nga Arben Dedja
Mbretëresha Teutë
Romakëve Mbretëresha Teutë
i tha (nuk ndenji si sutë):
“Si shtet e ndaloj, por në privat
gjithkush ka të drejtë të jetë pirat.”
Sandro Botticelli
Sandro Botticelli
kur rrëmbeu penelin
Venusin e pikturoi në Qipro,
te “Pranvera” bëri një qitro.
Urbani i Transilvanisë
Urbani i Transilvanisë
ia ktheu topin-përbindësh Shën Sofisë;
por Mehmeti ia uli flurudhën:
“Thyej murin e hapna udhën!”
Etëhem Haxhiademi
Etëhem Haxhiademi
s’dinte t’i këndonte polemit.
Për të Shkumbini ish plot Nymfa e Satirë
e jo këllirë.
Girolamo Fabrici d’Acquapendente
Girolamo Fabrici d’Acquapendente
te mërshë e zogjve lavdinë do ta gjente.
“Për njerëz” tha, “duhet Teatër Anatomik;
na mbyti era e keqe e moti i lig.”
Luigi Galvani
Luigi Galvani
thosh: “Bretkosa mos hani!
Lexoni De viribus electricitatis
se ndoshta ju kandis.”
Pjetër Budi
Kur Pjetër Budi
kërcinjtë në Drin i futi
“Dhëntë zoti” tha, “s’na merr shtjella
për Kërshëndella!”
François-Noël Babeuf
François-Noël Babeuf
i quajti “matufë”
Paul Barras-në, de La Révellière-Lépeaux-në e Reubell-in,
Lazare Carnot-në dhe de Barthélemy-in.
Naum Veqilharxhi
Naum Veqilharxhi
kur dilte për harxhe
gjithë shkronjat që gjet’
i fuste në alfabet.
Bajram Curri
Bajram Curri:
çfarë burri!
Do t’ia kish hedhur, të futej më thellë
në shpellë.
Filip Shiroka
Filip Shiroka
poshtë e lart shkoka;
me mendje dyshe
si dallëndyshe.
Millosh Nikolla
Millosh Nikolla:
e mbyti kolla;
mori pseudonimin Migjeni
t’i fshihej veremit.
Faik Konica
Faik Konica
nuk hante pizza.
“Më mirë” thosh, “mëlçi pule me oriz
shoqëruar me një gotë Chablis.”
Giovanni Gentile
Giovanni Gentile
u tregua xhentil
kur makinës ia uli xhamin
t’i fliste partizanit.
Erik Satie
Esoterik Satie
gjithmonë lagej në shi.
“E harrova” thosh, “ombrellën prapë
në ‘Dollap’.”
Anton Webern
Anton Webern,
këtu s’jemi në Stettin:
për dreq
duhani bën keq.
Aleksandër Blok
Aleksandër Blok,
e kopjova në bllok
poemën tënde “Dymbëdhjetë”,
vonë: kur bëra gjashtëmbëdhjetë.
Oskar Kokoschka
Oskar Kokoschka
hante kokoshka
kur pikturonte “Nusen e erës”
dhe “Natyrëmort me qengj të therur”.
Perandori Hirohito
Perandori Hirohito,
me kimono të përhitur,
foli për re, për të diellit udhë;
jo për kërpudhë.
Vexhi Buharaja
Vexhi Buharaja
ishte nga Buharaja
sa Bostani i Saadiut
ishte shalqiu.
Kate Bush
Kate Bush,
s’e dinim që Baboosh-
ka jote nuk ish gjyshe:
por femër me yryshe.
Ymer Pampuri
Ymer Pampuri,
vallë, e pruri
medaljen nga Mynihu
apo Pushteti ia shkriu?
Ramadan Çitaku
Bacë Ramadan Çitaku,
i iku plumbit e dajakut
se ndejti në ilegalitet
gjer më nëntëqind e nëntëdhjetë.
Isuf Kalo
Isuf Kalo,
aman, mos kalo
me librin “Blloku” nga Blloku
se na mbyti bërlloku.
Zef Zorba
Zef Zorba,
ty çorba
e fjalëve të partishme
të ishte e përzishme.
Pashko Gjeçi
Kur Pashko Gjeçit
puna me “Ferrin” i ngeci
e rrasën në burg
tercinat t’i rridhnin çurg.
(c) 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim i autorit:
Clerihew është një formë e çuditshme poetike: një si biçim mikrobiografie. Unë Clerihew-të e para i kam ndeshur në vëllimin e tretë të së famshmes (për ne, shqiptarët) The Essential English for Foreign Students, nga C. E. Eckersley, e vetmja metodë për mësimin e anglishtes që qarkullonte në Shqipërinë e dikurshme, bile shumëfishohej – pa të drejta autori – nëpër shtypshkronjat e vendit (po unë mburresha që i zotëroja të katër vëllimet në origjinal). Atëbotë nuk i kuptoja siç duhet këto vjershëza, por kujtimi i tyre më notoi gjithnjë në mendje, e kapërceu mijëvjeçarin.
Te Clerihew-të kemi të bëjmë me rastin e rrallë, do të thosha unik, kur poeti i ka dhënë emrin një forme poetike. Sot ne themi sonet “petrarkian”, sonet “shekspirian” – emra hijerëndë – por autorët këtu përdoren si plotës të termit “sonet”, në një kohë që Clerihew është i vetëmjaftueshëm. Edmund Clerihew Bentley (1875†1956), thonë, filloi t’i shkruajë që gjashtëmbëdhjetëvjeçar, në shkollë, dhe i botoi kryeherazi më 1905, në vëllimin Biography for Beginners, pasuar nga dy vëllime të tjera (më 1929 dhe 1939). E para vjershëz e këtillë që shkroi është:
Sir Humphry Davy
Abominated gravy.
He lived in the odium
Of having discovered sodium.
E. C. Bentley ishte edhe një romancier, eseist e tregimtar shumë i mirë, por, sigurisht, sot e gjithë ditën kujtohet veç si shpikësi i këtyre poezive, që të tjerë, vite më vonë dhe që në të gjallë autorit, i quajtën me emrin e tij të mesit, aq të veçantë.
Clerihew është, pra, një poezi fare e shkurtër e shakatare, e përbërë nga vetëm katër vargje me numër të lirë rrokjesh, që rimojnë (por pranohen bujarisht edhe rimat jo të plota, asonancat, konsonancat, rimat me fjalë të gjuhëve të tjera nga anglishtja – ne mund të themi të tjera nga shqipja) sipas skemës: AABB. Bile, sa më ekstravagante të jenë rimat – aq më mirë. Vargu i parë është thjesht emri i personit (zakonisht i njohur, i famshëm) të cilit i bëhet biografia: në një intervistë të vonë E. C. Bentley saktësonte që emri duhet të jetë “at the end of the first line”, se gjithë puna është të arrish të bësh deri edhe kokëdollapçe rimore (dhe ju siguroj që nuk është aspak e lehtë, sidomos kur personazhi biografik është i huaj) me emrin. Në një Clerihew të denjë personi që përmendet në vargun e parë vihet gjithnjë në një situatë komike, absurde, anakronike, kallpe ndoshta, pak tallëse, të thjeshtëzuar sigurisht (janë vetëm katër vargje, je i detyruar), të shtrembët. Nuk bëhet satirë, nuk janë vargje fyese. E, megjithatë, shpesh janë më të vërteta se e vërteta.