nga Edon Qesari
Kam pasur, ca vite më parë, një përvojë tepër interesante mësimdhënieje në Prishtinë; fillimisht disi problematike, por që në vijim mori ngjyresa të këndshme. I ftuar për të ligjëruar në një institucion të arsimit të lartë, qysh në leksionin e parë, u përballa me faktin se studentët, shpesh, nuk e rroknin shqipen që unë flisja. Jo më rrallë, më ndodhi, po në atë orë të parë, që pikëpyetjet të mbinin edhe nga veshët e mi, kur u përpoqa ta kaloja ligjërimin në bashkëbisedim.
Nuk është se s’e kisha parashikuar një moskomunikim të atillë mes meje dhe auditorit. Natyrisht nuk ishte faji i asnjërës palë. Tamam-tamam, nuk kishte asfare faj në këtë mes.
Merrnim e jepnim në të njëjtin trung gjuhësor; urët mes nesh ngriheshin në të njëjtën Ur-shqipe. Veçse degët përkatëse kishin marrë drejtime të ndryshme, mbase qysh në lindje, duke përftuar ndikime të dallueshme mes tyre.
Shqipja ime, “e Tiranës”, ishte (dhe mbetet) e mbrujtur në një ambient prindëror dhe fisnor me prejardhje toske, e ndikuar shumë më herët se unë të lindja nga rrethana gjuhësore helene dhe, tipike për toskërishten, ndikime osmane; e pasuruar gjithashtu nga përvoja personale dhe breznore që i takojnë “ndërhyrjeve” kulturore të italishtes, frëngjishtes dhe patjetër anglishtes[1].
Shqipja e tyre, duke i ikur gjithmonë e më larg një standardi, si ai i 1972-shit, të vulosur tjetërkund etnografikisht, shprehte të tjera dinamika dhe evolucione, shpesh në kundërshtim gjeografik me të miat. Për arsye të qarta historike, janë të kundrueshme ndikime të forta sllave në shqipen e folur sot në Kosovë, ashtu siç edhe prurje gjermanike për shkak të valëve emigruese që dihen.
Çka më shtyu, për të mos e zgjatur, ta ngadalësoja ritmin e zërit tim duke u përpjekur t’i shkoqis më mirë fjalët. Nga ana e tyre, ata u rrekën, deri diku me sukses, që të bisedonin duke ndjekur ritmin e një shqipeje që sot, në Kosovë, përftohet më së shumti si gjuhë emisionesh televizive apo zyrash shtetërore.
Dhe atje, u pohova me shaka se një sistem titrash mes nesh do të na bënte goxha më shumë punë në zhvillimin e mëtejshëm të leksioneve.
Afërmendsh, një teknologji e tillë titrimesh nuk pati nevojë të zhvillohej. As sa për gallatë. Dy të folme të të njëjtit trung, me pak mundim – a me pak sforco, siç do të thuhej në Tiranë – arritën shumë shpejt të gjenin gjuhën e përbashkët. Ndonjëherë sqaroja një term, ndonjëherë më sqarohej një term tjetër; ndonjëherë e huazoja unë një përdorim, ndonjëherë tjetër më “përkthehej”, në “shqipen time”, një fjalë që mund të mos e njihja.
Ama më erdhi ndër mend, kjo puna e titrave, pas reagimeve të furishme që ndeshi në rrjet transmetimi i serialit kosovar “Rrushe”, në televizionin Top Channel.
I ambientuar në Prishtinë, seriali dhe ngjarjet që ai rrëfen janë të inskenuara në të folmen lokale. Kësisoj, transmetimi u shoqërua me titra të cilat “përkthenin” në shqipe standarde – me siguri më të kuptueshme për spektatorin nga Tirana e poshtë – atë shqipe lokale të personazheve filmikë.
Kaq mjaftoi që nga shumë anë të nxirrej në pah paradoksi i një përcjelljeje gjuhësore nga shqipja në shqip.
Shumëkush e gjeti këtë veprim si fyes. Të tjerë kryqëzuan Top Channel-in (që me ç’kuptova nuk kishte ndonjë rol protagonisti në këtë faj, duke qenë se titrat ishin parapërgatitur dhe vënë në shërbim nga vetë shtëpia e produksionit, “Gjirafa”), e jo pak veta drejtuan gishtin e akuzës se në këtë mënyrë po nxiteshin ndasi krahinore. Po këta thanë se gegërishtja, duke u titruar, po nëpërkëmbej si të ishte një gjuhë e huaj.
Shitstorm-i, gjatë më shumë se 24-orëve erdhi e u bë tornado. Ishte e qartë, besoj qysh në reagimet e para, se gjithë kjo ndodhi do të bëhej pretekst për një ressentiment të njohur anembanë rrjetit: atë që i bën fresk tezës së gegërishtes së diskriminuar nga standardi “i shtathtedyshit”.
Problematikë e vjetër kjo, e cila në vend që të shtjellohet – se do të ishte mëse normale për t’u shtjelluar, në ambientet akademike të rastit, nuk le rast pa gjetur për t’u kthyer në një pikë vlimi të rrjetit të ekspertëve online. Kësaj here e hëngri “Rrushe”!
Unë nuk e pashë pjesën e parë të serialit, por për kureshti, pas aq e aq pështjellimesh, nuk munda ta shmang hedhjen e një syri. Duke e gjykuar se arrij ta kuptoj tashmë të folmen e Prishtinës – e cila, në shumë nga reagimet megalomane të rrjetit, ngarkohej me përgjegjësinë e përfaqësimit të të gjithë fondit dialektor geg[2] – dola në përfundimin se, si përkthim shqip-shqip, titrimi i serialit linte goxha për të dëshiruar.
Them nga ana stilistike, pa i llogaritur pastaj gabimet sintaksore dhe drejtshkrimore që mund t’i haseshin. Dhe akoma më i dobët ishte argumenti, i përcjellë nga disa zëra të moderuar gati si të zënë në çark, se ata titra kishin të bënin me një auditor të kufizuar por edhe të mirëpërcaktuar: të atyre personave që nuk dëgjojnë, e kësisoj kanë nevojë që fjalën e folur ta përftojnë me shkrim.
S’e di! Mund të jetë kështu, paçka se më duket, në rastin më të mirë, një gjysmë e vërtetë.
Edhe të mos ketë qenë e qëllimtë, edhe sikur titrimi të mos jetë bërë enkas për të theksuar se dy zonat e mëdha dialektore (në të vërtetë, sipas akuzës, bëhet fjalë për një standard të rremë, ngase ka pas shpatullave policimin e dialektit tosk; si dhe një dialekt të shtypur por të gjallë gjithsesi, të cilit, akuzuesit nuk i marrin parasysh variacionet lokale dhe i shpallin një unitet gjithaq të shtirur dhe gati-gati klanor) – pra edhe sikur autorëve të “përkthimit” shqip-shqip të mos iu ketë shkuar fare ndërmend se po bënin pikërisht atë që bënë, ergo nxjerrjen në pah të një trungu gjuhësor që tashmë është zhvilluar, për arsye metagjuhësore, në të paktën dy degë të mëdha komunikuese, e se këto ndeshen shpeshherë në moskuptim mes njëra-tjetrës, ndaj kanë nevojë për t’u zbardhur (apo për t’u përkthyer, nëse duam) në mënyrë të ndërsjellët – prapë së prapi, edhe nëse gjithë ky arsyetim nuk do të qëndronte nën kësulë, do të ishte e nevojshme që të ishte bërë siç u bë. Të ishte vënë me titra. Dhe requiescat in pace cilitdo vegim kataklizmatik që, i fryrë nga lumenjtë e rrjeteve sociale, vërshon duke vënë kujën për shkatërrimin që i qaset uniteti të shqiptarisë nga një gjest i tillë përkthimor.
Në përshtypjen time, rreziku i unitetit kombëtar – nëse duhet ta konsiderojmë këtë të fundit, si qëmoti, në rrezik – nuk i vjen dhe aq prej sinqeritetit të pakuptimësisë (se është e vërtetë që nga Tirana e poshtë shumëkush nuk e kupton zhargonin e ngushtë të Prishtinës), por nga namuzi, a krenaria boshe; që bën sikur kupton, edhe kur s’kupton. Që fton të dëgjosh, por jo të bashkëbisedosh (kjo e fundit, nga ana e vet, nënkupton edhe modestinë e të shprehurit të një “nuk po të kuptoj; të dëgjoj por s’të kuptoj”) – sikundër munda të bëj unë me ish-studentët e mi, që titrat i improvizuam mes nesh. E askujt nuk i mbeti hatri, ngase asnjë prej nesh nuk e kishte ngarkuar veten pas me bajrakë kombëtarë, e as me të tillë dialektorë; mbi të gjitha, asnjë prej nesh nuk e mprihte gjuhën për ta përdorur si bajonetë ndaj tjetrit.
Në kinematografinë italiane të viteve fill pas Luftës II Botërore ngadhënjeu një rrymë artistike e cila u pagëzua me emërtimin Neorealizëm. Kush e njeh, e di mirë se një prej tipareve më të shqueshëm të asaj mënyre të të bërit filma ishte dhe përfshirja e aktorëve jo-profesionalë: zakonisht njerëz të rrugës, duke qenë se qëllimi parësor artistik i Neorealizmit ishte shfaqja e jetës ashtu siç ishte, kryesisht në sektorët proletarë apo ruralë të shoqërisë italiane të pasluftës, atje ku etika borgjeze dhe arsimimi ende nuk kishin depërtuar. Dhe atje ku nuk kishte gjetur ende vend italishtja standarde, por fliteshin dialektet, nëndialektet dhe jo më pak njëfarësoj mishmashi mes tyre (atje ku fshatari i jugut të Italisë shkonte të punonte si fakir i ndonjë hoteli në Romë dhe ndeshej me ndonjë emigrant nga ishujt e mëdhenj të Sardenjës ose Siçilisë; e tok së bashku, me dy të folme krejt të ndryshme, bënin si bënin dhe sajoheshin).
Siç diktonte një rregull i pashkruar, këta aktorë joprofesionistë duhet të luanin veçse një rol: vetveten. Ndaj, nuk iu jepeshin, nga ana e producentëve apo regjisorëve, tekste të ndërlikuara, të cilat do të donin orë, në mos ditë, për t’u mësuar përmendësh dhe që mund të rrezikonin t’ia fashisnin secilit prej këtyre aktorëve të vetvetes aura-n që e qarkonte: ata duhej të silleshin si në jetën e tyre të përditshme; të flisnin në gjuhën e tyre të përditshme. Dhe në të dy rastet, si sjellja ashtu dhe gjuha e tyre, ishte e dallueshme nga standardet e vendosura prej haute société-së.
Neorealizmi prodhoi shumë kryevepra, i mëkuar siç ishte, që atëbotë, me vëmendje ndërkombëtare. Një prej tyre ishte “Toka dridhet” (La terra trema, 1948, me regji të Luchino Visconti-t), ngjarjet e të cilit zhvillohen përreth një bashkësie peshkatarësh të Siçilisë. Filmi, i pamundur për të mos u shoqëruar me titra (mbi të gjitha për vetë shikuesit italianë) u bë i famshëm edhe për mënyrën therëse, veriste, me të cilën përcillte një realitet kaq të lokalizuar në hartën e gjeografive njerëzore. Mori njëkohësisht vlerën e një shembulli pionerist, në përmasat e një kryevepre, sesi një sipërmarrje kinematografike i qasej me vërtetësinë më të vështirë për t’u përcjellë – sepse ishte një vërtetësi lokale – një publiku kombëtar dhe mandej global. Prania e titrave nuk fyeu askënd, me atë kohë; madje as ata që tek Siçilia – dhe tek ngjyresat e veta dialektore – shihnin rrezikun e një uniteti kombëtar ende të brishtë për Italinë.
Më pak se një shekull më vonë, shembujt e sotëm, kinematografikë apo televizivë, të përcjelljeve realiste të veçantive lokale janë të shumta. Mjafton të mendojmë për të folurën e lumpenit që shfaqet tek Peaky Blinders; për zhargonin e ngushtë kamorrist në serialin Gomorra; për anglishten irlandeze te The Banshees of Ininsherin. Janë të gjitha prodhime artistike që i qasen nëpërmjet titrash publikut që bën pjesë në po të njëjtin trung gjuhësor; pale atij global pastaj, që mund të rastisë të jetë edhe anglofon apo italofon, sipas rastit.
Por nuk i sjell këto shembuj për të bërë ndonjë politikë të llojit “këto ndodhin edhe në botë, me këto bëjnë edhe filma”; i sjell sepse flasim për filma. Si puna e “Rrushës” që merr përsipër të flasë për një realitet, si ai i Prishtinës, duke e paraqitur ashtu siç është, me gjithë veçantitë e veta lokale, përfshirë të folmen (mbase të parrokshme nga ata të Tiranës, a më poshtë). E folme e cila pasqyron shumë më tepër veçantinë e vet, të njerëzve që e flasin, sesa të atyre që, për ndonjë arsye abstrakte dhe pa lidhje me qëllimet artistike të vetë filmit, duan ta shohin këtë të folme si redemptio politike ndaj një të folmeje tjetër. E si të tillë, të patitrueshme. E si të tillë, të fyeshme nëse do të titrohej. A ka më politike se kaq?
(c) 2023 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Për ata që më lexojnë, por nuk ndajnë të njëjtën përvojë breznore, lypet sqaruar se fëmijët e viteve 1990, sidomos në Tiranë, rriteshin shpesh në vatra familjare në të cilat frëngjishtja bartte vlerën e një gjuhe oborri (aulique), apo të një shtrese që donte të ishte apo të dukej intelektuale, por pa arritur kjo gjuhë që ta zëvendësonte rusishten, e cila më herët ishte zyrtarizuar si idiomë e elitave të diplomuara në universitetet e Shqipërisë hoxhaiste. Po i njëjti brez fëmijësh u pleks me italishten e televizioneve, e cila ka gjurmë ndikimi gati shekullore në një pjesë të mirë të vendit, duke marrë kësisoj trajtat e një “amerikanishteje” vernakulare për adoleshentët e parë të post-socializmit. Kur këta fëmijë u rritën, dinamikat ekonomike, sociale dhe kulturore, i shpunë drejt përqafimit përfundimtar të anglishtes, ndërkaq që italishtja po humbiste gjithmonë e më shpejt gjurmët ndër fëmijët e viteve 2000, për t’u zhdukur (por jo pa lënë fare gjurmë, siç frëngjishtja) tek brezat e njomë të viteve 2010.
[2] Interesante është se nuk shkaktoi shtrëngata dhe aq fakti i përkthimit të shqipes prishtinase në shqipen standarde, sesa ajo që shihej si përkthim i gegërishtes (në njëfarë mënyre të imagjinuar si të standardizuar, e të përfaqësuar kësisoj nga e folmja prishtinase) në shqipen standarde (në njëfarë mënyre të imagjinuar si zëvendëse in pectore e toskërishtes). Por edhe kjo e betejave epike mes dialekteve është një problematikë e vjetër, e cila tek “Rrushe” sa gjeti rastin për të vringëlluar shpatat e zakonshme.
Po u be puna qe shqiptaret t’i perkthejne njerit tjetrit nga gegnishtja ne toskerishte apo anasjelltas, e morri ferra uraten eshte kjo pune.
Kosovaret e kuptojne mire shqipen zyrtare ne komunikimin e zakonshem ( ashtu si geget ketej Morines), ndoshta problemi ka qene tek shqipja akademike, qe si e mbushur me huazime behet e papertypshme .
Kete serialin nuk e njoh, po titrat jane padyshim karshillek, packa se vete seriali ne te foluren e Prishtines eshte qartazi nje projekt hegjemonie kulturore ( do shtoja edhe kosovarist, cka e ben moralisht problematik, perndryshe eshte legjitime cdo perpjekje per hegjemoni mbarekombetare).
Ndofta vlen per reference : https://youtu.be/H1in-9qchJ8
Motivi i kritikës është politik, këtë EQ e identifikon saktë. Por ndryshe nga autori, që me këtë i vë pikën përmbyllëse debatit – duke e skualifikuar si politike kritikën për një temë artistike – unë këtë e shoh si pikënisje të diskutimit. Si starti i një debati me temë tjetër, shumë më të rëndësishme se sa titrat e një seriali nga provinca: raportet politike të grupimeve të mëdha brendashqiptare: gegë dhe toskë, shqiptarë Shqipërie dhe shqiptarë Kosove-Maqedonie, raporte që manifestohen kudo; në politikë, sidomos te partitë dhe zgjedhjet, në kulturë dhe art, në linguistikë etj. Reagimi cipëhollë për kritikën mbi titrat e një seriali me dialekt, më kujton reagimet po aq alergjike në rrjet për një shkrim të AV, dy vite më parë, për ngjyrosjen e hartës elektorale pas zgjedhjeve të përgjithshme. Jugu rozë, veriu blu. Edhe atëherë dëshira tendecioze për ta shmangur sa më parë debatin, për të mohuar madje edhe ekzistencën e problemit. “S’ka gjë për të parë aty, vazhdo më tutje”, është reagimi standard. Gënjejmë veten si struci, kur bëjmë sikur problemi nuk ekziston, në emër të një uniteti kombëtar që në realitet është shkalafitur i tëri. Çarjet janë aty, madje duke u zgjeruar – edhe si efekt i pluralizmit politik dhe i ndërhyrjeve nga jashtë, problem ky sidomos për demokracitë e vendeve të vogla – deri sa të kthehen në humnerë. (“Deri kur?” – pyet Lumnije Jusufi, që me shkrimin e vet i bie gozhdës në kokë).
Për një gjë të mos e gënjejmë (më) veten: Mospërfillja ka kosto!