Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Gjuhësi

RRETH “SHQIPES” SË HOMERIT

Këto ditë, për shkak mbase edhe të një përvjetori të përkthyesit të Homerit në shqipe Gjon Shllakut, u rikthye vëmendja te gjuha e poemave “Iliada” dhe “Odiseja” dhe marrëdhëniet e supozuara të shqipes me greqishten homerike – dhe u përcoll sërish një kinse deklaratë e Shllakut se “Iliada e Homerit është shkruar në gegnishte” dhe se “e përktheva Iliadën nga shqipja në shqip.” Nëse ka ndonjë të mirë kjo marrëzi për mendje të thjeshtuara, është se me atë rast u rilexuan edhe ca gjëra që Shllaku i ka thënë vërtet (në një intervistë dhënë Shpëtim Kelmendit), lidhur me shqipen e tij në përballje me greqishten e vjetër të Homerit, dhe pikërisht:

Gjuha shqipe asht aq e fortë me përkthye letërsinë antike e moderne, sa mund të çuditeshit. Duhet ta dini dhe të jeni të bindun, se fjalët e para me të cilat fillon Iliada, janë shqip (reciton në greqishten e vjetër vargjet e para; “Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…”). Në origjinal asht: “menos” = mëni, mëri. Gjithashtu, kemi fjalët “thymos” = thumbos, nguc, zemëroj. Tashti, le të marrim fillimin e veprës “Odiseu” (reciton sërish në greqishten e vjetër: “Më dëfto muzë, njeriun me jetë të rrahun…”). “Andra” asht kallëzorja e “anir” = anir, njeri. Vetëm te Iliada kam gjetë 170 fjalë shqipe. Kemi, për shembull, fjalën “Kronos” = krua, kroi, kroni. Kemi fjalën “daju” = daj, ndaj, me nda.

Ç’të jenë këto fjalë shqipe që Shllaku thotë se i ka gjetur tek “Iliada”? Nuk e kam parë listën me 170 të tilla, që ai përmend, por edhe nga pak shembujt që sillen në intervistë, mund të thuhet se ai, në rastin më të mirë, ka rënë viktimë e një rrejshmërie. Dhe këtu nuk e kam fjalën për mëni/mëri që më shumë ka gjasë të vijë nga latinishtja mania (që ka dhënë mânie në rumanishte), por për fjalë të tjera si andra, kronos, kronos, daju, të cilat shqipja mund t’i ketë të përbashkëta me greqishten e vjetër, ngaqë të dyja gjuhët janë indoeuropiane.

Listat me fjalë “shqipe” te Homeri qarkullojnë prej kohësh; një pjesë e këtyre fjalëve i kanë futur aty gabimisht, sepse kanë etimologji të tjera dhe ngjashmëritë me fjalët e Homerit i kanë të rastit. Por më interes për gjuhëtarin kanë ato fjalë, ngjashmëria e të cilave i ka rrënjët në lashtësi. Për shembull, shqipja (i) lig, i ngjan greqishtes së vjetër ὀλίγος, por kjo nuk dëshmon për ndonjë marrëdhënie huazimi. Përkundrazi, ngjashmëria provon një përkim leksikor mes dy gjuhëve (konkordancë), për shkak të prejardhjes së tyre të përbashkët, si gjuhë indoeuropiane.

Gjuhët e familjes indoeuropiane janë të gjitha të lidhura mes tyre, në marrëdhënie farefisnie – meqë me përkufizim rrjedhin nga një gjuhë e përbashkët, hipotetike, e njohur si proto-indoeuropianishtja, e cila mendohet se filloi të “ndahej” në gjuhë të ndryshme dikur rreth vitit 3400 para Krishtit (janë pikërisht ato marrëdhënie që i bëjnë pjesëtare të familjes). Folësit e këtyre gjuhëve u shpërndanë pastaj dhe shtegtuan anembanë Europës dhe Azisë. Sa kohë që jetonin bashkë, folësit e proto-indoeuropianishtes përdornin dialekte të afërta të së njëjtës gjuhë; por si u shpërndanë nëpër botë, diferencat e vogla erdhën duke u thelluar, derisa u krijuan gjuhë të ndryshme ndonjëherë shumë të larguara nga njëra-tjetra.

Meqë dëshmi të shkruara të kësaj proto-indoeuropianishteje të përbashkët nuk ka, gjuhëtarët janë përpjekur t’i rikrijojnë format e përbashkëta – si tinguj a fonema, mbaresa gramatikore dhe fjalë – duke krahasuar fjalët e gjuhëve që kanë mbijetuar. Ashtu, shqipja (i) lig dhe greqishtja e vjetër ὀλίγος, bashkë me ndonjë fjalë të ngjashme nga lituanishtja dhe irlandishtja e vjetër, i kanë lejuar gjuhëtarët të ndërtojnë fjalën hipotetike (abstrakte, algjebrike) h₃ligos, me kuptimin “i sëmurë” (simboli h₃ tregon një fonemë të njohur si laringale, të cilën e identifikojmë vetëm falë efekteve që ka lënë në fonemat fqinje).

Edhe shqipja e sotme njeri mendohet se rrjedh nga një rrënjë proto-indoeuropiane h₂nḗr, e cila ka dhënë gjithashtu greqishten e vjetër ἀνήρ dhe me shumë gjasë mesapishten ner “njeri”; ndërsa shqipja ëndërr mund të lidhet me greqishten e vjetër ὄναρ (ónar), ὄνειρος (óneiros), me të njëjtin kuptim; dhe shqipja dru, si e rrjedhur nga një proto-indoeuropianishte druh₂-ó-m, është e krahasueshme me greqishten e vjetër δρῦς; një ekuacion ku merr pjesë edhe anglishtja e vjetër tree.

Fjalë të tilla gjuhët indoeuropiane i kanë trashëguar nga origjina e tyre e përbashkët; prandaj është pak foshnjore të mendosh se greqishtja e vjetër – qoftë kjo edhe homerike – ka huazuar nga shqipja fjalë si i lig, njeri, ëndërr, dru e plot të tjera, që i gjen nëpër listat e të zellshmve.

Veç kësaj, greqishten e Homerit e ndajnë mijëra vjet nga shqipja e sotme – gjatë të cilave shqipja ka evoluar aq fort, sa të jetë distancuar shumë nga forma që ka pasur në kohën kur krijoheshin “Iliada” dhe “Odiseja”. Nëse do të dëgjonim sot të fliste ndonjë stërgjysh tonin nga ajo kohë, nuk do të kuptonim asgjë. Për shkak të këtyre ndryshimeve të thella, jo-specialisti e ka të pamundur të dallojë disa përkime të tjera leksikore mes shqipes dhe greqishtes së vjetër, të cilat janë po aq të rëndësishme, për të konfirmuar përkatësinë indoeuropiane të shqipes (dhe të greqishtes). Për shembull, shqipja e sotme gjumë vjen nga një proto-indoeuropianishte *súpnos, prej së cilës vjen edhe ὕπνος (hypnos) e greqishtes së vjetër, paçka se gjumë dhe hypnos kështu në dukje nuk kanë gjë të përbashkët veç dy rrokjeve. E megjithatë, marrëdhëniet mes këtyre fjalëve janë të tejdukshme për gjuhëtarin: çfarë edhe shpjegon pse këto lloj shkoqitjesh i duhen besuar dikujt që ka ekspertizën e duhur. E njëjta rrënjë indoeuropiane qëndron në origjinë edhe të latinishtes somnus. Po ashtu, shqipja dimën/dimër mendohet se rrjedh nga një rrënjë proto-indoeuropiane *ǵʰéy-mō < *ǵʰey-, me të njëjtin kuptim, e cila ka dhënë mes të tjera greqishten e vjetër χειμών (kheimṓn); çfarë do të thotë se dimër dhe χειμών janë përkime leksikore dhe dëshmojnë që si shqipja ashtu edhe greqishtja (e vjetër) janë gjuhë indoeuropiane.

Kur gjendesh përballë një gjuhe tjetër, tundimi për të identifikuar ngjashmëri dhe përkime është i vetvetishëm. Një ditë na qëlloi të përmendnim në bisedë foljen anglishte to rip, dhe na shkoi mendja – si me shaka – te një afri e saj me shqipen rrjep; fjalorët e nxjerrin këtë shqipe nga proto-indoeuropianishtja h₁rep- dhe e krahasojnë me anglishten to reap, pa lidhje etimologjike me to rip. Çabej, te SE6, e krahason rrjep me greqishten e vjetër ἐρέπτομαι “nduk, shkul”, latinishten rapio “rrëmbej, rrok, grabit”, etj.; në këtë hulli edhe Topalli. Me sa duket, hamendja jonë për rrjep <-> rrip nuk qëndronte; por duke qëmtuar në fjalorët, zbuluam diçka që nuk e dinim (lidhjen e rrjep me reap), dhe më tej akoma, një përkim të supozuar të shqipes rrip/rryp me anglishten rope “litar”, paçka se edhe Çabej edhe Topalli këtë rrip e nxjerrin si formim të brendshëm të shqipes (postverbal) nga rrjep. E vetmja gjë që nuk bëmë – sepse Zoti na i ka ruajtur mendtë e kresë – ishte që të dyshonim se anglishtja (e vjetër) i ka marrë të gjitha këto nga shqipja.

Ngjashmëritë mes fjalëve të gjuhëve të ndryshme mund të jenë të rastit, si kjo jona mes shqipes rrjep dhe anglishtes (to) rip; mund t’i detyrohen një huazimi, ose kur një gjuhë e ka marrë fjalën nga një gjuhë tjetër, p.sh. shqipja lepur nga latinishtja leporem “lepur”; mund t’i detyrohen ndërmjetësimit të një gjuhe të tretë, si në rastin kur italishtja lepre i ngjan shqipes lepur sepse kjo e fundit e ka marrë këtë nga latinishtja leporem, e cila është forma e hershme e fjalës italishte; rasti më intrigues për historianin e gjuhës, është kur ngjashmëritë tregojnë prejardhje të përbashkët, si ajo e fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve të tjera indoeuropiane, për shkak se të gjitha këto gjuhë janë pasardhëse të indoeuropianishtes.

Sa për marrëdhëniet e shqipes së sotme me greqishten e vjetër, gjuhëtarit i duhet të mbajë parasysh distancën e madhe kohore mes këtyre të dyjave – dhe se krahasimi mes dy njësive (fjalëve) që u përkasin epokave të ndryshme është metodologjikisht i papërligjur. Ata që kuturisen të gjejnë gjurmë të shqipes në gjuhë të lashta si greqishtja homerike, ose edhe sanskritishtja, hetitishtja, etruskishtja dhe egjiptianishtja e lashtë, shpesh harrojnë ta marrin në konsideratë këtë kriter elementar – sepse janë amatorë dhe ambicien e kanë më të madhe se mundësitë dhe kapacitetin e dijes dhe zotësive që kanë akumuluar.

Shqipja e sotme i ka ende disa fjalë që mund të identifikohen si huazime të mirëfillta nga greqishtja e vjetër (të tilla si mokër, djepër, lakër, etj.); sikurse ka një numër të madh fjalësh të fondit të trashëguar, të cilat përkojnë me fjalë të greqishtes së vjetër, si fjalë indoeuropiane. Për shkak të vjetërsisë së madhe, ndonjëherë është e pamundur të dallohet një huazim nga greqishtja e vjetër prej një fjale të trashëguar, si në rastin e shqipes gjuhë, të cilën disa gjuhëtarë vetëm sa e krahasojnë me greqishten γλῶσσᾰ, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si huazim të lashtë nga kjo e fundit (ka edhe të tretë që i japin shqipes një etimologji tjetër). Gjithsesi, krahasimet e shqipes me greqishten e vjetër i vështirëson shumë distanca kohore; çfarë nuk i shqetëson fare gjahtarët e fjalëve shqipe te Homeri, por këta në përgjithësi nuk duket t’i shqetësojë gjë.

Përshtypja ime është se këta që rrëmojnë sot në gjuhët e lashta, ndonjëherë edhe të pasqaruara, si greqishtja e vjetër, etruskishtja, egjiptianishtja e vjetër, etj., nuk e bëjnë sepse dëshirojnë të japin ndonjë kontribut historinë e atyre gjuhëve (dhe aq më pak të shqipes), por sepse gjykojnë që ashtu do t’ia rritin prestigjin shqipes dhe kombit shqiptar. Zelli i tyre buron jo vetëm nga padija, edhe nga ankthi që u shkakton zbrazëtia dokumentare e historisë së shqipes, në krahasim me – të themi – një gjuhë që shkruhet prej mijëra vjetësh, si greqishtja. Këtë ankth e provojmë të gjithë, por edhe duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk e luftojmë dot me metoda halucinatore. Përndryshe, pasionin kombëtarist nuk do ta pengojmë dot të shndërrohet në delir, siç edhe ka ndodhur.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Fragmenti më i vjetër i “Odisesë” në greqishte (nga shekulli i 3-të para Krishtit), në një pllakëz argjili.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin