Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

LAJM PA LAJM

nga Gresa Hasa

Në të përditshmet vendase zënë hapësirë rregullisht ngjarje periferike, pa interes për publikun e gjerë. Ato inflacionojnë kronikën e zezë ose rubrikën e aktualitetit teksa nuk përçojnë asnjë informacion.

Për shembull, gjetja e trupit të pajetë të një 67-vjeçari në Roskovec, një ngjarje që e shumta mund të përbënte interes për familjarët e të ndjerit apo për komunitetin të cilit i përkiste, gjen mbulim mediatik në mbi 10 media dhe portale vendase, si: Top Channel, Ora News, ABC News, gazeta “Panorama”, gazeta “Shqip”, portali “Lapsi.al” etj.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “lajmin” e ndarjes nga jeta të një 27-vjeçari në Mallakastër, si pasojë e asfiksimit në pus, apo për një 33-vjeçar, i cili qenkësh arrestuar për armëmbajtje pa leje në Tiranë.

Pse përbëjnë “lajm” këto ngjarje? Cila është audienca e supozuar dhe pse do të duhej që kjo e fundit të angazhohej pas tyre?

Pa dyshim, shembujt më lart janë vetëm disa raste krahas shumësisë së “lajmeve” shterpë, që nuk ngrenë probleme, nuk informojnë, nuk ngacmojnë kënd dhe as grishin kureshtjen apo të menduarit kritik. Përpos se ofrojnë një pasqyrim të përçudnuar të realitetit, në të cilin mbizotëron dhuna dhe vdekja, këto “lajme”, gjithashtu, kontribuojnë në banalizimin dhe depolitizimin e mëtejshëm të shoqërisë. Ato nuk janë më pak problematike se pornografia soft, ku imazhi i gruas prostituohet, krahas opinioneve serioze të mesoburrave që kanë monopolizuar diskursin publik vendas.

Hapësira mediatike në Shqipëri, online dhe print, në masë, nuk është hapësirë ku rrihen idetë apo dekonstruktohet shoqëria. Ajo nuk i shërben publikut. Ndoshta të vetmet subjekte që përfitojnë nga kjo gjendje e mjerueshme janë ato që kanë kontribuuar drejtpërdrejt te rrënimi i gazetarisë sonë: biznesmenët e shtypit dhe politikanët pas tyre. Vetëm këtyre i vlen një publik i paditur, që vazhdimisht lihet në errësirë dhe përtyp çdo mbetje që i shitet si “lajm”. Një publik i tillë, i paaftë për të menduar, i zhveshur nga instrumentet e kritikës dhe, për pasojë, në pamundësi për të reaguar, është i gatshëm të pranojë gjithçka, sidomos nënshtrimin. Ky publik është i njëjti që zgërdhihet me bullizmin e kryeministrit Rama, sa herë që ky i fundit degdis gazetarë për t’u “riedukuar” apo flet për “kazanët mediatikë”.

Sa e lirë është një shoqëri ku kanë dështuar ato struktura që do të duhej të hetonin mbi ngjarje të ndryshme, ta verifikonin dhe filtronin informacionin e përftuar dhe, më pas, t’ia ofronin atë publikut, që i ky fundit të ishte pjesëmarrës në procesin demokratik të ndërveprimit me hallkat e tjera shoqërore?

Sa më ndryshe do të ishte shoqëria jonë nëse do të kryesonin mediat profesionale, që do t’i ofronin publikut ato të vërteta, të cilat humbasin sot pas ngasjeve “rozë” apo ekzotifikimit të vdekjes, si: politikat e këqija, aferat korruptive dhe abuzimet e pushtetit në të gjitha nivelet e këtij të fundit. Megjithatë, media është hallkë brenda sistemit, jo subjekt i pavarur jashtë tij. Si e tillë, ajo nuk mund të jetë në nivelin e dëshiruar, për aq kohë sa hallkat e tjera sistemore janë njëlloj të ndryshkura.

Në një kontekst të tillë, ku shtypja sistemore dhe analfabetizmi funksional përcaktojnë të mirën dhe të keqen, të vërtetën dhe gënjeshtrën, realitetin alternativ distopik dhe atë aktual, çfarë mund ta provokojë ndryshimin?

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin