Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

IN MEMORIAM PETER BARTL

Peter Bartl pushoi së qeni i vdekshëm. Në mbrëmjen e dt. 29 mars mbylli sytë për të fundit herë në moshën 84 vjeç historiani i Shqipërisë. Bota shkencore dhe intelektuale albanologjike ndahet me njërin ndër studiuesit e mëdhenj që i përkushtuan jetën intelektuale dhe angazhimin social hapësirës kompakte shqipfolëse dhe diasporës historike shqiptare.

Peter Bartl u lind në Cottbus (Gjermani) në vitin 1938, ku ndoqi edhe shkollën fillore dhe formimin gjimnazial. Pas shpërnguljes në Republikën Federale të Gjermanisë vijoi studimet universitare në fushat e historisë së Europës Lindore dhe Juglindore, sllavistikë dhe turkologji fillimisht në Göttingen e më vonë në Mynih (LMU) pranë historianit të njohur Georg Stadtmüller, sllavistit Alois Schmaus, turkologut Kiesling etj. Kërkimi shkencor dhe aktiviteti universitar si asistent i Stadtmüller-it përcaktuan qysh në fillim fokusimin e tij në historinë dhe kulturën e hapësirës kompakte shqipfolëse e në botën shqiptare në përgjithësi, duke pasur gjithëherë si sinor orientues tezën e mësuesit të vet, sipas të cilit „Shqipëria është pika e Arkimedit, e cila na ndihmon të depërtojmë në historinë dhe parahistorinë e Gadishullit Ballkanik“ (Stadtmüller).

Peter Bartl i qëndroi besnik e me bindje kësaj teze, duke e zgjeruar atë edhe me mozaikun e historisë së kulturës shpirtërore ndër shqiptarë, histori dhe kulturë kjo, me të cilën u lidh shpirtërisht deri në fund të jetës. Ngjizjen ndërdisiplinore ndërmjet historisë dhe kulturës etnike së bashku me gjuhën shqipe, të cilën e përvetësoi mahnitshëm falë ngulmit dhe bashkëpunimit me kolegun dhe mikun e vet Martin Camaj, e dëshmojnë në vijimësi veprat e tij të para, me të cilat plotësoi edhe detyrimet e karrierës profesionale, ndër to: „Die albanischen Müslime zur Zeit der nationalen Unabhängigkeitsbewegung“ (1968 = Myslimanët shqiptarë gjatë lëvizjes pë pavarësi, Tiranë 2006), „Der Westbalkan zwischen der Spanischen Monarchie und dem Osmanischen Reich“ (1974 = Ballkani Perëndimor midis Monarkisë Spanjolle dhe Perandorisë Osmane). Pika kulmore në aktivitetin e tij intelektual janë përpos veprës „Albanien – vom Mittelalter bis zur Gegenwart“ (1995, 1999, serb. 2001 etj. = Shqipëria – nga mesjeta deri në kohën tonë), kryevepra e tij madhore në pesë vëllime „Albania sacra“, ku rroket material dokumentar-arkivor për gjithë hapësirën administrative kishtare që mbulonin prej shek. XVI-XVII e deri në fund të shek. XIX Arqipeshkvitë dhe Ipeshkvitë e Durrësit, të Lezhës, të Sardës dhe Sapës, të Pultit e të Shkodrës, që pasojnë dy botime të mëparshme me dokumentacion arkivor prej Arqipeshkvisë së Tivarit nën drejtimin apostolik të Vincenz Zmajevich-it (1702-1723). Kolegë të tij përgatitën së fundi edhe një vëllim të posaçëm me artikuj të shkencorë të botuar në revista, periodikë të njohur dhe përmbledhje vëllimesh gjithfarësh përgjatë një periudhe 35-vjeçare aktiviteti shkencor: „Peter Bartl. Die Albaner in der europäischen Geschichte: Ausgewählte Aufsätze“ (edd. – B. Demiraj & R. Elsie: Albanian Studies, Bd. 28, 2016 = Shqiptarët në historinë europiane. Artikuj të përzgjedhur).

Peter Bartl organizoi punën dhe mbledhjen e kujdesshme të bibliotekës më të pasur shkencore albanologjike në Perëndim të Alpeve të Europës, e cila pas daljes së tij në pension u dhunua rregullisht prej burokracisë së institucioneve të kulturës në Landin e Bayern-it, prej mospërfilljes së aparatit administrativ të Universitetit „Ludwig-Maximilian“ dhe orientimit të ri që përjetoi Instituti i Studimeve të Europës Lindore dhe Juglindore, duke u linçuar për disa vjet në bodrumet e Südost-Insititut, deri sa mori më vonë rrugët e eksodit tragjik drejt Vjenës, ku ka humbur gjithçka që e mbulonte dikur me zulmë dhe nderim.

Peter Bartl mori përsipër për dhjetëvjeçarë të tërë drejtimin e Albanien-Institut të Mynihut, duke e shndërruar atë në një qendër të mirëfilltë të takimeve akademike-shkencore me një radius të gjerë jehone dhe respekti për kërkimin albanologjik në Mynih dhe Perëndim të Europës. Bartl drejtoi në funksionin e botuesit dhe të kryeredaktorit radhojën „Albanische Forshungen“ me qendër në Mynih, duke motivuar dhe mbështetur botimin e 47 (+ 4) monografive të natyrës albanologjike që mbulojnë fushat e historisë, gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Peter Bartl ka qenë bashkëpunëtor i palodhur i një numri të madh serish, botimesh periodike dhe revistash në Gjermani, Itali, ku mund të dallojmë, ndër të tjera revistën „Shêjzat – le pleiadi“ (në vitet 60′-70′ të shek. të kaluar – E. Koliqi) dhe „Shêjzat – le pleiadi. Series Nova“  (A. Ndreca), sikurse „Hylli i Dritës“ (A. Ndreca, më vonë V. Demaj).

Peter Bartl ishte edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës. Ai është nderuar, ndër të tjera, prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë me „Medaljen e Mirënjohjes“ dhe prej Universitetit Urbaniana (Romë) me „Medaljen e Artë“.

Një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, që do të gëzojë gjithëherë respekt e nderim prej gjithkujt që është pjesë dhe ruan kontakt me botën shqiptare.

(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin