nga Agron Alibali
Më 12 qershor 2023 Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Dr. Audrey Azoulay, shpalli se Shtetet e Bashkuara e kanë njoftuar atë zyrtarisht për vendimin për t’u ribashkuar me UNESCO-n në korrik 2023. Duke e përshëndetur nxehtësisht këtë lajm para përfaqësuesve të 193 vendeve anëtare, Dr. Azoulay theksoi se “ky përbën një akt të fuqishëm besimi tek UNESCO dhe në multilateralizmin.” Dhe kjo “jo vetëm lidhur me centralitetin e mandatit të Organizatës – që është kultura, edukimi, shkenca dhe informacioni – por edhe në mënyrën se si ky mandat zbatohet sot”.[1]
Një situatë e re juridike?
Lajmi sa i shumëpritur, aq edhe i papritur, duket se sjell një ndryshim cilësor të situatës juridike lidhur me modelin e pashembullt të kalimit të posedimit, kontrollit dhe menaxhimit të Butrintit një fondacioni privat. Lidhur me këtë kemi shkruar qysh para tre vjetësh në këtë revistë, ku analizonim edhe rolin e Fondacionit Shqiptar Amerikan të Zhvillimit [AADF].
Ndërkohë që çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, njoftimi i Dr. Azoulay e përcjell thelbin e problemit në një optikë krejt të re.
Sikurse kemi argumentuar më herët, modeli i adoptuar në Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore [Konventa e Parisit e v. 1972] është frymëzuar nga tradita, përvoja dhe praktika amerikane e Parqeve Kombëtare, që zotërohen, kontrollohen dhe menaxhohen nga shteti amerikan përmes Shërbimit Kombëtar të Parqeve (National Park Service). Mirëpo ajo që AADF-ja synon të bëjë në Shqipëri është një model që është në antitezë me vetë atë që zbaton shteti amerikan, pavarësisht nga mbështetja që AADF-ja ka pasur nga zyra e USAID-it në Tiranë.
Përpjekjet e AADF-së lidhur me Butrintin në periudhën pas daljes së SHBA nga UNESCO në tetor 2017 mund të thuhet se futeshin në një fare “zone gri” të së drejtës ndërkombëtare. SHBA ishte pjesëtare e Konventës së Parisit, që rregullonte sitet e trashëgimisë botërore, siç është Butrinti, mirëpo nuk ishte anëtare e UNESCO-s. Natyrisht që AADF-ja, si fondacion i themeluar në shtetin Delaware të SHBA, dhe i financuar fillimisht nga USAID-i rregullohet dhe zbaton ligjet dhe politikat e SHBA-së, si edhe ligjet e Shqipërisë. Tani që SHBA do të jetë formalisht anëtare e UNESCO-s, AADF-ja do ta ketë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, që të mos jetë në pajtueshmëri të plotë me ligjet dhe politikat e SHBA-së sa i takon UNESCO-s lidhur me modelin që përpiqet të imponojë në Butrint, pasi “zona gri” në raportet midis UNESCO-s dhe SHBA-së tashmë pritet të qartësohet tërësisht,
Qëndrimi me takt i UNESCO-s për Butrintin
Duhet thënë se UNESCO nuk ka qenë indiferente lidhur me përpjekjet e AADF-së për të marrë në dorë posedimin, kontrollin dhe menaxhimin e Butrintit. Duke qenë se UNESCO komunikon vetëm me Shtetet Palë, dhe jo me organizata jofitimprurëse, qysh në shkurt 2020 UNESCO i kërkonte me takt qeverisë shqiptare që të “specifikonte emrin e Organizmit Qeveritar të ngarkuar për menaxhimin e pasurisë së Trashëgimisë Botërore të Butrintit”. Nënteksti ishte i qartë: kalimi i Butrintit nën posedimin, kontrollin dhe menaxhimin e një fondacioni privat përbënte shkelje të Konventës së Parisit.
Demarshet e UNESCO-s ndaj qeverisë shqiptare kulmuan tre vjet më vonë, kur vetë Drejtoresha e Përgjithshme Azoulay, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri më 17 shkurt 2023 u takua me Kryeministrin dhe Ministren e Kulturës. Përmbajtja e takimit deri më sot nuk është bërë publike, pavarësisht nga kërkesat për transparencë të deputetes Ina Zhupa, të bëra zyrtarisht me letër – dhe publikisht në Kuvend. Deputetja e Sarandës pat argumentuar interesin e lartë publik lidhur me vijueshmërinë e qëndrimit të UNESCO-s ndaj planeve të qeverisë dhe AADF-së, si dhe relevancës së drejtpërdrejtë në çështjen para Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur më këtë, UNESCO ka ngritur edhe një çështje tjetër po aq thelbësore lidhur me Butrintin, konkretisht, sa është kontributi i Shqipërisë në fondacionin e sajuar për të menaxhuar Butrintin.
UNESCO dhe kontributi në natyrë i Shqipërisë
Vetë Qendra e Trashëgimisë Botërore [QTT] të UNESCO-s në Paris, përmes letrës së lartpërmendur të datës 28 shkurt 2020[2], kërkoi shprehimisht që “të identifikohet kontributi financiar i Shtetit Palë Shqipërisë, përshirë kontributin në natyrë, me shumat të reflektuara në PMI [Planin e Menaxhimit të Integruar]” [Identify financial input of the State Party of Albania, including in-kind contribution with its figures reflected in the IMP].
E thënë me gjuhë të thjeshtë pyetja që shtrohej ishte se sa kushton realisht Butrinti?
Deri më sot është thënë se shteti shqiptar do të transferojë në të ashtuquajturin Fondacion për Menaxhimin e Butrintit [FMB] fondet e gjeneruara nga vizitat në park, pra rreth 2 milion dollarë. Krahasuar me 5 milion dollarët e shumëtrumbetuar të AADF-së, krijohet përshtypja e gabuar se “investimi” i AADF-së është realisht i konsiderueshëm dhe shumica e “pjesëve” në FMB-në si person juridik i takon AADF-së.
Mirëpo sa e vërtetë është kjo rrëfenjë? A nuk është shteti shqiptar ai që ofron shumicën absolute të kontributit si vlerë dhe si pjesë në personin juridik FMB? Dhe sa është kjo vlerë dhe pjesë? Dhe më tej, pavarësisht nga situata reale e pjesëve shtetërore në FMB, përse shteti shqiptar ka vetëm 1/5-tën e kontrollit në Bordin e Drejtorëve të FMB-së, nisur nga fakti se i vetmi zyrtar shtetëror në Bordin 5-vetësh është Ministrja e Kulturës?
Ndërkohë, edhe pse vlera e vërtetë e Butrintit, përfshirë vlerën e përdorimit, asnjëherë nuk është përcaktuar apo kuantifikuar, vetë Këshilli i Ministrave, si Subjekt i Interesuar në çështjen objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, është shtrënguar të pranojë në Parashtrimet e veta para Gjykatës Kushtetuese (Paragrafi 53, f. 22), se “”investimi” i shtetit shqiptar si bashkëthemelues i [Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit] është shumë herë më i madh se sa ai i AADF—së, përcaktuar në marrëveshje (4 985 000 USD të cituara prej kërkuesit)”…Dhe më tej, Qeveria sugjeron se në përllogaritje duhen përfshirë edhe “të drejtat e përdorimit dhe të shfrytëzimit të territorit të Parkut Kombëtar të Butrintit, vlera e të cilit si pasuri kulturore universale është e pallogaritshme”, dhe “për pasojë kontributi dhe “investimi” i shtetit shqiptar në këtë fondacion është shumë më i madh se ai i AADF-së…”.
Sa pjesë duhet të ketë shteti shqiptar në personin juridik FMB?
Qasja natyrisht është e drejtë. Por le ta shprehim Marrëveshjen midis Ministrisë së Kulturës dhe FMB-së në terma matematikore.
Kësisoj do të kishim ekuacionin:
Shteti shqiptar x X pjesë + AADF x Y pjesë = FMB
Ku X është vlera reale kontabël e Parkut Arkeologjik, Y është kontributi i AADF-së, që po e rrumbullakosim në 5 milion dollarë dhe FMB përfaqëson vlerën gjithsej që ai fondacion do të marrë në posedim, kontroll dhe menaxhim.
Por çfarë vlere ka madhësia X?
Sikurse kemi parashtruar më herët në këtë revistë, pasuria që shteti shqiptar i kalon në posedim, kontroll dhe menaxhim FMB-së përbëhet nga (i) zona arkeologjike A3 prej rreth 1500 hektarësh dhe (ii) nga 100 monumentet të patundshme dhe me vlerë e rëndësi unike.
E thënë ndryshe, në rast se personi juridik FMB përbëhet nga Y’ pjesë të AADF-së (që në vlerë kontabël janë 5 milion dollarë) sa kuantifikohet në vlerë dhe në pjesë X’ kontributi i shtetit shqiptar?
Afërmendsh që kontributi i shtetit shqiptar është jo shumëfish, por mijërafish më i madh se sa i AADF-së. E megjithatë, shteti shqiptar ka vetëm 1/5 e kontrollit në Bordin e Drejtorëve…
Sikurse u përmend, kërkesa për kuantifikimin e saktë dhe të plotë të kontributit shtetëror në Butrint vjen nga vetë organi zbatues i Konventës së UNESCO-s për Ruajtjen e Trashëgimisë Botërore dhe Natyrore [Konventa].
Pra, në thelb, e gjithë kjo pasuri e shtetit dhe e kombit shqiptar mbetet deri më sot e pakuantifikuar dhe e pakontabilizuar sipas vlerës së saj reale të tregut, edhe pse është kërkuar nga UNESCO. Mirëpo ky përbën kriter thelbësor edhe në përcaktimin e kushtetuetshmërisë së Ligjit 50/2022 në lidhje me atributet kontrolluese të KLSH-së mbi persona juridikë ku shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve, në zbatim të Nenit 163.c të Kushtetutës.
Për më tepër, mund të argumentohet që mospërmbushja e kërkesës së UNESCO-s, që ende mbetet e tillë në dijeninë tonë, bie ndesh shprehimisht me Nenin 5 të Kushtetutës, d.m.th. me angazhimet kushtetuese të shtetit shqiptar për zbatimin e së drejtës ndërkombëtare të detyrueshme për të.
Ndërkaq, “Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit”, pavarësisht se çështja është për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, vijon i patrazuar dhe i paturbulluar hapat dhe procedurat për marrjen e Butrintit me koncesion.
Kësisoj, më 27 prill 2023 u miratua firma arkitektonike për projektin e Qendrës së Vizitorëve, kurse më datën 4 maj 2023 u miratua emërimi i “Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, një Carlos Humberto Jhon, individ krejt i panjohur, jo shtetas shqiptar. Pra, duke treguar një vetësiguri të papërligjur, për të mos thënë shpërfillje të hapur ndaj parimeve të shtetit juridik dhe ndaj vetë Gjykatës, i ashtuquajturi Fondacion për Menaxhimin e Butrintit së afërmi pritet të marrë në dorë kontrollin, posedimin dhe menaxhimin e kësaj pasurie të paçmuar kombëtare, me vlera të jashtëzakonshme universale.
Kësisoj, auditimi dhe njohja a përcakrtimi i vlerës së saktë financiare të kontributit të Shtetit Shqiptar në të ashtuquajturin Fondacion për Menaxhimin e Butrintit merr rëndësi themelore e procedurale juridike, si dhe vlerë provuese për një gjykim sa më efektiv të çështjes në nivel kushtetues.
Butrinti jepet qesim?
Fjalori i Gjuhës Shqipe e përkufizon fjalën qesim si (i) “pa e peshuar ose pa e matur, duke i caktuar një çmim të përgjithshëm mallit (për mënyrën e shitjes e të blerjes). E dha qesim. E bleu qesim. E mori qesim. Dhe (ii) “Pa e menduar a pa e peshuar mirë, në tym, kuturu. Flet qesim.I bën punët qesim.”
Para Gjykatës Kushtetuese ndodhet për shqyrtim një ligj, që imponon një model të pashembullt posedimi, kontrolli dhe menaxhimi, në shkelje të Konventës së Parisit, si dhe ku pasuria objekt shqyrtimi nuk ka vleftë të përcaktuar.
Natyrisht pritshmëritë janë që Gjykata Kushtetuese të jetë në lartësinë e rolit të vet. Mirëpo, disa çështje të trajtuara së fundi nga Gjykata Kushtetuese tregojnë për një qasje “mospërfshirëse” të saj, duke përdorur arsyen e mosngritjes së çështjeve në nivel kushtetues.[2] A nuk përbën kjo qasje në thelb shmangie nga detyrimet dhe prerogativave e kushtetuese të vetë Gjykatës Kushtetuese?
Dihet se Konventa e UNESCO-s, ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, është pjesë e së drejtës së brendshme. Për gjithë sa më sipër, lind pyetja nëse mund të vijojë shqyrtimi në themel i çështjes së Butrintit nga Gjykata Kushtetuese PA u mësuar apo kuantifikuar paraprakisht vlera e saktë financiare apo kontabël e kontributit në natyrë të Shqipërisë në fondacionin koncesionar të krijuar për Butrintin, ashtu sikurse ka kërkuar zyrtarisht UNESCO qysh në shkurt 2020.
Përndryshe, Butrinti nuk mund t’i jepet qesim një fondacioni privat. Për më tepër, njoftimi i Drejtoreshës së Përgjithshme Azoulay për ribashkimin e SHBA-së në UNESCO nuk ka se si të mos ushtrojë vetvetiu një ndikim a efekt çlirues apo lehtësues për Gjykatën Kushtetuese nga çdo ngurrim apo dyshim i mundshëm lidhur me domosdoshmërinë e pajtueshmërisë me Konventën e Parisit, si dhe me Kushtetutën e Shqipërisë, edhe të ndonjë “investimi amerikan”, sikurse mund të quhen me eufemizëm përpjekjet e pavend të AADF-së në Butrint,
Natyrisht, zgjidhja më optimale, sikurse e kemi thënë më herët në këtë revistë, është që Bordi i Drejtorëve të AADF-së të heqë dorë përfundimisht nga planet e veta për të vënë dorë në posedimin, kontrollin dhe menaxhimin e Butrintit në Shqipëri.
© 2023 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Ligj Nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, Fletore Zyrtare nr. 108, dt 28.07.2022.
[2] Një qasje të tillë adoptoi Gjykata në Kërkesën e Gjykatës së Apelit Tiranë ( sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm), për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 11, pika 4, të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” ( ligji nr. 9754/2007). Aty Gjykata refuzoi të trajtonte themelin e çështjes duke pretenduar se: “Gjykata vlerësoi se pretendimet janë të pabazuara, me arsyetimin se, ndonëse në dukje neni 11, pika 4, i ligjit nr. 9754/2007 ka një lloj paqartësie, në thelb, ajo nuk është e tillë që të barazohet me mungesën e ligjit që cakton dënimin penal me gjobë për personat juridikë. Paqartësia në fjalë zgjidhet me anë të interpretimit gjyqësor nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në ushtrim të rolit dhe funksionit të tyre kushtetues.” [Theksimi yni]. https://www.gjk.gov.al/web/NJOFTIM_2573_1-94.php
[3] Botuar në Fletoren Zyrtare nr. 141, datë 02/08/2020.
[4] Me të vërtetë, dispozitat e Marrëveshjes midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit, dhe atributet Fondacionit të krijuar për Menaxhimin e Butrintit përputhen tërësisht me përkufizimin historik të koncesionit dhe të koncesionarit sipas Ligjit Për Koncesionet, Nr. 9663, 18.12.2006, Neni 2(3),(4), si dhe përkufizimit aktual [Ligji nr 125/2013]
[5] Bazuar në Nenin 31.b të Ligjit 154/2014
[1] Kongresi amerikan kishte pezulluar financimin e UNESCO-s qysh në dhjetor 2011, kurse Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht nga UNESCO më 12 tetor 2017. Për më tepër: https://www.unesco.org/en/articles/united-states-america-announces-its-intention-rejoin-unesco-july
[2] Letra u nxor nga autoritetet shqiptare në një emission televiziv në maj 2022. Deputetja Ina Zhupa, e pranishme në emision, e siguroi mandej kopjen.