Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PËR NJË ALFABET TË RI TË SHQIPES

nga Arben Dedja

Këtë leksion të çuditshëm, mbajtur nga A.K., studiues i shquar dhe profesor i Universitetit të Tiranës në lëndën e Gjuhësisë Historike të Shqipes, për të cilën është specializuar në Gjermani, e kam transkriptuar besnikërisht nga një incizim nga salla bërë me iPod-in e studentes Xhevrie Delli, më datë 01.04.200… Dëshira jonë (imja dhe e Xhevries) ishte të jepnim edhe versionin live të leksionit, ndoshta me një CD bashkangjitur këtij libri, por s’arritëm të fitonim të drejtat e autorit. Amin! Dikush tjetër, më i kamur, do ta bëjë në vendin tonë. Ndërkaq, ju ftoj të zbaviteni me leksionin e shkruar.

Me atë durimin prej rrëmuesi bibliotekash, duke kërkuar në fakt tjetër gjë fondeve të vjetra të Bibliotekës Kombëtare, fonde të tridhjetë e ca viteve më parë, lënë krejtësisht pasdore pasi përkojnë me atë periudhë historike të Shqipërisë aq fort të ndrydhur në darën komuniste saqë, me të padrejtë, mendohet se s’është prodhuar kurrgjë me vlerë, ndesha, (Nr. 5, viti XII i botimit i revistës asokohe prestigjoze shqiptare Revista Pedagogjike) në një artikull vërtet revolucionar për kohën dhe, çuditërisht, pavarësisht dekadave që kanë kaluar, ende aktual në përfundimet e veta, sidomos për idenë e hedhur shkarazi dhe me shumë takt në favor të gegnishtes si bazë të shqipes standarde, për atë kohë (viti i botimit të këtij numuri të revistës ishte 1973-shi, një vit pas Kongresit të Drejtshkrimit!) diçka, do të thoshim heretike, por që po konsiderohet gjithnjë e më fort nga gjuhëtarët e këtij mijëvjeçari, shumica bij të gjuhëtarëve që pikërisht atyre viteve mbrojtën tezën e kundërt, parë sot si kryekëput politike, atë të toskërishtes si bazë të standardit (dihet prirja morboze e gjuhëtarëve, sikundër ajo e mjekëve, për t’u mballosur në shpinë pinjojve profesionin e vet). Titulli i këtij artikulli, me autor B.K. (ndjesë pastë, Autori ndërroi jetë bash vjeshtën që shkoi) për mua gjer atëbotë krejt i panjohur, asokohe një profesor province më pas i harruar dhe i persekutuar nga Regjimi, ishte me të vërtetë profetik: Për një alfabet të ri të shqipes (teksa poshtë titullit shkruhej: Pjesa e parë: bashkëtingëlloret). Mbaj mend ta kem përpirë, kur i thonë, aq rrjedhshëm dhe me rigorozitet shkencor ishte trajtuar tema.

Desha më parë të bëja për ju, të dashur studentë, një panoramë të thukët të kushteve ekonomike dhe politike në të cilat u shkrua artikulli dhe të frymës që ai bartte, frymë e kohës natyrisht, por që e rrokte problemin nga themelet dhe yshtte zgjidhje rrënjësore. Do të dëshiroja të citoja në vijim të leksionit, që rreket të hapë hulli për të tjera leksione mbi figura të shquara të shkencës sonë, ndonjë frazë nga ky studim por, për të mos ju lodhur e për t’jua bërë të pamundur ndjekjen e fillit të çështjes qerthujve të arsyetimit të Autorit, vendosa ta përmbledh vetë sprovën e studiuesit të madh. Para së gjithash, le të fillojmë bash nga fundi i studimit. Ai ka plot dyzet e shtatë faqe (është më voluminozi i artikujve botuar në Revistën Pedagogjike, siç pata rast t’i kontrolloj një më një numrat, deri te më i mbrami, dalë në korrik 1990 – gjithsej njëzet e nëntë vëllime) dhe megjithatë, fjala e tij e fundit është: vijon; ndonëse, medet!, s’pati vijim në numrat pasardhës. Atëherë, i armatosur me vendosmërinë dhe durimin që nuk më karakterizon veçse në raste tejet të rëndësishme të jetës, nisa hulumtimin pranë ç’kish mbetur prej arkivës së revistës, me shpresë mos bija gjurmëve të ndonjë dorëshkrimi të paraqitur aty dhe të pabotuar ose të ndonjë letre redaktoriale që të ma ndriçonte situatën, pa gjetur, ama, asgjë, sepse 90% e materialit arkivor qe shitur si letër për riciklim nga jevgu Ymer, banor abuziv i dhomës së arkivës, të cilin s’arrita dot ta kontaktoj ngaqë vuante dënimin për tentativë vrasjeje ndaj ish-pronarit të godinës. Përndryshe, takova trashëgimtarët e studiuesit, përsëri me shpresën mos gjeja çfarëdolloj materiali ose dorëshkrimi që do të ishte natyrisht i vyer dhe, kam sonte kënaqësinë t’ju them që, saje intuitës, nuhata që vazhdimi i mundshëm i studimit i binte të kish veç një nëntitull: Pjesa e dytë: zanoret. Kështu, duke rrëmuar kartave të të ndjerit që m’u vunë bujarisht në dispozicion nga familjarët, proftasa në disa skeda që duhet t’i kishin shërbyer atij për të hedhur – e zezë mbi të bardhë – tezat risore të kësaj pjese të dytë të studimit, që tashmë mund ta konsiderojmë të humbur për fare, ndonëse ia dola ta rindërtoj pjesërisht, siç do të kem rastin t’jua shpalos ca më poshtë.

Po le të kthehemi te pjesa e parë e studimit, e botuara. E pra, të dashur studentë, Shqipëria e fillimviteve shtatëdhjetë ishte një vend i varfër stalinist, paranojak dhe krejtësisht i izoluar nga bota. I vetmi aleat, Kina Komuniste, s’ish kjo e sotmja, por ajo mizorja e Revolucionit Kulturor, e varfër si Shqipëria, mos më shumë. Obsesioni i Udhëheqësit ishin armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, kështu që vetëm ngritja si kërpudha gjatë gjithë vijës kufitare e mijëra bunkerëve dhe goditjet e verbëta vdekjeprurëse, që i lëshonte kur t’i tekej ndaj bashkëpunëtorëve të vet më të afërt, sikur ia fashisnin disi ankthin që, shìgur, e kaplonte netësh. Ndërkohë politika kolektivizuese në fshat dhe mbajtja në këmbë e industrisë së rëndë për çelik dhe armatime ishin kthyer në vrimë të zezë për ekonominë e vendit. Parrullat më në modë asokohe qenë: “Ne shqiptarët bar hamë dhe nuk dorëzohemi” (nga një fjalim i Udhëheqësit) apo “Të jetojmë, të punojmë, të mësojmë si në rrethim!”. Kështu Partia e farkëtonte Njeriun e Ri. Njëri nga heronjtë që bartte tiparet e këtij Njeriu dhe mishëronte parrullat e sipërpërmendura, Lej Feni ose varianti kinez i Njeriut të Ri, sivëlla me tonin, me ç’më kujtohet nga tekstet shkollore mblidhte, për shembull, çdo gozhdë a bullon gjetur rrugës, se i vlente vendit të tij. Lej Feni, derisa u vra nga armiqtë e popullit kinez, bëri edhe plot bëma të tjera, por s’di pse kjo historia e bullonave iu ngulit më fort në tru shqiptarëve. Ky studim, pra, duhet inkuadruar në atë kohë kur popullit shqiptar, të varfëruar deri në palcë, i bëhej, veç të tjerash, edhe propaganda shurdhuese për KURSIM; ndonëse, saje punës titanike që pati në themel dhe përfundimeve ku arriti, studimi ynë e tejkaloi fuqishëm çastin kur u shkrua, duke u projektuar me denjësi në vite. E tregova historinë e bullonave që ju, të dashur studentë, të mos humbisni kohë duke lexuar pesëmbëdhjetë faqet e para të artikullit, cit me fjali propagandistike, citate nga veprat e Udhëheqësit (passe-partout për të mundësuar botimin) dhe një tiratë të gjatë që fut në lojë fjalën-kyçe të krejt punimit: KURSIMIN.

Nga ana tjetër, të dashur studentë, përgatituni me çmos të admironi vizionin qelibar, përkushtimin e lartë, vullnetin, forcën prej Mikelanxheloje të B.K.-së që, në vetëm pesë vjet, qëmtoi me mijëra faqe të letërsisë dhe publicistikës shqipe, duke punuar mbi libra, siç dëshmojnë familjarët, deri tetëmbëdhjetë orë në ditë, me ose pa drita (dhe, në fakt, kur ndërroi jetë qe praktikisht i verbër). Këtë punë titanike e nxjerr më fort në dukje fakti që asokohe kompjuteri nuk ekzistonte, kështu që gjithçka ndërmori i Yni e bëri duke i numëruar vetë rresht për rresht e faqe më faqe germat. Se me këtë kemi të bëjmë (të paktën katër vitet e para të punës): me një shoshitje statistikore, me numërimin një më një të shkronjave të alfabetit shqip në një sasi të jashtëzakonshme veprash politike, letrare dhe publicistike. Kur shikon ato tabela gjigante, vizatuar mbi tabakë letre nga ato të qeseve të frutave (studiuesi ynë e kishte bashkëshorten shitëse), në dukje tabela të thata vërtet, ndoshta nuk krijohet e saktë ideja mbi vëllimin e punës që iu desh të përballojë ky njeri. E pra, po ju rrëfej që ky zotëri praktikisht analizoi germë për germë:

(Vepra politike): Vëllimet e Veprave të Udhëheqësit (deri në vitin 1973 ishin botuar njëqind e shtatëmbëdhjetë vëllime, me nga pesëqind-shtatëqind faqe secili, nga një minimum i parashikuar prej të paktën njëqind e shtatëdhjetë e shtatë Veprash, që pritej ta kalonte shifrën e treqind vëllimeve, nëse Udhëheqësi lehtësisht – sikurse besonte shumica e shqiptarëve – do ta kapërcente moshën njëqind vjeçare).

(Vepra letrare): Shtatë poemat prolikse kushtuar Partisë në pragun e secilit Kongres të saj, thurur nga poeti i shquar D.A.

(Artikuj, reportazhe, analiza): Gazeta Zëri i Popullit, organ i Komitetit Qendror të PPSh-së, e përditshmja me tirazhin më të madh në vend (njëqind mijë kopje), u analizua imtësisht, me numrat e saj që përfshinin plot një dekadë (2 janar 1960 – 31 dhjetor 1969).

Pas kësaj faze përgatitore masakruese, që sa ç’përmendet thatazi në dy rreshta kur citohet metodika e studimit, shihni, të dashur studentë, se si procedon hap pas hapi logjika e ftohtë, mendjembushëse, tejet shkencore e studiuesit tonë. Kryeherazi, ai përmend që ndër njëzet e nëntë bashkëtingëlloret e alfabetit shqip, nëntë jepen grafikisht me dy germa (të ashtuquajturat diagrama ose bigrafema), siç pat vendosur Kongresi i Manastirit më 1908. B.K.-ja përllogarit pastaj përqindjen që zënë diagramat në një tekst standard të shqipes. Kjo ndodh jo pak, por në rreth 7.54% të tekstit dhe, në veçanti: denduria e Dh-së në përqindje është mesatarisht 1,21%; e Gj-së ≈ 0,80%; dhe, pastaj, Ll-ja ≈ 1,49%; Nj-ja ≈ 0,44%; Rr-ja ≈ 0,61%; Sh-ja plot 2,74%; Th-ja ≈ 0,13%; Xh-ja dhe Zh-ja 0,06%. Gjysma e kësaj gjatësie (pra 3,77% e tekstit), propozon me vendosmëri Autori, në një kohë kur flitej për KURSIMIN, mund të kursehej nëse shkronjat përkatëse shenjoheshin me një germë të vetme (të ashtuquajturat grafema), në vend të dyve. Ai i hyn, bile, edhe më në thelb diskursit me propozime konkrete. Citoj: Dh-ja, për shembull, thotë Autori, mund të zëvendësohet kollaj me Đ,đ (jepen këtu, si edhe më poshtë, germat e mëdha dhe të vogla të shtypit); Gj-ja me Ģ,ģ; Ll-ja me Ł,ł; Nj-ja me Ñ,ñ; Rr-ja me Ŗ,ŗ; Sh-ja = Ş,ş; Th-ja = Ŧ,ŧ; Xh-ja = Ҳ,ҳ dhe Zh-ja me Ž,ž. Kështu, bie fjala (po e thjeshtëzoj disi informacionin dhe sasinë e llogarive të ndërmarra) për një libër-standard, shtypur në një fletë tetëmbëdhjetë centimetra me dyzet e dy rreshta për faqe, duke pasur parasysh që një rresht në gjuhën shqipe përmban mesatarisht 12,2 fjalë (janë llogaritë e tij) dhe çdo fjalë përbëhet nga rreth 4,3 tinguj, përllogaritet lehtësisht sasia e shkronjave për faqe standard, prej nga del që rreth 166,13 e tyre shprehen me diagrama që, po të ktheheshin në grafema, do të kishim, le të themi, vend për tetëdhjetë e tri frafema të tjera në po atë faqe, pra për 19,3 fjalë ose 1,58 rreshta, duke sjellë kështu një kursim prej një faqeje çdo njëzet e gjashtë faqe e gjysmë. Vijon pastaj përllogaritja e fandaksur e shpenzimeve që duheshin përballuar nga Shteti për zëvendësimin e germave të plumbit në të gjitha tipografitë e Republikës, për ndryshimin e abetareve dhe për ribotimin e veprave më me vlerë të traditës me alfabet të ri. Asgjë s’ish harruar, asgjë s’i lihej rastësisë, përafërsisë (përllogaritej, madje, edhe kostoja e kurseve të natës për tipografët), ndërkohë që këta shpenzime lehtësoheshin mjaft nga mijëra tonelata letër dhe litra bojë tipografike më pak (e llogaritur në bazë konsumi/plan pesëvjeçar), duke arritur përfundimin që në njëmbëdhjetë vjet tre muaj e pesëmbëdhjetë ditë nga hyrja në fuqi e reformës, të gjitha paratë e investuara rekuperoheshin dhe qysh atëbotë shoqëria shqiptare fillonte të dilte me fitim, të cilin humanisti ynë propozonte të përdorej për (të ma falni ngashërimin) … ndërtimin e një Biblioteke të Re Kombëtare, që ai e imagjinonte në Kombinat, pranë Varrezave të Sharrës.

 

(Leksioni rifillon pas një pauze dhjetë minutëshe).

 

Folëm shkurtimisht për pjesën e parë të studimit. Pas botimit të saj nuk pati ndonjë reagim të rëndësishëm zyrtar apo partiak (pritej njëherë, me ç’duket, reagimi i Ministrisë së Brendshme). Këtu ndikoi edhe fakti që pjesa e dytë, me gjasë për arsye gjatësie, nuk kish dalë ende, kështu që aparatçikët druheshin të shpallnin përkrahje apo mallkim, pa kapur ndonjë sinjal sado të paperceptueshëm nga lart, për të mos hedhur, siç edhe kish bërë vaki, hapa të nxituar duke përfunduar pastaj ata vetë “armiq”.

Tani, të dashur studentë, analizojmë pak pjesën e dytë të studimit, të rindërtuar prej meje (m’u deshën muaj zhytjeje në fashikujt e rëndë me llogaritje të lodhshme e të fandaksura). Dikur, kujtoj, i çova këta shënime edhe në Fakultetin e Matematikës për një opinion më profesional, por ata u ndienë thjesht të pafuqishëm dhe veç shprehën habi përzier me adhurim ndaj këtij, siç thanë, “gjeniu të aritmetikës”. Përmendëm, pra, që vazhdimi i studimit titullohej: Pjesa e dytë: zanoret. Jam i detyruar, këtej e tutje, të eci vetëm me koncepte, duke lënë mënjanë prozën e rrjedhshme të Autorit që, siç thamë, nuk e kemi më.

Së pari, i Yni vë në pah që fjalët e gjuhës shqipe kanë një raport zanore/bashkëtingëllore rreth 43,8%/56,2%. Pastaj, si hap të dytë konstaton, ashtu pafajësisht, që zanorja më e përdorshme e shqipes letrare është ë-ja: në çdo njëmijë germa të një teksti të shqipes standard (marrim një ligjëratë të nivelit të mesëm) ë-ja del mesatarisht njëqind e dymbëdhjetë herë, teksa i-ja vjen pak a shumë tetëdhjetë e tetë herë, a-ja dhe e-ja tetëdhjetë e një herë, u-ja dyzet herë, o-ja tridhjetë e dy, ndërsa y-ja vetëm katër herë. Këtu Autori hedh tezën e parë: ë-ja, pra, grafikisht e-ja me dy pika përsipër (shenjë diakritike), propozon të zëvendësohet (për kursim) me një e me vetëm një pikë sipër (Ėė). I hyn ballëhapur dhe optimist llogarive, për të parë efektivitetin ekonomik të këtij propozimi. Nga llogaritë, që sipas dëshmisë së familjarëve zgjatën plot tetë muaj, rezultoi që ky zëvendësim NUK qe frytdhënës dhe, sikur të hiqej me dekret njëra pikë nga kjo germë në vitin 1973, kostoja e prodhimit të germave të plumbit: e me vetëm një pikë sipër, do të mund të rekuperohej me kursimin e bojës së pikës së dytë të e-së vetëm pas njëmijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre vitesh (merrni me mend që me një grafik Autori kishte shprehur edhe tendencën e supozuar të çmimit të bojës së shtypit dhe të letrës në vite). Në këtë pikë të studimit, me ç’duket, ai hodhi, me ndershmërinë dhe guximin intelektual që e karakterizonte, propozimin që e dogji si studiues dhe njeri, duke e bërë përjetësisht të persekutueshëm; propozoi, pra, mënjanimin për arsye kursimi të përdorimit të tepruar të ë-së. Kështu, B.K. vuri re diçka që në fakt gjithkush mund ta konstatonte edhe vetë: së pari, që dialekti geg, ajo gegnishtja e kulluar, aq e luftuar dhe e anatemuar nga Regjimi, e përdorte më pak, bile shumë më pak, zanoren ë (shpesh e pazëshme) dhe, së dyti, që, në përgjithësi, gegnishtja ishte më e shkurtër, kishte nevojë për më pak shenjëza (germa) se toskërishtja. Ndoshta studiuesi ynë mendoi se duhej vepruar shpejt, para se punët të ntrasheshin dhe standardi i bazuar në toskërisht të zinte vend të pandërrueshëm në mendjet e shqipove. E para gjë që bëri, siç del nga shënimet dhe dëshmitë e familjarëve, i pajisur siç duhet me fjalorë të vjetër dhe me veprën e plotë të poetit Gjergj Fishta (e ndaluar!) ishte kthimi i librit me kujtime të Udhëheqësit Vite të vegjëlisë – libër ky ku nuk mungon e folura thellësisht toske – në gegnisht (dhe të mendoni që B.K.-ja vetë ishte nga Përmeti!). Me kënaqësi kam konstatuar që përkthimi i tij po i reziston më së miri kohës: është aktualisht bestseller në Kosovë (medet! pa respektuar të drejtat e autorit dhe ato të “gegzuesit” tonë B.K.). E pra, nga një studim i krahasuar i teksteve të librit Vite të vegjëlisë del në pah fakti që, në radhë të parë, zanorja ë në gegnisht përdoret rreth 2,1 herë më pak se në standard dhe, së dyti, zbulim ky edhe më radikal: ndonëse numri i fjalëve gege për të njëjtin tekst ishte vetëm pak më i ulët (arrinte në nëntëdhjetë e gjashtë për qind) por, gjithsesi, krahasimisht njëlloj me atë të shqipes standard të bazuar te toskërishtja, numri i përgjithshëm i germave në gegnisht ishte dallueshmërisht më i vogël për të njëjtën gjatësi teksti (shkonte te 89,9% – pra, çdo njëmijë germave/tekst në “letrarisht” i korrespondonin në gegnisht rreth njëqind më pak). Kjo diferencë dhjetë për qindëshe s’duhej nëpërkëmbur, parë me syrin e Fushatës së Përgjithshme të Kursimeve – që, doemos, përkonte me Fushatën Mbarëkombëtare të Bunkerizimeve, sepse i thoshin rreth dyqind e njëzet germa më pak për faqe (e llogaritur kjo, si në pjesën e parë të studimit si bartëse e dymijë e dyqind germave/faqe, mesatarisht). Në vija të trasha, pra, po të përdorej gegnishtja në vend të letrarishtes, për çdo dhjetë faqe të shtypura do të kishim një faqe kursim, kursim ky akoma më i madh se ai i realizuar nga rimodelimi i bashkëtingëlloreve.

Të gjitha këto dalin qartë në pah nga shënimet e të ndjerit. Pas kësaj gjurmët zënë e treten. Sipas dëshmisë së familjarëve (por kanë mbetur gjallë vetëm dy bijtë, në ato vite ende të mitur), sa kohë që ishte botuar vetëm pjesa e parë e studimit, çdo gjë shkonte mirë, bile Autori kishte marrë edhe përgëzime, ndonëse jozyrtare. Por, kur redaktorët lexuan me vëmendje gjithë studimin, atë punën e gegnishtes nuk e gëlltitën dot, ndaj, thuhet, i dërguan një relacion Akademisë së Shkencave. Që andej erdhi mandata për varrosjen e veprës. E si mund të botohej një studim që nxirrte në dritë që gegnishtja dhe jo toskërishtja i shkonte më për shtat politikave të atëhershme, të paktën në kuadrin e kursimit? Në një letër të firmosur nga vetë Kryetari i Akademisë, kjo tezë u cilësua “me karakter reaksionar”. Në këtë letër, që s’i gjendet më gjurma, dërguar redaksisë së Revistës Pedagogjike dhe Kryetarit të Frontit Demokratik të lagjes ku studiuesi ynë kishte vendbanimin, ai u akuzua mes të tjerash edhe për “revizionizëm” sepse, u argumentua, gërmat e propozuara për zëvendësimin e bashkëtingëlloreve shkruar me diagrama ishin huajtur “qëllimisht” nga alfabete vendesh lindore, anëtare të Traktatit të Varshavës. Menjëherë Ministria e Brendshme i hapi Dosje. Mjerisht, megjithë ndihmën e vyer të Shoqatës Mbarëshqiptare të të Persekutuarve Politikë dhe Shoqërorë (PPSh), s’arrita të bie gjurmëve të kësaj Dosjeje. Ju, të dashur studentë, besoj jeni në dijeni të projektit-pilot më të fundit në lëmë të Luftës kundër Diktaturave, promovuar dhe financuar nga Bashkimi Europian, që sheh për protagoniste Shqipërinë, atë që  ka të bëjë me qëmtimin e Dosjeve… (lëvrima dhe pësh-pëshe në sallë). Dy fjalë. Për herë të parë në botë, një numër i madh ekspertësh Dosjesh (specialistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shumica ish-sigurimsa) po shfletojnë në Tiranë atë që ka mbetur nga Arkiva gjigante e Dosjeve të Ministrisë së Brendshme (që në kohën e lulëzimit të vet numëronte plot një milion e dyqind mijë të tilla), për të arritur të zbulojnë të vërtetat dhe gënjeshtrat që ato fshehin. Shqipëria duket se qenkësh vendi ideal për një projekt të këtillë, sepse këtu jo vetëm që Dosjet vazhdojnë të mos hapen, por është krijuar mundësia, në vitet e turbullta të tranzicionit, që mbi to të vihet dorë rëndshëm. Dhe konkretisht, të dashur studentë, unë u interesova posaçërisht (duke përfituar edhe nga njohje personale) për studiuesin tonë që, siç thashë, zyrtarisht s’figuron të ketë pasur ndonjëherë Dosje (në një kohë kur logjika e gjërave, faktet e tij jetësore dhe dëshmi gojore pohojnë të kundërtën). E pra, nuk dua të zbardh këtu hetimin ende në zhdrivillim e sipër, por e them me siguri që me Dosjen e tij ka ndodhur ajo që u vërejt të ketë ndodhur edhe me mijëra të tjera, dukuria e mirënjohur e tjetërsimit. Dosja e studiuesit tonë, pra, në këta vite tranzicioni po se po, por me ç’duket qysh nga fundi i Diktaturës, kur u nuhat që asaj po i vinte fundi, u zhduk, ama pa u grisur e shpërbërë. Asgjë s’duhej të humbte (duhej kursyer?). Kështu, sipas një mekanizmi pervers, me përjashtim të fletës së parë, asaj të gjeneraliteteve, e cila digjej, gjithçka tjetër përdorej për prodhimin e të tjera Dosjeve fiktive kinse të persekutuarish. Janë këto Dosje të rreme që po kalojnë tani shoshën e ekspertëve, për të zbuluar brenda barkut të tyre të sëmurë Dosjet e vërteta. Një proces aspak i lehtë. Një Dosje e rreme përbëhet, si ajo Kimera mitologjike, nga pjesë organike Dosjesh të vërteta, jo një e dy, por deri në njëzet-tridhjetë të tilla. Ato nuk përmbajnë vetëm fletë të shkëputura e të ngjitura mjeshtërisht për të krijuar vazhdimësi logjike, por përdoren bile edhe Dosje të tjera, edhe ato të rreme apo Dosje të krijuara ad hoc njerëzish të paqenë, të vdekurish prej kohe (dhe këtu ec e merre vesh nëse i ndjeri kishte apo nuk kishte Dosje sa qe gjallë!). S’dua dhe s’mund ta zgjas më tepër ligjërimin mbi këtë çështje (dhashtë Zoti, ai do të bëhet objekt i një vepre time më të plotë, që do të rreket të ndriçojë zgafellet e kësaj tragji-komedie shqiptare), por mund vetëm të cek këtu që, nga të dhënat që disponoj, faqe të Dosjes së shprishur të B.K.-së janë gjetur të bëjnë pjesë në Dosjen që thuhej se e kish të hapur prej kohësh (sipas një thashethemnaje që ai vetë e mbante ndezur) Kryetari i Akademisë së Shkencave, gjuhëtar i thekur.

Kështu e vranë talentin e të madhit B.K. i cili, nga profesor province që, siç pamë, merrej me studime që do t’i sillnin lavd shkencës shqiptare, u dërgua edhe më në periferi. Një dorë gjithsesi dashamirë e degdisi vetëm në fshatin Ndërmalas të Alpeve Shqiptare, 1.450 metra mbi nivelin e detit, me rreth pesëdhjetë shtëpi që çdo dimër izoloheshin nga dëbora (aktualisht krejtësisht i shpopulluar, sepse banorët e tij kanë zbritur në Bathore). Aty, bashkë me një koleg që kishte mbaruar Institutin e Fizkulturës, jepnin krejt programin mësimor për fëmijët e fshatit (të të gjitha moshave). Ndarja qe kjo: B.K., për vetë bagazhin e tij, jepte lëndët humaniste, teksa kolegu i fizkulturës ato shkencore (me përjashtim të së hënës, kur studiuesi ynë detyrohej të jepte të gjitha lëndët, edhe ato shkencore, sepse kolegu rregullisht dergjej në gjendje komatoze nga fërneti dhe konjaku i rrëkëllyer gjatë fundjavës)…

Ktu sos, mes žaurimaş ky leksion i çuditşëm, mbajtun nga A.K., studiues i şquem đe profesor i Universitetit t’Tiranës n’landën e Ģuhësis Historike t’Şqypes për t’ciłn aşt specializue n’Ģermani, transkriptue besniknişt nga ñi incizim nga sała me iPod-in e studentes Ҳevrie Dełi, datue 01.04.200… Siç ŧash eđe ma lart, dişiri jonë (imi đe i Ҳevries) işte me đanë eđe ñi version live t’leksionit, ndoşta n’ñi CD başkanģitun librit, por s’aŗitme dot me i fitue t’drejtat e auktorit. Amin! Dikuş tjetën, ma i kâmun, do ta baj kte n’vend tonë. Şpresoj të jeni zbavitë sał me leksionin e şkruem.

(c) 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Alfabeti i Naum Veqilharxhit, i njohur edhe si alfabeti i Vithkuqit (Beitha Kukju).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin