Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Muzikë

NJË KONT NË LA SCALA

Polemika të ndezura në Itali, për një koncert të kantautorit Paolo Conte në Teatrin “La Scala” të Milanos – që mbase ia vlen të ndiqen edhe për të kuptuar edhe si po i vendos sot publiku (në përgjithësi) me muzikën (sërish në përgjithësi).

Një nga teatrot lirike më prestigjiozë në botë, “La Scala” ka shkëlqyer duke ia ofruar skenën operës, baletit dhe muzikës klasike ashtu edhe duke u bërë pjesë e historisë së këtyre zhanreve. Për shkak të statusit që prej kohësh ka fituar në botën italiane dhe europiane të spektaklit, ideja që atje mund të mbahet një koncert i muzikës pop tingëllon për disa blasfeme.

Paolo Conte, nga ana e vet, është nga më të mëdhenjtë kantautorë të muzikës italiane – dhe nga më të moshuarit: 86 vjeç. Me stilin e tij pak jazz dhe pak cabaret, me influencat e shumta nga muzika urbane perëndimore, veçanërisht franceze dhe latino-amerikane, me tekstet gjithnjë zhbiruese dhe plot referenca të kultivuara, dhe me evokimet e tij të bulevardeve, taksive të natës, boksit, tap dance-it, kinemave franceze, foulard-eve, hoteleve me orë, makinave të garave, ombrellave të shiut, seta pura-ve, jazz-it manouche, grave që vallëzojnë zbathur, Chinatown-it të filtruar nga Hollywood-i, arabeskave, taftave, tramvajeve, ventilatorëve në tavan, këpucëve lustrafine, klubeve të borgjezisë së provincës, décolleté-ve, papijoneve, pardesyve, foxtrot-eve dhe milongave, habanerave dhe fandangove, pokerit, bareve të metropoleve, ekzotikës së spektaklit trash e kështu me radhë – Conte i ka bërë vend vetes në librin e artë të pop-it italian të këtyre 30-40 vjetëve të fundit.

(Një analizë të pasur të artit të Paolo Conte-s, nga Antonio Sotgiu, mund ta lexoni këtu)

Çfarë disa kritikëve nuk u pëlqeu ishte kombinimi i një teatri të shquar si “La Scala”, me një kantautor të shquar si Paolo Conte – dy maja të larta të muzikës, por në harta kulturore të ndryshme. Piero Maranghi, personalitet i kritikës muzikore klasike në Itali dhe admirues i deklaruar i Conte-s, e shpjegoi kundërshtimin e vet me një letër të hapur drejtuar kantautorit, ku e quajti koncertin e këtij “gati një shpullë për historinë e La Scala-s” (referenca në fund të shkrimit).

Në të kaluarën, koncerti në atë teatër u është refuzuar deri edhe yjeve të kalibrit të Paul McCartney-t dhe Bob Dylan-it; përkundrazi, ka ndodhur që atje të mbajë një koncert me piano solo Keith Jarrett, i kategorizuar si muzikant jazz-i. Për një kategori dashamirësish dhe ndjekësish të muzikës në Itali, “La Scala” është ende tepër e shenjtë, për t’ia hapur dyert muzikës pop bashkëkohore – dhe duhet mbrojtur nga këto tundime, pikërisht ngaqë muzika klasike, i së cilës teatri është nga tempujt më të nderuar, sot rrezikohet të mbetet pa publik.

Dhe nuk bëhet këtu fjalë vetëm për art “të lartë” dhe art “masash”: pavarësisht nga prestigji dhe historia, opera nuk është konsideruar ndonjëherë art “i lartë”, në të njëjtin nivel me, të themi muzikën e dhomës; por më tepër për vetëdijen e atij publiku që e gjen veten dhe riprodhohet duke u mbyllur brenda atij manastiri, për të shijuar dhe ruajtur një repertor përndryshe në perëndim e sipër.

Publik snobësh mbase nuk është cilësimi i duhur, por është i pari që të vjen në mendje.

Këto polemika të tanishme, për hapjen e “La Scala”-s ndaj një kantautori, qëlloi që erdhën fill pas Sanremos; një festival që unë nuk e ndoqa, dhe që nuk e ndjek prej kohësh; por që pashë se mediat e përcollën me komente të shumta jo për muzikën që u soll, dhe as për interpretimet, por kryesisht për përdorimin e skenës përndryshe edhe ajo prestigjioze, si cirk a karneval, ku u luajt me tabutë seksuale dhe gjinore të momentit.

Nuk e përfytyroj dot dikë si Paolo Conte-n, në skenën e kësaj Sanremoje; më duket edhe më i largët prej saj, se nga “La Scala” e shenjtëruar e artit klasik. Madje, po të duam të eksplorojmë më tej etiketat, sot nuk ka kuptim që këtë “klasik” t’ia zbatojmë Rossini-t dhe Verdi-t, por jo një përfaqësuesi të periudhës së artë të muzikës së kantautorëve në Itali – poetë mes poetësh dhe këngëtarë mes këngëtarësh.

Por edhe ardhja e Conte-s në “La Scala” mbase nuk është aq revolucionare sa mund të duket: ai vetë është tashmë 86 vjeç dhe muzika e tij vjen edhe ajo nga e kaluara, siç vijnë nga e kaluara referencat dhe intertekstualitetet e panumërta të teksteve dhe të melodive të tij (post-moderne). Nuk them dot sa e njeh Conte-n brezi i ri në Itali; një kronikë që lexova për eventin, lajmëronte se të rinj në sallën e “La Scala”-s nuk para kishte: por mbase edhe është hija e rëndë e sallës vetë, ose akti i të shkuarit në koncert te një tempull i atillë (performativi), që i mban larg të rinjtë.

Siç e shoh unë, ardhja e Paolo Conte-s në atë teatër më shumë se “profanim” i teatrit dhe i traditës së muzikës colta në Itali, është njohje e statusit prej klasiku që ka fituar tashmë kantautori dhe nevojës së një brezi – baby boomers italianë – që ta shohin edhe beniaminin e tyre të konsakruar si të tillë, klasik (nuk po them fosil). Nuk di të them me siguri çfarë muzike “serioze” mund të ketë prodhuar Italia e Pasluftës, me përjashtim të kolonave zanore të Nino Rota-s dhe Ennio Moricone-s (që edhe ato luftojnë për status sot e kësaj dite); por di që shumë admirues të Paolo Conte-s në vite kanë gjetur, në krijimtarinë e tij muzikore, poetike dhe interpretative, diçka më sublime dhe domethënëse se ç’kanë gjetur, të themi, tek Al Bano dhe Romina Power (por ec e thuaja këtë publikut të koncertit të këtyre në Tiranën e vitit 1989!).

Dhe hapja e një pallati mbretëror të muzikës, deri atëherë të mbyllur për llojin e artit që sjell Paolo Conte, për mua tregon edhe frikën – gjithnjë të atij brezi që i ka admiruar kantautorët italianë prej vitesh – se ajo muzikë, tek e cila kanë gjetur veten, tashmë nuk po ndiqet më; dhe aq më pak po ngjitet në skena konvencionale, si ajo e Sanremo-s. Është frikë që e ka burimin te konstatimi – kushedi sa i vërtetë apo jo – se brezi i poetëve të kalibrit të Paolo Conte-s, Lucio Dalla-s, Gino Paoli-t, Fabrizio de André-së, Francesco De Gregori-t, Claudio Baglioni-t, Vasco Rossi-t, Franco Battiato-s, Pino Daniele-s; por edhe i prurjeve të aq të rafinuara të Mina-s, Ornella Vanoni-t, Iva Zanicchi-t, Mia Martini-t ishte më shumë një përjashtim i lumtur, se rregull i cirkut të spektaklit pop të muzikës në Perëndim; dhe një traditë që bëhet edhe më e çmuar, tani që duket sikur ndërprerë.

Prandaj Paolo Conte erdhi në “La Scala” si përfaqësues i një stine tashmë të ndërruar e të alienuar kushedi edhe për faj të ngrohjes globale (në kulturë); mbase po aq të ndërruar sa edhe ajo e Rossini-t, Verdi-t dhe e muzikës klasike, që tashmë edhe në një tempull si “La Scala” nuk është më shumë se latinishtja e liturgjisë në një katedrale ende madhështore.

Unë që shkruaj, edhe unë ndjekës i vjetër dhe admirues i Paolo Conte-s, e mbaj mend atë kohë të largët kur në Sanremo mund të këndohej akoma me teknikë të një zëri të kultivuar, operistik – siç bënte Claudio Villa; siç mbaj mend edhe që këngëtarë “lirikë” (se ashtu i quanim) dilnin rregullisht në skenën e Festivalit të Këngës në Radio (dhe pastaj në RTSH) – i tillë ishte Gaqo Çakoja, që vazhdoi të interpretonte muzikë të lehtë deri vonë; por edhe Avni Mula, Ramiz Kovaçi e ndonjë tjetër. Më duket çudi, tani që mendoj, se Claudio Villa dhe Adriano Celentano-ja mund edhe të kenë konkurruar së bashku, në të njëjtin edicion të Sanremo-s.

Atëherë do ta kisha quajtur “polenizim të kryqëzuar” këtë përzierje regjistrash; të njëjtën përzierje që pak dekada më vonë nuk do të ndodhte dot, përveçse si citim (kujtoj zërin e sopranos, që ndërhyn në Il Cuoco di Salò, të De Gregorit, për të ilustruar atmosferën). Mbase kështu, si ilustrim i një atmosfere, i një epoke, do interpretuar edhe koncerti i 86-vjeçarit Paolo Conte, në tempullin e “La Scala”-s – evokim i një epoke që tashmë mund të mbahet gjallë vetëm nëpërmjet evokimit.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Kureshtarët i ftoj të lexojnë të paktën sa më poshtë.

Për një qëndrim kritik ndaj Conte-s në La Scala (nga Piero Maranghi):

Lettera a Paolo Conte con preghiera di non profanare la Scala

Për një qëndrim në favor të koncertit (nga Vittorio Sgarbi):

Evviva Paolo Conte alla Scala

Për kureshtarët e kalibrit të Paolo Conte-s poet, po sjell tekstin e këngës “Novecento” (nga albumi homonim, i vitit 1992):

Dicono che quei cieli siano adatti
ai cavalli e che le strade
siano polvere di palcoscenico
dicono che nelle case donne pallide
sopra la vecchia «Singer» cuciano
gli spolverini di percalle
abiti che contro il vento stiano tesi
e tutto il resto siano balle
vecchio lavoro da cinesi eh eh eh

Dicono che quella vecchia canzoncina
dell’ottocento fa sorridere
in un dolce sogno certe bambole
tutte trafitte da una freccia indiana
ricordi del secolo prima
roba di un’epoca lontana
epoca intravista nel bagliore bianco
che spara il lampo di magnesio
sul rosso folle del manganesio eh eh eh

Indaco era il silenzio e il Grande Spirito
che rallentava la brina
scacciava i corvi dalla collina
come una vecchia cuoca in una cucina
sgrida i fantasmi dei buongustai
in una lenta cantilena
lasciamo stare, lasciamo perdere
lasciamo andare
non lo sappiamo dov’eravamo
in quel mattino da vedere eh eh eh

Dov’eravamo mai in quel mattino
quando correva il novecento
le grandi gare di mocassino
lassù, sul palcoscenico pleistocenico
sull’altopiano preistorico
prima vulcanico e poi galvanico
dicono che sia tutta una vaniglia
una grande battaglia
una forte meraviglia eh eh eh

Galvanizzato il vento spalancava
tutti i garages e liberava
grossi motori entusiamati
la paglia volteggiava nell’aria gialla
più su del regno delle aquile
dove l’aereo scintilla
l’aereo scintillava come gli occhi
dei ragazzi che, randagi
lo guardavano tra i rami del ciliegi eh eh eh…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin