Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

S’ISHTE PËR MUHABET

I mirëpres intervistat me autorët e mi të preferuar – madje edhe librat-intervistë. Kohët e fundit kam shijuar të tri vëllimet e “Bisedave me Borges-in” të Osvaldo Ferrari-t, lexim shoqërues perfekt i teksteve të Borges-it vetë, por edhe një vademecum borgesian i kulturës botërore. Mund të vazhdoj me libra të ngjashëm intervistash të Roland Barthes-it (Le Grain de la voix) it dhe Ivan Illich-it (Ivan Illich in Conversation). Me këtë frymë u qasem edhe intervistave dhe bisedave të Kadaresë, një shkrimtar për mua – si për shumë të tjerë të brezit tim në Shqipëri – unik, të cilat janë më të rralla se ç’do të doja unë. Një e tillë ishte biseda e Andrea Dushit botuar tani së fundi në Ex Libris (Andreas Dushi bisedë me Ismail Kadarenë/ Vjershat tuaja janë shkruajtur me një gjuhë që as në prozë nuk përdoret), e cila më la shije të keqe, kryesisht ngaqë i intervistuari m’u lexua haptazi i bezdisur nga pyetjet dhe mezi ç’priste për ta mbaruar bisedën. Nuk di të them nëse intervistuesi Dushi është sot personi i përshtatshëm për të biseduar me Kadarenë, si shkrimtar dhe njeri; por intervista ka dështuar, ngaqë biseda nuk është “ndezur dot”. Vetëm pas një leximi të dytë, arrita ta kuptoj çfarë më la përshtypjen e ngecjes: numri i madh i fjalive mohore, përkatësisht i pjesëzave mohore, në përgjigjet e shkrimtarit. Po i sjell këto më poshtë, të mbledhura së bashku:

Kadareja u jep përgjigje mohuese shumicës së pyetjeve të Dushit, duke përftuar kështu një intervistë atipike, ku mbizotëron jo-ja. Nuk është ndonjë çudi, që një takim me një shkrimtar të madh të dështojë – por vendimi për ta botuar këtë bisedë nuk më duket se i bën nder as intervistuesit, as të intervistuesit dhe as revistës Ex Libris. Për këta dy të fundit nuk është se shqetësohem shumë; por Kadarenë – si shkrimtar që e njoh mirë dhe ia admiroj veprën letrare – nuk do të doja që t’i prezantohej lexuesit kështu. Dhe mendoj: publicistika letrare ka përgjegjësi të madhe, në mënyrën si po ia përcjell publikut figura të këtij kalibri.

Lexojeni edhe ju intervistën të plotë, bashkë me përmbledhjen e mohimeve të Kadaresë: a nuk ju shfaqet edhe ju shkrimtari si i mërzitur për vdekje, me pyetjet që i bëhen dhe me qasjen e intervistuesit? Si ta shpjegojmë që Andreas Dushi ngul këmbë me një temë e cila haptazi të intervistuarit nuk i intereson? Dhe më në fund, mos ka ardhur koha që të mbrohet Kadareja, si autori që i ka dhënë formën kujtesës poetike dhe letrare të një brezi (për mirë dhe për keq) dhe si pikë referimi e letrave shqipe të shekullit XX, nga këto keqpërdorime?

Kam shpresuar gjithnjë se do të gjendej një Osvaldo Ferrari edhe për Kadarenë, i tillë që – me sharmin e vet në muhabet – ta joshte shkrimtarin që të fliste gjatë për çfarë na intereson ne lexuesve të tij, përtej kornizimeve mirëfilli politike që zakonisht kanë rrethuar rrëfimet vetjake të autorit në të kaluarën (si Nga dhjetori në dhjetor dhe Pesha e kryqit). Kisha menduar se i ndjeri Moikom Zeqo mund ta bënte këtë, për shkak të aftësisë së tij për të mos devijuar nga konteksti mistik dhe filozofik. Midis korpusit të veprës së Kadaresë dhe atyre që janë thënë për jetën e tij (kryesisht thashetheme, akuza dhe shfajësime politike, përfshi edhe muhabetet e tanishme për “disidencën letrare”), ka ende një hendek, një hiatus, që e pengon stabilizimin e shkrimtarit në kohë. Intervista e tanishme tek Ex Libris, për fat të keq, më tregon arsyet pse ky hiatus mund të mbetet i tillë përgjithnjë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit. Shkelësit do të përndiqen në bazë të ligjit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin