Këto ditë, kur kërkoja të krahasoj përkufizimet që ia kishin dhënë termit DREJTSHKRIM në Fjalorët e shqipes gjatë viteve, vura re – jo pa habi – se Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 1954 nuk e përmbante fjalën fare. Dhe nuk gjeta dot arsye tjetër për këtë “mungesë”, përveçse që autorët e Fjalorit kishin parapëlqyer të mbanin termin rival ORTOGRAFI, i cili aso kohe përdorej rëndom.
Në të vërtetë, kjo DREJTSHKRIM nuk është veçse kalk, ose përkthim “kuptimor”, i termit ndërkombëtar ORTOGRAFI, me rrënjë nga greqishtja e vjetër helenistike: ὀρθογραφία (orthographía), nga ὀρθός (orthós, “korrekt”) dhe γράφω (gráphō, “shkruaj”).
Ngaqë dokumentimi i shqipes së shkruar nuk e ka organizimin e duhur arkivor, është vështirë që të gjesh se kur është përdorur për herë të parë kjo DREJTSHKRIM – përpjekjet për të futur në shqipe fjalë të tilla kanë filluar masivisht që gjatë viteve të Rilindjes, për të mos u ndalur më pastaj.
Por leksikologu mund të shohë se DREJTSHKRIM, si kalk, i ngjan gjermanishtes RECHTSCHREIBUNG, siç i ngjan edhe rusishtes ПРАВОПИСАНИЕ, që ka të njëjtën strukturë.
Pas botimit të esesë sime, që prejardhjen e termit e trajtonte vetëm shkarazi, më shkroi një koleg, për të më lajmëruar se këtë DREJTSHKRIM, në trajtën DREJTËSHKRIM, e kish parë të përdorur nga gjuhëtari Selman Riza, në veprën “Tri monografina albanologjike” të botuar në vitin 1944.
Kjo më bëri të mendoj se autorët e Fjalorit të 1954-ës me siguri e njihnin fjalën, por e kishin lënë jashtë me vetëdije; siç më bëri të mendoj se Selman Riza e kish zakon të sajonte terma të rinj, duke kalkuar terma ndërkombëtarë – edhe pse shumë nga sajimet e tij nuk zunë dot vend as në terminologjinë gjuhësore, as në leksik.
Por fjala DREJTSHKRIM nuk paskësh qenë e Selman Rizës. Një koleg tjetër, Agron Alibali, njohës i mirë i Faik Konicës, më lajmëroi se e kish gjetur këtë DREJTSHKRIM, të shkruar si dréjtshkrim, te një artikull i revistës Albania të vitit 1900, me autor Trrank Spirobeg-un, që nuk ish veçse një nga pseudonimet e Faikut.
Me titullin “Përmi drejtshkrim a ortografië të gjuhës sonë”[1], artikulli lë të kuptohet se autori po e sugjeronte termin e shqipëruar DREJTSHKRIM si kandidat për zëvendësimin e fjalës “së huaj” ORTOGRAFI, duke e përdorur të dytën si udhërrëfyese për të parën: drejtshkrim a orthografië, zgjidhni e merrni, ju që njihni termin e dytë, mendoni se mos ia vlen të përdoret ky i pari.
Në atë kohë – jemi në 1900-ën – shkruesit e shqipes, ende të paktë, nuk kishin vendosur ende kritere të sakta se çfarë fjalësh të huaja (ndërkombëtare) do të linin në përdorim dhe çfarë fjalësh të tjera do të hiqnin. Prirja e përgjithshme ishte që të “pastrohej” shqipja nga fjalët e huaja – duke i zëvendësuar këto me neologjizma. Shumë nga këto neologjizma sot janë vetëm kuriozitete të kohës – kujtoj fjalë si DHESHKRONJË, për “gjeografi”, që e pat propozuar Sami Frashëri në 1886 (bashkë me DHEMASË për “gjeometri”, GJITHËMËSIME për “universitet” e të ngjashme); kureshtarët mund të gjejnë me mijëra të tilla, të shpërndara në tekstet dhe fjalorët terminologjikë: më shumë se “fjalë”, ato janë ngjizje individuale, sugjerime ende të pakodifikuara, që fjalë nuk u bënë dot – sepse fjala, në kuptimin më të pranuar në gjuhësi, është diçka më tepër se përdorimi sporadik në një a në disa pak kontekste të rralla.
Dijetarët e kohës e shihnin si detyrë patriotike krijimin e fjalëve të reja – të bindur se po i ndihmonin pasurimit të leksikut libror të shqipes, gjithë duke e bërë këtë leksik më të afërt për përdoruesin e thjeshtë; dhe një pjesë e mirë e neologjizmave të tyre sot janë integruar në leksikun e rëndomtë dhe nuk ndihen më si neologjizma.
Se çfarë e ndihmon një neologjizëm që të përfshihet në leksik, kjo nuk është shumë e qartë: fjala duhet të jetë formuar mirë, sipas rregullave të fjalëformimit shqip; fjala e huaj që do të zëvendësohet duhet të “ndihet” si e huaj nga përdoruesit; propozuesi i fjalës dhe teksti ku ajo shfaqet për herë të parë duhet të kenë autoritetin e duhur. Një gjë është e sigurt: që midis momentit kur krijohet një fjalë e re (neologjizëm) dhe momentit kur kjo fillon të përdoret si e gjuhës, kalon një farë kohe. Kjo është koha që i duhet gjuhës për ta përtypur sugjerimin dhe për të “vendosur” nëse fjala ka apo jo ndonjë vlerë.
Konica e pat përdorur fjalën që në vitin 1900; e megjithatë, kjo DREJTSHKRIM ende nuk kish gjetur dot vend, në Fjalorin e 1954-ës. Pse kjo vonesë gjysmë-shekullore? Me gjasë, ngaqë autorët e Fjalorit të 1954-ës gjykonin se DREJTSHKRIM nuk kish arritur ta zëvendësonte rivalen ORTOGRAFI – dhe se në literaturë vazhdonte të përdorej e dyta, ndërsa e para ishte shpërfillur.
Mjafton të ndjekësh historinë e përdorimeve zyrtare (në tekste autoritative) të këtyre dy termave të barasvlershëm, ORTOGRAFI dhe DREJTSHKRIM, për të konstatuar se e para mbizotëroi si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë deri nga fundi i viteve 1960, ndërsa DREJTSHKRIM u përgjithësua kryesisht pas Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë,[2] duke qenë pika e ndërrimit të stafetës botimi i Rregullave të drejtshkrimit të shqipes (projekt), në vitin 1967. Ende nuk e them dot me siguri, nëse nuk ka pasur një fazë të ndërmjetme, sidomos në Kosovë, kur ORTOGRAFI dhe DREJTSHKRIM[3] përdoreshin krah për krah, me kuptime disi të ndryshme – duke shënjuar e para sistemin e rregullave, ndërsa e dyta zbatimin e atyre rregullave në praktikë.
Shumë prej nesh e keqkuptojnë rolin dhe misionin e një fjalori njëgjuhësh – duke kujtuar se fjalori i fut fjalët në përdorim; ose e kundërta: duke mos i përfshirë fjalët në fjalës (që është lista e fjalëve që shpjegohen), i nxjerr ato nga përdorimi. Në fakt, detyra kryesore e një fjalori shpjegues nuk është as të nxjerrë fjalë nga gjuha dhe as të futë aty fjalë të reja, por të “fotografojë” leksikun, ashtu siç paraqitet ai për një periudhë të caktuar. Autorët e fjalorit – leksikografët – veprojnë në bazë të një arkivi (tradicionalisht të njohur si kartotekë) ku dokumentohet përdorimi i fjalëve – në tekste të ndryshme, si libra dhe periodikë, etj. në gojën e popullit – dhe nga ky arkiv nxjerrin listën e fjalëve që do të përfshijë Fjalori. Për t’u kthyer te shembulli ynë, nëse Fjalori i 1954-ës ka fjalën ORTOGRAFI, por jo fjalën DREJTSHKRIM, kjo ka ndodhur ngaqë autorët nuk patën gjetur dokumentim të mjaftueshëm për të dytën dhe kanë gjykuar se ajo ende nuk ishte bërë pjesë e leksikut të shqipes.
Megjithatë, pak vite më vonë, kur u mblodh Kongresi që do të sanksiononte rregullat e drejtshkrimit të shqipes, duket sikur ky term, DREJTSHKRIM, e kish fituar më në fund qytetarinë në leksikun e shqipes, duke e shtyrë mënjanë rivalin ORTOGRAFI, i cili gradualisht do të fillonte të ndihej prej përdoruesve si i vjetruar. Kjo periudhë, në vija të trasha 20 vjetët që ndajnë Fjalorin e 1954-ës nga Kongresi i Drejtshkrimit, me gjasë ka qenë edhe koha kur termi DREJTSHKRIM filloi të përdorej gjerësisht në shqipe – duke u bërë pjesë e asaj që gjuhëtarët e quajnë “normë leksikore”. Fjalori i vitit 1980, me 41 mijë fjalë, e pasqyroi pastaj këtë “normë” në fjalësin e vet.
Sot fjala ORTOGRAFI pothuajse nuk përdoret më – edhe pse shumë prej nesh e njohim, ngaqë simotrën e saj e ka italishtja (ortografia) ose frëngjishtja (orthographe); dhe fjala DREJTSHKRIM duket sikur e ka “fituar” betejën. Gjuhëtarët ende mund të diskutojnë mes tyre, nëse struktura e tejdukshme e DREJTSHKRIM (“të shkruarit drejt”) i jep termit ndonjë përparësi, në krahasim me ORTOGRAFI – por kjo nuk i heq gjë faktit që shqipja tashmë e “ka marrë” vendimin. Një gjë është megjithatë e sigurt: që ky vendim nuk është ndikuar nga përfshirja e fjalës DREJTSHKRIM në Fjalorin e vitit 1980; dhe as nga fakti tjetër, pa lidhje, se DREJTSHKRIM është neologjizëm, në mos edhe më keq, “fjalë e bukur shqipe”.
Një shekull e gjysmë pas fillimeve të Rilindjes dhe formulimit të programit të saj gjuhësor, ka plot shkrues të shqipes – shkrimtarë, publicistë, dijetarë – që krijojnë fjalë të reja dhe besojnë, me sinqeritet, se ashtu po i shërbejnë pastrimit dhe pasurimit të leksikut. Shqipja vërtet ka nevojë të ngutshme për fjalë, të të gjitha llojeve, por pasurimi i leksikut nëpërmjet neologjisë mbetet një iluzion i disa pak idealistëve, që nuk ka gjasa të bëhet kurrë realitet. Shumë fjalë të reja, edhe kur krijohen nga shkrimtarë me autoritet, mbeten në nivelin e fjalëve “ligjërimore”, ose figurave leksikore – krijime individuale, me funksione shpesh artistike, por që nuk i kapërcejnë caqet e teksteve ku përdoren për herë të parë. Poetë si Asdreni dhe Lasgushi kanë plot të tilla, të cilat i përdorin si mjete poetike; dhe ata vetë do të ishin habitur, po t’i kish quajtur kush “pasurues të shqipes.”
Më mirë të mendojmë kështu: që një neologjizëm është bërë pjesë e leksikut, atëherë kur shumica e përdoruesve nuk e percepton më si neologjizëm; dhe historia e termit DREJTSHKRIM tregon se shtegu që duhet të ndjekë fjala, për t’u përfshirë në leksik, nuk është gjithnjë i drejtë, dhe as gjithnjë i logjikshëm.
© 2023 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Titullin po e citoj sipas transliterimit që ia ka bërë Kristina Jorgaqi, në vëllimin Faik Konica, Mendime gjuhësie, OmbraGVG 2006, f. 130. Në pajtim me konvencionet e veta alfabetike, Konica e shkruante fjalën kështu: dréjtshkrim. Nëse kemi të bëjmë me një sajim të atij autori, këtë nuk e konfirmoj dot dhe as ai nuk e pohon gjëkundi.
[2] Këtë e kam ndjekur kryesisht nëpërmjet librit Gjuhë standarde dhe histori identitetesh, të Rexhep Ismailit (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2005).
[3] Tek Ismaili (vep.cit, f. 188) kam parë se të paktën një autoritet i gjuhësisë në Kosovën e atyre viteve, Idriz Ajeti, i përdorte të dy termat krah për krah, në të njëjtin tekst, madje duke u vënë përkrah edhe termin e tretë ORTOGRAFIM.