Lojërat e tavolinës gjithnjë i kam pasur qejf, por tavllës nuk di pse i pata qëndruar larg për shumë kohë – derisa e mësova, por vonë, gjatë stërvitjes ushtarake tremujore (zborit), pasi kisha mbaruar universitetin.
Atje kishim kohë boll për eksplorime të tilla – mbaj mend që ma pat mësuar Dor Kekoja, që ishte ekspert jo vetëm i lojës, por edhe i të luajturit: sjelljes me gurët, me zaret dhe me tjetrin, muhabetin shoqërues dhe gatishmërisë për t’u përballur me këdo.
Kur ulej të luante, i kalonte e folura në një tironse të periudhës së Sulejman Pashë Bargjinit – plot arkaizma, kantilena dhe yshtje misterioze. Gurët i trajtonte me dashuri të madhe, si të ishte ai mësuesi dhe ata nxënësit e vegjël – por zareve sikur u druhej, sepse tek e fundit ato mund të ta jepnin edhe fitoren edhe humbjen.
Luante më mirë se ne të tjerët dhe këtë avantazh e pranonte me filozofi. Nëse admironte gjë, kjo ishte zari i mirë që i vinte dikujt, sikur ky e thërriste. Çmonte lart virtytin e fatit.
Kemi kaluar shumë pasdite me Dorin, duke luajtur tavëll në tre versionet e saj: portat, burgun dhe qylin. Në fillim në zbor, pastaj gjatë verës, në oborrin tonë.
Një shoku im inxhinier, por që i vinte ndoresh, Gj.S., pati prodhuar enkas për ne një palë zare prej bakeliti – zaret nuk gjendeshin lehtë aso kohe. Nuk ishin perfekte, por të paktën anomalitë statistikore i preknin të gjithë lojtarët njëlloj – e mbaj madje mend se e dinim cilët numra dilnin më rrallë.
Nga Dor Kekoja kam dëgjuar edhe terminologjinë aq specifike, të numrave të zareve, të cilën po dua ta risjell në këtë shkrim, me aq sa mundem.
Për fillestarët, le të them që në krye se lëvizjet e gurëve, në fushën e tavllës, bëhen sipas zareve –lojtari që ka radhën i hedh zaret, dhe në bazë të rezultatit, të themi 5+2, bën edhe lëvizjen në fushë.
Tani, kombinimet e numrave në zaret kishin të gjitha emra, që ne i kujtonim turqisht, por që janë në fakt një kombinim i turqishtes me persishten (këtë tabelë e kam verifikuar me referenca online, si kjo; nuk kam bërë dallim mes permutacioneve: 1+4 dhe 4+1, sepse terminologjia në fakt dallimin nuk e bën dhe vetë dallimi është irrelevant për mënyrën si do të luhet guri):
1+1 – hep-jek
2+1 – iki-bir
3+1 – se-jek
4+1 – xhihari-jek
5+1 – penxhi-jek
6+1 – shesh(i)-jek
2+2 – du-bará
3+2– sebai-i-dy (këtë nuk e mbaj mend ta kem dëgjuar ndonjëherë, prandaj po e sjell me shumë rezervë)
4+2 – xhihari-dy
5+2 – penxhi-dy
6+2 – shesh(i)-dy
3+3 – dy-se
4+3 – xhihari-se
5+3 – penxhi-se
6+3 – shesh(i)-se
4+4 – dort-xhihar
5+4 – penxh-xhihar
6+4 – shesh-xhihar
5+5 – dy-besh
6+5 – shesh-besh
6+6 – dy-shesh
Këto emërtime, që janë të gjitha dy-pjesëshe, përmbajnë disa numërorë të turqishtes: BIR (një), IKI (dy), DORT (katër), BESH (pesë); por shumica e tyre vijnë nga fjalë të persishtes – p.sh. SHESH është persishte për “gjashtë”, dhe përdoret rregullisht; po ashtu, PENXH(I) është persishte për “pesë”, dhe përdoret paralelisht me BESH (turqisht). Kombinimi 4+4 del si DORT-XHIHAR, katër (turqisht) – katër (persisht), diçka si “katër katra”, çfarë i referohet mënyrës si luhet ky lloj zari (dhe në përgjithësi dopiot). Ajo DY, në DY SHESH, DY BESH, DY SE etj., është gjithashtu nga persishtja, me kuptimin “dy, dopio”. Natyrisht, numërorët e persishtes kanë hyrë në shqipe nëpërmjet turqishtes osmane. Te HEP-JEK, për 1+1, gjymtyra e parë vjen nga turqishtja (HEP me kuptimin “gjithë”, sipas Dizdarit), ndërsa JEK është persishte për “një”. Turqishtja për “një”, BIR, del te IKI-BIR, 2+1, që më ka rezultuar e preferuar ndaj DY-JEK.
Shqiptimi i fjalëve dhe gjymtyrëve gjithnjë luhatet: p.sh. DY/DU, etj., siç mund të pritet, për fjalë që lojtarët nuk i njihnin ndryshe.
Nuk e përjashtoj që gjetiu mes lojtarëve shqip të tavllës të jenë përdorur ose të përdoren ende terma të tjerë, ose kombinime të tjera. Gjithsesi këto emërtime nuk janë unike të shqipes, pse i gjen kudo në Mesdhe dhe gjetiu në zonën e influencës osmane, përfshi vendet arabe.
Linguisti gjen këtu të paktën dy gjëra me interes: së pari, përdorimin e një terminologjie speciale për numërorët – që janë fjalë elementare në çdo gjuhë; së dyti, natyrën e përzier të kësaj terminologjie. Për këtë të dytën, nuk them dot shumë, sepse shumë lojtarë tavlle dhe përdorues të termave në shqipe nuk e kanë idenë se nga ç’gjuhë vijnë këto pikërisht, ose të paktën nuk diferencojnë dot mes turqishtes dhe persishtes – por vetëm dinë që janë “fjalë tavlle”.
Por të gjithë ne e gjenim të natyrshme që ta quanim, bie fjala, pesën edhe PENXH edhe BESH; dallimet mes këtyre dy fjalëve ishin vetëm kontekstuale: ku përdorej njëra, nuk përdorej dot tjetra. Në këtë mënyrë, edhe kombinimet e dy numrave (p.sh. 1+4) do të quheshin dhe do të trajtoheshin si njësi unike, edhe pse përbërësit mbeteshin gjithnjë të tejdukshëm dhe funksionalë. Sipas rregullave të lojës, kjo 1+4 mund të luhej si 1 + 4, 4 + 1 dhe 5 (me kusht që lëvizja e të njëjtit gur 4 + 1 të ishte materialisht e mundshme në fushë); por jo 2 + 3. Emrat individualë të çifteve të numrave ndërmjetësonin edhe një lloj mistifikimi të tyre – dhe mbase ndihmonin lojtarët supersticiozë për t’i thirrur (për t’i ftuar) kur u duheshin.
Sa për përdorimin specifik të termave, ose që lojtari preferon të thotë (H)EP-JEK, në vend të dopio-njëshit shqip (si në domino, ku termat shqip janë standard), mbase zotërimi i kësaj terminologjie kaq ezoterike e dallonte lojtarin serioz të tavllës, nga një amator çfarëdo. Tek e fundit, përpjekjen për t’i mësuar këto shprehje nuk e ndan dot nga përkushtimi ndaj lojës vetë. Për t’u vënë re edhe arbitrariteti: dopioja thirret edhe (H)EP-JEK (1+1), edhe DU-BARA (2+2) edhe DY-SE (3+3), edhe DORT-XHIHAR (4+4), një paradigmë kaotike, nga nuk mund të nxirret ndonjë rregull për të qenë (rregulla nis të përvijohet në dy të fundit: DY-BESH dhe DY-SHESH); dhe kjo ngaqë në origjinë këto kanë pasur shprehje të larmishme të gjuhës së folur. Të vërehet se ajo DY shërben si gjymtyrë e parë kur shënjon dopion: 3+3 – DY-SE, por vihet gjithnjë mbrapa kur shënon rezultatin e një zari vetëm: 2+5 PENXHI-DY (asnjëherë DY-PENXHI).
Dori, siç e mbaj mend, ishte shumë i saktë; dhe zakonisht i lexonte zaret me emër, para se të bënte lëvizjen – kjo edhe për të shmangur ndonjë keqlexim ose kontestim. Këtë zakon do ta ketë mësuar nga mjeshtrit që ia patën mësuar edhe lojën. Ashtu u mësova edhe unë me forcën e një DORT XHIHARI, që as mund të krahasohet me dopio-katrën; sepse DORT XHIHARI ia shkund kutisë së tavllës menteshat, dhe jo vetëm.
Si edhe në lojëra të tjera tryeze, zhargoni – këtë herë i ekzagjeruar me emrat e kombinimeve të zareve – shërben dyfish: për të krijuar dhe riprodhuar komunitetin e lojtarëve seriozë të tavllës; por edhe për ta mbrojtur këtë komunitet nga kalimtarët dhe të ngeshmit, duke i trembur. Kushdo që tërhiqet për një çast nga rrotullimi i zareve do të ketë kohë të kthejë mendje, kur të dëgjojë kodin numëror në përdorim.
Për t’u shënuar edhe kjo: emërtimi me zë i zareve (naming the dice), fill pasi janë hedhur, i bën këto pjesë të lojës, duke u dhënë agjenci. Prandaj edhe terma të tillë nuk janë thjesht nomenklaturë, por kanë edhe forcë ilokutive, sa herë që e kanë të përcaktuar kontekstin e përdorimit: fill pas hedhjes së zareve, por para ekzekutimit të lëvizjes. Nëpërmjet tyre, realizohet kalimi nga randomësia e zarit te realiteti i lojës individuale.
(c) 2023 Shqipologji™ dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.