Muhabetet që pasuan arrestimin e këngëtares Elsa Lila në Itali me akuzën për trafik të drogës, më kujtuan se unë nuk ndihem ndonjëherë krenar kur një shqiptar arrin një sukses jashtë Shqipërisë, siç edhe nuk ndihem i poshtëruar, kur një shqiptar përfundon në krye të lajmeve të kronikës së zezë. Gjendesha në Itali në kohën e shfaqjes masive të “elementit shqiptar” atje në fillimvitet 1990, dhe njëlloj jam neveritur si kur më kanë parë me përçmim, si “shqiptar”, ashtu edhe kur më kanë mburrur, sërish si “shqiptar” (sa gjuhë di, etj.). Në ato kohë më kërkonin herë pas here të përktheja në hetuesi, në kuesturë ose në burg, dhe vija në kontakt me lloj-lloj bashkatdhetarësh. Veçanërisht të pështirë për mua ishin shfrytëzuesit e prostitucionit, dhe më shumë se një herë pyesja veten çfarë mund të kisha unë të përbashkët me këto qenie, veç faktit që flisnim shqip. Mos vallë duhet ta përjetoja shqipen time amtare si mallkim? Sepse përndryshe nuk bashkëndanim as vlera as vizione. Apo mos duhet të mendoja, duke relativizuar, në kushte të tjera edhe unë do ta bëja punën e pimp-it duke trafikuar shpesh me mashtrim vajza nga Shqipëria dhe duke i nxjerrë pastaj në rrugë me përdhunë? Jo, nuk do ta bëja kurrë. Pastaj më shkonte mendja se në sytë e hetueses a të detektivit italian, shumë pak dallim kish mes pimp-it dhe meje, të dy u shfaqeshim – tek e fundit – si “albanesi” dhe, në thelb, të huaj. Më ka rastisur të dëgjoj një zëvendësprokurore të republikës, në Napoli, të trajtonte mu para meje, me përbuzje të hapur një punëtore shqiptare, te një punishte dyshekësh, e cila ish thirrur si dëshmitare e një aksidenti vdekjeprurës në vendin e punës (një kolegen e saj e pat vrarë një makinë industriale, duke e tërhequr për flokësh; punishtja vetë ishte ilegale si shumë të tjera të ngjashme në periferi të Napolit, dhe dyshohej fort se një prift funksionar i Caritas-it lokal e furnizonte me fuqi punëtore të kontrabanduar). Fare lehtë mund të kisha qenë unë në vendin e asaj punëtores. Dhe besoj se ka një lidhje sado paradoksale mes këtij “refuzimi” të Tjetrit thjesht për shkak të paragjykimit dhe krenarisë që jemi gati të ndiejmë, kur një futbollist shqiptar shënon gol të bukur në kampionatin anglez. Të dyja situatat janë produkt i një iluzioni de-personalizues. E kam ndjekur muzikën e lehtë italiane prej dekadash, dhe them se ashtu edhe kam marrë një “edukim” muzikor, por edhe poetik – po të kem parasysh tekstet e kantautorëve të viteve 1970-1990. Janë gjëra që ma kanë pasuruar botën shumë më tepër se Festivalet e Këngës në Radio-Televizion. Kur një këngë më pëlqente, gjithnjë vendosja me të një raport shumë personal, intim, ku edhe shihja të realizuar identitetin tim. Prandaj edhe nuk mund ta kuptoja si mund të entuziazmohej dikush me Elsa Lilën, kur ajo merrte pjesë në Sanremo, përveçse po t’i pëlqente kënga e saj, në vetvete. Është normale që dikush që jeton në Itali, të marrë pjesë në jetën e atij vendi, me të mirat dhe të këqiat e saj: kjo do të thotë se krimi shqiptar në Itali është në fakt (edhe) problem i rendit publik të atij vendi. Veç kësaj, italianët nuk është se na pritën atëherë si shpëtimtarë, por edhe tipikisht racistë nuk u treguan. Kish në qëndrimin e tyre spontan frikë nga e panjohura, por kish edhe ankth për ndryshimet sociale që mund të sillte – dhe që solli – emigracioni. Nga ana tjetër, elitat atje sidomos ato të majta u ngutën të “sinjalizojnë virtytin” dhe t’ua hapin kangjellat e industrisë së spektaklit individëve nga Shqipëria, ndonjëherë edhe duke i prezantuar si “shqiptarë të zbutur”. Nuk është lehtë të normalizosh raportet, në rrethana të tilla. Unë kisha një punë “dinjitoze” në Institutin Oriental të Napolit (më thërrisnin “dottore”), dhe megjithatë gjithnjë ndihesha i trajtuar si ndonjë kafshë cirku. Mbase edhe unë e shihja veten ashtu. Napoli e kish njohur tashmë emigracionin, por besoj ishte hera e parë që emigrantët në masë nuk i dalloje dot aty për aty, nga pamja dhe veshja dhe sjellja (madje ndonjëherë edhe nga akcenti), prej vendasve. Ndryshe nga marokenët dhe pastaj pa folur për etiopianët, somalezët dhe nigerianët. Prania e elementit shqiptar “të infiltruar” në jetën e qytetit krijonte një lloj ankthi të ri. Por kjo karakteristikë, në analizë të fundit, e ndihmoi integrimin e emigrantëve nga Shqipëria – që ndodhi edhe me mirëkuptimin e autoriteteve italiane. Por të jetë edhe kjo arsye për t’u ndier krenar? Për një kohë të gjatë, shqiptarëve – nga Shqipëria dhe Kosova dhe Maqedonia dhe sidomos në zonat e pasura të veriut italian – u përmendej emri shpesh si shpërndarës droge, si shfrytëzues prostitucioni, si grabitës dhe vrasës. Të ishte kjo arsye për t’u ndier me turp? Nuk them se mua nuk më vinte rëndë, por kjo ngaqë prisja prej italianëve të më shihnin shtrembër, mua shqiptarin, sa herë që ndonjë “bashkatdhetar” bënte proçkën e radhës dhe identifikohej si i tillë në mediat. Sikleti im vinte si anticipim i reagimit instinktiv të italianëve, të cilin e supozoja dhe e prisja të ndodhte. Përndryshe, nuk do të më vinte turp, pse një shqiptar kish vjedhur dhe kish vrarë, në qoftë se atë person nuk e njihja, nuk e kisha takuar kurrë, nuk e dija se ç’përfaqësonte dhe nga vinte. Flisnim të dy shqip? Nuk besoj se mjafton, për mua nuk ka mjaftuar kurrë. Përkundrazi, mjaftonte dhe tepronte vetëdija ime për kufirin midis respektimit dhe shkeljes së ligjit të vendit ku jetoj (jo të ligjit që mund të kisha sjellë unë me vete). E megjithatë, çfarë do të ndieja – deri dje – po të takoja një italian dhe ky të entuziazmohej me mua, si bashkatdhetar i Elsa Lilës? Një situatë e ngjashme është ajo që kam provuar në librari, kur kam parë librat e Kadaresë – frëngjisht – në raft. Jam ndier mirë, por jo ngaqë Kadareja është shqiptar. Thjesht ngaqë ai është autori me të cilin jam rritur dhe formuar kulturorisht dhe që tani më lidh me Francën ndryshe nga ç’më lidh, bie fjala, Mick Jagger-i, të cilin gjithashtu e duan shumë në atë vend. Por mua nuk ma jep dinjitetin, si individ, romani i përkthyer i një bashkatdhetari apo interpretimi i një këngëtareje shqiptare. Prandaj te historia e Elsa Lilës, që është arrestuar pse dyshohet për pjesëmarrje në krimin e organizuar në Itali, shoh një histori – nga të shumtat – me shqiptarë që duan të pasurohen me rrugë të paligjshme (të “bëjnë plaçkë”) në Perëndim.[1] Që presidenti Rexhep Mejdani e pat emëruar dikur “Ambasadore e këngës shqiptare në botë”, kjo më flet shumë për cektësinë dhe oportunizmin e politikave tona kulturore, por nuk ma ul konsideratën për muzikën shqiptare, as për vlerën e veprave nga artistë, anembanë botës, që qëllon të jenë shqiptarë dhe të flasin shqip si unë. Ne tregohemi tepër naivë, kur presim prej celebriteteve, madje edhe prej starlet-eve si Elsa Lila, që të shfaqin dhe të promovojnë virtytin, qoftë edhe virtytin tonë kombëtar. Politika do t’i shfrytëzojë këto për qëllimet e veta, sepse politika atë punë ka. Por le të mos ngatërrohemi me krenarinë dhe turpin, sa kohë që jemi të pjekur dhe ndiejmë përgjegjësi individuale për çfarë bëjmë dhe për çfarë nuk bëjmë.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: një version pak ndryshe i këtij shkrimi doli si status në faqen time personale në FB.
[1] Kjo eksperiencë për mua ka nisur në vitin e largët 1988, kur një person me të cilin ndaja apartamentin në Romë, edhe ai bursist pasuniversitar si unë dhe nga ata që të thonë se “nuk është djalë i keq“, filloi të vidhte mbathje burrash (boxers) nga një tezgë trotuari, të cilat mbathje i sillte pastaj në shtëpi, na i tregonte me mburrje dhe i koleksiononte.