Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

TRADITË E NDËRPRERË

Dje në ekspozitën kushtuar Ardian Klosit shkrimtar, studiues, përkthyes, botues dhe publicist, organizuar nga Biblioteka Kombëtare, pashë se kuratorët i kishin lënë vend të rëndësishëm, në stendat, ndërhyrjeve, opinioneve dhe editorialëve të atij autori në gazetat e kohës, gjatë 20-vjeçarit 1990-2010; çfarë ishte edhe një mundësi e çmuar për të freskuar në kujtesë një periudhë tashmë të perënduar, të debatit publik në Shqipëri. Këtë lloj debati po dua ta përfytyroj si mishërimin, në fjalën e shkruar, të pluralizmit – një virtyt i politikës, i ekonomisë dhe i kulturës, dhe veçanërisht i mendimit, që gjithnjë na ka munguar dhe tani na mungon edhe më fort. Faqet e ekspozuara të gazetave, mes të cilave spikaste “Shekulli” si tribunë e intelektualëve dhe opinionistëve të atyre viteve, më konfirmuan se diçka mori për keq, dikur nga fundi i dhjetëvjeçarit të parë të këtij shekulli, dhe që përkoi – duam apo nuk duam – me vetë daljen aq traumatike të Klosit nga skena. Me gjasë kjo diçka që ndodhi ishte kalimi i mediave të shtypura në ueb, teksa edhe marrëdhëniet tradicionale me lexuesin e gazetës u zëvendësuan nga klikimet, materialet u ofruan falas, por të rënduara me reklama, dhe autorët e shkrimeve filluan të mos paguheshin më. Për mua, kjo do të ishte edhe zhdukja e atij konteksti, që deri atëherë kish mundësuar artikulimin e mendimit intelektual publik, nga Klosi, por edhe nga shumë të tjerë që nuk po i përmend tani, pse nuk dua të lë njeri jashtë. Dhe nëse arsyet që e çuan Klosin në vetëvrasje nuk do t’i marrim vesh dhe mbase nuk kemi pse të këmbëngulim që t’i marrim vesh, mbase ia vlen të reflektojmë për arsyet që e shtynë Klosin, dhe të tjerë si ai, jashtë hapësirës ku artikulohet mendimi publik. Kjo nuk është pa lidhje me atë që gazeta “Shekulli” sot nuk i ngjan shumë asaj të dikurshmes – dhe dyshoj që lexuesi, edhe në ueb, t’i qaset me po aq interes sa atëherë. Aq më tepër që Klosi, polemist i rrallë, nuk druhej të ndërhynte në fusha të ndryshme, nga politika te çështjet mjedisore, por me parapëlqim të kuptueshëm për tema të kulturës, të letërsisë, të historisë dhe të përkthimit, ku edhe ndihej më mirë, pse në elementin e vet. Sot disa prej këtyre temave janë uzurpuar nga një formë kitsch e ideologjisë kombëtariste, ndërsa disa të tjera janë strehuar në faqet e revistave letrare – por të pastruara nga çdo frymë polemike, të sanitizuara, duke i lënë debatet përjashta dhe duke e paraqitur kulturën si ndonjë kopsht idilik, ku lodrojnë vargjet si vashat dhe kundërmojnë trëndafilat e shqiptarisë. Në të njëjtën kohë, hapësira publike – ose ajo formë e hapësirës publike që janë rrjetet sociale – merr flakë për tema të tilla si përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovizion, çfarë më duket se e shpreh edhe transformimin jo ekzaktësisht për mirë të debatit publik dhe të kontekstit të debatit publik sot. A ka një regres të mendimit kritik shqip, në krahasim edhe vetëm me 10-15 vjet më parë? Besoj se po. A mund të shpjegohet ky regres vetëm me bartjen e ligjërimit publik nga shtypi në ueb, dhe me televizionin komercial, që i ka mëshuar aspektit argëtues të debateve, duke i veshur “intelektualët” dhe “opinionistët” pjesëmarrës me petkat e aktorëve komikë? Besoj se jo. Arsye e rëndësishme më duket edhe tkurrja dhe rrëgjimi i opozitës politike, gjatë këtyre pak viteve; thjeshtimi i diskursit kritik në kundërvënie mekanike; dhe kriminalizimi i kundërshtarit, deri edhe në panele televizive nga më banalet. Mbase shoqëria jonë nuk e përballoi dot tensionin intelektual të pluralizmit, siç e shohim edhe te spektakli i padenjë që shpaloset për çdo seancë të kuvendit; dhe ku sërish model mbetet skeçi i estradës ose batuta e filmit të vjetër të Kinostudios; mbase edhe duhet të mësohemi me idenë se debati publik, ashtu siç e ushqyen dhe e konsoliduan Klosi dhe të tjerët, e ka humbur tashmë luftën me hegjemoninë e banalitetit. Hidhërimi këtu ka të bëjë jo aq me gjendjen e sotme, dhe as me varfërinë e mendimit intelektual dhe kulturor, por me faktin që disa gjëra i kishim, të paktën si fillesa tejet premtuese, por pastaj i humbëm. Dhe sërish, nuk arrij dot ta ndaj daljen e Klosit nga skena, me këtë zbehje dhe kapitullim të diskursit publik që pasoi. Me kohë, jam mësuar ta përfytyroj rolin e Klosit, në raport me pushtetin dhe autoritetin, si atë të shqiponjës në mitin e Prometeut, të rrëfyer nga Kadareja: shqiponja vjen përditë t’ia çukitë mëlçinë titanit të mbërthyer në shkëmb, por kur pastaj nuk vjen më, Prometeut fillon t’i rritet mëlçia aq sa t’ia zërë frymën – prandaj edhe ky e pret me një psherëtimë lehtësie, kur i shfaqet në horizont sërish. Ky do të ishte, në thelb, roli i diskursit kritik, i domosdoshëm për shëndetin e mendimit publik, në kulturë dhe kudo gjetiu; si formë themelore e komunikimit, jo si armë në luftën për pushtet. Kritika dhe debati ushqejnë idetë; dhe kur zbrazet nga idetë, edhe politika edhe kultura rrezikojnë të reduktohen në fashizëm – përkatësisht, në lakmimin e kulluar të pushtetit, ose në adhurimin e një idhulli që shoqëria e selit në ngjashmëri të vetes. Ndoshta fashizmi është zgjidhja e vetvetishme e pluralizmit, në shoqëri ku mungon fryma e krijimit; ndoshta mund të mbahet larg vetëm me përpjekje të vetëdijshme dhe këmbëngulëse, të cilat përfshijnë, mes të tjerash, edhe ruajtjen dhe mirëmbajtjen e një hapësire ku diskursi publik kritik të ketë mundësi të riprodhohet i lirë, të përftojë ide, të problematizojë dhe t’i aktualizojë traditat duke edhe i çmontuar. Klosi – me kolegë të tjerë – na pat treguar si mund të realizohet kjo, edhe në atmosfera relativisht armiqësore ndaj disidencës; çfarë e konfirmon edhe ekspozita e tanishme. Prandaj edhe dëshiroj ta gjej të rikthyer, gjithnjë të vëmendshëm dyshues dhe polemist, sa herë që më del përpara një diskurs kritik publik, pavarësisht se ku. Madje edhe rrjetet sociale, të cilat ai nuk i shfrytëzoi dot mirë sepse nuk arriti, mund t’i ofrojnë hapësirë këtij diskursi, me kusht që t’ia ndiejmë nevojën në mënyrë sistematike.

© 2022, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin