Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

LIBËR PËR KRENARINË E NDROJTUR

nga Ilir Yzeiri

« Izraelitët në Shqipëri » është shkruar nga Josef Jakoel, një hebre nga familjet izraelite të Vlorës, që u vendos në Tiranë pas përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe punoi si ekonomist në sektorin e bujqësisë. Në fund të viteve ’80 ai nisi të shkruajë historinë e izraelitëve në vendin tonë dhe është i pari dhe, po ashtu, i vetmi autor nga komunitetit i hebrenjve në Shqipëri që dëshmon për kohën kur erdhën ata në vendin tonë, për praninë e tyre këtu, për numrin e familjeve para Luftës së Dytë Botërore dhe për numrin e tyre pas kësaj luftë. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të evidentuar gjithçka që lidhet me këtë komunitet martir në vendin tonë. Të gjithë ata që kanë shkruar për hebrenjtë dhe fatin e tyre në Shqipëri e kanë bërë këtë nga jashtë. Josef Jakoel është i pari që e bën këtë dëshmi nga brenda. Por, jo vetëm kaq. Ai është i pari që çoi mesazhin e veprës fisnike të shqiptarëve në Perëndim dhe tregoi me fakte fisnikërinë e popullit tonë pa përjashtim në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy senatorët amerikanë që erdhën në vendin tonë në fillim të viteve ’90, Tom Lantosh dhe Xhozef Dioguardi, i pari ebre me origjinë nga Hungaria, i dyti me origjinë arbëreshe, kur takuan Ramiz Alinë, ky i fundit u vuri përpara dosjen e ruajtur në Arkivin e Shtetit të mbrojtjes që shqiptarët u kishin bërë hebrenjve gjatë Luftës, por takimi me Josef Jakoelin në këtë kohë ishte vendimtar. Ajo sjellje dinake e Alisë nuk e mbulonte dot heshtjen absurde dhe kriminale që mbajti regjimi komunist ndaj kësaj vepre. Megjithatë ajo dosje e trashë që Alia u vuri përpara dy senatorëve ndihmoi në njohjen e ndihmesës së shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve nga bisha naziste. Mirëpo, siç thotë bashkëshortja e J. Dioguardit, Shirley Cloyes Dioguardi, në parëthënien e librit « Izraelitët në Shqipëri » (Josef Jakoel, Izraelitët në Shqipëri, Botimet ÇABEJ, Tiranë 2020) « … roli shpëtues i shqiptarëve mbeti i panjohur deri në vitin 1990, por doli në pah përmes kurajos së tre personave : Josef Jakoel, një hebre shqiptar, i cili kishte kaluar gjithë jetën në Shqipërinë komuniste dhe dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Tom Lantos demokrat nga Kalifornia dhe Joe Dioguardi, republikan nga Nju Jorku » (f.9). Gjithë jehona dhe vlerësimi që iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve si « FISNIKË MES KOMBEVE », njohur nga Jad Vashem-i e ka zanafillën këtu. Filantropi amerikan, Harvey Sarner botoi në vitin 1992 librin me titull « Hebrejtë në Shqipëri », i cili bazohej në dokumentet dhe shënimet që autori i kishte marrë prej Josef Jakoelit dhe së bijës, Feliçitës. Libri u mbajt si dorëshkrim deri vonë dhe falë studiuesit Agron Alibali dhe bijës së Josefit, Feliçitës si dhe gadishmërisë së Brikena Çabejt, u botua në shqip në vitin 2020, pasi ishte botuar më parë në anglisht. Vepra ka edhe një pasthënie nga akademik P. Xhufi i cili vlerëson lart sidomos intuitën e historianit të Josef Jakoelit. Përveç parathënies së bashkëshortes së Dioguardit që e preka më lart, libri shoqërohet edhe me një përcjellje nga e bija e tij, Feliçita, të cilën ajo e ka titulluar « Cefi ynë », duke përdorur me përkëdheli shkurtimin « Cefi » për të atin Josef.

Po çfarë përmban ky libër.

Ai është një rrëfim i ndier, i shkruar me kompetencë dhe me shumë kujdes miqësor për historinë e hebrenjve në vendin tonë dhe për marrëdheniet e tyre me shqiptarët, që kulmoi me mbrojtjen fisnike që ata u bënë atyre në vitet e tmerrit nazist. Qysh në fillim përmendet zbulimi i faltores së vjetër në Sarandë, në të cilën janë vërejtur edhe simbole hebraike që flasin për një shpërngulje të hershme të tyre në viset e Epirit dhe të Ilirisë pasi perandori romak Titus zaptoi Jerusalemin në shtator të vitit 70 të erës sonë. Mozaiku me simbole të qarta hebraike si shandanë shtatkrahësh – Menorah, shofari – briri i dashit dhe fruti i qitros në mozaikun e një kishe të shekujve V-VI në qendër të Sarandës së sotme, flet për ngulime të hershme të tyre në vendin tonë.

Vala e dytë ka qenë ajo e komunitetit hebre që, të përndjekur nga inkuizicioni në Spanjë, u vendosën në Greqi kryesisht. Me intuitë, vëren prof Xhufi, ai argumentoi atë që u vërtetua më vonë se izraelitët e Shqipërisë nuk kanë lidhje me ata të Spanjës. Ata janë romaniotë dhe kanë ardhur nga Janina. Dha vala e tretë është ajo e fillimit të shekullit XX kur një pjesë e madhe e komunitetit hebre erdhi nga Janina e Korfuzi dhe u vendosën në vendin tonë.

Këtu kanë kaluar edhe personalitete të shquara të hebrenjve, thotë autori i librit, si Sabatai CVI (Zevi) ai që krijoi sektin e famshëm kripto-judeh « Donmeh ». Ai përmend gjithashtu edhe procesin e islamizimit dhe tretjen e tyre në bashkësi më të mëdha. Në fjalorin e gjuhës së izraelitëve të Shqipërisë, vëren ai, janë futur edhe fjalë shqipe si kastravec, Tepelenis, emra si Biros, nga bir me prapashtesën e thirrorit – o. Ka edhe vende gati si të shenjta si « Varri i Çakos » në rrethinat e Vlorës, një izraelit që përmendet me respekt nga shqiptarët. Në ndonjë rast edhe administrata e kohës së mbretërisë e zgjidh pozitivisht repsektin për ditën e shabatit, të shtunën dhe nuk i gjobit, por u kthen edhe atë gjobë që u ishte vënë më parë pse nuk hapnin dyqanet në atë ditë. Ambasadori amerikan në Shqipëri në vitet ’30-’33, në një dokument zyrtar, vëren se në Shqipëri nuk ndjehet asnjë lloj frymë antisemitizmi, shkruan ai.

Në fillim të librit autori ka treguar fatin e përafërt të dy vendeve tona, të cilët, megjithëse larg, kanë pasur në historinë e tyre thuajse të njëjtat tragjedi shpërnguljesh e migrimesh. Me interes të veçantë janë traditat e festave laike dhe fetare të hebrenjve. Martesa dhe nuset që preferoheshin nga hebrenjtë e Janinës, Libri i shenjtë Sefer Tora që këndohej në ditët e festave hebraike, i cili ruhej në një arkëz të shenjtë, sjellë edhe ai në Shqipëri. Dita e Pendesës së Madhe apo siç quhet Dita e Kipurit, Viti i Ri hebraik apo Rosh-Hoshanaja. Sukothi apo Dita e Kasolleve që përkujton endjen e hebrenjve në shkretëtirë. Qitroja – fruti i shenjtë i hebrenjve më solli ndërmend rrefimin e Petro Markos dhe tregtinë e të atit me hebrenjtë e Korfuzit, sepse Dhërmiu ishte i famshëm për prodhimin e tyre. Pastaj e Kremtja e Hanukasë, pranvera, Pashka – hebraisht Pesah – që do të thotë kalim, dalja e izraelitëve nga Egjipit për t’u përmbyllur me Agjërimin e zi, apo Dita Tisha Be Avil që përkujton rënien e Tempullit të Solomonit.

Emocionant është kapitulli « Izraelitët në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore ». Për herë të parë autori jep shifrën e saktë dhe thotë se deri më 7 prill 1939 kishte 33 familje izraelite, jo më shumë se 105 frymë. Pas përfundimit të Luftës numuroheshin rreth 500 frymë. Pastaj emrat e shqiptarëve si dr. Spiro Lito dhe udhëtimi i tij në Prishtinë për të nxjerrë nga kampi i përqëndrimit atje dy hebrenj apo Grigor Gjika, Fatlli Imami si dhe shtëpia e Haxhi Herrit në Zall -Herr, Refik Veseli, shqiptari i parë që u njoh si Fisnik mes Kombeve, janë vetëm disa nga emrat e shumtë që përmenden në këtë libër, të cilët ndihmuan duke rrezikuar edhe jetën e tyre që hebrenjtë e Shqipërisë të mos prekeshin. Në libër ka edhe dëshmi të tjera të funksionarëve shqiptarë të qeverive kuislinge që mbajtën të njëjtin qëndrim si shqiptarët e tjerë : jo hebrenjtë te nazistët. Prefekti i Vlorës, Risilia fjala vjen, përmendet në libër edhe për një fakt tjetër që e bën atë njeri dinjitoz dhe hedh poshtë insinuatat e shëmtuara së shqiptarët i ndihmuan hebrenjtë në këmbim të parave e floririt. Jakoel e hedh poshtë me vendosmëri këtë pandehmë dhe rrëfen këtë histori që tregon dinjitetin e shqiptarit. Prefekti Risilia shkon në dyqanin ku familjarët e tij kishin marrë mall për një event familjar gjatë gjithë muajit. Hebreu nuk donte të merrte asnjë lek duke i kujtuar atij ndihmën që ai vetë kishte dhënë për ta. Por prefekti Risilia iu përgjigj : nëse doni të më kini mik, merrni paratë, po të doni të më kini armik mos i merrni. Dha pagoi.

Këto vlera të larta të shqiptarëve m’i ka konfirmuar edhe biseda me shkrimtaren dhe artisten Anisa Markarian që e intervistova para disa kohësh. Edhe komuniteti i saj armen, siç më tha ajo, ka gjetur në Shqipëri një klimë të jashtëzakonshme vëllazërore.

Është një fragment në parathënien e librit nga e bija e Jakoelit, Feliçita që mendoj se shërben më së miri për ta mbyllur këtë shkrim. Ajo shkruan : « Në vitin 1991, disa muaj para largimit për në Izrael, Josef Jakoel dhe Refik Veseli, i pari shqiptar i njohur nga Jad Vashem si « Fisnik mes Kombeve », themeluan « Shoqatën e miqësisë Shqipëri-Izrael ». Në fjalën e lamtumirës që im atë mbajti me atë rast tha : « Ne hebrenjtë kemi një lutje të veçantë që e themi në ditën më të bukur të jetës, në momentin e lidhjes së martesës : « Po të harrova ty, Jerusalem, m’u ngjittë gjuha në qiellzë e m’u thaftë krahu i djathtë ! Dhe unë sot duke ju lënë lamtumirën, ju them : Mbeçi me shëndet miq ! dhe po të harrova ty, Shqipëri, m’u thaftë krahu i djathtë ! » (f. 26)

Natyrisht, në këtë dëshirë ka patetizëm të sinqertë, por ajo të shtyn të mendosh se sa pak e tregojmë ne shqiptarët këtë anë dinjitoze të historisë sonë, se sa të brishtë e kemi kujtesën dhe se sa drojë e mendjelehtësi tregojmë kur vjen puan për të shfaqur anët tona më të mira.

© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin