Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

UDHËKRYQ

Një tablo nga Nigel Van Wieck, piktor anglez tashmë i vendosur në New York, i shkollës Hopper-iane, e postuar te një temë e rastësishme në Facebook, më ngacmoi për sugjestivitetin, por edhe për historinë e rrëfyer – se kjo është nga ato tablo që rrëfejnë, madje që e lënë rrëfimin përgjysmë, për të ta lënë ty vazhdimin.

Çfarë ka ndodhur? Një grua e veshur në rozë, një dhomë ndoshta hoteli – si të jetë tjetër, përveçse hoteli – një grua në rozë që me gjasë është duke u zhveshur (por si të jesh i sigurt për këtë – as zhveshjen nuk e përjashton dot), një burrë me kostum që na kthen shpinën; diçka mes tyre që nuk ka ndodhur, po të gjykosh nga krevati i paprishur; apo vallë ka ndodhur, por jo në krevat, siç na e sjell në mendje klisheja?

Një grua, një burrë, një dhomë e shpëlarë, një situatë narrative gati arketipale, në kuptimin e Jung-ut; por edhe e tillë që të na shpjerë mendërisht te divani i Freud-it; sepse ka diçka që nuk shkon në sjelljen e tyre si ansambël: gruaja, edhe pse gjysmë e zhveshur, na tregohet në intimitetin e saj, ndërsa burri, edhe pse i veshur, na fshihet. Një fotogramë e heshtjes, e gjërave që janë lënë pa thënë, e gjërave që nuk mund të thuhen.

E kundruar fill pas litanive të 8 marsit, tabloja të ulëret edhe për stereotipet e seksualitetit: sinqeriteti, madje vulnerabiliteti i gruas që nuk e shmang dot fundosjen; padepërtueshmëria, madje koraca e burrit, të mbështjellë në kostumin formal të pushtetit, të atij pushteti të cilin mund t’ia lejojë vetes edhe në rrethana intime. Një detaj që pothuajse kalon i pavënëre: syzet, që ia imponojnë një vështrim, një perspektivë ndaj sendeve.

Çfarë ka ndodhur? Natyrisht, tabloja rrëfen historinë e çfarë nuk mund ta dimë që ka ndodhur – një ndërprerje, një radiografi, një diagnozë e një sëmundjeje të fshehtë, që të gërryen së brendshmi. Gruaja dhe burri janë dy botë të ndryshme, që deri edhe nuk ndërveprojnë dot. Nëse seksi, për të mos thënë dashuria fizike, na jep një shans – sado të vetmuar – për të qenë bashkë, tabloja në kujton se ky shans mund të ketë humbur tashmë. E megjithatë, gruaja tradhton një vendosmëri për të rifilluar, që me këmbën e djathtë të hedhur përpara, në gjest që evokon – pse jo – trampolinën. Jeta vazhdon. Për partnerin e saj ndoshta jo – ai është i kthyer me fytyrë nga dera, e cila të çon drejt një hapësire të errët.

Ka edhe një hark rrëfimi, tablo, që mund ta ndjekësh vetëm duke soditur tablotë e tjera të Van Wieck-ut, prej të cilave shumë e rimarrin skemën e burrit të veshur gjer në fyt, përballë gruas gjysmëlakuriqe; burrit totem të super-egos përballë gruas xixëllimë të id-it, burrit të errët përballë gruas të ndritshme. Brenda këtij konteksti, më shkoi mendja se ajo figurë që nxin në tablotë, mund të jetë edhe një prani e mbivendosur e vështruesit mashkullor, që me gaze-in e vet e objektifikon gruan, për ta shndërruar në lodër fantazish. E shtuar, si një pullë e ngjitur me pështymë.

Duke mbajtur në mendje obsesionin e shumë piktorëve me nudon femërore, të cilin obsesion Van Wieck-u duket edhe se e ironizon nëpërmjet kostumit që ia ka veshur burrit, vështirë të mos i përfytyrosh këto tablo edhe si rrëfim të ndërhyrjes së vështrimit në pikturë – të ndërhyrjes si intruzion, shkelje të një kufiri të padukshëm, simptomë të një komunikimi që tashmë përndryshe ka dështuar. Mbase është pikërisht kjo ndërhyrje, me dorë të rëndë, që nuk na lejon më të hiqemi sikur mund ta shijojmë lakuriqësinë si të tillë, që na e refuzon pafajësinë.

Restaurimi më 9 mars mund të ishte titulli alternativ i këtij shkrimi.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin