Nga Bujar Meholli
Kur e pyetën Maksim Gorkin me se duhet të fillojë ai që shkruan, u përgjigj: me atë që e ka afër; ju këshilloj të shkruani me fjalë të forta, të fuqishme, të tregoni në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë, kjo duhet të jetë aspirata juaj.[1] Nisur nga ky postulat, po marr përsipër ta trajtoj njërën nga kryeveprat realiste klasike të teatrit, shkruar nga vrojtuesi i mprehtë i shoqërisë nën represionin dogmatik gjatë mbretërimit të Carit rus. Nikolai Gogoli është relevant edhe sot e gjithë ditën. Komedia e tij sociopolitike “Revizori” shënjon krijimin dramaturgjik si manifest të demaskimit të amullisë administrative burokratike, shndërruar në çerdhe allishverishesh e thashethemesh nga më banalet. Është shkrimtari rus që, më së shumti, ka gërshetuar botën e rrokshme me atë magjike, legjendat, përrallat, mitet, që jo rrallë të kujtojnë ato të Ballkanit”, shkruan Ismail Kadare.[2] Vepra nis me thënien e urtë popullore: s’ta ka fajin pasqyra në e paç surratin të shtrembër.
Artisti duhet të jetë aktiv, don me thënë, të marrë pjesë në çështjet sociale, duke ngjizur punën e tij me aspiratat njerëzore; p.sh. për Bertolt Brecht-in arti, gjegjësisht letërsia, s’mund të jetë e shkëputur nga aktiviteti social, aty duhet të marrë jetë, të ketë nerv, të jetë kuruese e marrëdhënieve njerëzore. Vuk Filipović-i propozon që angazhimi artistik të jetë objektiv dhe aktiv me idenë e brendshme me të cilën mbruhet produkti.
“Kuptimi i angazhimit të artistit nënkupton realitetin e shprehun në vetveçori, objektivisht i ndijshëm e ideologjik ndaj botës e natyrës. Angazhimi i artistit asht qëndrim aktiv shqisor-estetik ndaj materies, landës së cilës i jipet forma në pajtim me idenë e brendshme, prej shtytjeve, inspirimeve dhe lidhjeve asociative imagjinuese midis dukunive, rëndësisë dhe formës; çashtja e angazhimit, së pari, evoluon në procesin efektiv e imagjinues të lindjes së veprës dhe lind prej strukturës psikoemotive të personalitetit, që të paraqitet si prani e mishnueme simbas rolit të vet shoqnor ose si angazhim i karakterit simbas jetës shoqnore”[3], shkruan ai.
Humori, sipas psikologut Willibald Ruch, ka “shije” të ndryshme, ku përfshihet e hidhura, shija e kriptë apo e nxehta. Kështu ai varion sferave simbas përcaktimit: ironi, satirë, sarkazëm.[4] Pse Gogoli e transmeton te publiku këtë produkt letrar përmes humorit burlesk, është pikërisht tallja pa mëshirë e manovrave naive, që gjallojnë mes mureve institucionale. Edhe te veprat e tjera letrare të tij, një krijimtari qenësore, ndikimi i së cilës është i dukshëm në hovin e madh të letërsisë moderne vite më vonë, Gogoli, përveçse eksperimentues dinjitar letrar, shfaqet si njohës i themeltë i jetës shoqërore ruse nën represionin politik. Kemi të bëjmë me trandjen e ngrehinës feudale ruse, që ish ngritur me skrutë, përbrenda krejt e kalbur me njerëz jo të përshtatshëm nëpër pozita të ndryshme vendimmarrëse, ndaj edhe lufta kundër pushtetit carist kishte marrë formë dhe përherë e më shumë po intensifikohej. Porsi tribun antik, Gogoli e konceptonte podiumin e teatrit ideal për t’iu folur njerëzve, për t’i shoshitur gjërat e përditshmërisë, për t’u preokupuar me gjërat që i prisnin në të ardhmen dhe vizionin progresist të ndërtimit të një shoqërie më të mirë. Gogoli realizon suksesshëm prozaizmin dramatik me të cilin i vë në lojë personazhet e spikatura simboliste që ka krijuar dhe të cilat përbëjnë gjithë konglomeratin dhe kompleksitetit njerëzor, në këtë rast, shoqërisë ruse cariste dhe burokracive administrative.
Skena e teatrit duhet të jetë e tillë, pra edukuese, ushqyese me ndjenja humane, empati, katarzë, hapësirë nga e cila të shihet jeta në prizmin realist me gjithë dritëhijet e qenieve komplekse humane. Pse është aktual edhe në kohët tona ky tekst dramaturgjik? Sepse personat e infiltruar në politikë nuk ndryshojnë? Se politika asnjëherë s’është reformuar: çdoherë operon mbi bazamentin e ndërtuar nga intrigat, rrenat, dredhitë, korrupsionin e servilizmin? Mbase të dyja përgjigjet qëndrojnë. Sot kur epoka e globalizmit ka krijuar një atmosferë të mirë – lehtësira të mëdha në komunikim, përgjithësisht ka shënuar një revolucion sa i përket dimensionit të lehtësive të krijuara për nevojat elementare – përballemi me aktorët e njëjtë porsi personazhet e Gogolit në administratën cariste. Ngrehinat politike përbëhen në masë të madhe, brenda, nga njerëz-ujq që shohin vetëm leverdinë e tyre, manipulojnë, bëjnë allishverishe, të cilat e kanë në bazë xhepin, gjegjësisht pasurimin e tij në çfarëdo mënyre, kurse fjalët nder, atdhedashuri, përgjegjësi, punë, sinqeritet, llogaridhënie janë krejt të panjohura dhe me njëfarë krenarie troglodite përçmohen tej si të padenja për një politikan i cili e ka sall një Perëndi të vërtetë, paranë, që mbretëron sipër njerëzve![5]
Te “Revizori” kemi në qendër një administratë në të cilën veprojnë nëpunësit lolo, që kohët e fundit na e kanë marrë vesh se i pret një “sfidë”: vjen vizitor nergut një revizor nga Petërburgu. Kjo udhëheqësi e qytetit nga këta persona tragjikomikë demaskohet guximshëm e me një potencë realiste të jashtëzakonshme. Vendosen përballë aparati shtetëror dhe klasat qytetare, të cilat i ndanë diskrepanca e madhe. Megjithatë, duke qenë se vepra shkruhet në një atmosferë të nderë nën censurën cariste, Gogoli mundohet të jetë i kujdesshëm dhe të kamuflojë personin e revizorit të rremë, për të mos e qitur ashiqare zhveshur paaftësinë qeverisëse. Kudret Velça shkruan: “Kushtet politike, në të cilat shkruante Gogoli, nuk i lejonin atij ta paraqiste këtë konflikt plotësisht në skenë; figura e Hlestakovit, revizorit të rremë, e shpëton Gogolin nga censura cariste dhe e ndihmon ta vërtetojë tezën se edhe një revizor i vërtetë nuk do të vepronte ndryshe nga ai i rremi, pra s’do të ndryshonte asgjë në administratën e qytetit.”
Siparin e hap prefekti në dhomën e shtëpisë së tij, ku ka mbledhur klikën drejtuese për t’ua kumtuar lajmin: “ – Ju kam thirrur, zotërinj, për t’ju dhënë një lajm të keq: po na vjen një revizor. Një revizor nga Peterburgu, inkonjito. Pale, edhe me një urdhër sekret.”[6] Prefekti Anton Antonoviç Skvoznik Dmuhanovski t’i ndërmend gjithë politikanët prototipë të snobizmit: dinak, udhëheqës/lider i dobët, i frikësuar ngase servil, veprimet e tij vetvetiu krijojnë efekte komike, kur sheh eglendisjet e tij andej-këndej dhe orvatjet për ta shpëtuar kokën e për t’u hequr “drejtues” i mirë, gjersa rreziku kalon sikurse rreziqet e tjera, pra, kur revizori t’ia mbathë për nga ka ardhur.
Ngjarja kryesore rreth së cilës zhvillohen veprimet ka në bazament keqkuptimin, pra, një revizor të rremë, i cili mendohet nga kasta korruptive se ka mbërritur në qytet. Prefekti, politikani vanitoz që hiqet serioz dhe di të bëjë lajka, brenda despot, është i frikësuar nga gjithçka që mund t’ia lëkundë karrigen e bashkisë. Në skenën e parë ua rrëfen kolegëve një ëndërr të frikshme, e cila duket se i del zhgjëndërr me ardhjen e këtij revizori. “Sikur ma ndjente zemra në një gjë të tillë: mbrëmë gjithë natën kam parë në ëndërr dy minj, shumë të mëdhenj. Të them të drejtën, të atillë minj s’kam parë ndonjëherë: të zinj, të mëdhenj sa s’thuhet! M’u afruan, më morën erë dhe pastaj ikën”, thotë ai duke shtuar te publiku efektin humoristik. “Kështu qenka fati ynë me sa duket! Deri tani, lavdi zotit, shkonin tinës në qytetet tjera. Tani na paska ardhur neve”, vazhdon në ankth.
Nuk denjohet leximi i Gogolit me shije prej mikroborgjezi, ngase arti i tij përçmon secilën sipërfaqësi e sheqerosje – ai depërton në rrënjët e problemit. Është demaskues, i drejtpërdrejtë, tallës e ironik me zallamahinë brenda institucioneve dhe gjithë jetës publike ruse. Ivan Focht-i shkruan: “Prirjet themelore të shijes mikroborgjeze janë: sipërfaqja dhe shkëlqimi i jashtëm, elementet dhe fragmentet e fuqishme, sentimentaliteti në përjetim dhe shprehje, përmbajtja dhe i ashtuquajturi art realist, pastaj konservatorizmi.”[7]
Kështu, te prefekti mbruset sensi sipërfaqësor e materialist mbi gjithçka; në skenën e parë të vjen të qeshësh nga naiviteti dhe “mobilizimi” që orvatet të bëjë para se të vijë revizori: “ – Do t’ju këshilloja të kujdeseshit për zyrat e gjykatës – vazhdon, atje ku zakonisht rrinë njerëzit, rojtarët mbajnë pata dhe biba që të ngatërrohen nëpër këmbë. Këtë vërejtje doja t’jua bëja edhe më parë, por ja që më kishte dalë nga mendja. Veç kësaj, nuk është aspak mirë që në zyrat të nderni për të tharë gjithfarë leckash dhe mbi dollapin e letrave të vini kërbaçin e qenve të gjahut. E di se ju pëlqen gjahu, por e mira është që ta hiqni andej përkohësisht, dhe pastaj, sapo të ikë revizori, mund ta vini përsëri dhe askush s’do të ketë ndonjë kundërshtim.”
Po të analizohen hollësisht, fjalët e prefektit nga ana konotative, të ndërmendin mentalitetin ballkanas, përfshirë atë shqiptar, kur gjërat duhet të bëhen ndër sy të dikujt, në mënyrë që tjetri të mos vërë re gjë, të mos vërejë se diçka s’shkon, mandej porsa të hiqet sysh, vazhdon avazi i njëjtë – mentalitet të tillë jo rrallë e hasim edhe në politikë kur aktorët tjetërsohen, shndërrohen në të “rregullt” gjersa aksh delegacion të jetë i pranishëm. Gogoli paraqet një problem mjaft delikat në këtë mes kur manipulohet me shëndetësinë, pra me shëndetin e popullit nga një doktor që s’di fare rusisht, rrjedhimisht s’di të komunikojë me pacientët. Artemi Filipoviçi, personi përgjegjës për spitalin, del krejtësisht lolo, i cili porsa merr urdhrin nga prefekti që gjithçka të jetë në rregull, shprehet: “ – Kemi marrë masat e duhura: sa më afër t’i rrish natyrës, aq më mirë është: barëra të shtrenjta nuk përdorim, njeriu është qenie e thjeshtë: në ka për të vdekur, vdes edhe pa barna, në ka për t’u shëruar, shërohet edhe pa barna.” Përveç kësaj, Kristian Ivanoviçi (doktori) nuk do të merret dot vesh me të, sepse ai s’të di asnjë fjalë rusisht. Në rrëfimet e tij, Gogoli do të shprehej: «Më lindi ideja që te “Revizori” t’i mbledh të gjitha të këqijat e Rusisë në një vend. Sigurisht gjithë të këqijat që i dija gjer atëherë, padrejtësitë nëpër situata të tilla dhe nevojën e domosdoshme për vënie të drejtësisë. Njëkohësisht i paraqitja gjithë këto duke dashur edhe të zbavitesha ca.»
Skena e tretë është pikënisja e keqkuptimit që zë fill nga vajtja në pijetore e dy nëpunësve, të cilët e marrin për revizor të parin që hasin aty, një djalë të ri… Dobçinski dhe Bobçinski. “ – Flisni, në keni besuar perëndinë, si është puna? – pyet prefekti. E kam mendjen të ngritur. Uluni, zotërinj! Merrni nga një karrige!”
Të dy nëpunësit “garojnë” kush të flasë i pari para prefektit. Denjuan të futen në pijetore, të provojnë peshkun koran dhe verën franceze kur me të hyrë papritmas një djalë i ri me pamje afirmative…
“- Aq më mirë: të riut ia blen mendjen menjëherë, po ç’t’i bësh plakut? I riu si veriu”, shprehet triumfues prefekti, i regjur në marifetllëqe të tilla, por njëkohësisht i turbulluar dhe i shqetësuar nga realiteti. Vazhda e komedisë, plot humor pezhorativ, shtrihet përmes dialogëve mes snobëve, secili i inkurajuar ta luajë “pjesën” e vet sa më mirë në sprovë. Ja, për shembull, si e portretizon Gogoli gruan e prefektit, Ana Andrejevnan, e cila interesohet në krye të herës për pamjen e djalit të ri. “ – Si the, erdhi? Revizori? A ka mustaqe? Si i ka mustaqet?”
Skena I e aktit të dytë na paraqet dyshen Osip dhe “revizorin” Hlestakov. Osipi është shërbëtori i cili gjatë monologut të gjatë ankohet se zotëria i bëri paratë rrush e kumbulla që nga ardhja nga Petërburgu. “- Ta marrë djalli, vdiqa për të ngrënë dhe zorrët po më buçasin sikur një regjiment i tërë po u bie borive.” Padroni i tij, qatip (shkronjës, sekretar) është njeriu që jeton sot për nesër dhe vishet me petkun e snobit po ashtu. “- Të ishte ndonjë njeri për të qenë, hajde de! Po s’është gjë tjetër veçse një copë qatipi. Sa njihet me një udhëtar, menjëherë fillon të luajë me letra, gjersa mbeti tereleli (pa një kacidhe në xhep). Më është mërzitur një jetë e tillë!” – shfryen Osipi fshatar, figurë mjaft komike sidomos me monologun e mbushur me fjalë të huaja, që s’di t’i shqiptojë mirë, siç i ka dëgjuar aty-këtu nëpër Petërburg. Për t’i ikur censurës, Gogoli nuk mund t’i kritikonte direkt revizorët qeveritarë. Vedat Kokona shkruan: “Për t’i shpëtuar censurës, futi figurën e Hlestakovit, revizorit të gënjeshtër, me anën e të cilit ai vërtetoi edhe esencën e ëndrrës së prefektit dhe tregoi se revizori i vërtetë nuk do të ndryshonte nga ai i rremi. Hlestakovi, sekretari nga Petërburgu, tipizon në mënyrë mjaft koncize njeriun batakçi e mendjebosh. Ja, shkurtimisht, dialogu që zhvillohet mes tyre.
Hlestakovi: Poshtë në restorant, u thuaj… që të më sjellin drekën.
Osipi: Jo, nuk dua të vete.
Hlestakovi: Si guxon të më kundërshtosh, or budalla?!
Osipi: Ja kështu: po edhe sikur të zbres, ajo punë është: hotelxhiu ka thënë se nuk jep më për të ngrënë.
Hlestakovi: Si guxon ai të mos japë? Edhe këtë s’e kisha dëgjuar!
Osipi: Pa le, thotë se do të shkojë edhe te prefekti: ka tri javë që zotëria s’na paguan të holla.
Hlestakovi: Mjaft, or budalla, mjaft të thonë! S’kam parë njeri më të trashë se ti.
Dhe kur Osipi del nga skena, monologu ikonik i “revizorit”:
– Më griu uria, vdiqa. Dola pak shëtitje me shpresë se mos e harroja urinë, por jo, s’e harrova, ta marrë dreqi! Të mos ia kisha shtruar e bërë qejf atje në Penzë, do të kisha të holla për t’u kthyer në shtëpi. Ç’qytet i ndyrë! Në dyqanet e zarzavateve nuk të japin asgjë hua. Kjo është me të vërtetë një poshtërsi e madhe. Si s’po vjen njeri…
Gogoli na vendos kështu para një ngjarjeje mjaft komike kur dy personazhet kryesore përballen me njëri-tjetrin në dhomën e hotelit – prefekti i shqetësuar, gati për çdo servilizëm para njeriut të pushtetshëm – revizori i frikësuar nga kërcënimet e ankimet e hotelxhiut dhe mundësia e degdisjes në burg. “- Ju uroj mirëseardhjen!”, nis prefekti. “– Nderimet e mia, përgjigjet ai. – Detyra ime si prefekt i këtij qyteti është që të kujdesem për të gjithë udhëtarët si edhe për të gjithë fisnikët që të mos kenë asnjë telash”. Megjithëse fillon me frikë, e folura e “revizorit” nis e forcohet: “ – Do të paguaj, do të më dërgojnë të holla nga fshati.”
Vazhdon e kritikon mishin dhe ushqimin që i serviret, kurse prefekti me frikë deklarohet për mishin e freskët që e marrin dhe i ofron akomodim në një hotel tjetër. Kështu gjersa dialogu vazhdon dhe tonet e humorit sa rriten. Nga njëra anë, prefekti që e sheh të nervozuar nëpunësin shtetëror dhe mënjanë mallkon tregtarët që i kanë treguar gjithçka, nga ana tjetër Hlestakovi që i frikësohet burgut dhe tenton të mbrohet duke ua bërë me dije që shërben në Petërburg.
Veç fjala Petërburg ka efekt. “- O perëndi e madhe sa i zemëruar qenka! – pëshpërit. – Kini mëshirë, mos më merrni në qafë! Jam i martuar, me fëmijë… mos ia nxini jetën një njeriu të gjorë! Vini dorën në zemër dhe gjykoni vetë. Rroga e shkretë s’na del as për çaj dhe sheqer. Edhe në paçim marrë ndonjë ryshfet të vogël, këtë e kemi bërë nga halli për të marrë ndonjë ushqim, apo për të blerë ndonjë petk.” Për të shpëtuar, një korrupsion të tillë e shohim brenda pak çastesh kur Hlestakovi kërkon para, të paktën njëqind rubla, për t’i mbuluar hesapet me hotelxhiun. Përgjigjja e prefektit është kjo: “ – Rrumbullak dyqind rubla, as mos merrni mundimin t’i numëroni dhe mënjanë: – Hej, lavdi zotit të madh! Paratë i mori. Tani, mesa duket, e kemi punën në vijë. Në vend të dyqind rublave i futa në dorë katërqind.”
Nga ana strukturore kemi të bëjmë me një tekst dramatik novator. Gogoli nuk denjon të fusë ndonjë histori romantike brenda, fokusi është te problematikat sociale, politikëbërja e gabuar, demaskimi i snobëve që kishin pushtuar hapësirat publike, meskiniteti e mentaliteti provincial, gllabërues. Hlestakovi është produkt i një shoqërie të tillë, inerte. Ai merret për person me peshë në qytet, gruaja e prefektit honepset nga mençuria dhe intelekti i tij kur ky shet dëngla nga më të ndryshmet si në këtë rast: “- Njoh shumë artiste të bukura, në shumë vodëvilë. Takohem shpesh me letrarë. Me Pushkinin e kam grurë. Më qëllon t’i them shpeshherë: E ç’kemi Pushkin vëlla? – Ç’të kemi, Ivan vëlla? më thotë, asgjë të re. Është njeri shumë origjinal.” Dhe duke parë honepsjen e Anas, vazhdon: «Po, edhe në revista shkruaj. Kam hartuar shumë gjëra: “Martesën e Figaros”, “Robert Djallin”, “Normën”. Aq shumë sa nuk më kujtohen as emrat e veprave. Dhe të gjitha rastësisht: nuk doja të shkruaja, por drejtoria e teatrit më thoshte: – Të lutemi shumë, na shkruaj diçka. Thosha me vete, hajde t’ju shkruaj.»
Qëllimi kryesor i Gogolit është që të depërtojë gjer në thellësitë e jetës triviale të këtyre nëpunësve, për t’i trandur muret e një jete të tillë perverse, pa kurrfarë kuptimi, larg civilizimit, meritokracisë, rendit e ligjit; edhe dy femrat, Ana, dhe e bija e prefektit, Maria, tipizojnë gruan mendjelehtë e pa forcë vendimmarrjeje, që gjallon nën thundrën e burrit, p.sh. kur të dyja grinden se Hlestakovi e kishte shikuar njërën të parën dhe tjetrën e ka vështruar ashtu kot dhe më pas, e bija, fejohet lehtë me revizorin, pse ky na qenka alamet personaliteti, që do ta marrë e bëjë pjesë të jetës petëburgase. Hlestakovin e takojnë përfaqësues të bashkisë: Lluka Llukiçi, inspektori i shkollave, me të cilin tallet duke pirë cigare dhe folur për femra zeshkane e biondina; Artemi Filipoviçi, kujdestari i instituteve të bamirësisë, servil e lolo të cilin e tall po ashtu, duke e pyetur në ishte më i shkurtër dje dhe merr përgjigjen: “ – Ka shumë mundësi që të jetë ashtu si thoni ju.” Komunikimi vazhdon me zellin e madh për servilizëm dhe mitin e qytetit të madh Petërburg. Kërkesat janë krejtësisht qesharake. “– Po t’ju qëllojë të takoni Carin, i thoni se diku në një qytet, Lartmadhëri, jeton Bobçinski.”
Nga fundi i komedisë, monologu i Hlestakovit shpalos krejtësisht qartë e pastër situatën. “– Më duket se këta pandehin se jam burrë shteti. Është e vërtetë se dje u hodha hi syve. Sa budallenj që janë! Për të gjitha këto do t’i shkruaj në Petërburg Trjapiçkinit. Ai shkruan artikuj dhe ua ndreq qejfin.”
Kështu snobët e bashkisë më në fund e zbulojnë përmes drejtorit të postës se revizori s’qenka i tillë, përmes një letre të cilën po e jap më poshtë:
– Drejtori i Postës: Halli është se ai nuk është as personalitet, as fuqiplotë!
– Prefekti: A e di ti se ai u fejua me vajzën time, se unë do të bëhem njeri i madh, se të degdis drejt e në Siberi?
– Drejtori i Postës: Eh, or Anton Antonovic, ç’na flet për Siberinë, Siberia është larg. Më mirë t’ju lexoj letrën. Zotërinj! Më lexoni t’ju lexoj letrën? (lexon)
Po nxitohem të të vë në dijeni, i dashur Trjapiçkin, të çudirave që më kanë ngjarë. Udhës një kapiten i këmbësorisë m’i qëroi të gjitha të hollat, mbeta tereleli, aq sa i zoti i hotelit do më shtinte në burg, kur pa pritur e pandehur, nga pamja ime prej petërburgasi dhe nga kostumi që kisha veshur, gjithë qyteti më mori për guvernatorin e përgjithshëm. Dhe ja tani banoj në shtëpinë e prefektit, dëfrehem e bëj qejf, i vij rrotull së shoqes dhe së bijës; ende nuk kam vendosur se me kë do të nis; mendoj se do të filloj me t’ëmën, sepse më duket se ajo është gati për çdo shërbim. Të gjithë më japin hua, sa të dua. Mos pyet sa tuhafë që janë! Do të ishe fikur gazit. Unë e di se ti shkruan artikuj: futi në letërsinë tënde. E para e punës: prefekti është një budalla me brirë…
Për ta pataksur prefektin dhe gjithë hierarkinë e bashkisë dhe të këtij qyteti tragjikomik.
Botuesi i “Telegrafit të Moskës”, Pelevoi, ndër kritikët e veprës, do të shkruante për “Revizorin” se është farsë së cilës i mungon dramaticiteti, nuk ka hyrje, mbarështim, as përfundim dhe karaktere të qarta, gjithashtu përbëhet nga një gjuhë e pasaktë, kaotike, duke i cilësuar personazhet si groteske dhe ngjarjet si të pakuptueshme, absurde. Përkundrazi. “Revizori” hyn në fondin e artë të teatrit klasik botëror, një vepër komike, e cila përmban substratin e një kritike të mprehtë sociale ani pse e shkruar nën regjimin autokratik të Carit. “Revizori” është thirrje për ndryshime urgjente shoqërore, është aktual sepse i flet secilës shoqëri të secilës kohë, që dështon në luftën ndaj obskurantizmit e korrupsionit. Është me rëndësi të lexohet a shikohet kjo vepër gogoliane që ka potencë të jashtëzakonshme në spektrin e organizimit politik e social me pro dhe contra-t; sot “hlestakovizmi” është bërë normë në shoqëritë bashkëkohore, madje më aktual se kurrë. Ryshfeti, intriga, mendjelehtësia e këtij karakteri është problem fondamental psikologjik ashtu sikurse “skvoznikizmi”, që mbruhet si karakter me të gjitha veset dhe mendësinë prapanike patriarkale, që mjerisht ngrihet e jo rrallëherë bëhet faktor i rëndësishëm, vendimmarrës, në shoqëri.
[1] Maksim Gorki, Artisti duhet të studiojë epokën, nga biseda me të rinjtë letrarë.
[2] Nga parathënia e romanit Frymë të vdekura, përkthyer nga Mitrush Kuteli.
[3] Vuk Filipović, Kriteret e artit të angazhuem, përktheu Osman Dushi.
[4] Willibald Ruch, Psychology of humor, University of Zurich, 2008.
[5] Nga eseja Parisi i gënjeshtërt, linku: https://peizazhe.com/2023/01/15/parisi-i-genjeshtert/
[6] N. V. Gogol, Revizori, Rilindja, Prishtinë, 1978, përkthyer nga Vedat Kokona. Citimet në vazhdim janë nga ky botim.
[7] Ivan Focht, Shija e mikroborgjezit, revista “Fjala”, përkthyer nga Vehap Shita.
Imazhi në kopertinë: Gerarus, CC BY-SA 4.0 <https://creativecommons.org/licenses/by-sa/4.0>, via Wikimedia Commons