Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Përkthim

RRUGËTIMI ME GROPA I NJË TEKSTI

Mes vjershave të përkthyera nga Fan Noli, kam lexuar edhe JETIMI[1], nga një origjinal i Paul Verlaine-it lënë prej autorit pa titull[2], por përndryshe të njohur si Gaspard Hauser chante (Gaspard Hauser këndon):

JETIMI

Kam ardhur unë, një jetim,
zengjin prej syve dhe belave
Në njerëzit e kasabave
S’ma varrnë, s’më gjetnë qesqin.

Kur isha trim njëzetvjeçar,
U-përvëlova nga sevdatë,
I desha që të gjitha gratë;
S’më deshnë, më lanë beqar.

Pa patur mbret, vatan, a gjak,
Pa patur zëmër që të vrisnja,
Në luftë vajta që të vdisnja,
Po vdekja s’më përfilli aspak.

Kam ardhur von’ a tepër shpejtë?
Çpo bënj në botën un’ i mjeri?
O shokë, më mbyti qederi;
Për mua lutuni, o të drejtë.

Përkthimi është i hershëm – i vitit 1916 – por në 1938 Noli e risolli në vëmendje, duke kompozuar mbi të një Këngë për Tenor dhe Orkestër, të cilën e paraqiti për të mbrojtur gradën “bakalaureat në muzikë” në konservatorin e muzikës të New England në Boston[3].

Origjinali frëngjisht:

GASPARD HAUSER CHANTE

Je suis venu, calme orphelin
Riche de mes seuls yeux tranquilles,
Vers les hommes des grandes villes :
Ils ne m’ont pas trouvé malin.

A vingt ans, un trouble nouveau,
Sous le nom d’amoureuses flammes,
M’a fait trouver belles les femmes :
Elles ne m’ont pas trouvé beau.

Bien que sans patrie et sans roi
Et très brave ne l’étant guère,
J’ai voulu mourir à la guerre :
La mort n’a pas voulu de moi.

Suis-je né trop tôt ou trop tard ?
Qu’est-ce que je fais en ce monde ?
O vous tous, ma peine est profonde :
Priez pour le pauvre Gaspard!

Ky Gaspard Hauser i përmendur në titullin e origjinalit nuk është veçse Kaspar Hauser-i, një djalë i ri, i cili u pat shfaqur, një ditë maji të vitit 1828, në Nuremberg të Gjermanisë. I panjohur në qytet, i çuditshëm, evaziv, i paaftë për të komunikuar mirë, origjina e tij i intrigoi të gjithë.

Mes atyre shkrimtarë që u tërhoqën pas fatit dhe personazhit të Hauser-it, veç Verlaine-it, i cili e shkroi poemën në burg, përmendim edhe Jakob Wasserman-in, George Trakl-in dhe Peter Handke-n.

Thuhet se romantikët por edhe të tjerë (ekspresionistët) panë te kjo figurë mishërimin e një tropi letrar të gjeniut poet të humbur në një botë të huaj, pa strehë e shtëpi, pa e ditur se nga vjen dhe se ku shkon.

Gjithsesi, lexuesit shqip iu privuan këto referenca kulturore, ngaqë Noli ia ndryshoi titullin vjershës së Verlaine-it, dhe ashtu Kaspar Hauser-it ia zuri vendin një jetim i çfarëdoshëm.

Ja edhe dy tekstet përbri njëri-tjetrit, për lehtësi leximi:

JETIMI GASPARD HAUSER CHANTE
Kam ardhur unë, një jetim,
zengjin prej syve dhe belave
Në njerëzit e kasabave
S’ma varrnë, s’më gjetnë qesqin.
Je suis venu, calme orphelin
Riche de mes seuls yeux tranquilles,
Vers les hommes des grandes villes :
Ils ne m’ont pas trouvé malin.
Kur isha trim njëzetvjeçar,
U-përvëlova nga sevdatë,
I desha që të gjitha gratë;
S’më deshnë, më lanë beqar.
A vingt ans, un trouble nouveau,
Sous le nom d’amoureuses flammes,
M’a fait trouver belles les femmes :
Elles ne m’ont pas trouvé beau.
Pa patur mbret, vatan, a gjak,
Pa patur zëmër që të vrisnja,
Në luftë vajta që të vdisnja,
Po vdekja s’më përfilli aspak.
Bien que sans patrie et sans roi
Et très brave ne l’étant guère,
J’ai voulu mourir à la guerre :
La mort n’a pas voulu de moi.
Kam ardhur von’ a tepër shpejtë?
Çpo bënj në botën un’ i mjeri?
O shokë, më mbyti qederi;
Për mua lutuni, o të drejtë.
Suis-je né trop tôt ou trop tard ?
Qu’est-ce que je fais en ce monde ?
O vous tous, ma peine est profonde :
Priez pour le pauvre Gaspard!

 

Nuk di të them arsyen e këtij escamotage-i nga Noli – pse e quajti si jothelbësor referimin ndaj një personazhi aq kyç sa Kaspar Hauser-i, aq sa ta linte mënjanë. Mbase mund ta marrim si koncesion ndaj lexuesit shqip, për t’ia kursyer këtij shpjegimet enciklopedike (kush ishte ky, pse pati aq jehonë historia e tij, pse i eksitoi aq shumë artistët, etj.)

Për mua, kjo ndërhyrje mjafton për ta kthyer përkthimin në “përshtatje” – ngaqë e nxjerr nga konteksti i origjinalit për ta futur në një kontekst tjetër, atë të sentimentalizmit (shpesh banal) të letërsisë shqipe të fillimshekullit XX.[4]

Në fakt, thelbi i imazhit poetik të Verlaine-it është ajo calme orphelin, “jetim i qetë”, që na përshkruan një Kaspar Hauser enigmatik, sepse të heshtur dhe të shkëputur nga e kaluara që ia përsiatin të tjerët. I njëjti imazh rivjen edhe në vargun e dytë: riche de mes seuls yeux tranquilles, ku tranquilles rimerr sinonimisht calme.[5]

Noli i ka mënjanuar këto, duke u larguar edhe më tej nga origjinali. Pyetja mbetet: a mund të qëndrojë vjersha pa Kaspar-in? Noli ka gjykuar se po – por unë i kam disa dyshime…

Fjalë që ngecin

Lexuesit të sotëm të përkthimit ia vrasin veçanërisht veshin disa orientalizma – si zengjin, bela, kasaba, qesqin, sevda, beqar, vatan, qeder, të cilat sot shqipja poetike nuk i përdor më.

Këto fjalë, që Noli i shtinte rëndom në punë në krijimet e veta poetike, i kanë tingëlluar ndryshe veshit shqip, në kohën kur u botua përkthimi. I ndeshim në vjershat satirike të atij autori, si vegla fshikullimi të një shqiptarie ende “anadollake”; por edhe në vjersha të tjera, si fjalë mirëfilli të stilit të lartë (“O Bajram, bajrak i gjallë!… Syrgjyn-gjallë e syrgjyn-vdekur…”).

Në krahasim me obsesionin e disa rilindësve për t’i larguar të gjitha fjalët “turke” nga shqipja e shkruar, Noli ose nuk i shihte këto si problematike, ose shpresonte që t’i rikuperonte të paktën në një regjistër specifik të ligjërimit të shkruar.

Këtu mund të pyetet edhe nëse ndonjë shprehje si “s’më gjetnë qesqin” ka qenë përdorur vërtet nga shqipja në kohën kur përkthente Noli, apo është trashëgim intertekstual nga shqipja e bejtexhinjve. Ndërtimi me gjej është libror, por mund të jetë edhe thjesht kalk i frëngjishtes ils ne m’ont pas trouvé malin.

Dje dhe sot

Po ç’efekt kanë këto orientalizma për lexuesin sot?

Një pjesë e lexuesve – me kulturë si me thënë “filologjike” – e dinë që fjalë si zengjin, bela, kasaba, qesqin, sevda, beqar, vatan, qeder janë për t’u shmangur, sepse “turqizma”. Janë mësuar që t’i censurojnë dhe ky automatizëm ua përçudnon eksperiencën e leximit.

Një pjesë tjetër e lexuesve – filologjikisht më naivë – nuk janë detyrimisht censurues, por i gjykojnë fjalët si tepër folk dhe nuk i pranojnë menjëherë, në një poezi “franceze”. Kjo vlen veçanërisht për fjalë si zengjin, bela, beqar, sevda, vatan ndoshta edhe qeder, që ende përdoren në ligjërimin bisedor dhe në atë të thjeshtë. Këta lexues, në çdo rast, nuk presin që bela, sevda dhe beqar t’u shfaqen në një tekst të përkthyer – sepse ato u tingëllojnë si të regjistrit të shqipes së këngëve popullore tradicionale. Këtë frymë folk të vjershës e ushqejnë edhe shprehje si “u përvëlova nga sevdatë”, “më lanë beqar”, “o shokë”, që sot mund të receptohen lirisht si të këngëve të rakisë.

Një grup i tretë lexuesish të një brezi më të ri thjesht nuk i njeh fare fjalë si zengjin, kasaba, qesqin, qeder…; dhe kjo gjithashtu e pengon leximin. Aq më tepër që këto fjalë, si të rralla, do të tërheqin vëmendjen më shumë se të tjerat.

Ashtu, për këta lexues, strofa:

Kam ardhur unë, një jetim,
zengjin prej syve dhe belave
Në njerëzit e kasabave
S’ma varrnë, s’më gjetnë qesqin.

Do të tingëllojë e padepërtueshme, meqë shprehjet “zengjin prej syve dhe belave”, “njerëzit e kasabave” dhe “s’më gjetnë qesqin” do t’u dëgjohen tërësisht opake.

Për një numër më të vogël lexuesish, fjalë si këto shërbejnë për ta ankoruar tekstin e përkthimit të Nolit në kohë, ose si qoka të perspektivës; por këta janë lexues tashmë të trajnuar për të pikasur – dhe interpretuar drejt – shtresëzimet leksikore të një teksti letrar, pa i gjykuar drejtpërdrejt. Për shkak të adoptimit standard të qëndrimeve puriste si kriter minimal të qasjes së shëndoshë (patriotike) ndaj leksikut dhe në përgjithësi gjuhës, këta lexues janë grup i rrezikuar; dhe bashkë me ta rrezikohet edhe trashëgimia letrare shqipe, që e kemi si ujët e pakët.[6]

Megjithatë, le të mbajmë parasysh edhe se shqipja letrare e vitit 1916 nuk ishte ende gati për Verlaine-in – dhe se përkthyesve guximtarë, si Noli, iu duhej që praktikisht ta krijonin ligjërimin e tyre nga zeroja.

E vështira me përkthimin, në krahasim me krijimin mirëfilli, është se u duhen gjetur përgjegjëset fjalëve të huaja, në vend që disa koncepte të vështira të shmangen krejt, ngaqë shqipes i mungojnë fjalët.

Mund ta marr me mend se Noli – si përkthyes të tjerë edhe të teksteve fetare – është gjendur para dilemës së të zgjedhurit mes fjalëve të huaja (përfshi këtu edhe orientalizmat, por edhe romanizmat) dhe neologjizmave. Si me vesh të hollë gjuhësor që ishte – ndryshe nga ca bashkëkohës të vet – ai i la disa fjalë të huaja në tekstet, ndonjëherë edhe duke i përshtatur njëfarësoj.[7]

Më gjerë

Statusin e shqipes në tekste të tilla tranzicionale[8], ku ajo vihet përballë gjuhëve më të përpunuara, do ta rrokim më mirë në kontekstin historik, kur shqipja e lëvruar dhe kultura e bazuar mbi të po përpiqeshin të shkëputeshin nga sistemet konceptuale të periudhës otomane. Kjo vlen veçanërisht për terminologjinë, lëndën gjuhësore të teksteve shkollore, publicistikën e kështu me radhë.

Sfida e prekte leksikun në shumë anë, përfshi edhe nevojën për një ri-shtresim stilistik të fjalëve në dispozicion – duke parë nevojën për fjalë librore, për ndërkombëtarizma dhe fjalë që, gjithsesi, duhej t’i përgjigjeshin sistemeve konceptuale perëndimore (përmend vetëm mundimet e atyre juristëve të formuar në Stamboll, që kërkonin të shkruanin ligje shqip, gjithë duke shmangur orientalizmat). Këto transformime, në atë periudhë, nuk prekën vetëm shqipen – për t’u shënuar se, pak a shumë njëkohësisht, po ndodhte edhe tranzicioni nga osmanishtja drejt turqishtes moderne, që ndonjëherë vinte në diskutim statusin e të njëjtave fjalë dhe terma.

Në poezi – përfshi këtu edhe përkthimin – ndihej nevoja për ta hequr trupi këmishën leksikore dhe stilistike të poezisë me alfabet arab (të bejtexhinjve), e cila ish endur mbi një rrjetë vlerash, klishesh dhe konotacionesh tashmë të papërdorshëm më tutje. Një zgjidhje ishte ajo e të shkruarit folklorik, ku sistemi ekzistues nuk kish zënë vend mirë; një tjetër ajo e pastrimit të leksikut, paralelisht me neologjinë; një e tretë – që e gjejmë te Noli – synonte rivështrimin dhe përshtatjen e disa elementeve turko-arabo-persiane, për të mos e varfëruar shumë leksikun; këtë synim do ta kuptojmë më mirë, po të mbajmë parasysh se përkthimet e atyre viteve shërbenin edhe si stress tests për shqipen e shkruar dhe kapacitetet e saj leksikore e sintaksore.

Për t’u shënuar këtu, edhe pse anash, një vërejtje e përkthyesit Gjon Shllaku, për Shekspirin e përkthyer prej Nolit, në një intervistë ku ai përsiat “përparësitë” e gegnishtes në përkthim dhe pastaj shton:

E vërtetë se Shekspiri… asht përkthye në tosknisht, nga Fan Noli, por në këtë rast bahet fjalë për një shqipe artificiale. Fan Noli nuk ka jetue fare në Shqipni; kësisoj ai nuk njeh shqipen e shqiptarëve që banojnë këtu, por shqipen e shqiptarëve që banojnë në Amerikë apo ndokund tjetër. Ai sjell nji tosknishte të vjetër, të papërpunueme, e jo tosknishten moderne.

Dhe më tutje, në përgjigje të pyetjes se cilët janë përkthyesit e shquar shqiptarë, që ai – Shllaku – i respekton:

Çmoj Fan Nolin në përkthimin e “Don Kishotit”. Ka përdorë plot fjalë turke, por megjithatë ka punue mirë.

Për mua, shqipja e përkthimeve të Nolit është “artificiale” – nëse do ta pranojmë këtë – jo sepse Noli nuk pat jetuar në Shqipëri dhe nuk e njihte shqipen e vendit; por sepse ashtu e krijonte programi i tij gjuhësor, në tekstet origjinale dhe në përkthimet. Gjithë duke shtuar pastaj se gjuhësisht Noli përfitonte mjaft edhe nga Konica. Të dy këta ashtu e mendonin rrugëtimin e shqipes drejt modernitetit – edhe si kompromis, edhe si rehabilitim i disa tipareve të mënjanuara prej Rilindjes klasike, edhe si ripërshtatje e elementeve të ndryshme. Dhe nëse është kështu, atëherë kritika e Shllakut se Noli “ka përdorë plot fjalë turke” tingëllon mekanike – sa kohë që nuk e qortojmë dot përkthyesin e Don Kishotit, për eksperimente leksikore, në një kohë kur shqipja letrare vetëm eksperimentalisht mund të lëvrohej.

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: vizatim i Kaspar Hauser-it, ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Detaj.


[1] E pat sjellë tani së fundi Bujar Meholli, në Facebook.

[2] Del në Sagesse, në Sagesse III, no. 4, botuar për herë të parë në 1880.

[3] Eno Koço, Fan Noli dhe muzika.

[4] Përshtatje të tilla, karakteristike për periudhën, do t’i këqyrim si prova se intelektualët shqiptarë e kohës, pavarësisht nëse poetë, publicistë a përkthyes, e shihnin veten para së gjithash si mësues.

[5] Thelbi i personazhit Kaspar Hauser nuk është “jetimllëku”, por heshtja, pamundësia e tij për të folur për veten, tëhuajzimi.

[6] Ka pastaj edhe nga ata lexues që nuk e vrasin shumë mendjen për t’i kuptuar (interpretuar) tekstet poetike, por thjesht shijojnë melodinë e vargut, rimën dhe emrin e autorit/përkthyesit; dhe i përdorin përkthime si ky i Nolit për t’u krekosur me traditën tonë kulturore “të lavdishme”.

[7] Si lëvrues i palodhur i shqipes librore, Nolit i duhej të vendoste edhe ç’rregullsi do të përdorte, për t’i kanalizuar ndërkombëtarizmat drejt shqipes – atë të frëngjishtes, atë të italishtes, atë të gjermanishtes, apo atë të gjuhëve sllave.

[8] Fati i keq i teksteve të tilla është që të refuzohen nga lexuesit e kohës mu për risitë që sjellin, por edhe t’u duken të shëmtuara lexuesve të mëpasmë, sa kohë që disa nga këto risi u kanë mbetur në tentativë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin