Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Politikë

PROGRESIZMI AMERIKAN DJE: SHUMËLLOJSHMËRI IDESH E BESIMESH

nga dr. Ernest Nasto

Një aspekt mbizotërues i skenës së sotme politike amerikane është padyshim lëvizja majtiste woke e cila karakterizohet nga kritika tërësore ndaj sistemit ekzistues amerikan, e më gjerë atij perëndimor. Pjesëmarrësit e drejtuesit e lëvizjes në fjalë parapëlqejnë ta quajnë atë si “progresiste”, duke evokuar kështu lëvizjen progresiste të para 100 e ca vjetëve, faktorin kryesor në atë që historia amerikane e quan “epoka progresiste” (1896-1917). Sa e vërtetë është një ngjashmëri e tillë?

Historianët janë përpjekur në fakt ta përkufizojnë atë dukuri, por pa ja arritur në mënyrë definitive. Në disa raste ajo është vështruar si një koalicion reformatorësh të shtresës së mesme që synonin përmirësimin e qeverisjes duke e bërë këtë sa me efektive, apo edhe si një përpjekje e suksesshme e një koalicioni politikanësh e biznesmenësh për të zbutur aspektet e ashpra të kapitalizmit e për të ulur ndikimin e ideve socialiste ndër masat e varfëra të qyteteve. Është arsyetuar po ashtu se lëvizja ishte kryesisht një projekt politik i punëtoreve dhe i grave që synonin thjesht kushte më të mira pune dhe jetese. Ajo është paraqitur së fundmi edhe si një sulm i organizuar ndaj monopoleve industriale, dhe përgjithësisht kundër përqendrimit të pushtetit ekonomik në pak duar. Dhe argumentime të sakta mund të bëhen për secilin interpretim, bazuar mbi faktin se rezultatet e saj ishin spektakolare në të tëra këto aspekte.

Vështirësitë vijnë kryesisht nga fakti se ajo s’ishte fare “lëvizje” në kuptimin primar të fjalës, por një koalicion grupesh dhe individësh të cilët ishin dakord për çështje të caktuara dhe në mospajtim për po aq të tjera. Koalicioni ishte në ndryshim të vazhdueshëm dhe pjestarët e tij kishin përkrahje brenda të dy partive kryesore, republikanëve e demokratëve. Ishte kjo gamë e gjerë mendimi dhe veprimi që e bëri progresizmin aq të fuqishëm.

Në kapërcyell të shekujve XIX-XX SHBA ishin një vend i pasur, ku njëkohësisht po rritej shpejt pabarazia e të ardhurave dhe përqendrimi i pasurisë e i pushtetit politik në pak duar. Një numër i vogël kompanish kontrollonin prodhimin, shpërndarjen dhe çmimin për mallrat e shërbimet e përditshme, duke diktuar rrjedhimisht edhe nivelin e pagave, burimin kryesor të të ardhurave për shumicën e familjeve amerikane. Zhvillimi i vrullshëm teknologjik dhe karakteri i dukshëm konsumator që po merrte ekonomia shoqëroheshin me humbje shqetësuese të autonomisë personale. Produkti kombëtar u rrit gati 8 herë ndërmjet 1880-1919 dhe nga mesi i viteve 1920 pothuaj dy të tretat e familjeve amerikane jetonin në banesa të elektrifikuara, një ndryshim dramatik krahasuar me shekullin XIX. Amerikanët përdornin gjithfarëlloj pajisjesh elektrike, ushqeheshin më mirë e më lirë, gjenin në treg veshje cilësore të prodhuara në masë dhe merrnin pjese në argëtime të reja publike sikurse parqet e lojrave apo spektaklet e mëdha sportive.

Ky prosperitet kishte rritur mjaft edhe pabarazinë, sepse 1 përqindshi më i pasur i amerikanëve zotëronte 51 përqind të pronave dhe pasurive të paluajtshme më 1890, ndërsa një studim i Institutit Brookings më 1910 theksonte se 42 përqind e familjeve punonin vetëm për mbijetesë. Papunësia, qoftë afatgjatë apo ciklike, ishte e zakonshme për shumë punonjës të industrisë e shërbimeve, që do të thotë se megjithë ndryshimin e kushteve materiale të lidhura me varfërinë, një masë e madhe njerëzish kishin mbetur të varfër.

Industrializimi masiv shoqërohej edhe me përqendrim të theksuar të kapitalit: ndërmjet 1895-1905 mijëra biznese të vogla u blenë apo u gëlltitën nga 157 kompani që vunë nën kontroll 40 përqind të tregut në sektorët përkatës. Masa të mëdha individësh, kryesisht meshkuj, që kishin gëzuar njëfarë autonomie si fermerë e artizanë të pavarur, iu drejtuan kësisoj fabrikave, minierave e kantjereve të ndërtimit duke u angazhuar në jetën e regjimentuar dhe monotone të punës me mëditje, në mungesë të plotë rregullash të sigurimit teknik e në kushte jetese të mjerueshme. Duke shtuar këtu pakënaqësinë e fermerëve nga ndikimi i madh i bankave dhe hekurudhave në koston dhe marzhet e fitimit mund të thuhet se ndryshimet bënin që njerëzit të ndiheshin të paaftë të kontrollonin jetën e tyre, qoftë përballë grupeve të fuqishme të interesit, qoftë përballë sistemit politik të korruptuar e të papërgjegjshëm ndaj nevojave të amerikanëve të zakonshëm.

Në dy dekadat e para të shekullit XX u shfaq e u përvijua kështu një frymë e fortë reformuese e cila nxiti dhe mbështeti një spektër të gjerë kauzash politike, ekonomike dhe sociale. Ajo u shpreh konkretisht në ngritjen dhe përhapjen e qendrave të posaçme ku ofroheshin shërbime sociale për imigrantët e varfër(1), e sidomos në presionin e gjithanshëm ndaj autoriteteve për të përmirësuar shëndetin publik, për reforma urbane, për rregulla të sigurisë në punë (veçanërisht për gratë dhe fëmijët), për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të senatorëve të Shteteve të Bashkuara, për vendosjen e standardeve lidhur me prodhimin e barnave e të artikujve ushqimorë, si dhe për masa kufizuese ndaj trusteve e karteleve.

Këto kauza progresiste pasqyronin padyshim pakënaqësine popullore me status quo-në si dhe vendosmërinë për t’u kthyer amerikanëve të thjeshtë kontrollin e shumë aspekteve të jetës ekonomike e politike. Por ekzistonin gjithashtu edhe ndryshime e kundërshti të qarta brenda gamës së gjerë të personazheve të identifikuar si përparimtarë.

Kështu p.sh. fermerët dhe banorët e zonave rurale ishin të pafuqishëm, siç e përmendëm, përballë bankave e kompanive hekurudhore në vendosjen e çmimeve të drithit, i akuzonin ato për manipulime dhe mbështesnin vendosjen e një regjimi të fortë rregullator ndaj tyre. Ky grup i shihte banorët e qyteteve si përfituesit kryesorë të çmimeve të ulëta dhe hidhte poshtë pretendimet e imigrantëve të rinj nga Europa Jugore e Lindore për t’u konsideruar “të bardhë” e për të pasur ashtu përparësi në marrjen e shtetësisë amerikane. W.J. Bryan, oratori populist më i famshëm i kohës dhe figura kryesore e revoltës së fermerëve, ishte kundërshtar i ashpër i monopoleve të mëdha dhe favorizonte shtetëzimin e hekurudhave duke argumentuar “nevojën e pronësisë publike aty ku konkurrenca është e pamundur”. Kjo ishte një ide mjaft e përhapur ndër progresistët, si ruralë dhe urbanë, megjithë ndarjet e mprehta mes tyre për çështje të tjera.

Progresistët e hershëm kishin pikëpamje të ndryshme edhe për racën dhe të drejtat civile. Disa drejtues, si p.sh. presidenti i 26të, T. Roosevelt (1901-1909), u rreshtuan me veprimtarët e zinj në mbrojtjen e të drejtave të këtyre të fundit, në një kohë që shumë të tjerë mbetën përkrahës të vendosur të ligjeve diskriminuese. Presidenti i 28të, Woodrow Wilson (1913-1921), konsiderohet personalitet i shquar progresiv e megjithatë ai ishte i pari që adoptoi masat diskriminuese në administratën federale. Edhe disa veprimtare të dalluara të lëvizjes feministe, si p.sh. Rebecca Felton, ishin po aq të zellshme në kundërshtimin ndaj të drejtave të personave me ngjyrë.

Vota e grave ishte një çështje tjetër ku veprimtarët progresistë s’ishin aspak në unitet. Disa mendonin se grave u duhej vota për të përmbushur me efektivitet rolet e tyre tradicionale si nëna, bashkëshorte dhe kujdestare të shtëpisë. Administratat bashkiake në fillim të shekullit XX ishin në fakt tejet të korruptuara dhe joefikase, e prandaj përkrahësit e votës së grave argumentonin se këto do ta përdornin zërin e tyre në favor të vendosjes së rregullave e standardeve teknike të ndërtimeve, për të siguruar kushte të mira në punë, si dhe në shkolla e parqe. Mirëpo jo të gjithë ata që e konsideronin veten progresistë ishin dakord me votën e grave. Dhe duke pasur parasysh rolin qendror që femrat luajtën gjatë epokës progresiste, mund të thuhet se përpjekjet për të drejtat e vetë atyre krijuan ndarje të dukshme dhe herë-herë konfrontime të ashpra në qarqet reformatore.

Ndërkaq progresistët, ashtu si pjesa tjeter e amerikanëve, s’kishin vetëm kontradikta që buronin nga raca, gjinia apo rajoni gjeografik ku jetonin, por edhe lidhur me kuptimin e vetë progresizmit. Për një sërë kryebashkiakësh reformatorë si ata të New York e Jersey City, apo Cleveland e Toledo në shtetin Ohio, koncepti kishte kryesisht të bënte me kufizimin e pushtetit të grupeve të mëdha e të fuqishme të interesit, si edhe sigurimin e një qeverisjeje lokale më të ndershme e efikase për qytetarët. Ndërsa për promotorët e qendrave të posaçme të edukimit që përmendëm më lart, më e rëndësishmja ishte mbrojtja e dinjitetit dhe rritja e pozitës shoqërore të shtresave të varfra urbane nëpërmjet edukimit dhe përmirësimit të mjedisit ku ato jetonin.

E më në fund veprimtarët s’ishin të bashkuar as rreth çështjes thelbësore të kuptimit të një demokracie përfaqësuese, pra si duhej të funksiononte ajo në praktikë. Një pjesë e madhe ishin vërtet të interesuar për rigjallërimin e institucioneve politike amerikane, dhe këtu një arritje historike e epokës ishte miratimi i Amendamentit XVII për zgjedhjen e të dy senatorëve të çdo shteti me votim të drejtpërdrejtë popullor, dhe jo më nga legjislaturat shtetërore siç parashikohej në Kushtetutë.

Disa kauza e projekte të tjera demonstruan ndërkaq prirje më të errëta dhe jodemokratike si p.sh. popullarizimi i modelit të “administratorit të qytetit” (city manager)(2), rrjedhim i pasionit të progresistëve për ekspertizën dhe organizimin efikas. Në këtë model zyrtarët e zgjedhur ja delegonin autoritetin dhe përgjegjësitë e qeverisjes së përditshme një administratori profesionist, pra një personi të emëruar në atë post. Këta administratorë e kufizuan realisht pushtetin e të zgjedhurve dhe rrjedhimisht edhe korrupsionin masiv në aparatet e bashkive. Por sistemi bëri që shtresa e të emëruarve, kryesisht klasë e mesme, të binte shpesh në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve votues, kryesisht punëtorë e imigrantë, edhe pse të dy grupet kishin objektiva të njëjtë lidhur me përmirësimin e kushteve shëndetësore e mjedisore apo rritjen e sigurisë në vendet e punës. Në një plan të përgjithshëm mund të themi se pasioni i progresistëve për shkencën, teknikën dhe standardet solli favorizimin e ekspertizës administrative, pra edhe të burokracisë, ndaj demokracisë pjesëmarrëse që kish mbizotëruar në vend prej kohës së presidentit A. Jackson(3).

S’mund të trajtojmë këtu me hollësi zgjedhjet e vitit 1912 por mjafton të themi se ajo ishte pika ku këto kundërshti u shfaqën në mënyrë të plotë. Ish-presidenti T. Roosevelt nuk mori dot emërimin zyrtar republikan për një mandat të tretë(4) dhe u shkëput prej tyre duke krijuar Partinë Progresiste në garë me presidentin W. Taft dhe demokratin W. Wilson. Ky i fundit fitoi për shkak të përçarjes republikane, dhe interesante është se ato zgjedhje konsiderohen edhe sot disi të ngatërruara pikërisht sepse të dy kandidatët progresistë përqafonin politika pak a shumë të njëjta: ndalimin e punës së fëmijëve, masa mbrojtëse për punëtorët dhe organizmat sindikale, tarifa mbi importin për të nxitur prodhimin amerikan, apo mbikqyrje të fortë të qeverisë federale mbi sektorin bankar. Del kësisoj përsëri ajo që përmendëm më lart se ishte larmia e qendrimeve dhe e politikave që e bën progresizmin e hershëm të vështirë për t’u kuptuar: mbështetësit dhe veprimtarët e tij ishin sipas rastit edhe kundërshtarë edhe aleatë, e madje në këtë të fundit ata niseshin shpesh nga pozicione të ndryshme.

Megjithatë progresistët kishin të përbashkëta disa ide themelore. Ata besonin se problemet e mëdha të sistemeve të tilla të ndërlikuara si administrata federale apo ato të shteteve mund të zgjidheshin nëpërmjet metodës shkencore, mënyrave efikase të qeverisjes, dhe informimit të gjerë të publikut. Prej ku edhe vërshimi masiv i ekspertëve si sociologë, ekonomistë, e punonjës socialë në komisionet dhe organizmat qeveritare, ndërkohë që institute të ndryshme studimore botonin të dhëna të panumërta nga çdo fushë e veprimtarisë publike. Gazetarët investigativë(5) i botonin pastaj këto të dhëna e statistika me qëllim që votuesit racionalë të ishin të informuar mirë e të kishin formuar opinione sa më të sakta në çastin e hidhjes së votës.

Veprimtarët progresistë karakterizoheshin edhe nga angazhimi i përkushtuar për frenimin e ndikimit në rritje të biznesit të madh. Për këtë ata nxitën dhe mbështetën grupe të organizuara konsumatorësh e prodhuesish të vegjël të cilët mund t’u kundërviheshin me sukses kompanive e trusteve gjigande.

Dhe më së fundi ata prireshin t’i shihnin problemet sociale si krimi, vagabondazhi, braktisja e familjes, alkoolizmi dhe papunësia si të shkaktuara nga shoqëria e padrejtë, jo nga të metat personale. Kjo pikëpamje, që vazhdon të jetë fort e pranishme edhe në progresizmin e sotëm, përfaqësonte një ndarje të qartë nga idetë e deriatëhershme që konsideronin vetëm individin si përgjegjës për fatin e tij në jetë.

Këto konsiderata na lejojnë të themi se megjithëse progresizmi s’përbënte asokohe “lëvizje” në kuptimin e ngushtë të termit, ekzistonin disa bindje progresiste të pranishme tek të gjitha grupimet që pretendonin të ishin pjesë e saj. Dhe progresistët ishin, për një kohë, jashtëzakonisht të suksesshëm duke patur një numër arritjesh si: miratimi i ligjeve e rregullave me ndikim pozitiv ne kushtet e punës, shëndetin dhe sigurinë e punonjësve; reformimi i sistemit politik duke përmiresuar funksionimin e demokracisë; ruajtja dhe zhvillimi i hapësirave publike si në qytete edhe në shkalle vendi me krijimin e sistemit kombëtar të parqeve natyrore; masat e rrepta për mbrojtjen e mjedisit e të natyrës; krijimi i një sistemi rregullash për kufizimin e përqendrimit të kapitalit dhe të rritjes së pasurive e pushtetit të korporatave.

Të gjitha këto s’u arritën ngaqë ata ishin “grusht bashkuar” në kuptimin që të dihej në çdo rrethanë se si do të ishte vota e tyre. Përkundrazi, dhe siç e theksuam, të qenit progresist në ato vite s’kërkonte respektim të rreptë të një linje të vetme partiake ose mbështetje të plotë për një listë propozimesh specifike. Pikërisht për shkak të kësaj larmie progresizmi mundi të vepronte lirisht e të gjente mbështetës në të gjithë sektorët e shoqërisë pa pasur nevojë për konsensus të gjerë, madje as për çështje nga më themeloret si moraliteti i përqendrimit të pakufizuar të kapitalit apo e drejta e votës së grave. Ishte pra një koalicion i zhdërvjelltë dhe vazhdimisht në ndryshim mes individësh të cilët ishin të ndërgjegjësuar për problemet dhe sfidat e shoqërisë moderne, besonin në qasjet racionale për zgjidhjen e tyre, dhe sillnin një frymë novatore e optimiste në diskutimet përkatëse e në tërë jetën publike.

Të tilla tipare u konstatuan edhe në koalicionin New Deal(6) të viteve 1930 ose në koalicionin konservator reganian të viteve 1970 e 1980, që patën shumëllojshmëri të ngjashme mendimesh e mbështetjeje. Sadoqë për bashkëpunëtorët e F.D. Roosevelt dhe R. Reagan ishte e natyrshme të besonin se lëvizjet e tyre kishin kuptim të përsosur, në retrospektivë të dyja kanë rezultuar të vështira të përshkruhen me saktësi.

Kjo është zor të thuhet për të ashtuquajturit progresistë të sotëm siç do ta shohim në një artikull vazhdues.

(c) 2023 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


1) këto qendra u njohën me emrin settlement houses dhe, duke filluar nga New York më 1886, u përhapën në shumë qytete të mëdha amerikane.

2) modeli u adoptua për herë të parë nga qyteti Dayton në shtetin Ohio në vitin 1913.

3) gjeneral i shquar dhe presidenti i 7të i SHBA (1829-1837), frymëzues i një sistemi të demokracisë së drejtpërdrejtë me tipare si barazia përpara ligjit, vullneti i shumicës, kundërshtimi i pushtetit politik të monopoleve dhe të shtresave të pasura, besimi tek njeriu i zakonshëm, etj.

4) kjo lejohej nga kushtetuta deri në miratimin e Amendamentit XVII më 1951.

5) këta gazetarë, ndihmesa e të cilëve ishte tipar prominent i epokës në fjalë, u njohën me nofkën “mucrakers” që në shqip mund të jepet si “pastrues të llumit” duke nënkuptuar llumin e korrupsionit që ata e kishin në shënjestër.

6) emri shenjon politikat dhe programet e zbatuara nga administrata e presidentit F.D. Roosevelt prej 1933 që rritën në masë të konsiderueshme ndërhyrjen e shtetit në ekonomi.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin