Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

PAMJE TË LIRISË (II)

Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, Perëndimi identifikohej edhe si BOTA E LIRË, edhe pse kjo shprehje, në shqipen totalitare, përdorej gjithnjë me ironi; për t’i mëshuar idesë se në kapitalizëm, qytetari i thjeshtë nuk gëzonte asnjë liri. Megjithatë, për shumë qytetarë të Shqipërisë, mbiemri E LIRË në togfjalëshin BOTA E LIRË do të shënjonte mundësinë për ta filluar nga e para, për ta lëshuar veten në vese, për ta gëzuar jetën, për t’u çliruar nga detyrimi moral implicit, që i rëndonte çdo qytetari të vendit të vetëm socialist në botë. BOTA E LIRË ishte bota ku mund të bëje ç’të doje dhe të flisje ç’të doje dhe të shkoje ku të doje – me fjalë të tjera, bota ku nuk të pengonte askush (sidomos për të bërë “qejf”). Si e tillë, do të ishte edhe bota ku synonin të shkonin të gjithë ata që arratiseshin përmes kufijve shtetërorë për të fituar lirinë (e cila do të përjetohej si çlirim jo vetëm nga pushteti totalitar ndaj individit, por edhe nga pushteti i komunitetit (kolektiv). Sërish, ky interpretim i mbiemrit në togfjalëshin BOTA E LIRË ishte ai i një të burgosuri që ëndërron daljen nga burgu; dhe nuk është për t’u përjashtuar se, edhe ata që e konsakruan përdorimin e togfjalëshit FREE WORLD në diskursin propagandistik antikomunist (antisovjetik) e kishin të qartë që qytetari i një shteti totalitar e këqyr lirinë nga pikëpamja kryesisht e dikujt që e kanë mbyllur në burg.

Pak muaj më pas, të njëjtën liri do të kërkonin dhjetëra mijëra qytetarët që kapërcyen Adriatikun dhe zbarkuan në brigjet e Puglia-s – dhe kjo do të ishte liria e subjektit individual për të jetuar atje ku dëshironte; një liri për të cilën flitej shpesh në Europë aso kohe edhe në nivelet më të larta, teksa binte përdhé Muri i Berlinit dhe masa të mëdha njerëzish zhvendoseshin përmes kufijve, dikur të pakalueshëm, të epokës së Luftës së Ftohtë. Sa u përket shqiptarëve, e reja në këtë mes ishte se kjo lloj lirie, e përjetuar gjerësisht – edhe si dëshirë edhe si status për t’u fituar – i referohej individit si subjekt, jo një kolektivi.

Qytetarët e pakënaqur që u dyndën në oborret e ambasadave në korrik të vitit 1990 nuk e përjetonin aq fort mungesën e pluralizmit dhe të institucioneve të pavarura (si gjyqësorit, etj.) dhe as mungesën e lirisë ekonomike. Nuk e kishin shumë idenë se çfarë ishin pikërisht këto liri. Një pjesë e mirë e tyre ishin rritur edhe një një shoqëri pa institucione fetare dhe kishin vetëm nocione rudimentare për fenë (zakonisht të kufizuara në tipare të identitetit). Njëlloj siç edhe ishin rritur në një ekonomi ku prona private nuk ekzistonte dhe ku pronar i gjithçkaje ishte shteti. Prandaj liria që kërkonin reduktohej në pak të drejta themelore, shkeljen e të cilave e kishin përjetuar tashmë: e drejta për të udhëtuar (lexo: për të emigruar, por edhe për ta zgjedhur vetë vendbanimin) dhe e drejta e fjalës, ose për të mos u dënuar “për një fjalë goje”. Edhe pse ata vetë nuk e kuptonin mirë, kërkesat e tyre kishin të bënin, në thelb, me nevojën për të reduktuar interferencën e SHTETIT në jetët e tyre si subjekte; jo për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe kontrollin e tyre, si subjekte votëdhënëse, në punët e shtetit.

Mirëpo bota perëndimore, që nuk rrinte indiferente ndaj zhvillimeve në Shqipëri, kish prioritete të tjera, duke besuar mbase vërtet se legalizimi i pluralizmit politik (me themelimin e Partisë Demokratike, në fillim të vitit 1991), do të krijonte kushtet edhe për ushtrimin individual të shumë lirive të tjera, që nga ajo e fjalës tek ajo e pronës private, nga ajo e fesë tek ajo e zhvendosjes së lirë, brenda vendit ose drejt vendeve të tjera. Megjithatë, edhe Partia Demokratike që e kish në program realizimin e këtyre lirive “borgjeze”, kish nevojë që më parë të vinte në pushtet, për ta bërë programin e saj realitet.

Dhe këtu vijmë te pjesa e dytë e binomit LIRI DEMOKRACI; sepse brenda një sistemi pluralist, të organizuar sipas modelit europiano-perëndimor, një parti nuk mund të vinte në pushtet veçse nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike. E gjithë përpjekja për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve ishte edhe përpjekje për realizimin e LIRISË POLITIKE, në nivel kombëtar dhe në nivel individual; me shpresën se ashtu qytetarët do të arrinin më në fund lirinë e nevojshme për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Por nuk ishte e qartë atëherë dhe as është e qartë tani, nëse kjo lloj lirie ishte e njëjtë me atë që kërkonin protestuesit në verën e vitit 1990; aq më tepër që DEMOKRACIA, me përkufizim, është sundim i një shumice ndaj një pakice.

Sërish në fillim të viteve 1990, krahas me shthurjen e ekonomisë së planëzuar dhe të bazuar në pronën shtetërore dhe kooperativiste, u hodhën edhe hapat e parë drejt lirisë ekonomike, e cila në Shqipëri mori pamjen e shëmtuar të “terapisë së shokut”, të shoqëruar me premtimet për “çekun e bardhë”. Zhbërja e ekonomisë socialiste pati shkaqe objektive, por edhe u orkestrua nga lart, nga aktorë ndërkombëtarë që besonin se ekonomia e tregut do të shërbente si model për ndërtimin e institucioneve të tilla që të garantonin lirinë edhe politike edhe civile. Kjo lloj lirie mbështetej në konceptin e laissez-faire, një sistem ekonomik ku transaksionet mes palëve private janë në parim të lira nga çdo lloj intervencionizmi ekonomik (rregullore, subvencione, etj.).

Kaosi që pasoi, dhe që kulmoi me katastrofën e “piramidave” dhe pastaj me anarkinë e revoltës së viteve 1997-1998, nuk ishte veçse vazhdimi i reformave ekonomike të zbatuara verbërisht, nga njerëz herë inkompetentë herë të papërgjegjshëm, por nën trysninë e fortë të “ndërkombëtarëve” (kjo e fundit, në dëm edhe të sovranitetit shtetëror). Në mbyllje të këtij procesi, qytetari shqiptar e pa veten pa burime dhe rezerva financiare, pa një vend pune, pa siguri publike për vete dhe familjen, pa institucione, me shtet të plaçkitur dhe të pafuqishëm dhe, në thelb, sërish të privuar nga LIRIA. Edhe e drejta për të ikur nga Shqipëria tashmë po i mohohej prej Të tjerëve; dhe kufirin – real dhe virtual – po kujdesej që ta ruante “Europa”. Përveç atyre që ikën si mundën dhe u sistemuan gjetiu, të vetmit që e gëzuan “LIRINË” ishin ata që përfituan nga kaosi i përgjithshëm për t’u pasuruar në mënyra pak a shumë të paligjshme.

Por le të mos na shpëtojë se, gjatë këtyre 150 vjetëve të fundit, e njëjta fjalë – LIRI – ka shprehur kuptime të ndryshme dhe herë-herë të kundërta mes tyre; dhe se është kaluar, pa u ndier, nga LIRIA E KOMBIT, te LIRIA E KLASËS dhe pastaj te LIRIA POLITIKE dhe LIRIA EKONOMIKE (përfshi edhe LIRINË E PRONËS PRIVATE), të cilat jo gjithnjë përkojnë, madje ndonjëherë edhe bien në kundërshtim, me lirinë e subjektit individual. Dhe çfarë është edhe më shqetësuese, i është mëshuar idesë problematike se DEMOKRACIA, e kuptuar në mënyrë krejt naive si organizim zgjedhjesh (të njëpasnjëshme dhe praktikisht të pandërprera) me pjesëmarrjen e partive politike të ndryshme (në thelb, demokracia si partitokraci) do të garantonte edhe LIRINË, në kuptimin liberal të fjalës; paçka se rrënjët, edhe teorike edhe ideale, demokracia i ka te barazia, jo te liria.

Kanë thënë se liria si ide e ka origjinën në Perëndim; dhe liria në kuptimin e vet “negativ”, si mos-interferencë e shtetit në jetën e subjektit individual, e ka origjinën në Krishterim. Por ka arsye të mendohet se, nën Perandorinë Osmane, të paktën një pjesë e mirë e shqiptarëve do të kenë qenë – të paktën në disa aspekte jo të dorës së dytë – më të lirë se ç’do të ishin, kohë më pas, nën totalitarizëm, ngaqë shteti osman nuk ndërhynte shumë në jetët private të nënshtetasve madje tregonte tolerancë ndaj pakicave fetare. Konfliktet që lindnin herë pas here mes periferive dhe qendrës, përjashto ato që ushqeheshin nga interesat e fuqive të huaja (Venediku, Austria, Austro-Hungaria, Rusia, etj.) kishin të bënin shpesh me kundërshtimin për të paguar taksa (ose me ushtrimin e lirisë për të mos paguar taksa). Kish zona në trojet shqiptare që e kishin negociuar këtë lloj lirie – ndonjëherë edhe me armë – dhe që ishin lejuar nga Porta e Lartë që të vetë-qeveriseshin. Por edhe në këto zona, ku shteti osman nuk ndërhynte, vështirë të përfytyrosh se mbretëronte LIRIA individuale: sisteme koercive alternative, si Kanuni, e kufizonin mjaft hapësirën e veprimit dhe të zgjedhjes për subjektin, madje jo rrallë e anulonin, duke e lënë të absorbohej në entitetet kolektive të familjes, të fisit, të krahinës. Edhe atje ku Kanun nuk kishte, rol të ngjashëm luante patriarkalizmi ose rutinat sociale.

Paradoksalisht, edhe shteti totalitar i Hoxhës i hoqi të gjitha taksat dhe tatimet, duke e shpallur me të madhe se Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë, ku qytetarët nuk i paguanin taksa shtetit; çfarë nënkuptonte, mes të tjerash, se mospagimi i taksave i shtonte një përmasë lirisë së subjektit individual. Si efekt i kësaj politike, breza të tërë u rritën në një ekonomi ku praktika dhe koncepti i taksës nuk ekzistonte; çfarë më pas, me vendosjen e pluralizmit, do t’ua vështirësonte shumë punën qeverive të majta, në përpjekje për të shtuar shërbimet sociale dhe zbutur pabarazitë.

Nga ana tjetër, që qytetarët e një shteti totalitar, praktikisht të zhveshur nga të drejtat dhe liritë, ishin çliruar edhe nga taksat, do të përbënte një paradoks për të gjithë ata politologë dhe ekonomistë politikë liberalë dhe neo-liberalë në Perëndim, të cilët predikonin se taksimi i subjekteve individuale nuk ishte veçse një formë interference nga ana e shtetit. Por ky paradoks, i vështruar nga perspektiva shqiptare e viteve 1990, do t’ua bënte më të lehtë, qytetarëve të Shqipërisë, të pranonin politikat e laissez-faire, privatizimit të egër, deregulation dhe të tokës së djegur, të cilat u përqafuan nga segmente të klasës politike të dalë nga dhjetori 1990.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin