Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antikitet / Gjuhësi

DIMALI ILIR DHE HIMALAJET INDIANE

nga Albert Riska

Nuk ka dyshim se Dimal, si toponim i dokumentuar i Ilirisë, do të përbënte një të dhënë me interes për dijen historiko-gjuhësore shqiptare. Por, veç kësaj, Dimali do të fitonte vlera të veçanta edhe për një arsye tjetër: do të mund të përmendej si një ndër rastet e rralla që të krijojnë idenë sikur dija shkencore albanologjike dhe pellazgologjia do të mund të pajtoheshin.

Veçse, edhe po të duam t’i pajtojmë, ato sërish do të përplasen…

Dimali si qytet ilir përmendet që nga historiani grek Polibi, po ashtu edhe nga historiani romak Tit Livi, pra, duhet të ketë qenë një qendër e rëndësishme që në shekujt III-II para e.s.

Qyteti i lashtë është identifikuar nga arkeologët falë mbishkrimeve që janë gjetur në të sotmen Kalaja e Krotinës (në një zonë të butë kodrinore midis Beratit dhe Fierit, në perëndim të malit Shpirag). Në qeramikat antike shkruhet Dimalitan.

Duhet të përmendim se nga gjykimet e mëhershme të studiuesve në toponimin Dimal është veçuar rrënja mal, si një rrënjë paraindoevropiane që është parë e lidhur me shqipen e sotme mal dhe që normalisht shfaqet si identike me të. Ky perceptim detyrimisht që do të nënkuptonte ndarjen morfologjike të fjalës në dimal-, dhe do të shpjegohej shumë thjesht: Dimal = dy male.

Këtu do të qëndronte përputhja midis palëve: fjala mal do të përbënte një provë të lidhjeve gjuhësore iliro-shqipe dhe problemi i vijimësisë do të ishte përfundimisht i mbyllur për pellazgologët.

Por duhet pasur gjithmonë parasysh se në çështje të gjuhësinë historike zgjidhja që shfaqet si më e lehta për t’u pranuar, duhet parë edhe si më e dyshimta.

Për rastin në shqyrtim duhet të pranojmë se nuk gjejmë në shqipen e sotme ndonjë fjalë a ndonjë toponim që do të mund të konsiderohej, në përputhje me normat e zhvillimit fonetik të gjuhës shqipe, si vazhdues i drejtpërdrejtë i këtij toponimi të lashtë, çka do të thotë se ai nuk është përcjellë deri në ditët tona nëpërmjet gjuhës së folur. Megjithatë, nga analiza etimologjike do të shihet se Dimal mund të përfshihet në listën e fjalëve që do të dëshmonin marrëdhëniet e vijimësisë gjuhësore iliro-shqipe.

Për ndonjë fjalë ilire të dokumentuar, edhe në qoftë se nuk gjendet një vazhduese e drejtpërdrejtë në shqipen e sotme, mund të kërkohen të tjera lidhje etimologjike që do të zbulonin përputhje të natyrës tipologjike në evolucionin fonetik.

Kështu, duke pasur parasysh modelet e përftimit të fjalëvë të vjetra shqipe, nuk do të përjashtohej mundësia që eksperimentalisht të bënim një tjetër ndarje morfologjike të toponimit ilir e do të kishim dimal apo dim-a-l, duke nënkuptuar, kështu, një rrënjë të parë *dim-.

Duke gjykuar vendndodhjen, natyrën e terrenit, lidhjet gjeografike të zonës ku gjendej vendbanimi antik i Dimalit (në mënyrë të veçantë me lartësitë e Tomorit dhe me ato të Shpiragut), si edhe duke njohur ndonjë relacion në sistemet mikrotoponimike të këtyre zonave, do të mund të hipotezohej që emri Dimal të vendosej në të njëjtën rrënjë me fjalën e sotme shqipe dimën/dimër dhe toponimin do ta përkthenim “vendi i dimrit” ose “vend për dimërim”.

Ka mundësi që themelimi i Dimalit të lidhet me shtegtimet stinore të barinjve të Tomorit e të Shpiragut për verim e dimërim. Në mbështetje të kësaj ideje mund të vijë fakti se në Shqipëri, siç tregojnë toponimet, janë krijuar qendra banimi në vendet ku dikur dimërohej apo verohej. Kështu, toponimi i kudogjendur Verri, me shumë gjasa i burimit latin, nga invernus, do të mund të mendohej si një zëvendësues i mundshëm për Dimal. Për t’u shtuar këtu se edhe përgjegjësen greke χειμώνα e gjejmë në përbërje të emrit të një fshati të banuar nga shqiptarë në Greqi, Νέο Χειμώνιο.

Në këtë mënyrë, për të krijuar një ide për bazën e vjetër të emrit Dimal do të duhet t’u referohemi gjykimeve që etimologët kanë dhënë për fjalën shqipe dimër, detyrimisht edhe për përgjegjëset e saj në gjuhët e tjera të familjes indoevropiane.

Është për t’u theksuar se trajta shqipe dim-ën/dim-ër gjen përkime perfekte në gjuhët e tjera të familjes, si me greqishten χειμώ-νας, sllavishten zima, por edhe me sanskritishten hima- “cold, frost, winter”.

Baza indoevropiane që i bashkon të gjitha këto fjalë mendohet të jetë një *ĝhei-m-, ĝhi-mo, që do të rindërtohej nga lema indoevropiane *ĝhei- ose *ĝhi- “winter, snow” (dimër, borë), e zgjeruar me mjetin temëformues –m.

Përsa i përket rrënjës, dallimet që vihen re në trajtat e gjuhëve të ndryshme kanë të bëjnë me bashkëtingëlloren nistore (d, χ, z, h) dhe janë krijuar nga mënyrat e ndryshme të zhvillimit të bashkëtingëllores indoevropiane, e cila mendohet të ketë qenë një grykore e aspiruar /gh/.

Për gjuhën shqipe mund të pranohet që një grykore e aspiruar indoevropiane të vijë në gjendjen e sotme /d/, apo edhe /dh/ (/gh/ > d/dh), siç mund të dëshmojnë fjalët dorë, derr, dhëndër, dhe-u, dhi-a, dyllë etj.

Një zhvillim i tillë do të mund të pranohej edhe për ilirishten. Kështu, në qoftë se emri Dardan do të lidhej me fjalën dardhë, do të mendohej i ardhur nga një bazë *gherd; dasar mund të lidhet me një bazë *ghos, si përkim me sllavishten gost, gostit. Po ashtu edhe elementi de-, nga një *ghe-, në emrin e përbërë Demetër (shumë i përmendur në historinë e ilirëve) mund t’i atribuohet ilirishtes, që në këtë rast do të konsiderohej si gjuhë dhënëse për greqishten (pa e përjashtuar edhe mundësinë e ndonjë substrati paleoballkanik të përbashkët).

Gjykuar kështu, edhe fjala ilire Dimal do të mund të përfshihej në rrethin e fjalëve indoevropiane ku bën pjesë fjala shqipe dimër, veçse ato nuk do të mund të konsiderohen si të përftuara njëra nga tjetra, por si dy përftime të ndryshme nga e njëjta bazë e vjetër.

Përbërja fonematike e Dimal dhe dimër do të na lejonte të mendonim që kemi dy fjalë të përftuara nga baza e vjetër, *ĝhei-m > *dim-, por është e qartë se kemi të bëjmë me fjalë të krijuara nga mjete temëpërftuese apo prapashtesa të ndryshme, njëra me –n e tjetra me –l.

Pavarësisht etimologjive të errëta, në ilirishte kemi disa fjalë ku –l do të mund të veçohej si prapashtesë, Gentila, Danila, Dastila etj., kuptohet e zgjeruar në çdo rast me një zanore mbështetëse. Një rast normalisht më të pranueshëm do të paraqiste emri Skerdilaid, që do të mund të analizohej në skerdilaid.

Mund të besohet, pra, se dimër e Dimal, që na vijnë njëra përmes shqipes së folur, tjetra nga dëshmitë e ilirishtes, të jenë dy fjalë të ndryshme për nga mjeti fjalëpërftues, por me të njëjtin burim në rrënjë dhe bartëse të të njëjtit tipar fonetik në bashkëtingëlloren nistore.

Në qoftë se dimë-n/dimë-r do të gjente përkimin perfekt në indishten e vjetër hema-n dhe në greqishten χειμώ-νας, Dimal do të gjente përkimin e vet perfekt tek latinishtja hiemalis, me kuptimin në anglisht “wintry” (dimërore), e formuar nga rrënja hiem- “winter, storm” (dimër, stuhi) me anë të prapashtesës –al.

Veç fjalës latine, si një përkim perfekt për Dimal do të pranohej, normalisht, edhe fjala sanskrite himalayah, nga vjen emri i masivit malor të Himalajeve.

Por kjo nuk do të thotë se Himalajet e kanë emrin nga ilirët, se, po të ishte ashtu, do t’u thoshim Dimalaje.

(c) 2022 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin