Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Libri Shqip

PËRSIATJE MBI LIBRIN “TRANSAKSIONI”

nga Diana Gëllçi, PhD

Librin me tregime Transaksioni të Dashnor Kokonozit e lexova në kapërcyell të viteve. Ndërsa mbyllja librin, më erdhi në mend një histori e hershme- pothuaj e harruar në fakt- me mamanë time. Një ditë ajo, një ndër gratë më nikoqire që kam njohur, dhe po aq lexuese e madhe e librit, më vuri përpara dy qëndisma të marra për modele, dhe më pyeti se cila më pëlqente më shumë. Nga një vështrim i shpejtë prej fëmije, tek njëra dallova ca manushaqe të bukura që më sollën në mend pranverën, ndërsa qëndisma me penj të bardhë nuk më tha shumë. “Kjo!”, thashë shpejt duke treguar me gisht atë plot ngjyra. Megjithatë, mungesa e aprovimit të saj më bëri ta pyes po shpejt, “Po ty?” “Mua më pëlqen kjo tjetra, tha ajo. – Shiko sa elegante! Nuk i ka lulet me ngjyrë manushaqe dhe gjethet jeshile, por duhet ta shohësh me kujdes dhe i dallon të gjitha; edhe manushaqet, edhe gjethet, edhe ngjyrat. Shiko sa bukur e kanë qëndisur; nuk dallohen fare penjtë nga mbrapa.” Unë isha fare e vogël dhe natyrisht e pata të vështirë t’i kuptoja të gjitha ato që tha mamaja- ajo artiste e lindur- për elegancën dhe thjeshtësinë e së bukurës. Ai përshkrim më la aq mbresë megjithatë, sa që në një lloj mënyre u bë edhe gjeneza e etalonit të shijeve të mija. E thjeshta dhe elegantja u kthyen në kritere për të shijuar të bukurën në përgjithësi, ndërsa interesi për të gjetur kuptimin e gjërave nga hobi m’u kthye në profesion.

Në këtë përsiatje të shpejtë mbi librin Transaksioni, thjesht do të doja të ndaja disa mbresa të mijat nga leximi i tregimeve, pa marrë përsipër një analizë të hollësishme rreth tyre. Libri i fundit i Kokonozit ka 17 tregime të shkurtra, të gjitha të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, por pa dyshim të zgjedhur kujdesshëm, që jo vetëm i “qëndis” ngjarjet dhe personazhet me elegancën e një mjeshtri, por edhe ia afron lexuesit t’i përjetojë ato me po aq elegancë dhe mjeshtëri, ose ndryshe do t’i kalonin pa kuptuar. Leximi i tregimeve të tilla nuk është si leximi i ca romaneve të gjata ku mund t’i lësh të të ikin pa lexuar nja 30 faqe dhe përsëri nuk ke humbur ndonjë gjë të madhe pasi peizazhi është krejt monoton. Përkundrazi, në librin e Kokonozit, nëse të kapërcen pa dashur një fjali e vetme, shumë shpejt do të ngecësh diku e do të të duhet të kthehesh pas për të kërkuar fillin e humbur. Kaq me kujdes ka zgjedhur autori çdo fjalë të përdorur në tregimet e tij, sa që një lexues i mirë shpejt e kupton se në rastin e Kokonozit, thjeshtësia e gjuhës së përdorur është edhe zgjedhje, edhe zgjidhje. Është zgjedhje sepse autori kështu ka zgjedhur të shkruajë. Ndërkaq, ndërsa lexon librin nuk mund të mos vesh re se thjeshtësia e gjuhës është pa dyshim edhe një zgjidhje artistike e autorit, sepse të shkruash kaq thjesht[1] është të hapesh dyert e artit të letërsisë për një masë të madhe e të larmishme lexuesish.

Çdo faqe e librit do të mund të ilustronte ato çfarë shkrova më lart. Një hapje e rastësishme në faqen e njëzetë për shembull, më bëri t’i ndaloj sytë tek rreshti i parë i paragrafit të dytë ku shkruhet: “Ishin me origjinë nga rrethinat e Tiranës dhe qenë arrestuar diku midis Lushnjës dhe Fierit.” Në një fjali me vetëm 15 fjalë, Kokonozi jep në fakt të gjithë kontekstin e tregimit me titull Një grua që nuk më shqitet mendjeje. Ndryshe nga çfarë mund të sugjerojë titulli, tregimi nuk bën fjalë për ndonjë femër mahnitëse, por për fenomenin shtypës që mund të krijohet nga ligji në duar të gabuara, çka në këtë rast përfaqësohej (fatkeqësisht!) nga një grua. Dy gjynahqarët e tregimit, të akuzuar për tentativë arratisjeje në kohën e regjimit komunist ishin të dy nga rrethinat e Tiranës ndërsa qenë arrestuar diku midis Lushnjes dhe Fierit, në çfarë cilësohej si “tentativë arratisjeje”. Për kë njeh sado pak gjeografinë e Shqipërisë, edhe vetëm kjo fjali jep gjithë kontekstin dhe dramacitetin e ngjarjes: Së pari, rrethinat e Tiranës, Lushnja dhe Fieri janë ngjitur me njëra-tjetrën. Së dyti, çfarë është edhe më e rëndësishme, asnjë prej këtyre zonave nuk është zonë kufitare. Pra, përse akuzoheshin këta të mjerë?! Nga do të arratiseshin?! Për të mos shtuar se sa shumë ka ndryshuar ndjeshmëria publike ndaj së ashtuquajturës arratisje. Fakti që tregimi nuk përfundon duke kumtuar fatin e tyre në gjyq, por me vragën që ngjarja vetë lë në psikikën e autorit, flet pikërisht për përparësinë që merr fenomeni mbi ngjarjen në atë që do ta përmblidhja si letërsia e Kokonozit, çka unë gjithmonë e gjej si një vlerë të shtuar në letërsi.

Thuhet se lexuesit zakonisht i pëlqejnë më shumë ato pjesë ku gjen vetveten, fakt i diskutueshëm, sidoqoftë. Në mendimin tim, na pëlqejnë më së shumti ato pjesë ku autori me mjeshtëri arrin të na futë në përjetimet e tij. Nuk do ta shihja kurrë si meritë të lexuesit vetëm, por më së shumti si artin e përfshirjes së lexuesit. Kështu për shembull, e lexova me shumë ëndje tregimin “Codex Calixtinus” të Kokonozit dhe m’u duk se befas zbulova një botë të tërë të dikujt (vetë autorit, ndoshta?!) që do ta karakterizoja si një tërheqje të veçantë për të mësuar, por edhe me një shpirt të shëndetshëm aventurieri. Mbi të gjitha, më bëri përshtypje guximi çapkën për të eksploruar botën në një mënyrë kaq unike sa ç’është pelegrinazhi dy mijë kilometrash drejt katedrales së Santiagos në Spanjë. Megjithëse ky lloj pelegrinazhi ka moshë disa qindra vjeçare – çfarë do të thotë se mijëra njerëz deri më sot janë udhëhequr e tërhequr në këtë udhëtim nga të njëjtat ide, ndjesi a kuriozitet dhe kanë kaluar ndoshta nëpër të njëjtat rituale – udhëtimi i një pelegrini shqiptar vishet padashur me dramacitet dhe merr përmasa simbolike në vetvete kur mendon se sa i pamundur ishte një udhëtim i tillë jo shumë kohë më parë. Edhe pse autori e përshkruan thjesht, bukur e me humor se çfarë do të thoshte një udhëtim i tillë (takim me njerëz të panjohur, vende dhe ambiente interesante por edhe kohë për meditim), në fund, tregimi që merr formën e një rrëfenje të çlirët të autorit si në një takim të rastësishëm në kafene ndërsa ai sapo është kthyer nga udhëtimi interesant e është akoma nën mbresat e tij, apo dhe nevojën për të rrëfyer, filli elokuent shkëputet nga telefonata e Paul-it, pelegrinit të një nacionaliteti tjetër që njofton autorin për… vjedhjen e kodikut. Ai lajm ndihet si një fishkëllimë e shpejtë (xit!) në qelqet e holla e plot dritë të përshkrimit, që mbyllet kështu me një lloj drame (apo alarmi?) të përjetuar nga rrëfyesi/pelegrini. Ishin vjedhur kodikët. A ishte kjo drama e atij që kupton se sa fatlum ishte që arriti të realizojë ëndrrën e tij gati të pamundur në vite e që për fat u realizua krejt në kohë?! Domethënë një çast më vonë dhe ky mund të kishte qenë një shans i humbur përgjithmonë?! Apo është sikleti i një personazhi të rritur në një rrëgjim plot trysni ku vetëpërgjimi u bë pjesë e ndërgjegjes kolektive pasi jeta në liri më shumë se jetë e jetuar me nder ishte pjesë e lojës së fatit dhe shpesh edhe një lodër në duart e gjykatësit të sistemit; një personazh që përjeton vjedhjen e një objekti publik si një akuzë gati individuale?! Apo të dyja bashkë?! Nuk e di nëse kjo është ngjarje e jetuar. Nëse jo, atëherë do të thosha se linja është edhe më e realizuar.

Një tregim tjetër, që më bëri përshtypje është ai i titulluar “Feliksi i tre qyteteve”. Autori e fillon tregimin me të ashtuquajturën Gropën e Përbashkët dhe kaq është e mjaftueshme për t’u ndjerë të mbërthyer nën trysninë e dramës së Feliksit; vetë mbiemri cilësues “i përbashkët” sikur të kujton vazhdimisht se askush nuk është imun ndaj një fati kaq të kobshëm sa ai i Feliksit. Ndërsa e lexoja tregimin, herë-herë ndalesha e mendoja për zinxhirin e ngjarjeve në jetën e personazhit: Një fëmijë i lumtur me dy prindër të dashur. Pastaj një nënë e vetmuar (çfarë ndodhi vallë që ishte kaq e jashtëzakonshme!?) e cila e bënte edhe Feliksin të vetmuar. Dhe pastaj zgjidhja: Një burrë për nënën që nuk u bë dot kurrë as baba dhe as burrë. E më pas, Feliksi i vetmuar dhe me ndërgjegje të vrarë. Feliksi nën kthetrat e alkoolit. Feliksi pa familje. Pa punë. Pa strehë. Feliksi me jetën si të bufit. Dhe cila është e vërteta? Dhe ku qëndron faji? Vjen një çast që vetë autori ngreh siparin e një tjetër drame: deri ku e vërteta e jetës së Feliksit është e vërtete dhe jo halucinacion prej alkoolizmit? Dhe qysh prej aty, vëmendja kalon nga leximi “dyst” siç i themi, tek një lexim më i thellë i asaj që në dukje (dhe vetëm në dukje, në fakt) është krejt e qartë. Pyetja është çfarë përfaqëson Feliksi dhe si duhet ta kuptojmë historinë e tij në një kontekst të gjerë njerëzor. Për mua, në fund të fundit, çdo vepër artistike është një kumt që të çon në një bashkëbisedim pothuaj intim me autorin, qoftë ai i gjallë ose jo. Në këtë tregim, Kokonozi duket sikur thotë se si jo rrallë në jetë, gjërat nuk janë ashtu siç mund t’i kuptojmë. Madje shpesh, shumë gjëra mund të mbeten edhe enigma të përjetshme, siç lihet të kuptohet edhe jeta në rastin e Feliksit. Ajo që na mbetet të kuptojmë si lexues – dhe si njerëz, sidoqoftë- është ideja se pavarësisht nga shkalla e vetëbesimit që mund të kemi krijuar në jetë dhe pavarësisht nga sensi altruist që mund të kemi fituar prej saj, jeta e tjetrit nuk e merr zgjidhjen në perceptimin tonë. Jeta e Feliksit me dramën e saj mbeti sa e pakuptueshme, aq edhe pa zgjidhje. Mund të thuhet edhe se kjo është edhe drama e një sistemi shoqëror që ngreh organizma të tilla sociale “të pashpirt”, që nuk arrijnë ta ndihmojnë dot individin e të tjera e të tjera. Nuk m’u duk se autori ka këtë qëllim, domethënë kritikën e një sistemi apo të shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Nuk më duket se ai moralizon me dramën e Feliksit. Ajo që unë kuptova është se autori me mjeshtëri ka arritur të hapë një dritare mbi marrëdhëniet e komplikuara njerëzore, një dritare, që edhe pse jo e panjohur, në këtë tregim ndihet si e re. Kokonozi përshkruan kaq mjeshtërisht, sa mua m’u duk se i pashë hardhucat që ikën me shpejtësi larg varrmihësve, për t’u rikthyer në një pozicion tjetër nga ku do të shihnin pa trazuar se çfarë po ndodhte në Gropën e Përbashkët. Dhe Gropa e Përbashkët?… A është përdorur termi në mënyrë simbolike për të na thënë se ne jemi vërtet të ndryshëm, por jetët dhe fatet tona nuk janë aq pa lidhje sa ç’duket, sepse ku me shumë apo ku më pak, të gjithë do t’i kthehemi një ditë së njëjtës Gropë të Përbashkët, edhe pse disa do të shkojnë aty me nder e ceremoni, disa do të kalben poshtë një kryqi të drunjtë, e disa të tjerë mund të mos kenë asnjërën?! Tregime të tilla të zhysin në mendime të thella për botën, njerëzit dhe veten. Në fund të fundit, gjithkush i “lexon” dhe kupton gjërat nga një këndvështrim thjesht unik; dimensionet e një vepre letrare maten me fuqinë që ka autori për të të futur në atë vorbull mendimesh. Sipas meje, tregimet e përmbledhjes Transaksioni e bëjnë këtë më së miri.

Në përfundim, do të thosha se e lexova shpejt dhe me ëndje librin e fundit me tregime të shkurtra të Dashnor Kokonozit. E lexova me një frymë, por e kam akoma në duar; e rilexoj, e mendoj dhe i rikthehem serish. Më duhet të pranoj që për mua, forma e të shkruarit, apo gjuha/stili i të shkruarit, kanë po aq peshë sa vetë ngjarja, apo në mos edhe më shumë. Duhet të shtoj, sidoqoftë se tregimet e shkurtra më janë dukur gjithmonë një zhanër tërheqës. Nëse do të flisnim në gjuhën e transaksioneve (Transaksioni!!), tregimi i shkurtër i përngjan një transaksioni të shpejtë; e merr, e lexon dhe menjëherë mund të shijosh edhe kënaqësinë e leximit apo bezdisjen prej tij. Në këtë kuptim, masa e lexuesve të tregimit të shkurtër është gjithmonë disa herë më e madhe se sa ajo e lexuesve që preferojnë gjinitë e gjata. Ata që shkruajnë, megjithatë, e dinë mirë se tregimi i shkurtër kërkon në fakt shumë më tepër mundim dhe përgatitje për tu shkruar; gjë, të cilën, Kokonozi duket e ka arritur me sukses në këtë vëllim. Të gjitha tregimet janë të këndshme. Nuk do të merrja përsipër t’i klasifikoja ato në shumë të arrirë apo më pak të arrirë pasi kjo varet nga shijet individuale të asaj apo atij që i lexon. Unë thjesht do të thosha se ky libër të afron shumëçka për të lexuar, gjetur e menduar. Tregimet në përgjithësi tregohen bukur dhe me humor. Dy prej tyre, Fyerja dhe Takim i Munguar e kalojnë narrativën në një fushë më së shumti abstrakte dhe meditative, çka edhe pse jo shumë e lëvruar, mbetet joshëse si për autorët ashtu edhe lexuesit e shqipes. Ndërkaq, vura re se 3-4 tregime përfundojnë me idenë vdekjes, gjë që të bën të mendosh për ndoshta ndikimin e ndonjë ideje moderniste që thekson fatalitetin e jetës. Unë nuk e ndjeva ashtu. Matanë fatalitetit, detaje të tilla do t’i përshkruaja si përqeshje të vdekjes më shumë se sa vetëvrasjes si zgjidhje letrare.

Do të shtoja me këtë rast se lexoj shpesh një lloj pakënaqësie ndaj mungesës së lexuesve apo mungesës kolektive të dëshirës për lexim, ndërsa ka një pafundësi botimesh të të gjitha llojeve, kategorive e cilësive. Personalisht më vjen mirë që kaq shumë njerëz kanë dëshirë apo nevojë të tregojnë si dhe mundësi të botojnë. Është e dukshme që jo të gjitha ato që botohen janë kryevepra, por kryeveprat kanë qenë gjithmonë të rralla, gjithsesi. Nuk mendoj se mungon lexuesi. Lexuesi i sotëm ka një larmi shumë më të madhe interesash, që shkojnë matanë dëshirës për të lexuar letërsi. Ndërkaq, vetë kanalet e informacionit janë shumëfishuar në përmasa të panumërueshme. Ajo çfarë na mungon në fakt, është udhërrëfimi drejt asaj që mund ta quajmë letërsi e mirë. Pak, ose shumë pak zëra të spikatur, të besueshëm apo të pëlqyeshëm për lexuesin, marrin mundimin të thonë mendimin e tyre për veprat e botuara duke të bërë të mendosh, a lexojnë vallë ata vetë…?! Dhe nëse askush nuk do të kishte ndoshta dëshirë të merrej me një vepër letrare të pa arrirë, dy fjalë të sinqerta për një letërsi që të bën të mendohesh, besoj do të vlenin po aq sa një vepër e mirëfilltë.

Librin me tregime të shkurtra Transaksioni i Dashnor Kokonozit do t’ua rekomandoja pa dyshim të gjithë atyre që kanë dëshirë të lexojnë diçka të mirë e me vlerë.

© 2023 Diana Gëllçi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

 


[1] Në një kohë kur gjuha shqipe është vazhdimisht nën trysninë e ndryshimit nga prurjet e shumta prej gjuhëve të tjera, diçka e pashmangshme nga ndryshimet e mëdha të ndodhura brenda Shqipërisë në këto afro 30 vitet e fundit por edhe nga ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në këtë peridhë me zhvillimet e vrullshme në teknologjitë e komunikimit në botë, shkrimi me këtë thjeshtësi kërkon jo vetëm talent, por edhe një përvojë të gjatë e vullnet të mirë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin