Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

PËRGJEGJËSIA E NËNSHKRIMIT

Është kthyer përvjetori, janë kthyer edhe diskutimet për Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, dhe mes këtyre lexoj tek-tuk edhe dyshimin në formë pyetjeje, se vendimet e këtij Kongresi nuk do të kenë qenë kaq për t’u përçmuar, sa kohë që rezolutën e nënshkruan figura që sot e kësaj dite nderohen përtej politikës, si Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Aleks Buda, Rexhep Qosja, Shaban Demiraj, Jup Kastrati, Bahri Beci, Henrik Lacaj, Ismail Kadare, Jakov Xoxa, Kolë Ashta, Lasgush Poradeci, Pashko Geci, Osman Myderrizi, Qemal Haxhihasani, Mahir Domi, Spiro Floqi, Stefan Prifti, Sterjo Spasse, Dhimitër Shuteriqi, Kolë Koci, Besim Bokshi, Fatmir Agalliu e kështu me radhë (lista e plotë këtu). Natyrisht, për integritetin e secilit prej këtyre super-firmëtarëve mund dhe do të diskutohet veçan, por kështu në grup ata përfaqësojnë një brez dijetarësh dhe intelektualësh dhe shkrimtarësh që vështirë se mund t’i quash thjesht VEGLA të politikës totalitare dhe aq më pak AGJENTË të planëzimit gjuhësor të ndërmarrë nga PPSH-ja.

Argumenti, pra, nuk më duket se qëndron. E para, ngaqë sanksionimi i shqipes së njësuar, prej atij Kongresi, nuk ishte veçse akti i fundit i një procesi shtrëngimi gradual, që kish filluar menjëherë me vendosjen e diktaturës, pas 29 nëntorit 1944 – dhe që, në arsim e kulturë, parakuptonte heqjen e lirisë së fjalës, heqjen e institucioneve private (shkolla, shtëpi botuese, organe shtypi) dhe zëvendësimin e parimit pluralist me atë të centralizmit demokratik. E dyta ngaqë të gjithë këta emra të nderuar, që kam përmendur më lart, e nënshkruan rezolutën për të njëjtën arsye që do të votonin, ditën e zgjedhjeve, për kandidatët e Frontit Demokratik: pra, duke e ditur se nënshkrimi i tyre ishte performativ, ndërsa mosnënshkrimi do të shihej menjëherë si gjest armiqësor (njëlloj si refuzimi për të votuar, ose hedhja e votës kundër). E dinin, me fjalë të tjera, se e kishin humbur prej kohësh agjencinë individuale dhe, duke iu kundërvënë vullnetit institucional (totalitar) vetëm sa do të ekspozoheshin si armiq. E treta, rezoluta e Kongresit ishte formuluar në mënyrë të tillë, që të tingëllonte sa më e pranueshme, madje edhe për ata që e dinin se sanksionimi i shqipes së njësuar do të zbatohej si të ishte vendim mirëfilli i establishmentit politik; atje nuk flitej për luftë klasash dhe ligjërim të armikut dhe Partia e Punës nuk përmendet asnjëherë (siç nuk përmendet asnjëherë Enver Hoxha); dhe as përmendeshin gjëkundi variantet letrare alternative, mes të cilave edhe gegnishtja letrare (shkodranishtja dhe gegnishtja e Prishtinës; paçka se kjo e dyta i kishte pasur edhe rregullat e drejtshkrimit); e katërta, gjatë periudhës pesë-vjeçare midis botimit të projektit të Rregullave të drejtshkrimit të shqipes në 1967 dhe Kongresit vetë kish pasur diskutime të shumta teknike, për rregulla drejtshkrimi specifike, ku kishin marrë pjesë pothuajse të gjithë zërat autoritarë të gjuhësisë në Shqipëri dhe gjetiu; diskutimet vetë, me sa mund të them unë tani, ishin të lira dhe të hapura, të paktën për ata që merrnin pjesë, por me siguri disa çështje themelore mbetën tabu; teksa gjithnjë ekzistonte një lloj bindjeje në sfond, se tashmë gjithçka me rëndësi ishte vendosur tjetërkund, dhe të dijshëmve nuk u mbetej veçse të vendosnin për këtë apo atë zanore apo formë shumësi.

Në rrethanat kur arsimi, kultura, botimet dhe mediat ishin në duar të shtetit dhe nën kontrollin e komisarëve politikë të PPSH-së, gegnishtes letrare do t’i mungonte krejt hapësira për t’u lëvruar – sepse asnjë shtëpi botuese nuk do të botonte vepra të reja në gegnishte dhe asnjë shkollë shtetërore nuk do t’u mësonte nxënësve të shkruanin në gegnishte. Kongresi i bëri thirrje eksplicite shkollës shqiptare, që “si vatra themelore e formimit gjuhësor të brezave të rinj, që i edukon ata me dashuri për gjuhën amtare dhe u zbulon thesarin e pashtershëm të saj, ta vlerësojë përvetësimin e normave të njësuara të gjuhës letrare e të drejtshkrimit të miratuar nga Kongresi si detyrë themelore dhe të zbatojë plotësisht rregullat e reja të drejtshkrimit, duke filluar nga viti 1973-74”, sikurse u bëri thirrje institucioneve botuese “që t’i zbatojnë me përpikëri rregullat e drejtshkrimit dhe të ndihmojnë gjallërisht për përhapjen e normave letrare dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të popullit” dhe mediave “që të zbatojnë rregullat e drejtshkrimit dhe rregullat e drejtshqiptimit për të ndihmuar në përhapjen dhe ngulitjen e normave të trajtës së folur të gjuhës letrare.” Kjo ia hiqte çdo varianti letrar, përfshi këtu shkodranishten letrare, mundësinë për t’u mësuar dhe lëvruar dhe botuar rishtas, sa kohë që shteti kontrollonte në mënyrë absolute çdo material të botuar, çdo tekst mësimor dhe çdo program shkollor. Aq më tepër që tani edhe institucionet në Kosovë do ta pranonin rezolutën dhe, në mënyrë implicite, njësimin të paktën të drejtshkrimit, çfarë do ta kufizonte praktikën e gegnishtes letrare aktive vetëm në ndonjë organ në diasporë (si Shejzat). Natyrisht, porosia për “rregullat e drejtshqiptimit” nuk kish kuptim, sa kohë që rregulla të tilla nuk ekzistonin; por edhe ajo mund të përdorej dhe në fakt do të përdorej për të penguar përdorimin e gegnishtes në ligjërimin publik (p.sh. në teatër, në estradë, në radio, në TV). Për t’u shënuar edhe se, në kohën kur u miratuan dhe u botuan Rregullat e drejtshkrimit shqip, ende nuk kish ndonjë gramatikë normative të shqipes, çfarë do të thotë se përdorimi i paskajores së gegnishtes ende nuk mund të damkosej si jo-normativ (paskajorja e tipit me punue dhe përdorimet e saj nuk janë aq çështje drejtshkrimi, sa ç’janë të morfologjisë dhe të sintaksës).

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin