Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

MENDIME TË PAKREHURA (LXXXII)

(nga Stanislaw Lec*)

Çdo fjalë është edhe mendim; këtë nuk mund ta thuash për çdo frazë.

Mos e lini zjarrin të shuhet, ushqejeni dora-dorës me heretikë të rinj.

Disa presin ardhjen e obskurantizmit, që të vihet më në fund re shkëlqimi i tyre i dobët.

Në shtegun që të çon te lavdia, ruajeni incognito-n.

Në kohë të errëta, vështirë të eklipsohesh në hije.

Njeriu shërben si ndërmjetës mes fjalëve të veta.

Shoqërojeni çdo melodi me fjalët tuaja, dhe çdo fjalë me melodinë tuaj. Por mos ndieni ndonjë detyrim për të kënduar.

Urrejtja po fillon të më plaket, duke u shndërruar në përçmim.

Ka vepra që u përvidhen vlerësimeve, për të vrapuar drejt dafinave.

Rrënojat: shenjat mnemoteknike të historisë.

“Fali, Zot, se nuk e dinë çfarë thonë” (për aktorët).

Poetët janë Antej, që e prekin dheun me thembrën e Akilit.

Tragjeditë e mëdha kërkojnë gjak, jo lot.

Hamleti sot: të jesh duke mos qenë, apo të mos jesh duke qenë?

Krijuesi i frymëzuar kopjon vegimet e veta.

Kur ta kem humbur sensin e humorit, do të më shpallin filozof.

Edhe veprat kanë komplekse: duke filluar nga kompleksi i babait.

Sa ka nga ata që, pasi dalin nga skena, harrojnë ta heqin grimin!

Ndonjëherë kemi nevojë për suflerë që të na pëshpëritin çfarë nuk duhet thënë.

Arti: bombë me sahat në një kuti muzikore.

Ndonjëherë vetëm duke dalë nga skena mund ta marrë njeriu vesh se çfarë roli ka luajtur.

Kujdes! Duke dalë nga ëndrrat tuaja, mund ta shihni veten në ëndrrat e të tjerëve.

Po sikur peripatetikët të ecnin në njëshkolonë?

Edhe bronzi i statujave përfundon i shitur për skrap.

Mos i premtoni vetes shumë gjëra, për pas fundit të botës.

Kot përpiqesh të arrish thellësinë duke u zhytur.

Sa më të pastra t’i kenë duart viktimat, aq më të pista i kanë vrasësit.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin