Më doli përpara dy herë ky artikull i Prof. Asoc. Dr. Belina Budinit, një herë te Gazeta Liberale dhe pastaj te Panorama, por me të njëjtin titull:
Ku nuk munda të vë re se fjala binom është përdorur me kuptim pak të çuditshëm.
Se çfarë është binomi, këtë mbase e mbajmë mend nga algjebra, por na e freskon edhe Fjalori:
1. mat. Shprehje algjebrike, që përbëhet prej dy termash të bashkuar me shenjën plus ose minus. Formula e binomit. Kufizat e binomit. Shumëzimi i binomeve.
2. fig. libr. Dy dukuri ose dy nocione, që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme. Njëra anë e binomit.
Meqë teksti në fjalë nuk është matematik, mendja ta do se Budini e ka përdorur me kuptimin e dytë, figurativ. Dhe në fakt, në trup të artikullit gjen shprehje të tilla si:
Berisha-Rama qëndrojnë si binom i pandashëm i politikës dhe pushtetit.
Dhe më tej:
rikthimi i binomit Berisha-Rama
Me gjasë, titulli i shkrimit nuk është i autores Budini, e cila në tekst e përdor saktë fjalën binom, por e ndonjë redaktori të faqes. I cili – nga padija – i ka dhënë fjalës një kuptim që ajo nuk e ka:
Riciklimi i Berishës si binom i Ramës
Se çfarë është ky kuptim i ri, nuk është e lehtë për t’u gjetur, meqë në titull binom mund të jetë gjymtyrë e dytë e krahasimit me riciklimi, por mund të jetë edhe gjymtyrë e dytë e krahasimit me Berishës.
Ky “binom i Ramës” të jetë riciklimi apo Berisha?
Me gjasë, titull-shkruesi ka pasur në mendje diçka si sozi, kipc, binjak, kundërfigurë, kundërpeshë ose kopje – dhe ashtu binomi rezulton të jetë Berisha, si rezultat i riciklimit.
Atje ku autorja thotë se riciklimi i Berishës ka krijuar binomin Rama + Berisha, titulli thotë se riciklimi ka krijuar Berishën si binom të Ramës.
Nuk do të ndalesha gjatë te ky gabim, sepse të tillë gjen përditë në shtyp; por mendova se ia vlente, meqë m’u duk se e kapa një fjalë abstrakte, si binom, duke ndërruar kuptim – njëlloj si ç’ndërron zvarraniku lëkurën.
Askush nuk është i detyruar ta dijë kuptimin e binom – e shumta, folësit do të kapin një lidhje çfarëdo me konceptin “dy”, edhe si kujtim i algjebrës që kanë studiuar dikur. Nuk do të habitesha sikur të ketë shumë që nuk e kanë ditur kurrë se çfarë është binomi.
Fjalë të tilla që nuk i dimë, kur na dalin përpara në fjali, përpiqemi t’i mbushim me kuptim duke u mbështetur te konteksti. Për shembull, po të lexojmë diçka si:
Mjeku që i dha ndihmën e parë viktimës së aksidentit tha se do të duhej që t’ia amputonin këmbën sipër gjurit
Edhe pa ia ditur kuptimin kësaj amputonin, mund ta marrim me mend që është fjala për një procedurë mjekësore, ndoshta kirurgjikale, nga konteksti i afërt por edhe më i gjerë.
Mundet që edhe kjo njohje e paplotë e kuptimit, në formën: AMPUTOJ: “diçka që i bëhet një gjymtyre trupi të lënduar në një aksident”, mund të mjaftojë dhe të mbijetojë në mendjen e shumë përdoruesve.
Dhe nëse personat që e regjistrojnë këtë kuptim të pjesshëm nuk marrin feedback korrigjues, për shembull nga mediat, mund të ndodhë – dhe ka ndodhur – që fjala të shmanget nga kuptimi që ka pasur, për të marrë kuptim të ri, siç ka ndodhur me fjalën SKAFANDËR, që normalisht ka kuptimin
Veshje e posaçme, e papërshkueshme nga uji etj., që përdoret për të qëndruar e për të punuar nën ujë, në hapësirë pa ajër etj. Skafandri i zhytësit (i kozmonautit). Kaska e skafandrit.
Por që tani ka filluar të përdoret rëndom për të shënjuar kaskën mbrojtëse të motociklistit, si në shembullin më poshtë:
Një person me motor, me skafandër në kokë, është autori: kamerat “kapin” autorin e vrasjes së 57-vjeçarit në Shkodër.
Google jep disa dhjetëra hite për shprehjen “me skafandër në kokë”, e cila i është larguar tani mjaft kuptimit fillestar të termit.
Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me kuptimin e fjalës SNAJPER, e cila në krye shënjonte një ushtar të specializuar për të goditur me pushkë të posaçme, nga distanca të mëdha (sinonime: shenjëtar, nishanxhi), por që tani ka filluar të përdoret rëndom për të shënjuar armën përkatëse.
Çdo fjalë e huaj që futet rishtas në përdorim, i ekspozohet këtij rreziku të korruptimit semantik – sepse folësit e dëgjojnë, përpiqen ta kuptojnë, por shpesh ia ndërtojnë kuptimin gabim ose vetëm magësisht.
Edhe forma fonetike e një huazimi rishtas mund të pësojë ndryshime të pakontrolluara: italishtja carro atrezzi, me kuptimin “automjet që përdoret për të ndihmuar automjete të tjera që kanë pësuar defekt dhe për transferimin e tyre në oficinë”, ka përfunduar në karrotrec, përkatësisht karrotec.
Si rregull, alfabetizimi i plotë ose ajo që anglishte e quajnë literacy duhet të pengojë zhvillime kuptimore të pakontrolluara, si ato që kanë ndodhur me skafandër ose snajper – por kjo nuk ka gjasa të ndodhë, kur një fjalë përhapet në gjuhë me shpejtësi më të madhe, se aftësitë e folësve për vetë-korrigjim.
Që këtej edhe fati i lëkundur i një fjale si BINOM: meqë shqipja e ka një fjalë për të shënjuar një “dyshe” njerëzish, dukurish a faktorësh (ÇIFT), atëherë ajo mund të përfundojë me kuptimin “kipc, kopje, binjak, replikë”), siç e ka përdorur redaktori i gazetës më lart.
Shumëçka varet nga NEVOJA e mirëfilltë për një fjalë të tillë (me kuptim të tillë), në një fushë përdorimi specifike, siç do të ishte ajo e ligjërimit politik në media. Tek e fundit, koncepti i BINOMIT RAMA BERISHA është pak i vështirë për t’u rrokur, madje edhe nga ata që e dinë se çfarë është binomi; vetë Budini, në artikull, përdor shprehjen pothuajse pleonastike “binom i pandarë” (Google jep rreth 2,200 hite për këtë), e cila lë megjithatë të tejduket që një binom edhe mund të ndahet. Nëse shprehjen BINOMI RAMA BERISHA mund ta zëvendësojmë me ÇIFTI RAMA BERISHA ose DYSHJA RAMA BERISHA, pa ndonjë ndryshim dramatik kuptimi, atëherë statusi i një termi relativisht abstrakt si binom mund të vihet në pikëpyetje; dhe vetë termi të kontaminohet, duke marrë kuptime të tjera.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.