Para pak ditësh, më zuri syri një poster të një drejtorie qeveritare në Facebook, ku shqipja ish shkruar me gabime. Duke iu drejtuar atyre që duan të importojnë automjete në Shqipëri, posteri shkruante:
Çfarë më vrau veçanërisht, ishte fjalia e dytë, që fillonte me një folje në urdhërore në vetën e dytë njëjës (“sigurohu”) dhe vazhdonte me një folje në lidhore në vetën e dytë shumës (“ta blini”), edhe pse në të dy herët bëhej fjalë për të njëjtin subjekt virtual: personin të cilit i drejtohej teksti.
Përndryshe, posteri fillonte me vetën e dytë njëjës: “Do të importosh një mjet?”, duke vendosur menjëherë një raport miqësor, familjar me të adresuarin – atje ku, në rrethana ligjërimore më formale, do të ish përdorur veta e dytë shumës, për hir të mirësjelljes (“Do të importoni një mjet?”).
Pyetja, e vendosur në krye dhe me shkronja të mëdha, i jep tonin krejt tekstit në poster – dhe lexuesi normalisht pret që toni të ruhet, nëpërmjet përsëritjes (rimarrjes) së vetës së dytë njëjës. Siç edhe ndodh në krye të fjalisë së dytë (“Sigurohu”), por për të kaluar në vetën e dytë shumës “para se ta blini”).
Gabime në tekstet zyrtare dhe publike gjen sa të duash, por ky irriton veçanërisht, sepse nuk është nga ato gabime që bëhen pa dashur, sikurse nuk është typo, gabim drejtshkrimor, ose ndonjë ë e munguar. Vetë kodi i shqipes si gjuha jonë amtare nuk na lejon të kalojmë nga njëjësi në shumës brenda së njëjtës fjali, si në shembull. Prandaj edhe gjykova se ai gabim i detyrohej interferencës, ose ndikimit të një kodi tjetër – atij stilistik të mirësjelljes – mbi kodin gramatikor.
Shkruesi mund ta ketë filluar tekstin në njëjës, por pastaj ka menduar se është mirë që t’i tregohet pak respekt marrësit të mesazhit, duke vazhduar me një shumës.
Përzierje të tilla të vetës gjuhësore, ose të regjistrit familjar me regjistrin formal, ndodhin shpesh – në të folur dhe në të shkruar. Mjaft të ndjekësh një debat në televizion, për të parë si pjesëmarrësit kalojnë lirisht nga veta e dytë shumës e respektit te veta e dytë njëjës e familjaritetit, dhe anasjellas, sidomos kur raportet mes tyre nuk janë të natyrës hierarkike (të llojit vartës-shef) dhe veta e dytë shumës vetëm sa lajmëron ftohtë distancën.
Për shumë prej nesh, shumësi i politesës nuk vjen natyrshëm. Dhe, në të vërtetë, duhet një farë përpjekjeje shtesë, për të ruajtur vetën e dytë shumës formale, kur je duke i folur një personi të vetëm. Kjo mund të arrihet me praktikë, por edhe në qoftë se folësi është i sigurt se si do ta trajtojë gjuhësisht atë të cilit i flet.
Ndonjëherë tjetër përzierja e vetave ndodh kur ligjërimi ndërtohet me parafabrikate, të cilat e sjellin formën e politesës me vete.
Në shqipe, veta e dytë shumës e mirësjelljes, respektit a politesës ka hyrë relativisht vonë – nën ndikimin e gjuhëve të tjera (frëngjishtes, rusishtes); dhe folësve amtarë të gjuhës gjithashtu u duhet që ta mësojnë relativisht vonë: të mësojnë jo morfologjinë e foljeve dhe të përemrave, sepse këto janë të vetës së dytë shumës; por rrethanat se kur duhet përdorur veta e dytë shumës, p.sh. me një person të moshuar, me një epror, me një person të panjohur, etj.
Ndryshe nga ç’ndodh në gjuhë të tjera, fëmijët tek ne nuk i drejtohen prindit me format foljore dhe përemrore të politesës; se nuk ka fëmijë që t’i flasë prindit me “ju”.
Edhe ata folës që e dinë se kur duhet ta përdorin formën e politesës, shpesh harrojnë ose neglizhojnë që ta përdorin dhe u kthehen formave të vetës së dytë njëjës (me “ti”), sepse ato u vijnë natyrshëm. Ndonjëherë nevoja për ta ruajtur politesën nëpërmjet përdorimit të formave gramatikore krejt konvencionale (vetës së dytë shumës në përemra dhe folje), përdoruesit edhe lodhen.
Megjithatë, nga një komunikim prej një institucioni publik duhet pritur që të tregojë kujdes, ndaj tonit dhe etiketës që përdor, kur i drejtohet publikut. Sidomos në ato rrethana kur merret vendimi që të përdoret veta e dytë njëjës, e cila nënkupton familjaritet, por shumë lehtë mund të degradojë në vulgaritet.
Në komunikimet anonime, nëpërmjet mesazheve publike, veta e dytë njëjës ka ardhur duke fituar terren, ndoshta për shkak të ligjërimit të reklamave, i cili shpesh synon ta arrijë menjëherë familjarizimin në komunikim. Prandaj edhe posteri që fjalë, që fillon me “Do të importosh një mjet?”, vetëm sa ndjek një prirje tashmë të njohur, dhe kërkon t’i përcjellë tjetrit idenë se ne të dy që flasim jemi miq ose kemi aq familjaritet mes nesh, sa të shpjegohemi lirisht dhe t’i besojmë shoku-shokut, pa qenë nevoja të ruajmë distancën e politesës.
Problemi – për mua i madh – është te kalimi i menjëhershëm, pa mbaruar fjalia, nga veta e parë njëjës në vetën e dytë shumës, “para se ta blini”, që vjen aq befas sa duket sikur është shtuar nga një dorë tjetër, e pasigurt, e ndryshme nga ajo e shkruesit fillestar (dhe e tillë që t’i shpëtojë edhe një gabim tjetër elementar, apostrofi në “t’a”). E përftuar kësisoj, fjalia është polifonike madje kakofonike – me gjymtyrët e saj në konflikt mes tyre.
Arsyetimi e deritashëm vetvetiu më shtyn të pyes, me zë të lartë, se kush flet në këtë poster, kush e bën pyetjen fillestare dhe kush e jep këshillën vijuese. Këtë kush mund ta identifikosh duke lexuar emrat e institucioneve në krye; por është e qartë se drejtoria në fjalë a ministria ia kanë ngarkuar këtë punë një personi të caktuar, profesionalisht kompetent për të folur me publikun.
Gabimin, nga ana tjetër, materialisht nuk e ka bërë drejtoria as ministria, por personi që e ka shkruar fjalinë, bashkë me ata të tjerët, që duhet ta kontrollonin shqipen e një mesazhi drejtuar publikut.
E megjithatë, sikur ky person të kish shkruar kështu në faqen e vet në Facebook, askujt nuk do t’i bënte përshtypje. Nëse edhe unë e pashë me vend të shkruaja diçka, rreth këtij shëmtimi të shqipes, këtë e bëra ngaqë në mesazhe të tilla publike, të afishuara me të madhe dhe “me zë të lartë”, është shteti ai që flet.
Dhe prej shtetit qytetari ka të drejtë të presë një ligjërim shqip përgjithësisht të rregullt dhe pa gabime – sepse rregullave të së shkruarit shqip është shteti që u del zot dhe i garanton, dhe sepse shteti, nëpërmjet mënyrës si e shkruan shqipen, tregon edhe respektin që ka për qytetarin.
Dua të them se, duke e shkruar posterin pa gabime, do ta përcillte këtë respekt më shumë e më fort se po ta kish shkruar posterin në vetën e dytë shumës.
Nuk ka nevojë njeriu të jetë profesionist i normës gjuhësore dhe as gjuhëtar, për ta pikasur shqipen e keqe të posterit – mjafton të ketë një ndjenjë gjuhësore mesatare, të edukuar në shkollë. E megjithatë, kaq shumë është shthurur shqipja publike këto 30 vjet, teksa kanë dalë edhe nga skena brezat që tregonin kujdes të madh për rregullat e të shkruarit publik, sa shumë qytetarë sot jo vetëm që nuk arrijnë t’i zbatojnë rregullat atje ku duhej t’i kishin zbatuar, por edhe nuk janë më në gjendje t’i pikasin gabimet; ose, edhe më keq, mendojnë se nuk ia vlen më të shqetësohemi për këto gabime – në ligjërimin institucional – sa kohë që qytetari ka kokëçarje të tjera.
Për shembull, siç më shkroi njëri në komentet, duhet diskutuar me përparësi taksa tejet e lartë që paguhet në doganë për një automjet të importuar. Në kuptimin që, po të fillojmë tani të merremi me gabimet gjuhësore, do të na dalë prej fokusi problemi i vërtetë, që është ai i “rrjepjes” së qytetarit.
Mirëpo ka një lidhje të fortë – mendoj unë – mes një shteti që nuk kujdeset më të komunikojë mirë me qytetarin, duke i dobësuar kriteret e kontrollit ligjërimor, dhe një shteti që i ngre arbitrarisht (po supozoj, sepse nuk kam hetuar gjë) taksat ndaj qytetarit. Në të dy herët, do të na shfaqet përpara një shtet që vepron pa përgjegjësinë e duhur, sepse nuk ndien përgjegjshmëri (accountability) ndaj publikut.
Dhe ky argument na sjell te shoqëria civile, meqë normalisht do të prisnim që të kishte një OJQ, organizatë blerësish ose institucion të ngjashëm që të luftonte për drejtshmëri (fairness) në taksimin e mallrave të importuara, siç do të prisnim që të kishte një OJQ, organizatë “mbrojtësish” të gjuhës shqipe ose institucion të ngjashëm, që të luftonte për përdorimin pa gabime të shqipes, në komunikime shtetërore (qeveritare, administrative, etj.).
Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytën, bëhet fjalë për ndërmjetësim në marrëdhënien asimetrike midis shtetit dhe qytetarit; ndërmjetësim që mund dhe duhet ta bëjë shoqëria civile.
Përpjekja ime për të vënë në dukje një gabim gjuhësor (pragmatik) si ky nuk synon të ndëshkojë njeri dhe aq më pak të vërë me shpatulla për muri institucionin që ka hartuar dhe shpërndarë posterin; dhe as të pushojë nga puna shkruesin e fjalisë fatale. Nuk e shoh veten në rolin e policit, dhe as të prokurorit a inkuizitorit normativ. Gabimet e mëdha, që m’i zë ndonjëherë syri, dua t’i shfrytëzoj për të diagnostikuar një sëmundje thellësisht strukturale të shtetit të sotëm, që nuk arrin të zbatojë pikërisht ato rregulla që e bëjnë të jetë shtet.
E shkruar dhe e folur keq, shqipja publike – dhe veçanërisht shqipja që ligjërojnë institucionet – shkakton vetvetiu degradimin e komunikimit publik dhe pezullimin gradual të qytetarisë. E di që nuk kam i vetmi që shqetësohem për këtë, sikurse e di – për fat të keq – se ne që shqetësohemi jemi shumë pak, dhe ata që na dëgjojnë shpesh as e marrin vesh se çfarë kërkojmë.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.