(nga Stanislaw Lec*)
Kufijtë e mendimit? Kërkoji në hartë.
Çfarë ua ka deformuar fytyrat? Fjalët e mëdha.
E keqja, edhe ajo, na don veç të mirën.
Po e torturonin. Kërkonin tek ai mendimet e tyre.
Njerëzit sa vjen e bëhen më të mëdhenj, do ta kenë të vështirë të fshihen.
Sa pavdekësi i kanë ngritur me jetët e të tjerëve!
Mashtrohu kolektivisht!
Edhe më i sheshti i njerëzve ka, për fat të keq, tre përmasa.
Ngopemi me mangësitë e të tjerëve.
Këndon në një kor, por vetëm pasazhet solo.
Thellësinë mund ta matësh duke e qëlluar me gur.
Të provokojmë intelektin, jo intelektualët.
Përsosmëria nuk mund të arrihet? E megjithatë, ka ca që e shkatërrojnë.
Ndonjëherë, heshtjen duhet ta shoqërosh me lirë.
Vështirë të besosh se shpifja ekzistonte që para se të shpikej shtypshkrimi.
Edhe antisemitët mund t’i dallosh nga hunda: nuhatin ku të munden.
Çdo regjim përfundon në ancien régime.
Ata që i tremben së vërtetës lakuriq, e rrjepin të gjallë.
Ja edhe një i opozitës. I ngre dollitë me gotën të shtrënguar në grusht.
Jam i bindur se, atë që ka lindur nën një yll të pafavorshëm, do të vijë dita që të arrijnë ta çojnë atje.
Rruga e virtytit është e rrezikshme. Ministria e Transportit bën sikur nuk e vë re trafikun në dy drejtime.
Luajti kartën e fundit. Tani është tejet i rrezikshëm, se i ka duart të lira.
O njerëz që ju kanë zhveshur lakuriq, cili prej jush do të fillojë të na dëfrejë me strip-tease?
Nga hartat janë zhdukur njollat e bardha, por janë shfaqur njollat e gjakut.
Sa ka të tillë që, për të soditur kërthizën, pranojnë që të përkulin qafën?
Ndiqte rrymën. Por e bënte duke notuar me kokën të fshehur në ujë.
Ka epoka kur njerëzit gënjejnë edhe kur flasin në gjumë.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).