Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

TRI KOMEDI

nga Arben Dedja

 

1. Kapërcimi i Stiksit

Vetat:

Karonti

Turma (në dukje njerëzore)

Karonti është krip-e-mjekërgjatë, krejt i thinjur. Gjithashtu, si në imagjinatën shumëshekullore, sytë e tij kanë rrathë të kuq e sikur nxjerrin flakë. Bën ecejake nervoze përpara lundrës së tij, që është në stere. Turma shtyhet përpara lundrës: kërkon të hipë.

Karonti

Navllo! Keni navllo me vete? Kush nuk ka navllo të mos shtyhet kot, se nuk e marr?

Një zë nga turma

Ç’do të thotë kjo? Unë, për shembull, nuk kam. Besoj, edhe ndonjë koleg tjetër do të jetë si puna ime. Se mos kemi faj. Të dashurit tanë (të dashur u thënçin!) nuk na vunë asnjë grosh as poshtë gjuhës, as mbi kapakët e syve. Ç’të bëjmë tani? Ne njësoj të vdekur se të vdekur jemi.

Karonti

Ç’të bëni? Jua rrëfej unë. Do të vërtiteni në amshim mjegullave të kësaj ane të Stiksit.

Zëri nga turma

Një lëshim të vogël…

Karonti

Jo ore, jo! Duhet të paguani. Me ç’të doni ju. Mjaft të jenë xhixha! Ovull, as, dukat, napolon… Kesh! Lëshim? Unë bëj lëshim atëherë kur duhet. Edhe të gjallët i marr e i kaloj matanë unë, mjaft të më paguajnë.

Zëri nga turma

Të gjallët?

Karonti

Pse, nuk e dini juve? Hyjnesha Persefoni, heronjtë Enea, Tezeu, Piritoni, Herakliu, Odiseu, bardi Orfe, Sibila Deifob, Psikea, apo një tjetër që me siguri e njihni, se e keni bashkëkohës: Dante Alighieri. Të gjithë këta i kam marrë e, bile, i kam kthyer pas. E kanë blerë biletën vajtje-ardhje.

Zëri nga turma

Dantja bashkëkohës? Po ai ka shtatëqind vite vdekur.

Karonti

Shtatëqind nuk janë asgjë. Të tjerët kanë me mijëra.

Zëri nga turma

Bah, ç’na gjeti! Ik, more psikopat!

Karonti

i drejtohet turmës, i nxehur: Si? Kush foli? Kush është burrë ta përsërisë prapë, po ia mbajti…

Zëri nga turma

Ik, more psikopomp!

Karonti

Ëë! Ok.

(Perdja)


2. Filokteti

Vetat:

Odiseja

Neoptolemi

Odiseja dhe Neoptolemi po bisedojnë kokë më kokë, teksa bëhen gati të zbresin nga anija që i ka sjellë në Lemnos. Kanë ngjeshur armaturat e tyre më të shkëlqyera.

Odiseja

Përmbledhtazi, o Neoptolem, ne na duhen harku dhe shigjetat e Herakliut. Pa ato nuk e fitojmë dot luftën. Fjalë shortarësh. Natyrisht, siç e thotë edhe vetë emri “shortar”, nuk mund t’i marrim ashtu derr në thes fjalët e tyre. Por fakti që këtë e ka shpallur si Kalkanti ynë, si – sipas agjentëve tanë në Trojë – shortari trojan Heleni, duhet të jetë kumt i sigurt. Ky është plani A.

Neoptolemi

Po plani B?

Odiseja

Plani B është që, më tepër nga halli se nga malli, të marrim me vete në Trojë edhe pronarin e ligjshëm të harkut dhe shigjetave të Herakliut, pra Filoktetin e bezdisshëm.

Neoptolemi

Sa inat e paske edhe ti?

Odiseja

Inat? Askush nuk e ka inat. Me zor bëri bashkë shtatë anije, sjellë nga Melibea, Metoni, Olizoni dhe Taumakia – anije as ngroh, as ftoh për një flotë si e jona, që ka një mijë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë. Kishim ndaluar në Kriz për të kryer flitë e fundit përpara se t’u qaseshim mureve armike, kur Filokteti na e rokanisi kokën: “jo po më pickoi këmbën një gjarpër i helmuar”, “jo po këtë ma bëri nimfa, së cilës i refuzova dashurinë mishtore nga atdhedashuria”, por, në fakt, më tepër mundësi ka të jetë plagosur vetë me shigjetat e Herakliut – dihej që ato ishin të helmatisura, ndaj edhe ishin aq efikase – dhe, kam dëshmitar zotat, nuk po them që u plagos kastile; besoj, bile, të jetë goditur aksidentalisht, por puna është se që nga ai moment aq na i çau veshët me ulërima nga dhembjet dhe plaga aq u mahis sa, në fillim ai vetë, pastaj lundërtarët e tij e dalëngadalë krejt ushtria filloi të vinte një të tillë erë kërme, sa u detyruam ta braktisim – raison d’Etat – këtu në Lemnos. Dhe ai u bë dhjetë vite këtu në ishull: është si të jetë dënuar për agjitacion e propagandë. Mirëpo ja që na duhet. Domethënë na duhen harku dhe shigjetat e tij të mallkuara. Ndaj, si gjë e parë, ta bindim që e kemi rehabilituar e broçkulla kësisoj. Dhe ta marrim fundja në Trojë ashtu për rreckash me gjithë armë me vete: Podaliu e Makaoni, në njëfarë mënyre do të arrijnë ta mjekojnë, ta hajë dreqi. Ama, ta dish që i vetmi që mund ta marrë me të mirë për çka hequr dhe t’ia mbushë mendjen të vijë me ne je ti, Neoptolem. Je i ri; nuk je kartë e djegur. Ah, sa do t’i dhembë pastaj shpirti kur të mësojë për vdekjen e babait. Unë për vete do të rri i fshehur, në sfond.

Neoptolemi

Po si kështu?

Odiseja

Epo i përkas establishment-it, miku im!

(Perdja)


III. Gomari i Buridanit

 

Vetat:

Buridani

Gomari

Gomari rri i ulur në mes të dy turrave të larta e fort të shijshme me sanë. Hedh sytë herë majtas e herë djathtas, pa vendosur dot nga t’ia fillojë. Buridani, nervoz, ecën tutje-tëhu përpara tij.

Buridani

Pa hë! Vendose?

Gomari

Akoma jo. Siç e shihni edhe vetë. Janë njëlloj të larta, njëlloj të ushqyeshme.

Kalon një javë. Përsëritet po ajo skenë. Vetëm se Gomari tani duket krejt i leqendisur.

Buridani

Hë! E vendose, të shkretën?

Gomari

Akoma, thashë.

Buridani

Mos do të heq pak sanë nga njëra prej turrave?

Gomari

Ashtu s’quhet.

(Perdja)

(c) 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin