë të shquar evropianë, e patën përkrahur me gjithë shpirt, por që ishte e destinuar të pësonte disfatë.

Teksa paraqitet në kufirin e Spanjës, ku lufta ka përfunduar prej një viti dhe pala njëherë kundërshtare tashmë sundon, Benjamin-i zgjedh t’ia lërë dorëshkrimin e çmuar dikujt me të cilin ndjen se ka familjaritet ideologjik dhe moral – e që ndan fatin e rrënuar të kujt ka humbur betejën me historinë dhe po ia mbath nga skena. Vetë i riu spanjoll, një i arratisur gjithashtu nga drita e diellit, humbet mes maleve të shtegtimit antifashist, ku në acarin e natyrës së egër të Pirenejve, vendos të ndezë një zjarr; me atë çka i gjendet atypari… me dorëshkrimin e Benjamin-it: pikërisht dorëshkrimi që Arpaia zgjedh të ketë qenë vërtetë në atë çantë të zezë, e që të riut antifashist spanjoll i lejon kalimin e natës, kapërcimin e vdekjes. Një ditë jetë më shumë.

Një zgjedhje e kundërshtueshme, që na ngrys ballin, ajo e të riut antifashist. Ashtu si edhe ajo e Arpaia-s. Por fundja, kur kemi pak ose hiç prova në dorë, cilët jemi ne për të kundërshtuar; cilët jemi ne që të hedhim gurë ndaj zgjedhjes së dikujt për të jetuar një ditë më tepër, a për të përfytyruar një ngjarje më shumë?

Tjetër përfytyrim ka zgjedhur të shtjellojë së fundi seriali “Tranatlantic”, prej të cilit u nisa. Në fare pak sekondat e skenës që ndjek vetëvrasjen e intelektualit gjerman, shfaqet një nga pastrueset e hanit e cila përpiqet të vendosë rregull mes sendeve të mbetura në dhomë, e që me ç’duket kurrë nuk u depozituan, pas përpilimit të procesverbalit, në zyrat e policisë. Ajo hap çantën, e zbraz nga gjithçka që përmban (përfshirë disa letra), duke lënë të kuptojë se gjithçka do të përfundojë në ndonjë kosh plehrash.

Atje ku misteri gjen shpjegim nëpërmjet elegjisë, si tek Arpaia, ia beh edhe mundësia më banale – që është njëkohësisht më e pashpjegueshmja. Por që nuk e pengon gjë që të jetë njëkohësisht më e gjasshmja.

Siç e gjasshme – e në llojin e vet, ngushëlluese – është përfundimi në të cilin dalin dy prej biografëve më të fundit të Benjamin-it[7]; për të cilët ai dorëshkrim mund të jetë djegur, mbase gabimisht, nga Henny Gurland, bashkërefugjate drejt Amerikës, së cilës Benjamini i besoi, siç paskish deklaruar diku ajo vetë më vonë, çantën para se të gëlltiste 15 tabletat e morfinës. Këtu mund të ngremë, makar të revoltuar, pyetje pafund; duke u ankuar edhe për mungesën e kujdesit ndaj trashëgimisë së çmuar të atij njeriu… Por sa do të vyente një reagim i tillë qesharak, ndaj kujt jetonte me nxitimin e vdekjes që i vinte pas në ato ditë të stuhishme, në atë pellg mesdhetar aq pranë varrit?

Mbase këtu nuk ka më vend për historianin e kulluar. Mbase, në këtë pikë, po pranojmë ta shkruajmë historinë përmes romaneve, me ndërthurje rravgimesh fiksionale; njësoj siç bën një lloj  letërsie non-fiction e ditëve të sotme, duke përdorur teknika centaurike – në të cilat është përherë e padukshme vija e hollë që ndan letërsinë nga historia, intervistën e imagjinuar nga ajo që merret for real, të vdekurin që nuk flet nga i gjalli që sajon… kjo tokë plot limes, e cila mbetet e terrtë për syrin e lexuesit.

Gjithnjë duke pranuar haptas se ndodh edhe që fiksioni, nëse çlirohet tërësisht nga pesha e reales, rrezikon të shpagojë dëshirat e kujt shkruan në dëm të një objektiviteti i cili duhet gjithmonë të na mbajë larg dehjes së përgjigjeve të kuturushme. Ndodh që jo rrallë, pavarësisht qëllimeve fillestare, fiksioni jo vetëm të përmbushë historinë, atje ku kjo çalon në prova, por edhe t’i hipë kësaj në qafë; dhe ta drejtojë[8].

Porse, mes bindjes së prerë – gati tirane – që pretendon të ketë përgjigje për gjithçka dhe çiltërisë për ta përfytyruar një të tillë përmes trillimit, shtrohet historia: ose së paku një lloj i ri historie që sot po lëvrohet me droje. E tillë është orvatja për të shkruar rrjedhën e ngjarjeve, që është vetë jeta, me mundësinë fort të qenësishme se në fund do të ngresh duart lart: se nuk mund t’i dimë të gjitha, se plot gjëra na kanë ikur syrit, kanë humbur përgjithnjë, e deri sa ato të shfaqen – nëse do të shfaqen, nëse do të ringjallen nga vdekja – na takon ta pranojmë se zgjedhim jetën. E nëse kjo e fundit nuk është, apo është e paqenë, do ta përfytyrojmë të tillë, të qenësishme.

Çka vlen edhe à propos jetës së përjetshme.

Pas vdekjes, eshtrat e Walter Benjamin-it gjetën prehje në varrezat katolike të Portbousë. (Në çertifikikatën e vdekjes, emri dhe mbiemri janë këmbyer gabimisht, duke e emëruar të ndjerin si Benjamin Walter; gjë që ka mundësi të ketë krijuar bindjen, për mungesë informacioni rreth identitetit të tij, se ai i përkiste besimit katolik. Kush mund të mendonte se ishte hebre? për më tepër i shekullarizuar, për më tepër i vetëvrarë, pra mëkatar?) Henny Gurland, para se të nisej drejt Portugalisë, la një pagesë qiraje 5-vjeçare, për gropën ku duhet të ruheshin eshtrat e Benjamin-it – gjë normale për atë kohë, pasi trupat në vendvarrime të veçanta mbaheshin për aq kohë sa të gjallët ua paguanin vendin, deri kur askush nuk kujtohej më dhe eshtrat e vjetra groposeshin me të tjera, en group, për t’u zëvendësuar nga eshtra të freskëta.

Në përfundim të atij afati, duket se eshtrat e Benjamin-it u zhvendosën në një fosa común. Për një vend si Spanja e asokohe, të sapodalë nga një thertore civile me përmasa ndërkombëtare, me qindra mijëra viktima dhe me mbi 2000 groposje masive (të paktën kaq dihen sot) –  kush do të kujdesej për homazhet tokësore ndaj një filozofi të arratisur? kush kishte nerva, nëse kishte ende gjak ndër vena, për t’ia nderuar ende emrin, duke ia skalitur korrektësisht mbi një gur varri të përveçëm?

Sot, në Portbou, gjendet një gur varri me emrin e Walter Benjamin-it (jo së prapthi) të skalitur me kujdes; drejt të cilit venë shpesh “pelegrinë” që nderojnë kujtimin e tij. Nën të nuk ka eshtra. Vetë ai gur – ashtu si edhe monumenti kushtuar figurës së Benjamin-it, jo shumë më larg, realizuar nga artisti izraelit Dani Karavan – përfaqësojnë një trill, një të pavërtetë që krijon mospërputhje mes kujt e sheh mbi dhé, si dhe hiçit që gjendet nën dhé.

Pavarësisht se trupi i tij i vërtetë kushedi se nën ç’gropë është qelbur dhe shuar përfundimisht, ai gur fiksional – që sajon eshtra të paqena nën dhé – është guri më i vërtetë për një jetë të ndërprerë si ajo e Walter Benjamin-it. Është paqja që ai njeri kërkoi natën e shtatorit 1940. Dhe e gjeti.

Ai gjeti paqen. Në gjejmë gurin, e përmes tij Benjamin-in vetë. Nuk është më nevoja për dokumentacion që të na e vërtetojë. Fundja, “[ç]do dokument kulture është në të njëjtën kohë dokument barbarie” – thotë epitafi në gur. Njësoj si dokumenti që kultura e kohës së vet i lypi Benjamin-it për të vazhduar rrugën drejt Amerikës, e që i nënshkroi vdekjen.

© 2023 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] Ingrid and Konrad Scheurmann, eds., For Walter Benjamin, Bonn: AsKI, 1993, f. 140.
[2] Giorgio van Straten, In Search of Lost Books: The Forgotten Stories of Eight Mythical Volumes, trans. Erica Segre, Simon Carnell, London: Pushkin Press, 2018, f. 122.
[3] Michael Taussig, Walter Benjamin’s Grave, Chicago: University of Chicago Press, 2006, f. 9.
[4] Memuaret e Lisa Fittko-s u botuan në gjermanisht, duke e përcjellë emrin dhe veprën e saj në dhjetëra përkthime anembanë globit, rreth katër dekada pas luftës. Unë kam pasur mundësi t’i lexoj në këtë botim: Lisa Fittko, Escape Through the Pyrenees, Plunkett Lake Press, 2020.
[5] Passagenwerk përmban një mori përshtypjesh të pasistemuara (rreth 1000 faqe në botimet e sotme), por me synimin për t’i qëndisur brenda një vëllimi të vetëm, të vëzhgimeve antropologjike dhe arkitekturore që Benjamin-i kreu përgjatë viteve 1927-1940 mbi jetën dhe kulturën materiale të Parisit dhe arkadave të famshme të atij qyteti; shënime që ai ia pati lënë George Batailles-it kur iku drejt Marsejës, por që sipas kësaj hipoteze shumë të përhapur, i pati vazhduar me të tjera (mbase duke i dhënë sistemim përfundimtar veprës së projektuar), tashmë të strukur në çantën e tij.
[6] Shembulli mbase më i përkryer është ai i shënimeve që sot njihen me titullin “Teza të filozofisë së historisë”, një grumbull pikash studimore plot pohime delfike, që ai i hartuar gjatë qëndrimit në Marsejë, për t’ia pasuar mandej mikeshës së tij Hannah Arendt me porosinë që t’i dorëzoheshin Adornos në SHBA.
[7] Howard Eiland, Michael W. Jennings, Walter Benjamin. A Critical Life, Cambridge, Mass.: The Belknap Press of Harvard University Press, 2014, f. 675-676.
[8] Duke i hedhur një sy të fundit shkrimit, më erdhi ndërmend një ndodhi e ngjashme, e një tjetër autori të shquar, bashkëkohës i Benjamin-it, me të cilin nuk kemi të dhëna se është takuar ndonjëherë, por që studimet ndërdisiplinore po ndeshin gjithnjë e më shumë përputhje mes tyre. Fjala është për Antonio Gramsci-n, intelektualin dhe veprimtarin komunist italian, që ka lënë një trashëgimi monumentale shkrimesh (të karakterit politik, filozofik, antropologjik, sociologjik dhe mirëfilli letrar) në të mirënjohurat “Fletore të burgut” (Quaderni del carcere), të hartuara përgjatë viteve 1929-1935 teksa dergjej në qelitë e fashizmit italian. Dekada pas vdekjes së tij, kur numri i saktë i fletoreve përcaktohej zyrtarisht si 33, u hamendësua se, në bazë të disa hulumtimeve filologjike, ekzistonte edhe një fletore tjetër, qëllimisht e zhdukur. Në të, me gjasa, arsyetohet se Gramsci duhet të ketë pasqyruar evolucionin përfundimtar të mendimit të tij marksist, që e çonte në përplasje të hapur me versionin ortodoks të stalinizmit (përplasje e cila, për hir të së vërtetës, s’është se nuk shfaqet edhe në fletoret e tjera). Madje, është tërësisht e mundshme që në atë fletore Gramsci të këtë përqafuar përfundimisht liberalizmin, duke i dhënë duart njëherë e mirë çfarëdolloj marksizmi të mundshëm, heterodoks ose jo. Në të hamendësuarën fletore nr. 34 pra, herezia e Gramsci-t kundrejt dogmës staliniste ishte kaq e shqueshme sa vetë Partia Komuniste italiane, besnike ndaj Moskës, ka ndihmuar në zhdukjen e saj nga faqja e dheut. Të paktën kështu mendojnë arkitektët e kësaj hipoteze. Për më tepër, shih: Franco Lo Piparo, L’enigma del quaderno. La caccia ai manoscritti dopo la morte di Gramsci, Roma: Donzelli Editore, 2013.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin