nga Ernst Jünger (përgatiti Idlir Nivik)
Arti i luftës ka pësuar transformime të mëdha në epokën e teknikës. Ndryshime themelore këto, si kurrë më parë në konfrontimet mes njerëzve. Lufta botërore e vërtetoi këtë më së miri.
Por, në gjirin e këtyre transformimeve, një veti mbetet stabël. Sa do ishte e udhës ta etiketonim si evolucion e jo si mutacion të beftë të metodave të betejës.
Si në të gjitha domenet e jetës, edhe për luftën ka krahë konservatorë e krahë revolucionarë. Të dyja paralel shkojnë. Shpesh sekretin e fitores ia faturojnë magjisë së armëve, të cilat e mundësuan arritjen e saj. E pas kësaj fitoreje, një ushtri pandeh se ka recetën e suksesit.
Por, lufta mbetet përvoja njerëzore më e mbushur me rastësira. Sepse ndikimi i destinit (fatit) gjatë saj mbi jetën është më i fortë se kudo e kurdo. Dhe i përqas çdo tentative një kuptim vendimtar e të pakthyeshëm. Kësisoj, çdo inovacion, që bazohet thjesht në teori pa referenca të forta të përvojës, mbetet problematik. Një armë e re, metodat e tjera të betejës, e gjejnë vendin në mënyrë tepër graduale nëpër imazhin e luftës.
Kësaj i shtohet edhe fakti se lufta është një situatë e veçantë (eksepsion). Përdorimi i armëve ndërpritet mjaft nga periudhat e gjata të paqes. Por, gjatë këtyre periudhave, edhe armatimi e trajnimi evoluojnë. Por, pa jetuar atë përvojë të gjallë, që ofron fushë-beteja.
Përvoja luftarake përfaqëson një kapital që ushqen – në kohë paqeje – përfytyrimin e ushtarit për luftën. Por, vlera e këtij kapitali pakësohet sa më shumë lufta t’i përkasë së shkuarës. Shpejt jeta e brendshme e luftës bie në harresë. Brenda 30 vitesh ajo merr damkën e legjendares, e diçkaje të paimagjinueshme.
Lufta nuk është dukuri që u nënshtrohet vetëm ligjeve të veta. Është një tjetër aspekt i jetës, që rrallë del në sipërfaqe. Lufta nuk shpreh vetëm një pjesë të jetës, por jetën në gjithë dhunën që ajo bart. Se vetë jeta ka natyrë rrënjësisht luftarake.
Kështu, paqja i ushqen vazhdimisht kapacitetet e luftës. Si ndryshojnë epokat, ashtu, e me to, ndryshon dhe lufta.
Ka një kohë vonese përherë para se epoka t’i bëjë mjetet e saj të shprehen ushtarakisht. Kish një interval mes shpikjes së dinamitit dhe përdorimit të armëve të zjarrit; mes përdorimit të avullit dhe anijeve luftarake.
Luftërat botërore treguan një lloj çekuilibri mes efikasitetit të ri të armëve të zjarrit dhe formave të lëvizjes, pengesa të pamundura për t’u kapërcyer. Në Luftën II Botërore dallohen tri faza kryesore: e para, tentativa e kotë për vendimmarrje sipas modeleve të shkuara. E dyta, mbizotërimi absolut i armëve të zjarrit. E treta, nisja e përpjekjeve për të riaktivizuar lëvizjen saje metodave të reja.
Këto fraza ndërthuren, në mënyrë jo të njëpasnjëshme, e me shumë nuanca. Reagimet me natyrë heterogjene nga secili teatër i operacioneve mundëson të arrihet fluiditeti në fronte. Në Rusi, në Ballkan, në Itali, lufta pozicionale dukej më shumë një pauzë. Këtë pauzë mund ta ndërpriste mandej marshimi i ri sulmues, nëse nuk mungojnë forcat. Por, në rastet kur lufta kryhet duke përdorur të gjitha mjetet e teknikës së fundit, ngjarjet në teatrin vendimtar të operacioneve kryhen konform ligjeve të përpikta; dhe tri fazat e taktikës kapërthehen me njëra-tjetrën rrjedhimisht.
Fronti perëndimor, në Luftën II, tregoi se si lëvizja e bazuar në konceptet tradicionale ia la shpejt vendin palëvizshmërisë (imobilitetit) të fronteve. Rastet si ai në Flandër, ku regjimentet e reja të përbëra nga vullnetarë elite shkërmoqen nën zjarrin e mitralozave; apo kur trupat me përvojë ngecin në vend pas disa kilometrash, ndërsa bëjnë tentativë për të përforcuar frontin në një sektor të përcaktuar mirë, tregojnë se vetëm cilësia e lëvizjes e shpjegon paralizimin e avancimit, e lëvizjes, e cila s’e përballon dot më rritjen e vëllimit të zjarrit. Këtë mallkim nuk e pësuan veç forcat gjermane. Por dhe vrulli francez, edhe flegma britanike rezultuan të paafta ta tejkalonin zonën e zjarrit të çuar para tyre si mur, përherë e më i dendur, më vdekjeprurës.
Këtu fillon lufta pozicionale. Aty shfaqet rëndesa e madhe si peshë në konflikt; shfaqet në faktin e thjeshtë se si të njëjtat emra lokalitetesh, pyjesh, ngastrash, lumenjsh, përmenden pa fund në komunikatat e ushtrive. Shenjë e dukshme kjo që, për secilin krah, arritjet zvogëlohen në atë proporcion, aty ku humbjet bëhen më të rënda. Rëndesa e një hapësire, e një territori të zaptuar nga zjarri, bëhet aq e rëndësishme, sa përpjekjet e perandorive të mëdha reduktohen në kapjen e llokma territoresh apo të fshatrave të boshatisura.
Forcat e gjalla të ushtrive të mëdha, që shtetet i mbanin në gatishmëri për ndërhyrje, nuk konsumohen aspak, por ngjajnë me një peshë të ekuilibruar nga një kundërpeshë. Peshat që përdoren janë masa, sasia e materialit që prodhon procesi i punës i shteteve të mëdha të industrializuara, ndërsa rrisin vazhdimisht tensionin e sipërmarrjes. Duket sikur vulgarizohet kështu dhe sensi i strategjisë: përpjekja për ta shfarosur kundërshtarin, nga pamundësia për ta mundur në terren!
Kështu ravijëzohet imazhi i betejës së materialit, imazhi i aplikimit të përbindshëm të energjive teknike, por pa ndonjë efikasitet përtej suksesit taktik. Në këto beteja, kryqëzimi i zjarrit merr përpjesëtime të paimagjinueshme. Trupa e artilerisë zgjerohet, merr përmasat e rrethimit; ingranazhet e saj progresojnë pa nda në numër e në kalibër. Dhe efikasiteti përforcohet jo vetëm nga konsumi i madh i municionit, por dhe nga fakti se shënjestrat e saj janë fikse e të kufizuara në numër. Kështu lindin konceptet e reja të zjarrit asgjësues, të zjarrit masiv.
Industria synon të mundësojë një zjarr sa më të dendur në front, sa më intensiv. Niveli i lëvizjes, i avancimit, duket se varet nga niveli i zjarrit (sulmit). Karakteristikë e zjarrit është se ai më shumë synon mbrojtjen sesa sulmin (ofensivën). Kështu, mjaftojnë disa mitraloza – në një zonë të zbrazur nga mbrojtësit – për të zmbrapsur ofensiva të përgatitura nga mijëra pjesë artilerie.
Orvatjet për të arritur në terren të hapur, duke u mbrojtur pas «gardhit të zjarrit», pra drejt një terreni ku lëvizja mund të kryhet më çlirët, krijon imazhin e një beteje sa monotone, aq edhe të habitshme, ku, nga të dyja elementet e betejës, vetëm zjarri mbetet. Ideja ta shkelësh armikun bie; atëherë motoja bëhet: vetëm «shtjer mbi të, derisa ky të braktisë pozicionin!». Mjetet teknike heqin dorë nga ky qëllim. Atëherë këmbësoria mbetet thjesht njëfarë organi i ekzekutimit të artilerisë. Deklaratat e urdhrat bombastikë tregojnë hapur se ka humbur besimi te ndonjë përfundim strategjik i luftës. Kështu, kohëzgjatja e luftës bëhet sistem: strategjia bëhet: «Mbahu fort, t’ia nxjerrësh pikën e fundit të gjakut kundërshtarit, t’ia mpakësh vullnetin e t’ia ulësh përtokë moralin!»
Fakti që makineritë mobile u shfaqën relativisht vonë në tokë, në elementin ku qysh prej antikitetit kanë ndodhur beteja, kjo lidhet me një nga ato gjykimet e gabuara, që nuk i ndahen historisë njerëzore. Sepse, mania për ta tejkaluar volumin e prodhimit të zjarrit, duke e shtuar edhe më shumë, është gafë në gjykim. Njëlloj sikur të shpresosh që, në biznes, ta mundësh konkurrentin duke u përqendruar vetëm te çmimi. Por, kur çmimi arrin tavanin, konkurrenca zhvendoset në planin e cilësisë. Ndaj, pasi prodhimi i zjarrit me anë të makinerive të arrinte kufirin, do duhej shpikur makineri për të fabrikuar lëvizje. Prej goxha kohe, inteligjenca njerëzore dispononte të tilla makina – duhej veç t’u jepej forma e përshtatshme në betejë në mënyrë specifike.
S’ka asgjë të re në këtë botë! Për sa ka patur luftëra, ka patur dhe ngjarje të krahasueshme me futjen e parë të tankut në betejën e materialit. Edhe sot përsëriten sërish tentativat për të dërrmuar pozicionet në transhe, me ose pa efikasitet veprimi, duke përdorur mjete të reja: kuaj, parzmore, koçi lufte, elefantë etj. Këto tentativa kryhen edhe sot në epokën e makinave, me makineri. Por as nuk e ndryshojnë këto thelbin e ligjeve strategjike, që përbëjnë format a priori të intuitës luftarake*. Ato janë rezultante të vullnetit për të vënë në dispozicion të këtyre ligjeve një pushtet ekzekutiv të ri, përshtatur epokës konkrete.
Nuk mund të themi se tanku, për shembull, arriti të bëhej arma vendimtare e luftës. Efikasiteti i tij nuk e arriti dot kulmin. Kësisoj, u përvijua rivaliteti vdekjeprurës midis fuqisë njerëzore dhe forcës së makinerisë, pa u përmbyllur, pa u zgjidhur. Rivalitet, tek i cili, deri atë ças,t makina kishte treguar më shumë rezistencë, në të gjithë sektorët.
Jo vetëm që beteja përdor gjithnjë e më shumë makina, por dhe ngjizet, në totalitetin e vet, me frymën që i krijon makineritë. Duke e parë nga ky kënd, lufta botërore duket si një fragment gjigand, të cilit të gjithë shtetet e industrializuara i kanë dhënë nga një dorë. Karakteri i saj fragmentar konsiston në faktin se teknika ka arritur të shkatërrojë format tradicionale të luftës. Porse, e zhytur në qerthullin e vet, ajo ia ka dalë vetëm të skicojë një imazh të ri të luftës, por pa e përfunduar atë. Në këtë proces, lufta botërore pasqyron vetë jetën tonë, në përgjithësi. Edhe në këtë domen, mënyra e të menduarit, që mbahet pas teknikës, ka arritur t’i hedhë në erë lidhjet e shkuara. Por, për sa i përket ngritjes së një rendi të ri, që e ushqen me mjetet e saj, ndodhet ende në fazë eksperimentale.
*Shënim: Ernst Jünger (1895-1998), veteran i dy luftërave botërore, shkrimtar e eseist i paklasifikueshëm, me një vepër shumë të gjerë e vëllimore. Romani i tij “Stuhi çeliku” konsiderohet shpesh si romani më i mirë i luftës. Autori theksonte se ishte një lloj vazhdimi modern i “E kuqja dhe e zeza” e Stendhalit. Jünger-i përdor këtu sipër termin “intuitë luftarake”, duke e huazuar prej terminologjisë së Kantit. Filozofi gjerman theksonte se ka dy forma të qashtra intuite, parime ose principe këto të njohjes apriori, pra të hapësirë-kohës. Eseja që botojmë është shkruar në vitet ‘30-të dhe ripunuar në vitet ‘70-të. Linjës së ecurisë së teknikës dhe ndryshimeve që ajo i sjell modelimit të luftës e të vetë jetës, mund t’i shtojmë sot dhe aspektin e luftës elektronike, ose kiberlufta (cyberwar). Çka e vërejmë dukshëm në luftën aktuale në Ukrainë. Sidoqoftë, realiteti tregon se analiza e zhvillimeve ushtarake, sidomos ato të Luftës II, në këtë ese, hedh dritë dhe mbi taktikat e luftës aktuale. Craig Hooper-i i revistës “Forbes” thekson se mësimet taktike të asaj lufte kanë ndihmuar ushtrinë ukrainase “në taktikën e zaptimit, të përvetësimit të fushëbetejës”. Nga ana tjetër, Jacques Baud, ish-oficer i Nato-s, nënvizon përvojën e Luftës II në “artin operacional” të ushtrisë ruse, duke zhvilluar paralel nismën operative në nivel komandoje; dhe atë operacionale, çka përkufizon kushtet, sipas tij. Mbetet më e rëndësishmja se përtej vrundullës teknike e teknologjike të armëve, ballafaqimi njerëzor në këtë konflikt, ku lufta është e përqendruar në transhe e artileri, nuk ka evoluar dhe aq. Statistikat tregojnë se humbjet njerëzore nga të dyja palët arrijnë momentalisht nivelin e Luftës I Botërore.
© 2023 Idlir Nivik.
Kopertina: Photo by British Library on Unsplash