Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë

GRUAJA NË VARGUN E BOGDANIT

nga Kaon Serjani

Botimi së fundmi i librit “Veshun me Diell, mbathun me Hanë – Antologji e poezisë moderne shqipe” nga Rudolf Marku ka nxitur një debat publik shumëdimensional, që nga çështje që kanë të bëjnë me përkthimin, deri te nëse antologjia përmban një përfaqësi gjeografike të barazpeshuar të poezisë moderne shqiptare.[1]

Mua më ngacmoi diskutimi që rrethon vargun “Veshun me Diell, mbathun me Hanë” të Pjetër Bogdanit, i cili është përdorur nga përpiluesi i antologjisë edhe si titull për të. Një diskutim i hapur nga shkrimtari Arb Elo në vitin 2017 dhe i rimarrë nga përkthyesi Sokol Çunga pak ditë më parë është nëse vargu mund të konsiderohet poezi e Bogdanit, apo ai ka vetëm meritën e përkthimit duke qenë se ai është një varg biblik, konkretisht Zbulesa 12:1?  (Shkrimin e Çungës mund ta lexoni këtu[2]). Kjo çoi në një pyetje tjetër të ngritur nga studiuesi Ardian Vehbiu: se sa e marrin parasysh shkrimtarët shqiptarë intertekstin biblik kur interpretojnë një vepër letrare. (Shkrimin e Ardian Vehbiut mund ta lexoni këtu[3] ).

Duke qenë se në vargun e Zbulesës të përkthyer nga Bogdani është fjala për një grua të “Veshun me Diell, mbathun me hanë”[4], objekti i këtij shkrimi do të jetë identiteti i saj, i cili është po ashtu pjesë e debatit. Nga njëra anë kam lexuar lavdërimin se ky varg është një portretizim i hijeshisë femërore nga Bogdani; nga ana tjetër kemi korrigjimin se ai nuk është krijim i Bogdanit për hijeshinë femërore, por i apostullit Gjon (ose Joan) dhe i referohet Shën Mërisë, apo Shën Marisë, nënës së Jezusit.

Qëllimi im në këtë shkrim është të ofroj një interpretim tjetër për identitetin e gruas në këtë varg, të cilin nuk e kam hasur në shkrimet e deritanishme. Në fakt, nga leximi im i vargut të Zbulesës 12:1 (dhe e them këtë me përgjegjesinë e një lexuesi që ka studiuar hermeneutikë biblike), nuk më rezulton të jetë një referencë as për femrën në përgjithësi, dhe as për Shën Mërinë në veçanti, por një simbol për komunitetin mesianik të shekullit të parë.

Përpara se të argumentoj propozimin tim, le të kujtojmë përmbledhtazi se si është zhvilluar dikutimi për këtë varg.

Shkrimtari Arb Elo, në një shkrim të tijin në vitin 2017 citon Ismail Kadarenë i cili, vargun “Me diell veshun, mbathun me hanë” e ka konsideruar si “një perlë” të Pjetër Bogdanit dhe “një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore.”[5]

Arb Elo gjithashtu citon Rudolf Markun nga një artikull i tij në gazetën Mapo, i cili kishte shkruar: “sa më tepër jam njohur me poezinë moderne të kohërave tona, aq më shumë kam jetuar dhe jetoj në atë gjendjen e mahnitjes e të admirimit për një varg poetik të Pjetër Bogdanit tonë, një varg poetik që ka vlerën e një Antologjie të tërë poetike: “veshur me diell e mbathur me hanë” (…)”[6]

Në shënimin e vet, Arb Eloja saktësonte me të drejtë që vargu është një citim nga Zbulesa 12:1 dhe, për rrjedhojë, nuk duhet të konsiderohet si krijim i Bogdanit për hijeshinë femërore. Duke vazhduar në të njëjtën linjë me Arb Elonë në shënimin e vet kritik për antologjinë e Markut, përkthyesi Sokol Çunga komentoi së fundmi edhe për identitetin e gruas.

Sipas Çungës:

“Është e qartë se për cilin person e ka fjalën kreu 12 i Zbulesës së Joanit, njëherazi dhe poezia e Bogdanit për Sibilën e Libisë. Për të mos lënë hapësirë për asnjë keqkuptim, po e përmbledh shkurt. Personi “me dielli veshun’, e mbathunë me hanë” është Virgjëresha Mari, ajo që lindi Jezu Krishtin.Tek Bogdani, vajza Mri meriton të lavdërohet prej sibilës, pasi Jezui, biri i saj, shëroi të verbrit, shurdhët, memecët dhe të çalët. Më pas judenjtë bënë fjalë të mos e linin Jezuin të qetë. Ndërsa sipas tekstit biblik, biri i Marisë është shpëtimtari i kombeve, kurse vetë Maria është ajo që, sipas Zbulesës, kreu 12, bëhet pengesë e lumit që del prej gojës së dragoit, lumë i cili synon të përpijë besimtarët. Kësisoj, Maria është edhe lindësja e Shpëtimtarit, edhe mbrojtësja e besimtarëve.”[7]

Pra siç vihet re, Çunga, ashtu si Arb Eloja, thotë se vargu i Bogdanit “me dielli veshun’, e mbathunë me hanë”, ndonëse gjendet në poezinë e këtij të fundit, nuk është një krijim poetik i Bogdanit për hijeshinë e femrës shqiptare të mesjetës, por një përkthim i vargut nga Zbulesa 12:1. Çunga ndërmerr edhe guximin të mbrojë idenë se gruaja për të cilën bën fjalë vargu i referohet Marisë, nënës së Jezusit. Në fakt, duket tepër i logjikshëm interpretimi i Çungës, sidomos kur merr parasysh kontekstin e vargut në poezinë e Bogdanit. Çunga na sjell si shtojcë në shkrimin e tij poezinë e Bogdanit kushtuar Sibilës së Libisë të përgatitur nga prof. Anila Omari dhe mund të citojmë këtu disa vargje.

Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë,
me yj kryetë rreth ngjeshunë kunorë
vajza Mri, e bukura ma fort se zanë,
djalinë Jezu kërthi mbaj ngrykè ndore.

Pra, konkluzioni i Çungës është në përputhje me mendimin që duket se ka pasur edhe vetë Bogdani, ku emri Mri nënkupton Shën Marinë.

Në mbështetje të vërejtjeve të Arb Elosë dhe Çungës, studiuesi Ardian Vehbiu e quajti leximin e Markut dhe Kadaresë “naïf”, sepse, siç shprehet ai, “të dy ata iu qasën vargut pa aparatin e duhur intertekstual.”[8] Vehbiu gjithashtu lë të kuptohet se intepretimi i gruas në vargun e Zbulesës dhe në përkthimin e Bogdanit si një referencë për Shën Marinë është korrigjimi i duhur që duhet bërë në këtë rast dhe se duhet vënë në dukje mosmarrja në konsideratë e intertekstit biblik tek antologjia e Markut.

Në fakt, unë mendoj se, megjithëse korrigjimi për t’ia atribuuar apostullit Gjon vargun dhe jo Bogdanit është me vend, një lexim më i kujdeshëm i kontekstit të librit të Zbulesës mund të çojë në një interpretim tjetër për identitetin e gruas. Para se të parashtroj mendimin tim, duhet thënë se vështirësia që paraqet interpretimi i librit të Zbulesës rritet edhe për shkak se kemi të bëjmë me një literaturë apokaliptike, në të cilën mbizotëron gjuha simbolike.

Për lehtësi krahasimi për lexuesin po sjell të plotë edhe vargun e Zbulesës 12:1 (përkthimi ndërkonfesional ‘Së bashku’), i cili thotë:  “Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje.”

Kur e krahason këtë përkthim me vargun e përkthyer nga Bogdani (duke besuar që na e kanë përcjellë saktë prof. Omari dhe Çunga) vihet re se në përkthimin e Bogdanit lihet jashtë fjala “dymbëdhjetë”. Bogdani shkruan “me yj kryetë rreth ngjeshunë kunorë” ndërsa vargu i përkthimit ‘Së bashku’ thotë “ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje.” Ky ndryshim, që mund të duket i rëndomtë, ka rëndësi në interpretim, siç do të kuptohet më poshtë.

Kur e lexon vargun në fjalë të Zbulesës 12 në kontekst, deri në vragun 5 të krijohet ideja se gruaja është një individ, por, po të vazhdosh leximin, na zbulohen detaje që e kundërshtojnë këtë ide. Për shembull, në vargu 14 ne lexojmë: “Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tre vjet e gjysmë larg gjarprit.”

Marrja e krahëve të shqiponjës nga gruaja për të fluturuar na e bën të vështirë të vazhdojmë ta mendojmë atë si Marinë, nënën e Jezusit. Gjuha simbolike e “tre vjet e gjysmë larg gjarprit” e shton edhe më shumë problemin nëse mbajmë këtë interpretim.

Duke vazhduar leximin, ne gjejmë në vargun 17 se “Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin.”

Kur përballemi me këtë varg, nëse gruaja do ishte Maria, do të duhet të pranojmë se ajo kishte pasardhës të tjerë, të cilët i lindi para, ose pas lindjes së Jezusit. Prandaj më duket e habitshme që Bogdani të këtë pranuar personin historik të Marisë si interpretim për gruan duke qenë se, si katolik, ai nuk do ta kapërdinte dot idenë që Maria të ketë lindur fëmijë të tjerë përveç Krishtit, një doktrinë kjo që nuk pranohet nga katolicizmi as sot.[9]

Pavarësisht nëse Bogdani e ka nxjerrë vetë këtë konkluzion për identitetin e gruas, apo po ndiqte interpretime teologjike të kohës së vet, së paku mund të themi që ai interpretim i tij nuk është konsistent me kontekstin e pasazhit nga Zbulesa.

Megjithatë, shprehjen “pasardhësit e tjerë të saj”, vetë vargu e shpjegon si “ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin”. Pra, duket se kjo grua lind besimtarë ose ndjekës të Jezusit. Përsëri, si e tillë, ajo nuk ka si të jetë Shën Maria.

Për më tepër, po të kalojmë përtej vëzhgimeve kontekstuale në përpjekjen tonë interpretative, duhet të themi se është e vështirë për një lexues të kujdesshëm, që njeh historinë e Jozefit te Zanafilla, të mos bëjë lidhjen mes simboleve të këtushme me ëndrrën e Jozefit.

Në historinë e Jozefit në kapitullin 37 të Zanafillës, vargjet 9-11, ne lexojmë: “Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: ‘Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim’. Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: ‘Ç’është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!’. Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë.”

Benjamin West, American, 1738–1820 The Woman Clothed with the Sun Fleeth from the Persecution of the Dragon, Princeton University Art Museum

Është e qartë se në ëndrrën e Jozefit kemi Diellin, Hënën dhe njëmbëdhjetë yje, të cilët respektivisht na thuhet se simbolizojnë babain e Jozefit, nënën dhe vëllezërit e tij. Këta objekte qiellorë ne i shohim të përshkruar edhe te Zbulesa 12:1. Nëse do të kishim dyshime se ç’mund të përfaqësojnë Dielli dhe Hëna te vargu i Zbulesës, nuk mund të mos mendojmë se dymbëdhjetë yjet aty simblozojnë dymbëdhjetë fiset e Izraelit që rrjedhin nga dymbëdhjetë fëmijët e Jakobit (i cili u quajt edhe Izrael).

Kur merr parasysh këto vëzhgime, ku do të na çonte ky interpretim? Kë përfaqëson gruaja, nëse ajo nuk është një referencë për gruan në përgjithësi dhe as për Shën Marinë në veçanti? Le të konsiderojmëdy studiues bashkëkohorë të Dhiatës së Re përpara se të dalim në një përfundim.

Njëri prej tyre, Kreig Blomberg (Craig Blomberg), në librin e tij “Nga Pentakosti në Patmos(From Pentecost to Patmos [Apollos: 2014]) vë në dukje se “Kjo grua është në dhimbjet e lindjes (v. 2); dhimbjet e lindjes rregullisht ishin referencë për ‘mjerimet mesianike’ apo mundimin që hebrenjtë besonin se do të paraprinte ardhjen e Mesias. 14 Kur gruaja lind (v. 5), ajo sjell në jetë një djalë i cili thuhet se përmbush profeci të lidhura me Mesian (v. 5a; krh. Ps. 2:9). Kjo do të na bënte të mendonim se gruaja duhet të jetë Maria ose ndoshta kombi i Izraelit si i tërë.[10]

Megjithatë, Blomberg nuk e mbështet këtë interpretim sepse, sipas tij, “në vargun 17, dragoi bën luftë kundër gruas dhe pasardhjes së saj, në një kontekst që i referohet përndjekjes së besimtarëve. Pra gruaja ndoshta përfaqëson të gjithë ‘komunitetin mesianik’”.[11]

Blomberg nuk është i vetmi që del në këtë përfundim. Një studiues tjetër, Majkëll Gorman (Michael J. Gorman), në librin e tij “Të lexosh zbulesën në mënyrë të përgjegjshme” (Reading Revelation Responsibly [Cascade Books: 2011]) bie dakord me këndvështrimin e Blombergut.

Gormani shkruan: “Ky vizion sugjeron që gruaja nuk është kryesisht një individ (si Maria, nëna e Jezusit) por një simbol i gjithë popullit të Perëndisë, nga i cili vjen së pari Mesia dhe pastaj fëmijë të tjerë. Si populli i Perëndisë ata kanë të përbashkët që janë shënjestra në sulmin kozmik të Satanit. Të krishterët e përndjekur, por besnikë të kohës së Gjonit janë pjesë e një trupi më të madh dëshmitarësh besnikë që përbëjnë popullin e Perëndisë përgjatë gjithë kohërave.”[12]

Nuk është aspak e pazakontë që një komunitet besimi në Bibël të identifikohet si grua. Në Dhiatën e Vjetër, Izraeli, si një komunitet besimi apo si populli i Zotit, është përshkruar disa herë si një grua. Le të kujtojmë këtu rastin e Gomeres, bashkëshortes së Oseas (shih librin e Oseas kapitujt 2 dhe 3), e cila ishte grua jobesnike dhe ilustronte Izraelin në raport me Zotin, si dikush që ka shkelur besnikërinë. E njëjta gjuhë vihet re edhe tek Ezekieli 16 dhe 23, ku Izraeli si një komunitet besimi përshkruhet si një grua e përdalë, ku sërish nënkuptohet mosbesnikëria e kombit ndaj Zotit për shkak se po adhuronte zota të rremë.

Nisur nga më sipër, më duket e arsyeshme të konkludoj se në vargun e përkthyer nga Bogdani, gruaja në fjalë, në kontekstin e vet biblik të librit të Zbulesës, jo vetëm që nuk është portretizim për femrën në përgjithësi (siç me të drejtë kanë vënë në dukje Arb Eloja, Çunga dhe Vehbiu), por siç del në pah, as nuk i referohet një gruaje individuale siç është Shën Maria. Konteksti i Zbulesës, i Biblës në tërësi, por edhe i mbështetur nga studiues biblikë, tregon se fjala grua është përdorur nga apostulli Gjon si një simbol për komunitetin e besimit (në këtë rast komunitetin mesianik) prej të cilit fillimisht ‘u lind’ Jezusi e më pas ‘u lindën’ ndjekësit e tij, besimtarët e krishterë.

Përtej interpretimit të saktë të tekstit biblik, çfarë domethënie ka kjo në debatin e nisur me botimin e antologjisë nga poeti Rudolf Marku? Dy përfundime mund të ishin me vlerë të bëheshin.

Nga njëra anë e gjykoj të drejtë të pranojmë se boshllëku që ka lënë moslëvrimi i studimeve teologjike gjatë komunizmit ateist mbetet ende një hendek i madh për t’u kapërcyer nga studiuesit e sotëm shqiptarë. Dhe së paku kjo do të thoshte që për të përligjur një kritikë të mirë letrare kur kemi të bëjmë me vepra që kanë bazë biblike, nevojitet një hulumtim shumë më angazhues dhe duhet t’i rezitohet tundimit për të dalë në përfundime të shpejta.

Nga ana tjetër, ky debat tregon njëkohësisht se asnjë disiplinë kërkimore nuk është e izoluar apo mund të funksionojë tërësisht më vete. Në këtë rast, përgatitjet për botim apo kritikat letrare tregojnë nevojën e një studiuesi për t’iu referuar apo për t’u konsultuar me ata që lëvrojnë në fusha kërkimore që janë jashtë kompetencës së vet.

© 2023 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Shkrimtari nga Kosova, Ag Apolloni, i indinjuar për mospërfshirjen e poetëvë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në antologji, shkroi në profilin e tij në Facebook: “kjo s’është as antologji, as e poezisë shqipe dhe as moderne. Kjo është marre!”).

[2]https://peizazhe.com/2023/04/03/poezia-shqipe-vajza-mri-e-kohes-sone/?fbclid=IwAR2s1AIr19yxQ23Fbq9wOBwFY7x1EEsNIasSXpRJ5IyrCfI8Xu2Cow7xAjU

[3] https://peizazhe.com/2023/04/05/lexime-naive-hiperlexime/?fbclid=IwAR2tPaSIuhLfIFffQpH98N_zQKGHJx42047zbDuFiqZP9gS0AfhKCwNXimA

[4](Përkthimi Së bashku thotë “një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj” Zbulesa 12:1)

[5] https://peizazhe.com/2017/05/07/veshur-me-diell-mbathur-me-hane/

[6] https://peizazhe.com/2017/05/07/veshur-me-diell-mbathur-me-hane/

[7] https://peizazhe.com/2023/04/03/poezia-shqipe-vajza-mri-e-kohes-sone/?fbclid=IwAR2s1AIr19yxQ23Fbq9wOBwFY7x1EEsNIasSXpRJ5IyrCfI8Xu2Cow7xAjU

[8] https://peizazhe.com/2023/04/05/lexime-naive-hiperlexime/?fbclid=IwAR2tPaSIuhLfIFffQpH98N_zQKGHJx42047zbDuFiqZP9gS0AfhKCwNXimA

[9] Portali www.catholicstraightanswers.com thotë “Virgjëria e Marisë para ngjizjes së Krishtit është mjaft e qartë nga Ungjijtë e Shën Mateut dhe Shën Lukës ku ajo identifikohet qartësisht si “virgjëreshë” (krh. Luka 1:26-27, Mateu 1:18). https://catholicstraightanswers.com/what-do-we-mean-when-we-say-mary-was-ever-virgin/

[10] Craig Blomberg, From Pentecost to Patmos: Acts to Revelation (Nottingham: Apollos, 2014), 538.

[11]Blomberg, From Pentecost to Patmos, 538.

[12] Michael J. Gorman, Reading Revelation Responsibly: Uncivil Worship and Witness: Following the Lamb into the New Creation (Eugene: Cascade Books, 2011), 131.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin