Pamja e çastit më poshtë është nxjerrë nga një CAT Tool (softuer ndihmës për përkthimet) mjaft i përdorur anembanë botës për përkthime teknike.
Aty shqipja e Kosovës trajtohet më vete (identifikohet me kodin sq-xk), ndryshe nga shqipja e përgjithshme (sq-al). Kjo do të thotë edhe se ka klientë që haptazi kërkojnë që përkthimet nga anglishtja në shqip të bëhen në “shqipen e Kosovës”.
Të jetë ky hap drejt identifikimit të variantit “kosovar” të shqipes si gjuhë më vete?
Në çdo rast, edhe pse ka dallime ndonjëherë të spikatura mes shqipes së shkruar në Kosovë dhe asaj që shkruhet në Shqipëri, varianti “kosovar” – nëse mund ta quaj kështu – mbetet i pakodifikuar.
Nuk ka gramatikë të atij varianti dhe as fjalorë të përgjithshëm ose terminologjikë.
Në Kosovë fliten të folme të ndryshme të shqipes, të cilat i bashkon ombrella e dialektit të Kosovës – i cili sot gjithnjë e më tepër po karakterizon edhe një regjistër social të caktuar.
Por mënyra si shkruhet ky dialekt nuk është përpunuar, as kodifikuar. Në Facebook lexon shpesh statuse të shkruara me një formë që i ngjan transkriptimit të një ligjërimi bisedor lokal, por edhe këto nuk janë të kodifikuara.
Atëherë cilit realitet gjuhësor mund t’i referohet kodi sq-xk?
Më ndodh të shoh, në tregun amerikan, njoftime punësimi për përkthyes gojorë, të cilëve u kërkohet familjaritet (profesional) me “dialektin e Kosovës”. Zakonisht këta punojnë për forcat e ruajtjes së rendit, gjyqësorin ose institucionet shëndetësore dhe duhet të përkthejnë gojarisht për persona që nuk e flasin shqipen standard.
Ma merr mendja edhe se kodi sq-xk zbatohet ndaj përkthimeve të teksteve me natyrë ngushtësisht komerciale (produkte të konsumit të gjerë, reklama) që destinohen për tregun kosovar.
Për t’i shkruar këto tekste kompetenca në shqipen e njësuar nuk mjafton – sepse duhet njohur edhe konteksti social në Kosovë, që ndryshon nga ai në Shqipëri.
Softuerët ndihmës të përkthimit njëlloj të lejojnë të zgjedhësh edhe midis varianteve të gjermanishtes (Gjermani, Austri, Zvicër), të frëngjishtes (Francë, Kanada) e kështu me radhë – kjo varet sa nga diferencat mirëfilli gjuhësore, aq edhe nga ato kulturore dhe sociale.
Tek e fundit, klienti që e porosit përkthimin, shpesh porosit në hollësi edhe karakteristikat e tekstit që dëshiron të marrë nga përkthyesi – përfshi regjistrin dhe stilin.
Diferencimi i shqipes së shkruar në kode të ndryshme identifikues nuk ka ndonjë bazë ligjore, por u shërben interesave komercialë të klientëve.
Ngjashëm ndodh edhe me përkthimin në kah të kundërt – nga shqipja në anglishte. Unë nuk do të merrja përsipër të përktheja në anglishte titrat e një filmi ku personazhet flasin në regjistrin bisedor të shqipes qytetare të Prishtinës – këtë më mirë mund ta bënte dikush që e njeh dhe dhe e përdor atë regjistër.
Dallimet në kod mund të shfaqen edhe në terminologji. Sot për sot, nuk ka ndonjë institucion që të ndërmarrë dhe të garantojë njësinë terminologjike në dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë (mbase këtu do përfshirë edhe Maqedonia e Veriut).
Fjalorët terminologjikë ekzistues janë shpesh të mangët dhe vjetruar. Përkthyesit jo rrallë improvizojnë. Listat terminologjike që ofrohen nga klientët shpesh janë hartuar nga individë jo-kompetentë për t’u marrë me sistemime termash.
Një klient që i shet një bulldozer një kompanie në Kosovë do të bënte mirë që të kërkonte një përkthyes njohës të “shqipes së Kosovës” – kjo sepse terminologjia mekanike nuk është e njëjta, dhe rrjedh nga tradita të ndryshme.
Njëlloj edhe klienti italian që shet – të themi – një fertilizant për fermerët në Kosovë dhe që i intereson fort që këta të ndihen mirë me shqipen e manualit përkatës.
Çfarë duan të thonë të gjitha këto? Që shqipja edhe e folur edhe e shkruar, në Shqipëri dhe në Kosovë, u nënshtrohet njëherazi prirjeve centripetale (shkolla, mass mediat, botimet) dhe centrifugale (konteksti kulturor dhe social, marrëdhëniet e ndryshme me kultura të tjera, gjallërimi i regjistrave të folur dhe transkriptimi i ligjërimit oral në rrjetet sociale).
Të gjithë ata operatorë – komercialë dhe kulturorë – që duan të veprojnë në tregun “kombëtar” dhe të japin e të marrin me të gjithë shqiptarët, duhet ta zgjidhin njëfarësoj, me rrugë praktike, dilemën e diferencave në kod.
Aq më tepër që kontaktet kulturore në rritje, për të qenë domethënëse, jo rrallë kanë nevojë për ndërmjetësim. Nuk është katastrofë dhe as dështim identitar kombëtar, që një tiranas ose një korçar të mos e kuptojnë mirë shqipen bisedore të Prishtinës – sikurse nuk është katastrofë që një prishtinalí të mos e kuptojë mirë shqipen bisedore të Tiranës ose të Vlorës.
Këtë po e ilustroj me një shembull nga një koment në një rrjet social:
Personi që e shkruan këtë, e ka zgjedhur se me kë do të komunikojë – dhe qartazi nuk pret që tekstin t’ia kuptojnë në Leskovik a në Selenicë. U drejtohet personave të një rrethi të ngushtë, duke gjykuar se regjistri që përdor është më i përshtatshëm për të përcjellë edhe një ndjenjë familjariteti me Tjetrin dhe bashkësie interesash (dhe indinjimi). Po të nxirret nga konteksti i vet natyral, komenti ka nevojë për “përkthim”. Nëse – për ndonjë arsye çfarëdo – komenti do të përfundonte si dëshmi në një proces gjyqësor, autoritetet do të kërkonin përkthim të certifikuar nga një profesionist në sq-xk.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.