Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SEMASIOLOGJI FATALE

satirë nga Arben Dedja

AXHENDË f. sh. Nga lat. agenda, përcjellore asnjanëse shumës e agĕre: “bëj”; kuptimisht “gjëra për t’u bërë”. Pika të një plani të fshehtë e të përbotshëm të një entiteti mbishtetëror, i përbërë nga hebrej, homoseksualë dhe kozmopolitë. Ka për qëllim shkatërrimin e botës. Vetëm avancon.

BIO mb. bised. Sinonim modern (me prejardhje nga gjuha konsumiste e supermarketeve) për: “safi”; “njëzet e katër karatësh”. Qytetar bio = tiranas denbabaden; ndërkohë që gjithë ne të tjerët jemi: tiranas OGM. Bionde bio = bionde natyrale (besim që shkon deri në bindje saje aliteracionit).

BORD m. sh. Organizëm ekspertësh që janë të zot të rrinë mbi ujë dhe të japin urdhra nga kuverta.

CIGARE DUHAN tog bised. Dikur përdorej gjerësisht. Studiuesit e brezit të vjetër termin e dytë e konsideronin “pleonazëm”. Parë me sytë e sotëm, mençuria popullore që këmbëngulte në përdorim, na mahnit.

DREJTIM I PADITUR tog. Duhet shtuar përcaktori: “për policinë”.

FINESË f. sh. Cilësor i duarve me manikyr dhe i teksteve të grafomanëve.

GAZETAR m. sh. Person gjithnjë me humor të mirë; i qeshur.

HOROSKOP m. sh. Orë roskope.

IKONË f. sh. Dikur ishin figura shenjtësh të krishterë, të pikturuara mbi dërrasë a mbi copa druri. Pasi u vodhën dhe u trafikuan, kuptimi i fjalës ndryshoi. Sot cilësohen “ikona” personalitete çfarëdo (të gjallë ose të vdekur, të një lartësie morale e intelektuale tejet labile, që zbret deri në radhiko) të një fushe të caktuar. Shih: ikonë e sportit, ikonë e ekranit, ikonë e mjekësisë… Edhe autorin e këtyre radhëve e kanë quajtur njëherë ikonë… të qytetarisë (në mungesë të atributeve të tjera).

I JASHTËZAKONSHËM mb. Hiperbolë që përdorim për veprën e fundit të cilido shkrimtari të njohur. Domethënia e vërtetë: i zakonshëm, nën mesataren.

KOMB m. sh. Shtrëngim që ndiejmë në fyt, saqë nuk flasim dot e nuk përcillemi lirisht. Ndodh kur ngashërehemi aq shumë, sa na merret fryma. Sinonim (ndonëse jo i plotë): mbetet pikë në zemër. Shprehje: më lidhet fjala komb = nuk mund të flas, nuk nxjerr dot një fjalë nga goja (prej mallëngjimit etj.). Ndjesia shkon në shkallën e vet sipërore në togfjalëshin: KOMB SHQIPTAR.

KRENAR mb. Ke të drejtë të ndihesh i tillë për këdo: i përkasim njerëzimit.

KULTURË f. sh. Sidomos te shprehjet: Tokë nën kulturë; vë nën kulturë. E di ministria.

LEKTIS jokal. Më këputet shpirti; kam dëshirë të madhe, ma do zemra… lekun.

I LEZETSHËM mb. bised. Përdoret si cilësor për librin e fundit të kolegut shkrimtar, kur nuk e ke lexuar dhe nuk ke ndër mend ta lexosh.

MËMËLIGË f. sh. gjell. Pjatë e varfër. Gatesë me miell misri me të cilën njerkat ushqenin thjeshtrin/thjeshtrën e pabindur.

MIELL m. sh. Drithë i bluar si pluhur, që përdoret kryesisht për të gatuar bukë. Dikur Regjimi ishte i fiksuar që ta prodhonte në vend dhe, thuhet, ia arriti. Ka ndodhur një metonimi, por ia kemi dalë edhe sot e gjithë ditën.

MITËR f. sh. anat. Te femra e gjitarëve (dhe te gruaja) është organi ku zihet e zhvillohet pjella. Ka një trajtë si dardhë dhe është i përbërë nga trupi, qafa dhe një valvul, e ashtuquajtura “valvula mitrale”.

MORTJE f. Vdekja me kosë në dorë në ligësinë e vet më sipërore; gati të heqë qafe vetëm dikë që e urrejmë.

MOTIVE TË DOBËTA tog. Përdoret gjithmonë në të njëjtën fjali me togfjalëshin: MJETE TË FORTA.

PIKANT mb. bised. Që nuk djeg.

PINJOLL m. sh. Shumës PINJOLLË. Lastar i njomë që del në trung ose në rrëzë të një druri; filiz, njomëz, mitë, pip. Fig. shumës PINJOJ. Pasardhës i një familjeje ose i një fisi. Ky kuptim figurativ bën edhe një kërcim të dytë: në negativitet (le të themi që bën një salto mortale të dyfishtë): gjatë regjimit të kaluar “pinjojtë” ishin gjithmonë pasardhësit e klasave të përmbysura; sot “pinjojtë” janë gjithmonë pasardhësit e komunistëve. Përndryshe je thjesht “pasardhës”.

PORTAL min. Hyrja (ose dalja) e një tuneli të madh, të zi. Mos!

SKIFTER m. sh. fig. Vjedhës apartamentesh dhe vilash, me veprimtari (kryesisht) jashtë Shqipërisë. Metafora që e lidh me shpendin grabitqar me kthetra të fuqishme evokon thonj të gjatë që kapen muresh për t’u ngjitur gjer në katet më të larta, që gërricin xhamat.

SOVRANI m. sh. Neologjizëm për fjalën “populli”. Përdoret ekskluzivisht nga anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike. Partitë e tjera kanë termat e tyre (ose harrojnë ta përmendin popullin fare).

SHUHET vetv. Mënyrë të vdekuri e njerëzve të shquar.

TREND m. sh. Sinonim i togfjalëshit: “imitim i menjëhershëm”.

TRONDITËSE mb. (Për dashurinë e tipit BB). Harrohet qysh të nesërmen.

UJEM përd. mb. edhe fig. Kontraktim për: “ujë i turbullt”.

UNIK mb. Mediokër, i rëndomtë.

UROLOG m. sh. Specialist urash.

VIRTUOZ mb. Nuk përdoret më për muzikantët.

ZBARDHJE f. Realizohet nga gëlqerja që në fund të ekspertizës organet e policisë dhe të drejtësisë hedhin në vendin ku ka ndodhur një krim apo një aksident… Disa studiues e nxjerrin kuptimin nga një pasazh i “Dhjatës së Re” (Mateu 23,27).


© 2023 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin