E përjavshmja Ex Libris po përcjell, tashmë për disa numra radhazi, një debat rreth receptimit bashkëkohor të letërsisë së Fishtës dhe, më gjerë, të gegnishtes letrare të traditës. Ky debat prek, tërthorazi dhe mbase edhe drejtpërdrejt, përdorimin rishtas të gegnishtes letrare në botimet.
Dhe në këtë kontekst, po dua të ndalem në një prej ndërhyrjeve në debat, nga Frano Kulli (Nuk mund të receptohet Fishta me receptorët e fikur…), dhe pikërisht në disa veçori të shqipes që ky autor përdor për të formuluar qëndrimin e vet.
Kulli nuk shkruan mirëfilli gegnisht, por përdor shumë forma të gegnishtes, duke krijuar kështu një idiolekt me status të diskutueshëm.
Në fjalinë më poshtë:
Diskutimet a debati për drejtshkrimin, ardhë në këtë skenë valë-valë simbas ernave që e kanë sjellë, ka nisë e është bitisë nëpër të njëjtat hulli, duke mos u ndalë asnjëherë e me vendosë ndoj pikë mbi i, por duke e shtratifikue në atë mënyrë debatin, sigurisht mbështetë mbi të përkundërtat, të cilat herë-herë edhe i stisin, që gjërat të mbesin pezull.
Përdoren elemente si pjesorja e shkurtër (ardhë, nisë, bitisë, shtratifikue, mbështetë), paskajorja (me vendosë), shumësi më -na (ernave) dhe përemri ndoj; por teksti nuk është krejt në gegnisht, meqë aty shfaqen edhe forma të standardit si gjërat (në vend të gjanat).
Ja edhe paragrafi ndjekës:
Me synimin e qartë e të menduar mirë që pezullía rrin aty për të shërbyer radhën pasuese, kur t’ju vijnë nevoja strategëve të kësaj krijese të mendimit e shkëmbimit të fjalëve të shkruara të quajtur debat.
Këtu kemi gegnishten rrin (në vend të rri), por tashmë pjesoret janë të standardit: shërbyer, të shkruara, të quajtur (në vend të shërbye, të shkrueme, të quejtun).
Ka plot shqipshkrues që i spërkatin tekstet e tyre me pak elemente të gegnishtes e një teksti që përndryshe ndjek standardin, për të treguar – në mos tjetër – qëndrimin e tyre pro hapjes së standardit ndaj atyre elementeve. Por nuk ndodh kështu në tekstin që po shqyrtojmë, sepse aty elementet e gegnishtes janë aq të shumta, sa e tejkalojnë masën e kampionimit.
Ashtu, krahas paskajores gege (me vendosë), lexuesit i del përpara paskajorja perifrastike e standardit:
Zgjedhja për ta futë debatin në hullinë e ekstremeve
Edhe pse të ndërtuar me pjesoren e shkurtër të gegnishtes (për ta futë në vend të për ta futur).
Por edhe në paskajoren standard të rëndomtë:
Këmbëngulja e të atashuarve nostalgjikë në kongresin e ‘72-shit e të tjerëve idhtarë të tij mbeti gati heretike për të mos prekur e ndryshuar asgjë, asgjë prej produktit të tij.
Teksti përmban luhatje të normës gramatikore që unë e kam të vështirë t’i shpjegoj. Kështu, paragrafi më poshtë:
Unë kam qenë “kollomoq shtalb”, nxënës i klasave të ulëta, para ’72, kur mësuesit e mij me shpirt e pasion, zotni Pjerini e ma vonë zotni Rudolfi më kanë mëkue mua e fëmijët e brezit tim me pjalmin e bylbylit të Mjedës e kangët e pakëndueme të Migjenit.
Përmban, krah për krah, një formë të gegnishtes (mëkue) dhe një formë të standardit (mua) të cilat janë në konflikt mes tyre – meqë prej kujt vendos të shkruajë mëkue, pritet të shkruajë edhe mue, përveçse kur ky synon përnjëmend t’i përziejë format standard dhe jostandard.
Disa prej trajtave gege në tekst janë citime, të drejtpërdrejta ose të tërthorta: në paragrafin më lart, forma bylbyli i referohet Mjedës, ndërsa forma tjetër kangët e pakëndueme Migjenit; njëlloj siç i referohet kollomoq shtalb vernakularit që përdorte autori në të ri (me gjasë).
Çfarë tërheq veçanërisht vëmendjen, edhe më shumë se trajtat gegnishte, është prania – krah për krah – e trajtave që e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Ashtu ndeshim në gjana dhe gjëra:
Prej atij fillimi e deri sot kanë ndodhë plot gjana që e shërbejnë mirë e bukur receptimin e Fishtës.
[…] të cilat herë-herë edhe i stisin, që gjërat të mbesin pezull.
Në ma dhe më:
[…] jehona e saj, gjithsesi qoftë, shkon jo ma shumë se tri ditë.
[…] zotni Pjerini e ma vonë zotni Rudolfi
Ma së pari, se arti shkrimor i kualitetit të lartë […]
[…] të dy ata mbetën ma familjarë tek lexuesi i tyre […]
Po prej atëherë kanë kaluar jo ma pak se tri dekada.
[…] është botue e plotë vepra e tij, e përgaditur prej nji redaksie me njohësit më të mirë të saj
[…] nuk kemi për gjuhën e shkruar të Naimit, as për F. Postolin, Ali Asllanin më vonë, as për Koliqin, Haxhiademin
[…] ajo nuk synon kurrë thelbin e problemit e aq më shumë ndonjë zgjidhje të tij.
Gjuhëtari ynë më i shquar E. Çabej do të shkruante […]
[…] mendoj se është preteksti më keqdashës, por dhe argumenti më infantil […]
Ma së pari, se arti shkrimor i kualitetit të lartë është “anticorrozioni” më i fortë e më i sigurtë edhe i gjuhës së shkruar dhe, Fishta ka qenë kryesuesi në kohën e vet [këtu ma dhe më përdoren brenda së njëjtës fjali, AV]
Sikurse ndeshim në format nji dhe një:
I vetmjaftueshëm për sa sipër do të ishte edhe nji “testamenti” i tij, nëse do ta çmojshim si të tillë një dëshmi që na vjen prej At Viktor Volajt, një linguist par exellenxe [sic] e vërsnik i Fishtës […][edhe këtu, nji dhe një brenda së njëjtës fjali]
Qysh prej vitit 2012 e këndej është botue e plotë vepra e tij, e përgaditur prej nji redaksie me njohësit më të mirë të saj […]
Edhe një tjetër botim i plotë, gjithashtu ku përfshihet edhe epistolari i tij […]
Po, së fundi edhe një Fjalor i veprës së Fishtës […]
[…] një prurje e munguar në leksikografinë shqipe
Shembuj të tjerë formash përjashtuese: gjinden dhe gjendur; përgaditur dhe përgatitur; atëherë dhe atëhere; Fishtes dhe Fishtës; i tërthortë dhe terthorazi; prapashtesa në skajshmëri dhe paprekshmëni; pjesoret më -un dhe -ur (të rritur, quajtur, prekur, ndryshuar, ngritur, i mahnitur, gjendur, vendosur, konsoliduara, vs. e mirëpritun, e shkapërderdhun, e keqpërdorun, të mbyllun).
Spikat, brenda tekstit, përdorimi i dendur i pjesoreve të gegnishtes: veç shembujve të sjellë më lart, edhe futë (për futur), pasë (për pasur), rrjedhë (për rrjedhur), largue (për larguar), botue (për botuar), ndodhë (për ndodhur), hartue (për hartuar), vdekë (për vdekur), dorzue (për dorëzuar), ndezë (për ndezur). Disa prej këtyre i sheh të bashkëjetojnë me kundërformat përkatëse të standardit:
Zgjedhja për ta futë debatin në hullinë e ekstremeve
trajta a shembuj që, të futura dhunshëm kërcasin fort
Qysh prej vitit 2012 e këndej është botue e plotë vepra e tij
Mehmet Elezi, i vetëm ka botuar
Paulin Selimi, pastë dritë, shkrimtari brilant i humorit, student asokohe , ndërmjet shokësh paska pasë thanë […]
Ndoshta vetëm për mungesën e informacionit të sipërthënë.
Tekste të tilla, që vijnë si kombinime – përzierje – produktesh nga formula të ndryshme (nga njëra anë standardi me rregullat e veta drejtshkrimore dhe gramatikore, nga ana tjetër gegnishtja letrare, në trajtat e variantit të shkodranishtes letrare) të shtyjnë edhe të pyesësh se çfarë e përcakton çdo zgjedhje individuale të autorit (si subjekt të thëniezimit), për shembull, çfarë e bën të shkruajë është botue, dhe jo asht botue, është botuar dhe asht botuar. Nëse merret vendimi për të shkruar botue dhe jo botuar, atëherë pse jo edhe asht dhe jo është? Mua, që gegnishten letrare e njoh disi, gjithnjë më vret veshin kjo është botue dhe më vjen ta lexoj asht botue; meqë asht dhe botue i përkasin të njëjtit sistem normativ, siç i përkasin të njëjtit sistem (tjetër) normativ është dhe botuar. Dhe nëse ky argument qëndron, atëherë rrjedh se teksti, më shumë se gegnishten letrare, mëton të nxjerrë në pah përzierjen kaotike të formave, si të ishte kjo ndonjë lloj programi ligjërimor i mëvetësishëm.
Me gjasë, Frano Kulli i përvijohet lexuesit si një ligjërues që e shkruan shqipen sipas rregullash që i krijon ai vetë, kryesisht nëpërmjet përzierjes arbitrare të trajtave të standardit me ato të gegnishtes letrare, ose një teknike që e çon kampionimin (sampling) në ekstrem. Prandaj efekt i drejtpërdrejtë i këtij programi është frustrimi i lexuesit, të cilit nuk i dalin përpara ato trajta gjuhësore që priste.
Dhe si mund të karakterizohet ky tekst?
Në vijim, disa hipoteza të mundshme (possible, jo doemos plausible):
Autori nuk e zotëron standardin dhe i përdor format e gegnishtes pa dashur.
Autori përpiqet të shkruajë në gegnisht, por nuk arrin plotësisht.
Autori synon ta ushqejë lexuesin me forma të gegnishtes, pa u shtyrë deri atje sa të shkruajë gegnisht.
Ligjërimi i autorit është subversiv, duke synuar të destabilizojë standardin.
Autori gjykon se është e mundur që shqipja të fillojë të shkruhet kështu, si një kompromis kaotik mes standardit dhe gegnishtes – madje ilustron këtë mundësi nëpërmjet tekstit të vet.
Autori e ka shkruar tekstin gegnisht, por ia kanë “korrigjuar” pjesërisht në redaksi.
Autori e ka shkruar tekstin në standard, por ia kanë “korrigjuar” pjesërisht në redaksi.
Të gjitha hipotezat janë spekulative dhe përligjen vetëm nga nevoja për t’i dhënë një shpjegim katrahurës – sepse e tillë është, katrahurë – normative të një artikulli të botuar në një gazetë letrare profesionale, si Ex Libris.
Jam i vetëdijshëm se gegnishtja nuk është e lehtë për t’u shkruar mirë, në nivelin libror ose letrar: tradita e shkodranishtes letrare, por edhe e elbasanishtes dhe e kosovarishtes nuk mund të mbijetojë pa u mirëmbajtur. Kjo, edhe pse disa besojnë se mund ta shkruajnë gegnishten në këto nivele, thjesht ngaqë janë bartës të dialektit gegë, dhe lexojnë letërsi në atë variant letrar. Kompetenca në lexim nuk përthyhet automatikisht në kompetencë në të shkruar.
Aq më tepër që, në rrethanat kur shqipja standard mësohet në shkollë dhe zbatohet gjerësisht në ligjërimin e shkruar publik, çdo përdorim me shkrim i gegnishtes vjen i shënjuar, bie në sy, tërheq vëmendjen – sepse e promovon këtë variant letrar më fort se ç’e promovon standardin një tekst i shkruar në standard.
Kjo ua shton përgjegjësinë të gjithë atyre që duan ta përdorin gegnishten në tekstet e tyre – si kur e bëjnë me synimin që të destabilizojnë standardin, ashtu edhe kur thjesht duan të çojnë përpara një formë alternative ndaj këtij të fundit.
Meqë unë nuk mund të gjykoj dot për qëllimet që ka pasur autori Frano Kulli, në tekstin më lart (dhe as për qëllimet e gazetës Ex Libris që të marrë përsipër botimin e atij teksti), do të mjaftohem të vë në dukje se shqetësim atje nuk përbën gegnishtja – tashmë ka disa autorë në Shqipëri dhe në Kosovë që zgjedhin të lëvrojnë variantet letrare të gegnishtes – por inkonsistenca, ose bashkëjetesa brenda të njëjtit tekst e formave përndryshe përjashtuese. Deri edhe Buzuku ka qenë më konsistent në format që përdorte – sepse këtë lloj njësimi e kërkon vetë korniza e ligjërimit të shkruar.
Përndryshe, si të shpjegosh bashkëjetesën, brenda një teksti relativisht të shkurtër, e formave funksionalisht të barasvlershme si botue dhe botuar? Të jenë këto thjesht pamendje të autorit, apo provë se ai shpreson që shqipja e shkruar, dikur, t’i pranojë të dy këto forma si variante të ndërkëmbyeshme?
Ka edhe autorë të tjerë që përfshijnë qëllimisht elemente të gegnishtes në tekste përndryshe të shkruara në standard, mes të cilëve do të dalloja Mehmet Elezin, i cili përpiqet seriozisht të rikthejë (të “rehabilitojë”) paskajoren e tipit me punue në kontekstin e standardit. Po sjell shembuj nga eseja e tij e botuar tani së fundi, sërish në Ex Libris:
Duket se 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 20 – 25 nëntor 1972) nuk po afrohet në zoom ashtu siç është, me dritëhijet e veta. Njihet si kuvend shkencor, pritet me u vështrue në mënyrë shkencore.
Para se me planëzue shtëpi të re në një truall, duhet shpjeguar pse u dashka prishur shtëpia që është në atë truall
Duke parë se argumentet profesionale nuk po hynin në punë, A. Xhuvani rreket me përdorë të njëjtat armë, që po përdornin zëdhënësit e pushtetit.
Rrekja me u kapë te numri i nxënësve, që kanë ndjekur shkollën,
Delegatët nuk kishin aty të drejtë me shpalue ndonjë qasje tjetër, sado modeste.
Ndërsa në Kongresin e Drejtshkrimit nuk u lejua një projekt alternativ, as sa me la gojën.
As që bëhej fjalë me u ftue dijetarë me vepra nga mërgata,
As që bëhej fjalë me u shtrue për debat ndonjë parashtresë e tyre, qoftë edhe pa ia zënë në gojë emrin autorit.
Në konsultën e Prishtinës (1968) vendosin me mbështetë çfarëdo zgjidhjeje që do të parashtrojë Tirana.
Rrethanat e ftojnë me iu afrue më shumë shqiptarëve, me qenë familjare me të gjithë ata. Thjesht: me i çlirue me kritere shkencore potencialet e brendshme, që ka vetë shqipja.
Subversioni i Elezit është sistematik – edhe pse, përveç paskajores së gegnishtes, ai fut në shqipe edhe forma alternativa të pjesores: vështrue, planëzue, përdorë, kapë, la, shtrue, mbështetë, afrue, çlirue… të cilave u duhet të konkurrojnë me vështruar, planëzuar, përdorur, kapur, lënë, shtruar, mbështetur, afruar, çliruar. Kemi të bëjmë kështu me një program për rishikimin e normës gramatikore, i cili shkon më tej se paskajorja. Specialistët mund t’i kundërshtojnë këto përpjekje dhe përdoruesit t’i refuzojnë – por teksti i Elezit të paktën kuptohet se çfarë kërkon. Përkundrazi, teksti i Kullit, siç u përpoqa ta ilustroj me shembujt më lart, vjen i turbullt në synimet e veta gjuhësore; dhe objektivisht e çon prapa normën e shqipes së shkruar, ngaqë lejon lirisht inkonsistencat.
Konfuzionin normativ e ndesh rëndom në shumë autorë që kanë dëshirë të shkruajnë gegnisht, sepse ashtu u tingëllon më bukur ose ashtu besojnë se shprehen më mirë ose edhe thjesht për të thyer hegjemoninë e standardit ose të paktën për ta destabilizuar këtë. Por analiza e ligjërimit të tyre më ka treguar se ata nuk e njohin mirë gegnishten e shkruar, nuk e zotërojnë, madje shpesh shkruajnë në standard dhe i japin pastaj tekstit një furçë gegnishte, duke shtuar tek-tuk ndonjë formë të parotacizuar, ndonjë nji, ndonjë asht, ndonjë shakllaban e ndonjë pjesore të gjatë të tipit e punueme; aq sa teksti të përfundojë në parodi të gegnishtes. Thonë shpesh se sot shumë përdorues të letrarishtes së 1972-shit e kanë të vështirë ta shkruajnë standardin mirë, çfarë më tingëllon e besueshme; por gegnishtja letrare është edhe më e vështirë për t’u shkruar në nivelin libror (jo si transkriptim i dialektit). Shumë prej përkrahësve të këtij varianti letrar duket sikur nuk e vënë re se që gegnishtja e shkruar nuk është e njëjta gjë me gegnishten si ngjyrim i një teksti; dhe aq më pak që gegnishtja e shkruar duhet të rrjedhë nga modelet e njohura (Fishta, Mjeda, Prenushi, Harapi, Koliqi, Camaj), jo t’i mbivendoset si suva shqipes standard.
Do të thoja: gegnishtja letrare e lëvruar rishtas meriton më shumë kujdes e respekt, nga ata që po duan ta promovojnë në hapësirën kulturore mbarëshqiptare.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.
Kopertina: Image by Sarah Richter from Pixabay