ZËRI NË KULLË

Këtë ditë kambanash festive për komunitetet e Krishtera anembanë, po sjell një përmbledhje të një leksioni për rolin e zërit, tingullit dhe zhurmës, në përftimin dhe riprodhimin e komuniteteve fetare, mbajtur nga filozofi Ivan Illich, në Hannover të Gjermanisë, më 14 shtator 1990, që shpresoj ta gjeni me interes. Teksti origjinal mund të lexohet këtu (The Loudspeaker on the Tower).


Tradicionalisht, kudo në botë, komunitetet i kanë përdorur veglat zhurmë-bërëse për të krijuar dhe përcaktuar hapësirat e tyre – dhe kësaj rregulle nuk i shpëton as kambana e kishës, e cila është rezultat i një historie komplekse. Te leksioni i cituar më lart, filozofi Ivan Illich ndalet në disa etapa të këtij rrugëtimi, duke diskutuar, mes të tjerash, edhe marrëdhënien mes zërit të folur dhe zërit të amplifikuar nga pajisjet mekanike, meqë sipas tij të folurit krijon një hapësirë posaçërisht të vyer, e cila tani asgjësohet nga efekti rrafshues i teknologjisë. Altoparlantët, thotë ai, mund ta bëjnë një zë të gjithë pranishëm, brenda një hapësire virtualisht të pacak; por vetëm “zëri i gjallë” (viva vox) e ka fuqinë që të përftojë atë guaskë, brenda së cilës folësi dhe dëgjuesit e gjejnë veten në lokalitetin e takimit të tyre.

E megjithatë, kambana – së bashku me veglat e ngjashme me të, duke filluar nga këmbora, dhe që i kanë paraprirë, janë edhe ato produkte teknologjike, në llojin e tyre.[1]

Illich-i e nënvizon menjëherë rolin e kambanave, për të shënjuar caqet e komuniteteve fetare – që shtriheshin deri atje sa mund t’u dëgjoheshin kambanat. Por ky funksion i kambanës nuk mund të kuptohet, jashtë evolucionit të saj brenda praktikave liturgjike. Tek e fundit, që kambanat përdoren për të komunikuar njëkohësisht me një numër relativisht të madh njerëzish, kjo vlen edhe për rolin e tyre në organizimin laik, për të lajmëruar një urgjencë ose një event tjetër jo detyrimisht me natyrë dhe përkatësi shpirtërore. Illich-i rrëfen si mbreti Solomon pat varur një kambanë të artë në katin e sipërm të Tempullit, “për të frikësuar” zogjtë – si dëshmi për një funksion tjetër të kësaj vegle: për të pastruar ajrin nga shpirtrat e këqija, por edhe për të dëbuar motin e keq. Edhe zilet e bagëtive kanë shërbyer jo vetëm për të shënjuar praninë e tyre, por edhe për të trembur vampirët dhe lugetërit.

Të vjetrit dinin të dallonin, shkruan Illich-i, mes tingullit të veglave prej druri dhe lëkure, që vijnë nga krijesa dikur të gjalla; dhe tingullit prej veglave metalike, që u bën jehonë zërave të nëndheshme, telurike, të metaleve të nëntokës; madje disa Etër të Kishës u druheshin këtyre të fundit, si shenja të supersticionit. Për një arsye tjetër, Ignatius-i i Antioch-it u pat kërkuar ndihmësve të vet që ta thërrisnin çdo të krishterë, në liturgji, me emër (“omnes nominatim inquire”) dhe t’u rrinin larg rrakeve dhe zileve.

Por më pas, vëren autori, teksa Kisha u transformua nga vëllazërikomunitet të organizuar, peshkopët filluan të përdorin gjithfarë veglash zhurmuese, për të lajmëruar fillimin e shërbesave. Zhurma ose tingulli i këtyre, pastaj edhe burimi i zhurmës, u quajtën signum.

Illich-i përmend pastaj edhe një trumbetë që përdorej herët në Egjipt për të mbledhur murgjit në asamble; por edhe një “çekan zgjues” me të cilin një rishtar trokiste në dyert e qelave, për të lajmëruar. Dikur nga shekulli V, të dyja këto funksione u bashkuan te një vegël, në trajtën e një druri të zgavërt, të njohur si semantron, dhe që e kish vendin në oborr të manastirit. Më pas, krahas semantronit do të përdorej edhe një vegël e ngjashme, por metalike: sideroni. Edhe këto vegla kishin aftësinë për t’i mbajtur larg demonët, me zhurmat që lëshonin.

Kur arabët pushtuan Jerusalemin në vitin 638, shkruan Illich-i, ata imponuan një numër rregullash ndaj praktikave liturgjike të krishtera, përfshi edhe kufizime në sinjalet akustike. Sipas besimit Islam, tingulli i kambanës përhap vibracione që turbullojnë paqen dhe prehjen e shpirtrave të padukshëm të së vdekurve.

Ndërkohë, tingulli i kambanës po përdorej gjerësisht në Europë si signum, por ende nuk kish ndonjë provë se, gjatë viteve të Krishterimit të hershëm, ky tingull shenjtëronte vendin, kohën ose personin që e dëgjonte. Për këtë u desh që Krishterimi të përqafohej prej keltëve, brenda kulturës të së cilëve tingulli mori një kuptim që shkon përtej sinkronizimit të veprimeve. Një emër i ri u gjet për këtë instrument të shenjtë: clocca, me gjasë me prejardhje nga keltishtja.

Me kohë, asociimi i kambanave dhe i tingullit të tyre me liturgjinë do të bënte që këto instrumente të fillonin të trajtoheshin si persona. Kambanave, shkruan Illich-i, u viheshin emra. Emrat dhe vokacioni i çdo kambane mbishkruhej në kurorën e saj. Njerëzit i njihnin kambanat me emër, sipas tingullit që lëshonin. Ashtu edhe kambanat filluan t’i lidhin njerëzit së bashku (t’i “saldojnë” shkruan Illich-i) në një vëllazëri të lutjes, njëherazi duke krijuar një hapësirë akustike të përbashkët.

Kjo shpjegon edhe nevojën për t’i bekuar kambanat, një ceremoni që niste me ekzorcizmin e metalit të shkrirë, dhe dëbimit që andej të shpirtrave të pista dhe të këqija, që i ishin ngjitur kur ish ende nën dhé. Kaq u teprua me këtë, sa Charlemagne-i e pat ndaluar “pagëzimin” e kambanave: ne cloccas baptizent. Por kjo nuk pengoi që, në rrjedhë të shekujve, kambanat e kishave të vazhdonin të bekoheshin dhe të pagëzoheshin, si të ishin njerëz. Ashtu kambanat i lanin me kujdes, pastaj i vajonin me krezëm dhe u jepnin një emër pagëzimi. Në disa zona, shkruan Illich-i, sot e kësaj dite kambanat kanë “kumbarë” që janë të pranishëm në ceremoni, ku ato – sërish kambanat – i veshin me një fustan të bardhë pagëzimi, para se të lëshojnë tingullin e parë solemn.

Kambana filloi të vendosej në pikën më të lartë të një ndërtese për arsye praktike – por ndërtimi i kullave të posaçme për përhapjen e tingullit religjioz, shkruan Illich-i, është shpikje e fillimit të Mesjetës, kur u shfaqën në fillim kambanorja dhe pastaj minareja. Në fakt, kambanaret filluan të ndërtohen si pjesë e bazilikave që nga shekulli i 5-të. Kjo praktikë, që zuri fill në Perëndim, me kohë u adoptua edhe në Lindje.

Edhe minaretë nuk njiheshin në kohën e Muhametit dhe gjatë shekujve të parë të Islamit, shkruan Illich-i: kur Profeti dhe ndjekësit e tij arritën në Medina, ata luteshin pa ndonjë thirrje paraprake. Thuhet në një hadith se Muhameti, duke parë përdorimin e shofarit prej hebrenjve dhe të nâqûs-it prej të krishterëve, për të komunikuar me kongregacionet e tyre në masë, i tha Bilalit që të ngjitej në çatinë më të lartë të qytetit, dhe që andej ta thërriste ezanin. E para kullë e destinuar për këtë funksion dokumentohet në vitin 903; por edhe kjo nuk ishte ndonjë minaré e ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, por një kullë rojesh në muret e qytetit. Deri më sot, shkruan Illich-i, origjinat funksionale dhe arkitekturale të minaresë nuk janë studiuar mirë.

Kambanorja është ndërtesë në shërbim të një vegle metalike dhe jo, si në rastin e minaresë, në shërbim të zërit të njeriut – thekson Illich-i. Muhameti, që ishte edhe ikonoklast, e përkufizoi shtrirjen e komunitetit me cakun ku arrinte zëri i muezinit. Ndërkohë, kisha perëndimore krijoi vegla mekanike, për t’i dhënë zë ftesës së Zotit për lutje.

Për këtë arsye, altoparlantët e instaluar në majë të një kishe a të një minareje përbëjnë një risi të thellë, meqë e konsakrojnë bindjen se çdo lloj pajisjeje e shpikur nga njeriu mund të vihet në shërbim të Zotit. Megjithatë, vëren Illich-i, kambanorja është pjesë e një zgjidhjeje mekanike, e cila ofron suport material për një vegël metalike të inkorporuar në besimin e Krishterë; dhe këtu nuk i ngjan minaresë e cila, si të ishte podium, e ekspozon njërin prej besimtarëve dhe ia fuqizon rrezen ku i arrin zëri.

Gjatë periudhës së antiklerikalizmit në disa vende të Europës jugore, “e drejta e kambanës” u shndërrua në mollë sherri mes peshkopëve katolikë dhe autoriteteve civile. A kish të drejtë prefekti që të urdhëronte heshtjen e kambanave, pas orës shtatë të mbrëmjes? Apo të urdhëronte që të binin kambanat, për të lajmëruar se një qeveritar i lartë kish mbërritur në qytet? Dokumentet dhe vendimet gjyqësore të kohës dëshmojnë – në mos tjetër – se tingulli i kambanës vendos një zotërim, mbi hapësirën që mbush, përfundon Illich-i.

© 2022 Peizazhe të fjalës™ për përmbledhjen. Lutem referojuni origjinalit për çdo paqartësi.


[1] Shqipja ka dy fjalë të ndryshme, kambanë dhe këmborë, të cilat e mjegullojnë disi birësinë materiale; por në fakt edhe njëra edhe tjetra fjalë vijnë nga italishtja e hershme campana (edhe pse etimologjia i ka disa probleme të vetat, duke filluar nga rotacizmi). Shënimi im, AV.