nga Kapedani
Kopjohet me paturpësi shkrimi Parashutë i Arben Dedes. Opinioni publik ka reaguar ashpër.
Më poshtë tregimi plagjiatë dhe reagimet e palëve të paprekura. Marrë nga vëllimi i gjashtë me tregime, “50 Hijet e Shqiptarisë”. Autori i ka shtuar një skenë ku listohen një nga një objekte e përjetime të ndryshme nga përditshmëria socialiste ndërkohë që preken nga parashuta. Ndryshe nga tregimi origjinal i ka theksuar disa elemente, e ka kaluar në sfond disa të tjera. Lexuesi ftohet të dalë në konkluzionet e tija nëse kjo është apo jo kopje.
Parashutizma
Pas bubullimës së fundit nga festimi i 1 Majit me fishekzjarrë, nëpër tymin e dendur u feks një parashutë. Mijëra krahë e grushte u ngritën brohoritazi në qiell. Si periskopë palombarësh që gulçonin për oksigjen nga gjithë ai tym baruti.
Parashuta ishte e bardhë e ndoshta prej pëlhure nga ai i kombinatit apo çarçafëve smerilë të ushtrisë. Por turma konfirmoi se ishte copë e mëndafshtë. Fijet e trasha të parashutës ishin gjithashtu prej mëndafshi. Gjithmonë sipas Zef rrobaqepësit. Ky i kishte parë ato gjatë luftës. Madje kish prerë disa fustane dasme nga ai material. Askush nuk qëndroi të dëgjonte për nuset fatlume që nisi të rrëfente. Në sy ranë vetëm piroteknikët që mblodhën ngutazi plaçkat dhe kapsollat ndjekur skuthtazi nga Muç peshkatari. I njohur për mënyrën e tij të zhurmshme të peshkimit me dinamit. Të gjithë u turrën te parashuta.
Edhe para disa vitesh kishte pasur shpërthime të tilla. Dhe një parashutë. Por erërat e kishin shtyrë e rrëzuar te kodra e lapidarit ku kishte mbuluar një parrullë mbi miqësinë shqiptaro-kineze. Brenda një reparti ushtarak. Thonë se përgjegjësit e vendosjes së parullës u dënuan të gjithë për veprimtari armiqësore.
Tani, tek bubullimat e fishekzjarrëve kremtonin pa Kinën vëllazërore por me të njëjtin stok, zbriti sërish një parashutë. Po aq subversive sa edhe nëndetëset e vëllezërve të dikurshëm sovjetikë.
I madh e i vogël, u turrën drejt parashutës. Kaluan bulevardin “Stalin” dhe u afruan te Rruga e Elbasanit. Autobusët e linjës u bllokuan. Ambulancat qëndruan. Taksistët më të fuqishëm mbyllën makinat dhe iu bashkuan turmës. Të tjerët filluan t’u bien fort borive duke imituar, me tingullin e tyre, parullën: “Parti – Enver! Jemi gati kurdoherë!”, “Parti – Enver! Jemi gati kurdoherë!”.
Komiteti i Organizimit të Qokave Emulative (KOQE) diskutoi të zhvendosë tribunën. Disa propozuan ta vendosnin në rrugën e Elbasanit. Inxhinier Lulëzimi, i diplomuar në një kurs dy mujor për skelat në Francë, propozoi ta hypnin skenën në kamion. E ky ti paraprinte turmës. Sekretari i partisë që nuk dinte aq fjalë teknike në frëngjisht sa Lulëzimi, politikisht ra dakord; partia i paraprin popullit. Por teknikisht ishte kundër e ftoi në bisedë sociolog Artanin. Ky u zgjat shumë te përbërja sociale dhe kriminaliteti i lagjes, pa ndonjë konkluzion për çështjen në fjalë. Frëngjishten e kishte mësuar në mënyrë autodidakte. Kinezçen e kishte lënë për rrethana të kuptueshme. Pilot Bujari parashikoi se do të binte diku afër Fushës së Alidemit. U nisën të gjithë për atje.
Ndërkohë turma kishte arritur te ATSH-ja. Policia kishte vendosur postbllokun te ura në pritje të urdhrit nga KOQE-ja. Parashuta lundroi disa metra. Si një cicë gjigande fërkoi disa pallate parafabrikate. Disa alidems që po rregullonin antenat në ballkone për filmin e natës atë ditë të premte, u ngrehën ti fusin duart, por era e ktheu sërish. Tek ra në kanalin e Lanës, një hungërimë e mbytur kënaqësie doli nga gurmazi i turmës.
Kur anëtarët e Byrosë Politike së bashku me ministrin dolën në podium, nuk panë popull përreth. Në çdo rast, jo aq sa tu ngopeshin sytë apo gumëzhitur veshët, edhe pse gjysma ishin tashmë shurdhuar. Simoni, “djaloshi” siç ish mësuar ta thërrisnin, u zgjat cazë te parmaku duke u mbajtur te bastuni i tij. E konfirmoi me ndrojtje frikën e grupit. Po për fat, frika nuk u zgjati shumë.
Prirë nga anëtarët e Komitetit të Organizimit të Qokave Emulative hypur në një skenë lëvizëse, turma filloi të zinte vendin e vetë. Delegatët e metalurgjikut të Elbasanit çelën procesionin me bustin e Enver Hoxhës. Brohoritjet e kapën ritmin. Fytyrat e duart u ngritën sërish drejt tribunës si lulet drejt diellit. Sheshi mori sërish pamjen festive. – Epo duhej një intermexo – iu kthye Sekretari i Parë i Partisë duke buzëqeshur shokëve të luftës.
Reagimi
“Shkabë plagjiatore!” “Grabitçar i ndyrë!” “Shëmti e pështirë!” Ishin thirrjet që dëgjoi në konferencën për shtyp. Sikur të mos i mjaftonte pështyma me të cilën shpëlau rreshtin e parë, goditi me grusht gazetaren. Përleshja fizike me kameramanin e bëshëm ishte edhe më poshtëruese. Në media, profesori i gjuhës frënge të Universitetit të Tiranës neologjizoi atributin “shkërdhagjator”. Në Facebook konflikti ka arritur kulmin e urrejtjes virtuale ndaj autorit tonë të harruar Gazmend Butka.
E pyes e më thotë se është një lloj montazhi kinematografik (cross-montage)[1]Brekët e mëndafshta, parashuta, turma, etj.. Si ndërhyrjet censuruese të TVSH në skenat erotike. Tepër radikale për të mos qenë origjinale. Një regjisor sovjetik, përmend diku sesi një censurues kish ngrënë një pjesë të filmit e i kishte ndërruar pjatën e menynë. Hiqi djathin cheeseburger-it, e bëhet burger.
Folëm në Skype. E kisha kontaktuar disa herë, por pas zënkës së fundit nuk denjonte të më hapte telefonin. E kisha fyer me artikullin e fundit për të. Por nuk besoj se ishte ky shkaku i shpërfilljes. Mund të ishte intervista ime me konkurrentin e tij, Ben B.
Perse e kopjoi shkrimin e Arben D.? Mund edhe ta kishte ri-shtypur me tjetër lloj tipografie. A nuk i ndryshonte Weird Al lirikën këngëve? I ruajti melodinë, thotë, por i ndryshoi vargjet. Nuk e kuptova këtë analogji. Por dukej qartazi i bezdisur nga kjo pyetje. I mungonte metafora për ta racionalizuar.
Mos vallë plagjiaturë, edhe karakteri juaj? Shyti, Nastradini, reflektimet e Dodo maçokut? Ai grushti gazetares, kopje nga Mike Tyson (left uppercut)? Përleshja me kameramanin nga filmi “C’est arrivé près de chez vous”? Kërkon bashkëfajtorë, bashkëkopjacë? Një mise-en-scène? A i ka ngelur diç origjinale?
U afrua te kamera, ngriti brekët e mëndafshta, dhe bërtiti solemnisht se kush nuk kopjonte është budalla. Nuk ka rëndësi nga kush a çfarë. Nga A. D., E. P., apo A. V. Deri sa të dalë dikush pa emër e iniciale. E nëse dikush ishte i aftë të rrëmoj, edhe nga Ben B. apo Mustafa N. Citoi një farë Angësht Radoja “Parimi i vetëm në art, është të kopjosh çfarë shikon.” Me siguri e kish fjalën për August Rodin. Njeriu është në natyrë gjuetar ose mbledhës. Diku me force apo me rrënjë. Por për të, autorët që kopjon janë muza. Nuk kanë asnjë vlerë përveç se marrëdhënies me të. Edhe, ishte sallaksh.
Duhet të jemi kopjacë. Shikoi në TV! Dikur të rinj, sot me thinja. Një familje e madhe incestuoze. I vetmi prodhim në shkallë industriale e në seri janë budallenjtë. Ndihmuar kjo nga gjuha standarde shqipe. E programuar të simulojë të njëjtin realitet. Të njëjtin mendim politik. Të njëjtat konflikte përfaqësuar nga të njëjtat individualitete e instrumente. Luftuar kjo në të njëjtën mënyrë. Me prodhimin në serial të së vetmes alternativë që mund të krijoje totaliteti provincial. Duke përsëritur të njëjtin refren. Origjinaliteti çorodit.
Mos kishte kopjuar vetëm nga autorë shqiptarë? Vetëm shqiptarë kishte lexuar. Nuk dinte të mendonte në gjuhë tjetër. U vidhte gjuhën, karakteret, skenat, por kurrë tipografinë apo ballinat. As idenë. Ideja ishte gjithmonë e tij. Artikulimi jo. E kush mendon se ka artikulim origjinal, është i çmendur, i pandershëm.
Kishte shkruar ndonjëherë diçka origjinale? E shkundi cigaren në dorë dhe më tregoi hirin. Nuk pata kohë të mendoja domethënien e gjestit në atë moment se po me mundonte një fije mishi nëpër dhëmbë. Ishte tashmë traditë që në bisedat tona, edhe ato virtuale, të haheshin qofte. E pyeta ne telefon ne orën 3 të mëngjesit kur po shkruaja këtë artikull, e nuk i kujtohej. Historia e shkruar është e rreme, ma ktheu. Ose diçka të ngjashme. Ma ka ndaluar të përdor regjistruesin elektronik. Thuaj ç’të duash, më tha herën e fundit, unë jam krijimi yt, sa edhe i vetes. Askujt nuk ka pse ti interesoj e vërteta. Vetëm ndershmëria.
Sa libra kishte publikuar? Ma ktheu se vetëm një të tretën e atyre që kishte shkruar. Tani kishte filluar të shkruante për pasardhësit. Për nipin dhe mbesat. Do shkruaj edhe kur të jem në dynjanë tjetër. Çdo 5 vjet do dalë ndonjëri që do të zbulojë një kryevepër timen. Nja dy i kam ende fshehur ne Bibliotekën Kombëtare. Tre mi nxorën si jashtë inventarit kur i ra zjarri. Kishin gjetur mijëra të tilla nga autorë të ndryshëm. Futur kontrabandë. Vetëm katër ja gjetën drejtoreshës në zyrë kur u largua. Ka shume firo kjo punë. Ato gjashtë te Akademia e Shkencave i kish fshehur mirë, në mes të librave të Skënder Gj. dhe Ylli P. Besoj se pas 30 vitesh mund të zbulohen.
Çfarë ishte kjo metodë guerile e distribucionit? Autorë që postojnë pa adresë kthimi, fusin libra fshehtas nëpër dyqane. Bëjnë sikur i harrojnë nëpër klube, pallate sporti, kinema. Nuk kish bërë të tilla. Librat e tij ishin tepër shkencorë për të tilla subversione. Vetëm në institucionet e arsimit të lartë kish dërguar nja dy. Por aty duhet të korruptosh bibliotekaren. E dinë inventarin përmendsh.
Gazmend Butka nuk e mohon se ka kopjuar. Thjeshtë e cilëson kopjen e tij. E ka konsumuar në mënyrë origjinale. Profesori i frëngjishtes, i lëçitur në teoritë e letërsisë, nuk e mohon se konsumi është gjithmonë origjinal, vetjak, e unik. Sidomos për shkrimtarë të panjohur. Por ngelet konsum, jo krijim.
Për Butkën janë thjeshtë këndvështrime. Reputacioni është çështje brezash. Kujt i kujtohet “Pesë dhimbjet e Qanies”? Na kujtohet vetëm Hakia e gjorë që vrau veten pas leximit të atij rrëfimi intim. Apo “Përgjumjen e Nehbi Surrelit”, sikur kryetari i bashkisë mos ta kishte emrin Nehbi.
Data e futjes në sistem: 17.11.2022
References
↑1 | Brekët e mëndafshta, parashuta, turma, etj. |
---|