Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

BARRA E NJË EMRI DHE METAFIZIKA E GJEOGRAFISË

nga Artan R. Hoxha

Më 17 janar të këtij viti ishte 555-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit. Sikundër e do edhe rituali i kombit, kryeministri i Shqipërisë organizoi ceremoni përkujtimi të atij që ka shërbyer si heroi i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe i nacionalizmit shqiptar. Në këto ceremoni ishte i ftuar edhe studiuesi z. Aurel Plasari, i cili vetëm pak viteve më parë ka botuar një studim të zgjeruar mbi Skënderbeun. Edhe kësaj here, sikundër është bërë tashmë tautologji, përmendja e atij që Papa Piu II e pagëzoi si “Atlet të Krishtit” shtron edhe çështjen e identitetit të shqiptarëve. Plasari nuk iu shmang assesi këtij zakoni, vetëm se tanimë ai e trajtoi atë disi më ndryshe: në qendër të ligjërimit të tij nuk ishin kufijtë e ngushtë të kombit por ato të rajonit ku ne jetojmë. Kësaj here ai u mor me Ballkanin, ose më mirë, me toponimin e siujdhesës juglindore të Europës.

Aurel Plasari nuk është kurrsesi i pari që merret me këtë temë. Në Shqipëri, edhe Ismail Kadare është marrë me këtë çështje dhe sikundër e përmend ai vetë, edhe Faik Konica. Jashtë Shqipërisë lista është edhe më e gjatë dhe kritika ndaj emërtimit të gadishullit ku ne jetojmë daton qysh herët. Ishin në fakt euopiano-perëndimorët ata që e pagëzuan gadishullin ku ne jetojmë me këtë emër. Ky akt në vetvete shpreh raporte pushteti – zakonisht janë më të fuqishmit ata që vendosin emrat e atyre më pak të fuqishëm. Studiuesi rumun Nikolla Jorga është ndër të parët që kërkoi të çlironte popujt e rajonit nga stigma e një emri me rrënjë turko-osmane që në ligjërimin politik europiano-perëndimor mori ngjyrime të theksuara negative. Ballkan nuk është një emërtim neutral dhe i pafajshëm, që shpreh thjesht një realitet gjeografik të caktuar dhe kaq. Nuk kemi aspak të bëjmë thjesht me një fakt, apo një të dhënë empirike. Përkundrazi, bëhet fjalë për një konstruksion intelektual, i cili shpreh hierarki pushteti që artikulohen përmes një tërësie konceptesh me karakter ideologjik, në akademi, në art dhe në ligjërimin politik. Që nga termi ballkanizim, që përdoret për një copëzim të vijueshëm të strukturave politike në formacione të vogla dhe të paafta për një jetë normale politike, te sinonimi i dhunës ndëretnike dhe hakmarrjeve meskine dhe provinciale ku aktorët shoqërorë nuk arrijnë të rrokin panoramën më të madhe të gjërave dhe Zeitgeist-in e historisë. Shkurt, Ballkan shërben si sinonim i destabilitetit, tiranëve të vegjël dhe shoqërive që humbin rregullisht trenin e historisë – jo edhe aq për fajin e të tjerëve sesa për fajin e tyre.

Në kundërpërgjigje, intelektualët dhe nacionalistët ballkanas (apo europiano-juglindorë) kanë ngritur rrëfenjën e viktimizimit historik. Me ta historia ka qenë e padrejtë. Nga djepi i qytetërimit perëndimor, tanimë rajoni është shndërruar në një aneks të prapambetur dhe kjo sepse popujt e hapësirës që quhet padrejtësisht Ballkan, kanë luftuar për mbrojtjen e Europës dhe janë therorizuar për të. Në fund, kjo Europë, pjesë e së cilës ata janë, i ka trajtuar padrejtësisht, si një mish i huaj. Sot dita, rrëfenja vijon të ushqehet nga mllefi i varfërisë ekonomike, korrupsionit galopant, problemeve të mprehta shoqërore për të përmendur këtu vetëm disa nga shqetësimet më të dukshme, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm shtojnë kompleksin e inferioritetit, revanshin, racizmin dhe mëritë e vjetra që ngrenë kokën bashkë me nacionalizmin provincial të forcave të caktuara politike.

Ka edhe reagime të tjera, shumë më të sofistikuara ndaj gjithë hierarkive që paketon emërtimi Ballkan. Më e njohura në këtë kritikë është historiania bullgare Maria Todorova. Pa dashur ta lodh lexuesin e kësaj platforme, që mendoj se pjesa dërrmuese e tyre me siguri e ka lexuar librin tanimë të famshëm të saj, “Ballkani imagjinar”, ajo argumenton se siujdhesa ka shërbyer si alter ego-ja e Europës. Ngarkesa negative, thotë ajo, shpreh asgjë më pak sesa mënyrën se si dija dhe pushteti ngërthehen në një sintezë të pandarë që riprodhon pabarazitë gjeografike. E thënë ndryshe, hartat dhe toponimia janë produkt i të fuqishmëve dhe mënyrës se si ata organizojnë hapësirën në funksion të interesave të tyre.

Një qëndrim disi më ndryshe mban historiani amerikan, John R. Lampe që në librin “Balkans into Southeastern Europe” gjurmon historinë e shekullit XX të shteteve të formuara në provincat europiane të Perandorisë Osmane. Ai tregon se në fakt, gjatë qindvjeçarit që sapo lamë pas, ndodhi tranzicioni nga një botë perandorake multientike (pra Ballkani) në një tjetër të formuar nga shtet-kombe sipas parametrave europianë (Europë juglindore) – një qëndrim ky jo shumë i ndryshëm nga ai i historianit britanik Mark Mazower. Sipas Lampe-s (dhe Mazower-it) termi “Ballkan” nënkupton realitetin osman dhe identifikohet me gjedhet që vinin nga kjo perandori. “Europë juglindore” do të thotë tranzicioni i rëndësishëm historik ku shtet-kombet e kësaj pjese të botës u modeluan në përputhje me gjedhet që vinin nga skaji perëndimor i Europës.

Hapësira që quhet një herë “Ballkan” dhe një herë “Europë juglindore” është një zonë e ndërmjetme dhe identiteti i tij nuk është i fiksuar, por ndryshon në varësi të uljes dhe të ngritjes së qendrave të ndryshme perandorake. Teza e Lampe-s ka një domethënie edhe më të thellë. Europa nuk është një fakt i dhënë, por një ngrehinë që ndërtohet përgjatë një procesi historik. Europian nuk je, bëhesh po ashtu si edhe vetë Europa, e cila jo thjesht ekziston pavarësisht dinamikave historike dhe kulturore. Europa është vetë produkt i një procesi ende të pambyllur, aq sa kufijtë e saj gjeografikë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të eurocentristëve vijojnë të jenë problematikë, të dyshimtë dhe lehtësisht të kontestueshëm – fundja, pse njëra zonë e Stambollit na qenka europiane dhe tjetra aziatike? Mjaftojnë 700 metra ujë për të ndarë dy kontinente? Të pohosh se Uralet na qenkan një kufi natyror i Europës që e ndan këtë nga Azia, është aq qesharake sa të gjithë gjeografët seriozë e përqeshin plot humor teksa pinë gotën e parë të birrës, sepse tek e treta gajasen.

Për t’u kthyer te Plasari: pikënisjen e ka të ngjashme me Todorovën. Njëlloj si historianen e mirënjohur bullgaro-amerikane, edhe Plasarin e mundon emërtimi “ballkanas”. Si shumë të tjerë në Shqipëri dhe tjetërkund në këtë hapësirë, ai kërkon që të quhet “europian”. Në kushtet kur toponimi Ballkan e vë në dyshim identitetin europian, Plasari kërkon të dëshmojë padrejtësinë e toponimit. Kjo është një e drejtë e tij dhe dija zhvillohet pikërisht nga shqetësimet e jetës së përditshme dhe angazhimi intelektual me to. E megjithatë, argumenti i tij, pra ai argument që ai dha përpara kamerave nuk kishte aspak fuqinë dhe thellësinë e analizës që Todorova i bën gjenealogjisë së gjithë diskursit që ka për qendër rëndese Ballkanin. Sipas Plasarit, toponimin “Ballkan”, që me të drejtë ai e sheh si një emërtim që krijon diferencim mes rajonit me këtë emër dhe Europës, e paskemi peshqesh nga një budalla dhe injorant. I papërgjegjshmi që e pagëzoi gadishullin me emrin Ballkan është gjeografi gjerman August Zeune (1778-1853). Zeune, ngatërroi malet e Stara Planina-s me Catena Mundi-n e Ptolemeut. Sipas Plasarit, Zeune në kërkim të Zinxhirëve të Botës pyet shoqëruesin e tij sesi quhen këto male dhe shoqëruesi i tij, një turk, i cili përgjigjet Ballkan, pra mal – nisur nga fakti se fjala balkan në gjuhën turke është “mal”. Nuk besoj se do kishte pasur një alergji kaq të madhe ndaj emërtimit të siujdhesës sonë sikur në vend të fjalës turke të ishte ndonjë fjalë me rrënjë latine apo gjermanike, tipi “berg” apo “mountain”. Me gjasa do dukej seksi. Pra, përhapja e toponimit Ballkan, që mbi të gjitha është me rrënjë turke – dhe bashkë me të edhe diferencimi i “padrejtë” e këtij rajoni nga pjesa tjetër e Europës – del të jetë frut i një rastësie fatale, tezë kjo që qëndron tërësisht brenda paradigmës së viktimizimit për të cilën fola më lart.

Sipas Plasarit, gjermanët kanë një problem: nëse është një gjerman që e thotë një gjë, gjermanët e tjerë e bëjnë fakt. Domethënë ndër gjermanë nuk ka etikë shkencore, por solidaritet tribal etnik dhe kombëtar; ose më mirë një racizëm dhe shovinizëm imperialist ku rigoroziteti akademik i nënshtrohet origjinës së autorit. Francezët dhe anglezët, vijoi ai, ngurronin ta përdornin emrin “Ballkan”, por në fund u dorëzuan. Përfundimet e Aurel Plasarit jo vetëm që ato rrëgjojnë një akademi të tërë dhe kalojnë në kufijtë e paragjykimit dhe stereotipizimit mbi baza etno-kulturore por edhe shfaqin një mosnjohje të thellë të peizazhit akademik europian. Ato ngjajnë me një përrallë nga ato të mitologjisë që kërkojnë shpagim dhe i vënë fëmijët në gjumë duke ëndërruar se dita e larjes së hesapeve nuk është larg. Nuk dua të hyj këtu në diskutime të gjata e të panevojshme. Por sa për kujtesë, akademia gjermane ka qenë ndër ato që i ka mëshuar më shumë emërtimit Europë Juglindore, ndërsa në Angli është përdorur deri në fillim të shekullit XX emërtimi Lindje e Afërme ose Turqi Europiane. Ka një arsye pse sot flasim për Lindje të Mesme, ku hyn edhe Maroku, që gjeografikisht është më në perëndim se Franca. Tanimë është harruar se dikur, hapësira ndërmjet Perëndimit dhe botës islamike, që ishte kryesisht ortodokse quhej Lindje e Afërt. Vetëm pas shembjes së Perandorisë Osmane britanikët do të përdornin paralelisht emërtimin Ballkan dhe Europë Juglindore, ku i pari kishte një domethënie më ekzotike dhe përdorej sidomos kur flitej për dukuri kulturore, shoqërore dhe politike.

Plasari nuk ngre pyetjen se si ka mundësi që u dorëzuan anglezët dhe francezët përballë kapriçove gjermane. Nuk po diskutoj këtu se ndarja etnike e akademive është krejtësisht e pabazuar. Kjo bëhet sidomos e vërtetë për akademitë e vendeve të fasadave veriore të Atlantikut, që kanë qenë dhe janë të ngërthyera në komunikime dhe shkëmbime të pandërprera, aq sa cilado vijë e prerë që hiqet mes tyre, duke marrë parasysh edhe gjuhën, nuk qëndron. Pra, si ka mundësi që profesorët e universiteteve britanike dhe franceze iu dorëzuan tekave të gjermanëve, sidomos po të marrim parasysh edhe rivalitetet gjeopolitike të shteteve ku ata punonin? Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta gjejmë jo vetëm te veprat e Maria Todorovës, Edward Said-it dhe Larry Wolff-it, por për marrëdhënien ndërmjet dijes dhe pushtetit dhe sidomos dijes, imperializmit dhe formave përmes së cilave hegjemonia e pushtetit të butë përforcon dhe kapërcen për nga fuqia mjetet e forta dhe shtrënguese, kanë folur gjerësisht një numër i madh filozofësh dhe studiuesish nga më të njohurit e deri tek ata thuajse të panjohur.

Ndryshe nga Todorova si dhe John R. Lampe apo Mark Mazower, Plasari nuk e lidh gjeografinë me historinë. Hapësira shkëputet nga koha. Hapësira ngrin, ajo ngrihet në një nocion ahistorik, kalon në metafizikë dhe ekziston aty, më vete, pa pasur nevojë për shpjegim. Ajo thjesht ekziston. Europa juglindore thjesht është. Kaq! Çdo emërtim ndryshe që e ndan siujdhesën që rrethohet nga Deti i Zi, Egjeu, Joni dhe Adriatiku nga pjesa tjetër e Europës po dhunon një realitet të shenjtë. Emërtimi që heq nomosin Europë është i padrejtë, ai është një barrë se na veçon për keq, na përkufizon si inferiorë dhe na ndan nga superiorët.

Ajo që ndodhi me August Zeune është emblematike dhe mjaft e rëndësishme për të reflektuar mbi mënyrën se si bëhet dija. Zeune erdhi në kërkim të një gjeografie të përshkruar me një nomenklaturë me moshë 20 shekullore. Pasi shkeli në terren ai pa se atë vetë e ndante nga Polibi dhe Ptolemeu 2000 vjet histori. Në gadishullin e Ilirisë apo të Europës, siç e quanin përkatësisht romakët dhe grekët, koha nuk kishte ngrirë. Aty kishte pasur një perandori njëmijëvjeçare si Bizanti, më pas sllavë që formuan edhe shtetet dhe perandoritë e tyre dhe së fundmi osmanët që i kishin gllabëruar të gjithë brenda një strukture multietnike. Edhe pse Zeune ngatërroi malet Ballkan me sistemin malor dominues të gadishullit (me Catena Mundi-n e Ptolemeut) vetë gabimi i tij tregon se sa gjeografia nuk shkëputet dot nga historia. Hapësira nuk ndahet nga koha dhe në fund fare toponimia është e lidhur ngushtësisht me pushtetin dhe kulturën. Teksa flasim për Ballkan, ne nuk duhet thjesht të identifikojmë me këtë llagap rajonal vetëm anatemimet, por edhe një histori të tërë, jo vetëm nën osmanët, bizantinët, bullgarët e serbët, por edhe një shekull ku në mënyrë sistematike është munduar të zhbëhet kjo trashëgimi. Historia do marrë për atë që është e jo për atë që duam ne të jetë. Kjo vlen edhe për gjithë simbolikën me të cilën është e ngarkuar gjeografia dhe emërtimet e rajoneve, e cila shpreh trajektore të caktuara historike dhe qytetërimore.

Thjeshtësia, kureshtja dhe korrektesa, edhe atëherë kur ato nuk të ndihmojnë të bëhesh i famshëm, janë gurët themeltarë mbi të cilën ngrihet dija serioze – nuk po përdor këtu fjalën “shkencë” për fushat e dijeve mbi shoqërinë, se jam velur me njerëz që thonë se “merremi me shkencë”, “jam shkencëtar”, apo “në shkencë unë bëj kështu apo ashtu”. Kontributi i Aurel Plasarit në zhvillimin e dijes në Shqipëri është i padiskutueshëm, por kjo nuk do të thotë se jam dakord me të si për përrallën mbi Ballkanin që tregoi përpara kamerave aq edhe me përdorimin – sipas meje deri në abuzim – të nocionit “shkencë”. Dija serioze ngrihet mbi ngritjen e pikëpyetjeve të nocioneve që marrim të mirëqena dhe jo përmes ngrirjes dhe fetishizimit të tyre duke neglizhuar historinë dhe me histori këtu kuptoj një proces ku idetë dhe artefaktet njerëzore bëhen dhe ribëhen. E tillë është edhe Europa. E tillë është edhe Europa juglindore. I tillë është edhe Ballkani.

© 2023 Artan R. Hoxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Hartë rajonale nga nga Lorenz Fries, 1525.

 

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin