Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

QIQRA NE HELL

Prejardhja e diskutueshme e shqipes kikirik.

Një mik i palodhur për punë historish kulturore të fjalëve (G.Ç.), më kujtoi se shqipja kikirik vjen nga italishtja chicchi ricchi, “kokrra të pasura” – etimologji ndoshta e saktë, por që ka nevojë për kontekst që ta përligjë.

Veç shqipes, këtë kikirik e kanë edhe serbo-kroatishtja, maqedonishtja e ndonjë gjuhë tjetër sllave në Ballkan. Sipas Kolec Topallit, që u referohet burimeve përkatëse (Gazulli, Ndreca), këto gjuhë sllave mund të kenë ndërmjetësuar, për hyrjen e fjalës në shqipe – edhe pse baza, sipas tij, mbetet italishtja chicchi ricchi.

Kikirik, ka hyrë në shqipe si fjalë kulture ose tregu – emër i një produkti ushqimor të gatshëm; përndryshe, shqiptari nuk e ka njohur dhe aq më pak kultivuar bimën e kikirikut, arachis hypogaea, me origjinë nga përtej Oqeanit.

Historianët e ushqimit thonë se kikiriku, si kulturë bujqësore, e ka prejardhjen nga Peruja ose Argjentina e Veriut. Spanjollët e gjetën atje, ia kuptuan vlerën ekonomike dhe e sollën në Afrikën Perëndimore, ku filloi të kultivohej gjerësisht dhe të përdorej si ushqim i lirë, veçanërisht për të ushqyer robërit që do të shiteshin më pas si skllevër. Ishin skllevërit zezakë që do ta sillnin me vete kikirikun në nga Afrika në Amerikën e Veriut; ku bima njëlloj do të adoptohej në masë të gjerë nga fermerët atje – ngaqë siguronte ushqim me çmim të lirë, dhe ngaqë ishte e dobishme për t’u alternuar me pambukun në arë dhe për të pasuruar dheun (si leguminoze).

Nga Amerika e Veriut kikiriku arriti në Europë, më parë në Britaninë e Madhe dhe pastaj në Francë. Gjithsesi, europianët nuk e përdorën kikirikun si ushqim, por më shumë për të prodhuar vaj lubrifikant dhe si lëndë të parë për industrinë, për të prodhuar sapunë dhe qirinj.

Se kur ka mbërritur kikiriku ndër shqiptarë, këtë nuk jam në gjendje ta them dhe as e kam gjetur dot gjëkundi. Me gjasë, dikur në shekullin XX, i importuar nga Italia. Historia e emrit mund të hedhë dritë edhe në historinë e produktit.

E mbaj mend si shitej kikiriku në Tiranë, nga fëmijëria: në ushqimore, në qese me letër ambalazhi bojëkafe, me emrin kikirik të shkruar përsipër. Produkti importohej mbase nga Jugosllavia, mbase nga vende të tjera të Lindjes a nga Turqia a nga ndonjë vend i Mesdheut si Egjipti ose afrikan si Gana; pse jo, edhe nga Kina ose Kuba. Nëse nuk gaboj, shitej i gatshëm për konsum: i kripur dhe i pjekur. Nuk e gjeje gjithnjë në treg, por edhe nuk mungonte gjatë. Përkundrazi, vaji i kikirikut shitej lirisht dhe kudo, si alternativë më e lirë dhe më “popullore” ndaj vajit të ullirit; para se të fillonte të përhapej vaji i lulediellit.

Por nuk gjej të dhëna për emrin e kikirikëve në shqipe, para Luftës II Botërore. Fjalori i Cordignano-s (i vitit 1938) nuk e ka fjalën fare, mbase ngaqë nuk e ka gjetur në shqipe – meqë arachide në italishte është përdorur të paktën që në fillim të shekullit XIX; njëlloj nuk ka ai fjalor italishten nocciolina, ndërsa një fjalë të ngjashme me këtë, nocciola, e përkthen me të drejtë si “lajthi”. Vetë emri alternativ i kikirikëve të pjekur, noccioline americane, tregon se italishtfolësit i kanë quajtur “amerikane” për t’i dalluar nga nocciolina-t e tjera. Edhe fjalë të tjera të italishtes për kikirikët, si bagigi, mungojnë.

Përkundrazi, Gazulli, në fjalorin e vet të vitit 1941, e jep kikirike-ja si “bîmë qi bân bështajë me kokrra, të cilat të rreshkuna, hahen, Pistacia vera, germ., echte Pistazie,” duke e nxjerrë si fjalë persisht-tyrq.; por përkufizimi i këtij autori i referohet fëstëkut (ita. pistacchio), jo kikirikut (ita. arachide). Me të drejtë, Dizdari nuk e përfshin këtë kikirik tek Fjalori i Orientalizmave të shqipes.

Shpjegimi që i është dhënë fjalës, nga chicchi ricchi  është më bindësi deri më tash. Në formën ChicchiRicchi, shprehja del sot e kësaj dite, si frazëmarkë, në konfeksionet e orizit të markës së njohur italiane, Riso Gallo, të cilat i gjen rëndom në supermarketet italiane dhe gjetiu në botë.[1]

Vetë frazëmarka ChicchiRicchi bazohet në një lojë fjalësh – nga njëra anë, mund të lexohet si chicchi ricchi, kokrra “të pasura” (orizi); nga ana tjetër, është fjalë onomatopeike, kikiriki, që imiton këngën e gjelit (gallo).[2]

Kjo ende nuk e shpjegon si ndodhi që kikiriku u bë emri i një ushqimi krejt tjetër në Ballkan, por mund të shërbejë si bazë, sado e brishtë, për një nga hipotezat etimologjike.

Vetëm se marka e Riso Gallo-s ka lindur në 1943, dhe më duket e vështirë që produktet e saj – oriz dhe të tjera –të jenë shitur drejtpërdrejt në Shqipëri; aq më tepër, ka shumë mundësi që frazëmarka ChicchiRicchi të jetë përdorur në Itali jo më herët se vitet 1960. Dhe, meqë fjala kikirik dëshmohet për shqipen të paktën që prej vitit 1941 (Fjalori i Gazullit, shih më lart), atëherë nuk mund të pranohet veçse shpjegimi nga italishtja chicchi ricchi, përtej dhe pavarësisht asocimit me markën Riso Gallo. Edhe pse etimologjia e Gazullit është, me gjasë, e gabuar, ai të paktën na dëshmon se fjala ka qenë përdorur në shqipe që në vitin 1941, çfarë do ta vinte në dyshim lidhjen me ChicchiRicchi të Riso Gallo-s, sa kohë që Riso Gallo u themelua në 1943.

Meqë kirikikët njiheshin si ushqim i gatshëm, por pa u kultivuar lokalisht bima që i prodhonte, nuk përjashtohet që populli t’i ketë quajtur edhe fëstëk; siç bën, për kikirikun, turqishtja (fıstık), greqishtja (αράπικο φιστίκι, “fëstëk arab”), bullgarishtja фъстък, që është emri i një fare tjetër, të njohur si pistachio në anglishte dhe pistacchio në italishte. Ky ngatërrim i kikirikut me fëstëkun do të ketë ndodhur për shkak të ngjashmërisë së produktit të gatshëm – siç ndodh rëndom në rrethana të tilla.

Po në italishte, kikiriku njihet edhe si pistacchio di terra (fëstëk dheu), çfarë tregon se edhe italianët nuk e kanë pasur të lehtë ta dallojnë kikirikun nga fëstëku[3]. Duke qenë folësit të pafamiljarizuar me këto ushqime pak a shumë të rralla dhe ekzotike, gjasat që t’i ngatërronin emrat kanë qenë më të larta.

Përndryshe, kikirikëve në italishte u thonë edhe ceci di terra (qiqra dheu), me ç’rast më vjen në vështrim një tjetër leguminoze, qiqra, e cila u është dukur italianëve e ngjashme me kikirikun. Dhe kjo lë shteg për një hipotezë të ndryshme, lidhur me prejardhjen e fjalës shqipe – meqë në Fjalorin e 1954-ës, kikirikun e gjen edhe të quajtur qiqiriq, alternativisht qiqërviqër; madje ky variant i fundit ka mbijetuar edhe në fjalorin e 1980-ës, si variant i kikirikut.

Të dyja këto fjalë, edhe qiqiriq edhe qiqërviqër, duket se vijnë nga qiqër, që në shqipe është fjalë relativisht e vjetër (huazim nga latinishtja); të vërehet këtu se qiqrën e quajnë leblebija në serbisht, нахут në bullgarishte, naut dhe mazăre-turcească në rumanishte (kjo e dyta, literalisht, bizele turke; teksa mazăre “bizele” e krahasojnë me shqipen modhullë), etj. (huazime këto të gjitha nga turqishtja e periudhës osmane), duke qenë kjo qiqër e mbijetuar nga latinishtja vetëm në shqipe.

Mirëpo, nëse kikirikët kanë hyrë vonë në tregun shqiptar, gjasat janë që fjalët qiqiriq dhe qiqërviqër të jenë variante të kikirikut, të përftuara me etimologji popullore; folësi shqip e ka ri-analizuar fjalën e çuditshme kikirik, duke e lidhur me një leguminoze të ngjashme, si qiqra; tek e fundit, kikirikët si produkt i gatshëm për t’u konsumuar ngjajnë jo pak me qiqrat e pjekura.

Te një koment ndaj një versioni të mëhershëm të këtij shkrimi, Nebi Caka përmendi një shkrim nga një D. B. Todoroviq, i cili [citoj] më 1939, në artikullin: Kontribut shpjegimit të emërtimit kikiriki (Prilog objašnjenu naziva “kikeriki”, Časopis „Naš jezik“, godina VII, sveska I, 1939), e lidh kikirik e lidh me qiqrën, të cilës ky i përngjan, duke thënë ndër të tjera:

Sipas informacioneve nga literatura profesionale, në Greqinë e lashtë, Pellazgët qiqrat i kanë quajtur kikere, kurse epirotët gighere. Prandaj do të ishte me interes të vërtetohet nëse ka ndonjë lidhje midis fjalëve chicher [qiqër], kikere, gighere dhe kikeriki [kikiriki].

[Према подацима из стручне литературе, у ранијој Грчкој је, међу Пелазгима, постојао за наут назив „kikere“, а међу Епирцима назив „gighere“. Било би стога од интереса утврдити, постоји ли каква веза између речи чичер, kikere, gighere и кикерики.]

Por kikirik në shqipe duket si fjalë e re dhe, me sa e kuptoj unë, ka hyrë nëpërmjet tregut, si fjalë e kulturës materiale. Që kjo ka ndodhur relativisht vonë, e shpjegon edhe mungesa totale e frazeologjisë, lidhur me fjalën.

Më tej, nuk shoh asnjë shans që qiqër të ketë dhënë me ndonjë mënyrë kikirik brenda shqipes, për arsye të formës së fjalës.

Kalimi mund të ketë ndodhur në një gjuhë sllave të Jugut, por nuk më rezulton që këto ta përdorin fjalën qiqër ose ndonjë variant të saj. Nuk e njoh dialektologjinë e serbo-kroatishtes, por në referencat që kam mundur të shoh, nuk kam gjetur gjë.

Gjithsesi, artikulli i Todoroviq-it, që citon Caka, më konfirmon që fjala kikirik përdorej në Ballkan që para Luftës II.

Një shpjegim tjetër për prejardhjen e kikirik ma dha… ChatGPT (!); pyetjes sime se nga vjen kjo fjalë në shqipe, m’u përgjigj kështu:

Fjala shqipe kikirik vjen nga turqishtja kıkırık, që ka kuptimin “e thyer, e çarë” dhe që, në atë gjuhë, rrjedh nga kırmak, “thyej” me prapashtesën –ık, e cila përdoret për të formuar mbiemra që tregojnë gjendje (“a state or condition”). Në turqishten moderne kıkırık përdoret zakonisht për të përshkruar diçka të krisur ose të thyer, si një copë poçeje ose një kockë. Mund të përdoret edhe për të përshkruar diçka që është e dëmtuar, e mangët ose e paplotë. Veç kësaj, kıkırık ndonjëherë përdoret në turqishte si fjalë slang, për të përshkruar dikë që është i çuditshëm ose ekscentrik.

Përkundrazi, kur e pyeta për etimologjinë e serbokroatishtes kikirik, i njëjti bot më shpjegoi se

Në serbo-kroatishte fjala kikirik përdoret për t’iu referuar këngës së gjelit… ndonjëherë përdoret edhe për peanuts, që kanë formë dhe madhësi të ngjashme me ato të kokës së gjelit.

Kjo vërejtje e fundit mbase është marrë nga tekste që shpjegojnë prejardhjen e ndonjë emërtimi për kokoshkat, duke u ngatërruar këto me kikirikët e pjekur (të cilët nuk më rezulton se mund të marrin formën e kokës së gjelit, kur piqen).

Sa për shpjegimin tjetër, që e lidh fjalën kikirik me këtë kıkırık të turqishtes moderne, ChatGPT nuk tregon se nga e ka marrë – kur e pyeta pikërisht për burimet e informacionit që dha, më referoi te disa fjalorë etimologjikë të turqishtes, të cilët nuk konsultohen dot online.

E sjell si alternativë jo fare pa interes, ndaj shpjegimeve më të konsoliduara të fjalës kikirik në shqipe; por prejardhja prej turqishtes nuk më bind – sepse fjala shqipe është me shumë gjasë fjalë kulture, që ka ardhur si emër i një produkti tregu; dhe në turqishte kikirikun e quajnë zakonisht me emër tjetër: yer fıstığı (literalisht, fëstëk dheu) ose edhe thjesht fıstık.

Hipoteza etimologjike ekzistuese, të cilën e bën të vetën edhe Topalli, për kikirik të hyrë në shqipe, në analizë të fundit, nga italishtja chicchi ricchi, por me ndërmjetësinë e një gjuhe sllave ballkanike (me gjasë serbishtja), mbetet megjithatë për mua më e besueshmja.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës dhe Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Sipas një shpjegimi që gjej në faqen ueb të kompanisë, kjo u pat themeluar në 1856, nga Giobatta Preve, një sipërmarrës italian që pat kaluar disa vjet në Argjentinë, para se të kthehej në Genova të Italisë dhe të themelonte atje, me një ortak, firmën Preve&Macciò; në 1905, kjo firmë hapi një filiale në Buenos Aires. Vetë marka Riso Gallo lindi në 1943, dhe u quajt kështu, Gallo, ngaqë pronari Riccardo Preve, i ndodhur përballë analfabetizmit të rëndë në Argjentinë, vendosi që t’i dallonte llojet e ndryshme të orizit që shiste duke vendosur në kuti imazhin e një kafshe: elefantin, tigrin, gjirafën, shqiponjën, dhe për orizin e kategorisë më të lartë, gjelin.

[2] Vërej, me një farë habie, se i njëjti gjel që mund të ketë dhënë kikiriki-në e kikirikut, nxjerr krye në emra produktesh të ngjashme, si kokoshët dhe kokoshkat, që janë emra për kokrra misri të pjekura; të njëjtat që i dëgjon të quajtura gjelkokosh, gjeldash dhe, natyrisht, pupagjel (të krahasohet kjo me spanjishten palomitas, në thelb, “pëllumb i vogël” dhe sidomos me rumanishten cocoșel “kokosh i vogël”). Përkundrazi, chick- te anglishtja chickpeas “qiqra”, vjen në analizë të fundit nga latinishtja cicer. Megjithatë, duke pasur parasysh zhvendosjet leksikore në këtë fushë, nuk mund të përjashtohet edhe që kjo kikirik, si markë e bazuar në një onomatope (kënga e gjelit), të jetë përdorur në krye për kokoshkat dhe pastaj të ketë kaluar te kikirikët. Por nuk kam asnjë provë për këtë që të ketë ndodhur në Shqipëri, dhe aq më pak në Jugosllavi.

[3] Kjo provon tërthorazi edhe se folësit, në Itali dhe gjetiu, nuk e kanë njohur bimën e kikirikut – përndryshe nuk do ta ngatërronin me fëstëkun, sa kohë që kikiriku i lëshon frutat e veta nën dhé, jo në pemë, si fëstëku.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin