Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

PAMJE TË VDEKJES NË OLIMP (I)

Nako Spiru

Në nëntor të vitit 1947 u thirr mbledhja e Byrosë Politike të KQ të PKSH-së, për të analizuar veprimtarinë “antijugosllave” dhe “antiparti” të Nako Spirut. Veç të akuzuarit, merrnin pjesë në mbledhje Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Hysni Kapo, Kristo Themelko, Gogo Nushi, Tuk Jakova dhe Pandi Kristo. I vënë përballë kritikave brutale, me gjasë i shantazhuar edhe prej jugosllavëve dhe njerëzve të tyre në udhëheqje, Nakoja u ndie në vështirësi, prandaj kërkoi disa ditë kohë për ta përgatitur përgjigjen, por Enver Hoxha nuk ia pranoi kërkesën. I dëshpëruar, Nakoja mori takim me të ngarkuarin me punë në ambasadën sovjetike në Tiranë, Gagarinovin, duke i shpjeguar se akuza mund të rezultonte për atë, Nakon, fatale. Nakoja kërkoi sërish 4-5 ditë afat për t’u përgatitur, por Byroja nuk i dha më shumë se një ditë. Të nesërmen as Gagarinovi nuk e priti më. Pasdite, Nako Spiru u mbyll në zyrën e vet në Komisionin e Planit të Shtetit dhe atje vrau veten me pistoletë. Nuk vdiq menjëherë, e çuan me urgjencë në spitalin ushtarak, por atje mjekët nuk e shpëtuan dot. Po atë ditë, pas mesit të natës dhe pasi Nakoja kish vdekur tashmë, Ramiz Alinë – që ishte Sekretar i Përgjithshëm i BRASH-it – e thirri Manush Myftiu, për t’i thënë se Nakoja “ishte plagosur rëndë aksidentalisht dhe më pas kishte vdekur. Sqarimi i vetëm ishte se, duke pastruar armën që mbante në dorë, ajo kishte shpërthyer.” Myftiu e porositi kolegun që të hartonte eulogjinë që do të lexohej në varrimin e Nakos, por pastaj, kur lexoi çfarë kish zografisur Alia, i bëri vërejtje për tonin dhe superlativët, duke i treguar se Nakoja në fakt kish vrarë veten, duke i shpjeguar se vetëvrasja “ishte e dënueshme” nga partia. Lajmin për publikun e dha gazeta “Bashkimi” e datës 22 nëntor 1947, duke e shpjeguar vdekjen si “aksidentale” dhe “të shkaktuar pas një luajtje me armën”. Me urdhër nga kryeministria, të gjitha zyrat qeveritare anembanë vendit do të ngrinin flamurin në gjysmë shtizë për vdekjen aksidentale të Nako Spirut.[1]

Diçka më shumë se 30 vjet më vonë, incidenti me vetëvrasje të një anëtari të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, fill pas mbledhjes ku e kishin kritikuar rëndë, do të përsëritej. Këtë herë, goditja u drejtua kundër kryeministrit Mehmet Shehu, i akuzuar për shtrembërim të vijës politike së Partisë dhe të luftës së klasave, për shkak se kish lejuar fejesën e të birit me një vajzë nga një familje e deklasuar. Gjatë mbledhjes, Enver Hoxha e zgjeroi kritikën ndaj shokut të vet të armëve, duke e nisur analizën që me luhatjet dhe dritëhijet në veprimtarinë e Shehut gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mehmetit i thanë që të reflektonte gjatë natës dhe të përgatitej për të shpjeguar, të nesërmen, motivet e gabimeve të tij. Mehmeti shkoi në shtëpi, dhe u ul t’i shkruajë Enver Hoxhës një letër të fundit, e cila do të gjendej shumë vite më vonë në Arkivin e KQ të PPSH-së. Në këtë letër, pasi jep shpjegime të ndryshme për të mbrojtur pafajësinë e vet dhe bën me faj Ramiz Alinë dhe Kadri Hazbiun për intrigën kundër tij, Mehmeti shkruan:

Po të shihni se është interesi i Partisë, thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni.[2]

Të njëjtin informacion pat dhënë edhe Enver Hoxha tek “Titistët” dhe në materiale të kohës – se Mehmeti kish porositur edhe që vdekjen e tij ta shpjegonin si aksidentale, duke lajmëruar se “i shkrepi arma në duar” – dhe ashtu t’i kursenin Partisë dhe popullin traumën e një kryeministri që kryen vetëvrasje. Këtë herë Enver Hoxha nuk hezitoi siç kish vepruar dikur për Nakon dhe lajmi për çfarë kish ndodhur, edhe pse me vonesë, e njoftoi vetëvrasjen. Megjithatë, kur ka lexuar porosinë e Mehmetit, me siguri do t’i jetë kujtuar versioni i rremë që u dha për vdekjen e Nako Spirut, të cilit i paskësh “plasur arma në dorë.”[3]

Si të ishin thonjëza a kllapa, këto dy shkrepje të kobures përmbledhin në kalendar një histori të mbingarkuar me intriga, akuza, arrestime, pushkatime dhe vrasje, që do të shoqëronte kupolën e udhëheqjes komuniste në Shqipëri. Me t’u dhënë lajmi për vetëvrasjen, njerëzit pak a shumë e morën me mend se ky akt do të ishte edhe fillimi i asgjësimit publik të një figure deri atëherë aq të pompuar, sa Mehmet Shehu, të cilin e mbanin si të dytin pas Enverit; meqë vetëvrasja, edhe e vetme, do të mjaftonte për t’i lënë një njollë të zezë karrierës së ish-kryeministrit.[4]

Siç i pat thënë Manush Myftiu Ramiz Alisë, Partia e dënonte vetëvrasjen. Për të kuptuar arsyet e këtij qëndrimi parimor, ndoshta duhet të kthehemi mbrapa në Bashkimin Sovjetik të viteve 1920-1930, kur edhe u përpunua qëndrimi zyrtar “marksist” ndaj këtij gjesti ekstrem, brenda një sistemi totalitar komunist.

Në të vërtetë, pas Revolucionit të Tetorit, bolshevikët u duk sikur do të ndiqnin qëndrimin e radikalëve rusë gjatë shekullit XIX, duke besuar se ishte e drejtë e njeriut, e çdo njeriu, që të vendoste për t’i dhënë fund jetës së vet. Kish patur edhe raste kur një bolshevike e vjetër, thjesht ngaqë ishte e sëmurë dhe nuk mundej më të merrte pjesë “në luftën revolucionare”, kish vendosur të vriste veten (Evgenia Bosch, për të cilën pat shkruar me vlerësime të larta Buharini). Megjithatë, dhe paralelisht, po merrte formë një qëndrim i kundërt, sipas të cilit vetëvrasja nuk ishte veçse përgjigje individualiste, mikroborgjeze, ndaj stresit të luftës së klasave; kapitullim para armikut dhe shenjë e përgjithshme dobësie.[5] Madje më keq: në diskutimet e brendshme në Parti, vetëvrasja do të interpretohej si pranim i fajit. Të vrisje veten, ishte të pengoje demaskimin tënd dhe t’i vidheshe përgjegjësisë – kjo u artikulua veçanërisht në analizat që shoqëruan vetëvrasjet e politikanit Adolph Joffe, i cili kish protestuar kundër persekutimit të Trockit; dhe pastaj të poetëve Sergei Esenin dhe Vladimir Majakovski.

Në vitet 1930 vetëvrasjet e shtuara të politikanëve dhe militantëve nën akuzë ose edhe që dyshonin se do të arrestoheshin së shpejti filluan të dënohen masivisht si akte haptazi armiqësore kundër Partisë, klasës punëtore, revolucionit, e kështu me radhë (vetëvrasja u pa si vrasje me paramendim e një subjekti që ende nuk e kish pranuar fajin politik dhe as kish dhënë informacion për bashkëpunëtorët). E megjithatë, kur deri edhe bashkëshortja e Stalinit Nadezhda Allilujeva vrau veten në Kremlin, në 9 nëntor 1932, gjesti i saj nuk mund të qortohej si pranim faji dhe as si refuzim për të pranuar përgjegjësitë. Sidoqë motivet e kësaj vetëvrasjeje specifike as sot e kësaj dite nuk janë sqaruar, duhet vërejtur këtu se Pravda e datës 10 nëntor 1932 njoftoi thjesht për vdekjen e Nadezhdës – por kjo ishte edhe hera e parë që përmendej në shtypin sovjetik se Stalini ishte i martuar (!). Gjithsesi, në gazetë nuk thuhej gjë për shkakun e vdekjes, teksa policisë sekrete iu dha porosia të hapte fjalë se Alliluevës i kish plasur apendiksi dhe mjekët nuk e kishin shpëtuar dot. Në varrim morën pjesë disa nga udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe të shtetit – me eulogjitë e mbajtura nga Buharini dhe Kaganoviçi. E bija e Stalinit, Svetlana, ka supozuar, vite më vonë, se i jati i saj “ishte tepër inteligjent, që të mos e kuptonte se ata që kryejnë vetëvrasje, e bëjnë gjithnjë për të ndëshkuar dikë.”[6]

Gjatë terrorit stalinian të viteve 1930, që arriti kulmin në vitin fatal 1937, vetëvrasjet në seri të “armiqve” nuk habitnin më njeri – madje ua lehtësonin punën prokurorëve dhe ekzekutorëve, duke ofruar provën e nevojshme të fajit të parëve, dhe duke u kursyer plumbin qafës të dytëve. Studiuesit flasin për 1690 vetëvrasje në pjesën europiane të Rusisë, prej të cilave 698 në Moskë. Vetëm në radhët e Ushtrisë së Kuqe numërohen 782 vetëvrasje gjatë vitit 1937 dhe 832 gjatë vitit 1978 – mbase ngaqë ushtarakët kishin akses të lirë në armët e zjarrit.[7]

Që Stalini e përdorte vetëvrasjen – nxitjen për vetëvrasje – si mjet likuidimi të kundërshtarëve, këtë e rrëfen edhe episodi i mëposhtëm, i rrëfyer nga Radzinsky:

Në maj të vitit 1937, gazetari Mikhail Koltsov, që kish luftuar heroikisht në Spanjë, kaloi tri orë me Bossin. Kur u kthye në shtëpi, i tha të vëllait: “Stalini m’u afrua, vuri dorën në zemër dhe u përkul. ‘Si të quajnë ty në spanjisht, Mig-u-el?’ ‘Mig-el, shoku Stalin.’ ‘Mirë, pra, Don Mig-el. Ne spanjollët fisnikë të falënderojmë nga zemra për raportin tuaj aq interesant. Mirupafshim, për tani, Don Mig-el.’ Por kur arriti tek dera, Bossi e thirri sërish, dhe mes tyre u krye kjo bisedë e çuditshme:
“Keni revolver, shoku Koltsov?”
“Po, shoku Stalin.”
“Por nuk është se keni ndërmend t’ia hiqni vetes me të?”
“Natyrisht jo.”
“Shumë mirë, atëherë. Faleminderit sërish, shoku Koltsov, mirupafshim për tani, Don Mig-el.”
Në 17 dhjetor të vitit 1938 Koltsovin e arrestuan dhe pak më vonë e pushkatuan.[8]

Sergo Orxhonikidze

Megjithatë, aparati i agjitpropit e pati praktikisht të pamundur të normalizojë atë që ndodhi me Sergo Orxhonikidzen, mik i vjetër të Stalinit dhe një prej bolshevikëve të gardës së vjetër që deri atëherë nuk ish prekur nga zbulimet e grupeve armiqësore dhe likuidimet masive. Anëtar i Byrosë Politike dhe Komisar i Popullit për Industrinë e Rëndë, Sergo nuk ishte pajtuar tërësisht me politikën e spastrimeve, sidomos në radhët e kuadrove që mbulonte dikasteri i tij. Teksa disa prej aleatëve të tij të ngushtë në pushtet ishin arrestuar, përfshi këtu edhe vëllanë e tij Papulia, Sergoja u bind se edhe fundi i tij nuk do të vononte. Pas një bisede disa-orëshe private me Stalinin, në 17 shkurt të vitit 1937, ai shkoi në Kremlin për t’u takuar me Molotovin dhe për të marrë pjesë në një mbledhje të Byrosë Politike, ku shprehu edhe një herë bindjen se akuzat për sabotim brenda ministrisë që ai drejtonte ishin të ekzagjeruara dhe ashtu u ftua nga Stalini që të ikte fare nga mbledhja. Kur arriti më në fund në shtëpi, mori vesh se disa tipa të NKDV-së i kishin ardhur për t’i kontrolluar gjërat e veta dhe i telefonoi Stalinit për të protestuar. Stalini e ftoi për një takim, i cili zgjati rreth 90 minuta, për të cilin nuk dihet asgjë. Të nesërmen, më 18 shkurt, Sergo qëndroi në shtëpi gjithë kohës; në mbrëmje, e shoqja Zinaida, dëgjoi një të shtënë arme nga dhoma e tij, dhe e gjeti të vdekur.

Menjëherë ia behën në apartamentin e tij Stalini dhe të tjerë; këtyre u doli përpara Zinaida, duke qarë dhe ulëritur me të madhe, me ç’rast Stalini iu drejtua kështu: “Mbylle gojën, tarallake!” dhe aty për aty deklaroi se Sergoja kish vdekur nga një atak në zemër. Askush nuk kundërshtoi, dhe kështu edhe u lajmërua zyrtarisht. Më pas u sqarua edhe se i ndjeri kish vuajtur prej kohësh nga “skleroza  rëndë e muskujve dhe e enëve të gjakut të zemrës”, dhe se përballjet e ashpra me armiqtë trockistë në punën e tij të përditshme ia patën përshpejtuar fundin. Edhe pse shumë fjalë qarkulluan në popull fill pas vdekjes, vetëvrasja e Orxhonikidzes u njoftua zyrtarisht vetëm nga Hrushovi, gjatë fjalimit të tij të famshëm, në Kongresin XX të PK të Bashkimit Sovjetik, në 1956. Përndryshe, propaganda zyrtare sovjetike bëri të pamundurën, për ta promovuar figurën e Sergos pas vdekjes, duke e paraqitur si mbështetës besnik të Stalinit; përvjetorët e vdekjes së tij do të kremtoheshin solemnisht dhe bashkëpunëtorët e kolegët e tij do të rrëfenin gjithfarë historish lëvduese për ditët e tij të fundit në krye të detyrës.

Vetëvrasja është akt tejet privat, kryhet zakonisht në veçim dhe fshehtësi, në studio ose në dhomën e gjumit. Duket sikur viktima ka nevojë të mbledhë veten, para se t’i japë fund vullnetarisht jetës. Edhe në ekspertizat e policisë, zakonisht janë provat dhe indiciet e tërthorta që e konfirmojnë: shenjat e gishtave në armën vrastare, një letër me dorën e të vdekurit. Dhe këto ekspertiza marrin rëndësi të jashtëzakonshme në ato raste kur ai që vetëvritet është udhëheqës a kuadro i lartë, i përfshirë në përballje politike për jetë a vdekje, dhe të tilla që të mund të lëkundin integritetin e kupolës së shtetit. Sepse kur nuk ka dhe as mund të ketë dëshmitarë të besueshëm të një vetëvrasjeje, gjithnjë do të lindë nevoja për të përjashtuar mundësinë e një vrasjeje të porositur.

Dyshimin mos Sergo Orxhonikidzen e likuiduan agjentët e policisë sekrete të Stalinit e pat hedhur Trocki, në librin e tij kushtuar Stalinit: “thonë se mund ta kenë helmuar, njëlloj siç bënë me Maksim Gorkin. Të dy patën mbrojtur bolshevikët e vjetër nga shfarosja.” Të tjerë kanë shkruar se Orxhonikidze po bëhej gati të ngrihej dhe të fliste hapur kundër Stalinit në plenumin e ardhshëm të Komitetit Qendor, në orvatje për ta ndalur fushatën diabolike të terrorit. Urdhrin për vrasjen e tij ia pat dhënë Stalini Jezhovit. Për shkak të disa pasaktësive flagrante në raportin kriminalistik, autorët i pushkatuan brenda javës. Ka edhe një dëshmi të gruas së Sergos, Zinaidës, e cila tregon se në 18 shkurt u kish ardhur në shtëpi një person i panjohur, me arsyen se do t’i jepte një dosje Sergos; dhe një zhurmë si e shtënë arme ish dëgjuar nga dhoma ku këta ishin takuar. Janë shprehur edhe mendime se Orxhonikidze, tip arrogant dhe kapadai, nuk ishte nga ata tipa që mund ta çonin në mendje idenë e vetëvrasjes.

Historiani Robert Tucker ka shkruar: momenti se kur vdiq [Orxhonikidze] nuk ishte rastësor. Tani që Kirovi dhe Kujbishevi nuk jetonin më, Orxhonikidze vinte i dyti në parti, fill pas Stalinit, dhe nëse kish njeri tek i cili industria dhe sektorë të tjerë shpresonin se do t’i mbronte ndaj terrorit në rritje, ishte ai. Ai mund të mashtrohej dhe të manipulohej nga Stalini, por ndryshe nga të tjerët e rrethit të ngushtë të këtij, si Molotovi dhe Voroshillovi, atë nuk mund ta thyeje dot moralisht. Për shkak të miqësisë të ngushtë shumë të vjetër me Stalinin, origjinën e tyre të përbashkët nga Gjeorgjia, prirjen e tij për t’u nxehur verbërisht, aq sa të shpërfillte nevojën për kujdes, dhe besnikërinë e tij ndaj kauzës së partisë, Orxhonikidze ishte i vetmi udhëheqës i shquar që kish mbetur, në gjendje t’i rezistonte Stalinit haptazi në plenumin që po afrohej dhe kushedi, të bëhej figura kryesore e një opozite të organizuar në momentin e fundit, ndaj tërbimit terrorizues të sekretarit të përgjithshëm. Stalinit i duhej, me çdo kusht, që ta parandalonte këtë.[9]

Historiani Edvard Radzinski shkruan se, “në bazë të informacionit që ka dalë në dritë tani vonë falë zbulimeve në Arkivin e Partisë, mëngjesin e ditës para vetëvrasjes, më 17 shkurt, Sergo pati një diskutim tête-à-tête me shefin e vet, me orë të tëra; dhe pastaj dita e tij vazhdoi normalisht, me një takim me Molotovin dhe drekë në shtëpi. Ai u largua nga Komisariati (Ministria) rreth mesnatës, pasi kish nënshkruar një telegram rutinë ku shprehte shqetësim për një dërgesë tubash. Një njeri që po gatitet të vrasë veten, nuk ka gjasa të vrasë mendjen për ca tuba…”[10]

Nadezhda Allilujeva

Për vdekjen e gruas së Stalinit, është thënë ndonjëherë se vetëvrasja e saj i duhet faturuar sjelljes brutale, prej bully, të të shoqit, i cili e shtyu drejt vetëvrasjes, duke e poshtëruar në publik.[11] Megjithatë, edhe vetëvrasja do të kish ngjallur shumë dyshime dhe ngritur shumë pikëpyetje, po të merrej vesh publikisht. Është shkruar se Nadezhda nuk po pajtohej me mënyrën si i zgjidhte Stalini problemet politike, dhe veçanërisht me dhunën ndaj fshatarësisë (kulakëve). Ekziston edhe dëshmia e një mjeku, dr. Kazakov, që ishte roje atë natë në Kremlin, se e shtëna kish ardhur nga një distancë prej 3-4 metra, dhe se viktima nuk do të mund ta qëllonte veten në anën e majtë të kokës, sa kohë që nuk ishte mëngjërashe. Por janë hipoteza që shumica e studiuesve nuk e pranojnë që Nadezhdën ta ketë vrarë Stalini me dorën e vet, ose të ketë urdhëruar vrasjen e saj. Megjithatë, siç vëren Edvard Radzinsky, “Stalini e dinte se armiqtë e tij e kishin gati shpjegimin për fundin e Nadias: do të thoshin se ajo kish zgjedhur të vdiste, në vend që të vazhdonte jetën e martuar me të. Ai ndihej i poshtëruar para edhe shokëve edhe armiqve të tij. [Prandaj] menjëherë e shpalli vetëvrasjen e saj sekret shtetëror.” Askund nuk u tha kurrë asgjë, për shkakun e vdekjes.[12]

Edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Mehmet Shehu, vetëvrasja e të cilit u bë menjëherë publike, ka pasur spekulime të panumërta dhe të përsëritura, se e kanë vrarë me urdhër të Enver Hoxhës.

Spekulimet nuk kanë munguar, pas 1990-ës, as për vetëvrasjen e Nako Spirut. Studiuesi Kastriot Dervishi, i cili ka pasur akses të lirë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ka sjellë dëshminë e një nëpunësi të Komisionit të Planit të Shtetit, i cili konfirmonte vrasjen me porosi. Kastriot Myftaraj shkon edhe më tutje dhe spekulon që vrasjen e pat kryer vetë Ramiz Alia, me porosi të Enver Hoxhës. Në mungesë të dokumenteve, këto rindërtime nuk janë shumë të besueshme.

Paradoksalisht, argumenti më i fortë për t’ua njohur të drejtën e ekzistencës është mënyra si vepronin regjimet totalitare në raste të tilla: duke e fshehur sistematikisht të vërtetën. Një vrasje politike për të hequr qafe një person të padëshiruar, do të maskohej si vetëvrasje; një vetëvrasje, por e tillë që të vinte në vështirësi të madhe pushtetin, do të maskohej si vdekje natyrale. Në rrethanat kur informacioni dilte nga korridoret e pushtetit me pikatore dhe tërësisht i kontrolluar, e vërteta nuk mund të ishte veçse çfarë thuhej zyrtarisht për ngjarjen. Të vetmet momente delikate, kur realiteti ende nuk ishte rrëfyer në mënyrë përfundimtare, ishin ato midis zbulimit të trupit të vdekur dhe botimit të komunikatës shtetërore – dhe kur narrativa ishte ende në duart e pushtetarëve, mjekëve dhe policisë sekrete.[13]

Në rastin e Sergo Orxhonikidzes, Stalini e vendosi menjëherë se vetëvrasja e tij do t’i paraqitej publikut si vdekje për shkaqe natyrore – edhe pse kjo nuk ishte e vetmja alternativë. Nëse do t’i duhej që ta përdorte ngjarjen për të lëshuar një fushatë të re terrori mbi parti dhe në popull, fare mirë mund ta paraqiste vetëvrasjen si eliminim të dhunshëm të një bolsheviku të vjetër dhe kuadri të lartë nga armiku – dhe komplotin përkatës do ta pranonin pastaj në gjyq të gjithë ata që ai vetë, Stalini, do të zgjidhte si fajtorë. Vdekja për shkaqe natyrore, përkundrazi, mundësoi organizimin e një funerali madhështor në Moskë, i cili shërbeu edhe si ritual i zisë për krimet politike që kishin tronditur e shkundur miliona sovjetikë anembanë. Shkruan historiani Karl Schlögel: “Funerali madhështor u shndërrua në një format ceremonial që aftësoi një shoqëri ku vdekjet e dhunshme në masë ishin kthyer prej kohësh në ngjarje të përditshme, për të krijuar një lloj ligjërimi ku bëhej e mundshme për të folur për vdekjen – në publik.”[14]

Gjithsesi funerali i Orxhonikidzes nuk ishte funerali i parë madhështor, i viteve të terrorit të egër stalinist në Bashkimin Sovjetik: kish pasur rituale të tilla për Sergei Kirovin të vrarë me atentat, Valerian Kujbishevin dhe Maksim Gorkin në qershor të vitit 1936. Dhe të paktën me këtë të fundit, Gorkin, mund të ketë ndodhur e kundërta. Në atë kohë shkrimtari më i nderuar në BRSS dhe mik personal i Stalinit, Gorki vetëm pak vjet më parë kish braktisur jetën prej të çatdhesuari në Sorrento të Italisë, për t’u kthyer në atdhe dhe për t’u mbuluar me lavdi nga regjimi. Në vitet 1930, Gorki nuk e pranoi lehtë paranojën e Stalinit ndaj bolshevikëve të vjetër dhe fushatën e terrorit të dirigjuar nga Kremlini – veçanërisht ai u angazhua në mbështetje të mikut të tij, Kamenevit, që ish shënjuar tashmë për likuidim nga Stalini. Në atë periudhë, drejtori i policisë sekrete sovjetike, Genrikh Yagoda, vendosi që ta vërë shkrimtarin dhe familjen e tij nën vëzhgim të rreptë, duke rekrutuar sekretarin privat të Gorkit, Pjotr Krjuçkovin, si informator të paguar. Sipas një versioni, i alarmuar për sa po ndodhte, Gorki i shkroi mikut të tij Louis Aragon-it, për t’i kërkuar që të vinte sa më shpejt në Bashkimin Sovjetik për ta takuar. Letra i ra në dorë Yagoda-s dhe pastaj Stalinit; u morën masa që Aragoni, me të mbërritur nga Franca me të shoqen Elsa Triolet, ta vononte vizitën dhe Maksim Gorkitakimin. Gorki vdiq në 18 qershor të vitit 1936, ditën që në Moskë kish mbërritur edhe një shkrimtar tjetër nga Franca, André Gide-i, edhe ai me synimin për ta takuar.[15] Regjimi i blatoi një funeral madhështor, me Stalinin dhe Molotovin si mbajtës të arkivolit. Dy vjet më pas, kur i njëjti Yagoda përfundoi para gjyqit stalinist për terrorizëm, një nga akuzat kundër tij ishte se kish organizuar, në bashkëpunim me Krjuçkovin, vrasjen e djalit të Gorkit dhe pastaj të vetë Gorkit, duke i helmuar.[16] Ka ndonjë historian, si Arkadi Vaksberg, që beson se Gorkin e pat helmuar Yagoda, me urdhër të Stalinit, për ta hequr qafe, si pengesë për terrorin masiv që do të lëshohej mbi parti dhe popull në vitin 1937[17]. Këtë hipotezë e gjen që në librin që ia ka kushtuar Stalinit Trocki, i cili shkruan – mes të tjerash – se Stalini mund të ketë kërkuar që Yagoda të akuzohej dhe të dënohej për helmimin e Gorkit, edhe për të davaritur dyshimet, tashmë të përhapura, se Gorkin e kishin helmuar me urdhër të Stalinit.[18]

Studiues të tjerë mendojnë se për këtë nuk ka prova, dhe se Gorki vdiq për shkaqe natyrore, i sëmurë rëndë me pneumoni. Ashtu, akuza për vrasjen e tij ishte sajuar në laboratorët e intrigës staliniste, për të goditur Yagodën dhe grupin e tij. Nëse është vërtet kështu, ky do të ishte një nga ato raste relativisht të rralla, kur një vdekje natyrore ri-paraqitet si vrasje, për arsye politike. Kjo akuzë, e shërbimeve sekrete që vrisnin nëpërmjet mjekëve, do t’i shërbente më vonë Stalinit për të zbuluar të ashtuquajturin “komplot të mjekëve”, në janar të vitit 1953.[19]

(vijon)

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Të gjitha të dhënat për Nako Spirun janë nxjerrë nga Nako Spiru, Jeta dhe Veprimtaria, disertacion në kërkim të gradës shkencore “DOKTOR”, nga Ilir Sallata, udhëheqëse shkencore prof. dr. Fatmira Rama, Tiranë 2016, i disponueshëm online këtu.
[2] Cituar sipas BalkanWeb, që e ka marrë nga libri Miq dhe armiq, i Qemal Lames.
[3] Enver Hoxha, Titistët, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1982, f. 577. Motivin e shkrepjes aksidentale të armës në duar e gjen edhe te historia e vetëvrasjes së Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975 u gjet i vdekur nga një plumb pistolete në vilën ku jetonte. I biri i të ndjerit, Xhovalin Marashi, ka rrëfyer për memorie.al se Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha e donin shumë të atin Ndue dhe, për atë arsye, vdekja e tij fillimisht ishte menduar që të lajmërohej si “vrasje aksidentale”, duke thënë se “i shkrepi arma, duke e pastruar.”
[4] E ngjashme me vetëvrasjen e Nako Spirut është ajo e presidentit të parë të Shqipërisë komuniste, Omer Nishanit, më 27 maj të vitit 1954. Vdekja e tij u lajmërua shumë shkurt, “pas një sëmundjeje të rëndë”, dhe të ndjerin e përcollën me një ceremoni të thjeshtë, ku morën pjesë zëvendëskryeministri Hysni Kapo, ministri i Tregtisë dhe Komunikacioneve Gogo Nushi, nënkryetarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor Myslim Peza dhe Aleksandër Xhuvani, ministri i Punëve të Jashtme Behar Shtylla dhe nënkryetari i Frontit Demokratik Medar Shtylla. Që Omer Nishani kish vrarë veten, kjo u mbajt e fshehtë; por u tha edhe se personat rreth e rrotull kishin dëgjuar “dy krisma”. Nishani vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe kish shprehur disa herë dëshirën për t’i dhënë fund jetës, për t’u shpëtuar dhimbjeve të mëdha. Vrasja e tij – nëse ka ndodhur vërtet – u maskua si vetëvrasje për një rreth të ngushtë, dhe si vdekje nga shkaqe natyrore për publikun; por rrethanat mbeten të paqarta, sidomos motivet e vrasjes së supozuar, të një personi të sëmurë dhe praktikisht të dalë nga skena politike. Një vit para se të vdiste, Nishani kish dhënë dorëheqjen nga posti që mbante, për t’u zëvendësuar nga Haxhi Lleshi. Burimi: Tirana Today.
[5] Shumë rrallë ndodhte që vetëvrasja e një personi publik, edhe në rrethana stresi të rëndë, të arsyetohej si pasojë e një çrregullimi mendor: ankthit mbytës, depresionit ose paranojës.
[6] Stephen Kotkin, Stalin, Waiting for Hitler, 1929-1941, Penguin Press, 2017, f. 112.
[7] Karl Schlögel, Moscow 1937, Polity 2013, f. 173.
[8] Edvard Radzinsky, Stalin, 1997 Anchor Books Edition, f. 372. Ky dialog më kujtoi menjëherë një rrëfenjë të Shvejkut, për gjeneral majorin Von Schwarzburg, që ishte edhe gjenerali inspektor më i frikshëm që kish parë bota ndonjëherë, dhe që kur inspektonte repartet ushtarake dhe gjente ndonjë gjë që nuk ishte në rregull, zhvillonte këtë bisedë me komandantin e repartit: “Keni revolver?” “Po, kam.” “Mirë! Në vendin tuaj, sigurisht që do ta dija se ç’të bëja me të, sepse çfarë pashë unë këtu nuk është repart ushtarak, por një stallë e qelbur derrash.” (Jaroslav Hasek, The Good Soldier Svejk, Penguin Books 1973, f. 221.)
[9] Robert C. Tucker, Stalin in Power, 1992 W. W. Norton & Company, Inc, f. 418.
[10] Edvard Radzinsky, vep. cit. f. 365.
[11] “Stalini sillej tmerrësisht vrazhdë me Nadian, por historianët, të përfshirë në zellin për të treguar çfarë përbindëshi ishte, kanë shpërfillur atë tjetrën, që edhe Nadia sillej tmerrësisht vrazhdë me Stalinin.” Simon Sebag Montefiore, Stalin: The Court of the Red Tsar, Vintage 2007, f. 17. Ky autor shton se “Nadia me gjasë vuante nga depresioni klinik”.
[12] Edvard Radzinsky, Stalin, 1997 Anchor Books Edition, f. 288. Radzinsky sjell edhe provë të re, sado të tërthortë, për vetëvrasjen: sipas disa dokumenteve të reja, Nadia mund të ketë qenë diagnostikuar me kancer të stomakut, çfarë nuk e përjashton mundësinë e depresionit klinik.
[13] Sipas Montefiore-s, vep. cit., Avel Jenukidze, fqinjë dhe bashkëpunëtor i afërt i Stalinit, përveçse edhe mik i familjes, ishte i pari që mbërriti në dhomën ku kish ndodhur vetëvrasja e gruas së Stalinit, dhe mundi ta shihte skenën të paprekur, për çfarë “do ta paguante shtrenjtë” – meqë do të pushkatohej pak vite më pas.
[14] Karl Schlögel, vep. cit. f. 160.
[15] Radzinsky, vep.cit. f. 342. Vaksberg (shih më poshtë, shën. 16) e ka kundërshtuar këtë version, por nuk këtu është vendi për t’i krahasuar hipotezat e ndryshme.
[16] Andy McSmith, Fear and the Muse Kept Watch, The New Press 2015, f. 94.
[17] Arkady Vaksberg, The Murder of Maxim Gorki, A Secret Execution, Enigma Books, 2007.
[18] Leon Trotsky, Stalin, An Appraisal of the Man and His Influence, Wellred Books, f. 379-380.
[19] Jonathan Brent & Vladimir Naumov, Stalin’s Last Crime, The Plot Against the Jewish Doctors, 1948-1953, Harper Collins, 2003.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin