Arjan Shahini më tregoi për një sistem të inteligjencës artificiale (AI), DALL·E 2, që krijon imazhe (foto, piktura, vizatime) në bazë të përshkrimeve që fut përdoruesi.
Shpjegimi si punon ky sistem mund të lexohet këtu. Gjithsesi, kushdo mund ta provojë falas, në linkun përkatës – me kusht që ta futë përshkrimin e imazhit anglisht.
Siç mund të merret me mend, programi mbështetet – mes të tjerash – edhe mbi një databazë ku fjalëve anglisht u bashkëlidhen imazhe të gatshme; prandaj edhe imazhet e sintetizuara rishtas do të ndjekin, në mënyra të ndryshme, zgjedhjet figurale ekzistuese.
Për kuriozitet, i kërkova programit të më krijonte portrete të Skënderbeut, sipas stilit të Rilindjes (europiane), me variacione gjithfarësh (Da Vinci, Raffaello, etj.).
Synimi im ishte edhe që të shihja se ç’imazh ka sot për Skënderbeun vetëdija kolektive në ueb, si kolazh prurjesh të shumëllojshme.
I kam vendosur imazhet e krijuara në fotoserinë më poshtë:
Ndërkohë vura re shumë gjëra, për shembull që Skënderbeun DALL·E e paraqit gjithnjë me mjekër, me kokën të mbuluar, me hundën të gjatë dhe shqiponjë dhe pamje shpesh klishe “orientale” (“orientalizuese”).
Veshjet dhe pozat vijnë – me aq sa kuptoj unë – nga portrete të kohës, njëlloj siç vjen që andej teknika e renderimit. Disa nga imazhet janë të këqia – të tjera mbështeten në fotografi. Kushedi për ç’arsye, DALL·E e ka shpesh të vështirë në mos të pamundur t’i pikturojë mirë sytë.
Historianët e artit do ta kenë të lehtë të identifikojnë prejardhjen e elementeve pamore; ndonjë imazh më kujtoi portretin e njohur të Vlad the Impaler; ndonjë tjetër tipare të pikturës bizantine edhe në Shqipëri.
Një pjesë e portreteve kanë referime të qarta kulturore ndaj Orientit – nga mbulesa e kokës te ngjyra e lëkurës. Me sa mund të marr vesh, algoritmi e identifikon haptazi Skënderbeun si mesdhetar, por nuk më duket se ndjek portrete të tij ekzistuese.
Imazhet sugjerojnë shumë më tepër – do të doja të dëgjoja mendimin tuaj, qoftë edhe thjesht mbresat.
(c) 2022 Peizazhe të fjalës™.